Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hiq e vur!

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Hiq e vur!

Po të shkosh në “Facebook” këto ditë, ndër të tjera të del përpara edhe një peticion i një grupi pa kokë, që kërkojnë heqjen e monumentit të Ahmet Zogut në Tiranë. Peticioni rreshton edhe një sërë arsyesh pse e kërkojnë heqjen e monumentit, arsye midis të cilave, pas mendjes time, ka që qëndrojnë, ka që nuk qëndrojnë. Nuk kam ndër mend të analizoj këtu arsyet e tyre, por halli im është te kjo loja jonë e vjetër hiq e vur.

Njerëzia kanë nja katër a pesë mijë vjet që u ngrenë monumente e statuja perëndive. Mirëpo këtyre, monumentet u takojnë “ex officio” siç do thoshin latinët, pra për shkak të detyrës. Ishe Perëndi dhe njerëzia, babilonas a egjiptianë qofshin, detyroheshin të të ngrinin një shtatore ku të të faleshin. Më pas, grekërit e vjetër qenë të parët që, përpos këtyre, filluan t‘u ngrenë shtatore edhe heronjve njerëzorë, atyre tokësorë, që me veprat e tyre të çdo fushe, ngjallnin admiratën e të tjerëve. Kështu na përcollën ata shtatoret e Akilit e të Homerit, të Leonidës, Aristotelit e Odhisesë. Romakët pastaj u shtuan këtyre edhe statujat e perandorëve dhe të qeveritarëve tokësorë.

Që prej atëherë e deri në ditët tona, të gjitha qytetërimet u kanë ngritur e u ngrenë monumente heronjve të tyre, shkrimtarë a filozofë, trima a shpatarë, mendimtarë e shtetarë, njerëz që me ëndrrën dhe përpjekjet e tyre, janë përpjekur ta çojnë përpara njerëzimin. Puna e do që, në më të shumtën e rasteve ai, heroi i shtatores, të ketë vdekur a të jetë vrarë përpara se ta shohë të realizuar ëndrrën e vet, gjë që mund ta bëjë pas vdekjes që së larti piedestalit ku e ngre shoqëria.

Ne shqiptarët megjithëse bakër e mermer kemi pasur boll, statuja zumë të ngremë vonë, shumë vonë. Ca nga fukarallëku e ca nga padija, s’ia kishim ngenë të harxhonim kohë e energji me shtatore, ndaj mjaftoheshim vetëm me nga një këngë me çifteli, që e këndonin kur ishin bashkë ata që i shihnin me sy të mirë bëmat e trimit të radhës. Kjo puna e çiftelisë kishte disa të mira bashkë. Ata që mblidheshin për të kënduar ishin të një mendjeje dhe kështu shmangej sherri me ata që e kishin inat trimin e këngës. Pastaj, me vdekjen e trimit dhe të këngëtarit, dalëngadalë harrohej edhe kënga dhe i vinte radha trimit tjetër. Kështu s’kishte sherr kurrë.

Mirëpo kohët moderne na sollën tabiate të reja, me të cilat nuk ishim mësuar dhe ndaj nuk i patëm shumë qejf. Monumentet e para në Shqipëri janë ngritur në vitet ‘30 dhe përgjithësisht kujtonin ngjarje dhe njerëz për të cilët pak a shumë ishim në një mendje të gjithë, ndaj zor se nuk i shkonin për shtat ndokujt. Sherrin e hapi Naltmadhnia që, kur i hyri vetja në qejf, filloi ta mbillte vendin me monumente që ishin me belara që sa ishte vetë ai në pushtet, lëre më pas pastaj. Kështu bie fjala, i ngriti monument në Tiranë, Llesh Topallajt, adjutantit të vet, që u vra gabimisht në Vjenë kur i bënë atentat Zogut. Meritë e dyshimtë apo jo? Në një vend që nuk i kish bërë ende monument Skënderbeut, i bënim monument bronzi një njeriu të panjohur. Pastaj Zogun e kapi edhe deliri për monumente të vetes dhe filloi të ndërtonte të tillë lart e poshtë.

Të gjitha këto monumente nuk i hoqi Enveri, jo, u hoqën më të shumtit që sa hyri Italia më ‘39-n dhe madje u hoqën gjithë zell nga po ata që gjithë zell i kishin duartrokitur kur u vunë.

Kur i erdhi radha Komandantit pastaj, ky jo vetëm ju vuri fshesën ç’kish mbetur, por vazhdoi të ngrinte monumente pas midesë së tij në shumë raste për njerëz që meritat afatgjata i kishin vërtet të dyshimta. Nga fundi edhe komandantin e zuri mania e Naltmadhnisë dhe e mbushi Shqipërinë me monumentet e veta që vazhduan të ngrihen edhe pasi vetë Komandanti ndërroi jetë.

Demokracia duhej të na kish dhënë mësimin e madh që monumentet janë punë me zarar dhe po i përdore për politikën e ditës e kanë ymrin të shkurtër. Një mësim i tillë nuk mund të zërë rrënjë në kokat e shqiptarëve, ndaj furtuna e pas ’90-s fshiu nga faqja e truallit arbëror shumicën e heronjve të kohës së përparme. Natyrisht që me të njomin u dogj edhe i thati dhe shkulëm e shkatërruam edhe shumë syresh që ndoshta nuk e meritonin një fund të atillë. Kjo mania e të prishurit nuk na ka lënë akoma, mjaft të sillni në mendje merakun e zonjës Jozefinë derisa ia doli të çojë te plehrat e Shkodrës monumentin e “5 Heronjve”. Hoqën e hoqën sa u lodhën dhe tani zunë të vënë të tyret. Por prapë pa e vrarë mendjen hiç se po vure thjesht me mendjen tënde dhe pa u marrë vesh të gjithë bashkë nëse ai që po vëmë është burrë i mjerë a i lig, prapë do i vijë radha ta heqin.

Të vijmë tani te Naltmadhnia. Figurë më belaçie zor të gjendet mes shqiptarëve: ca e duan, ca e shajnë, ca e bëjnë tradhëtor ca e ngrenë hero, ca e mallkojnë, ca e lëvdojnë. Në këtë mes një qeveritar me mend në kokë, duhet t’ia dalë t’ua bëjë të pranueshme një figurë të tillë sa më shumë njerëzve, ta shmangë me sa të mundet nga politika në përgjithësi dhe nga ajo e ditës në veçanti, të vërë historianët t’ia sqarojnë veprat që ka bërë, të gjitha të mira e të liga dhe pastaj me gjak të ftohtë të përpiqet që me sa më shumë konsensus ta bëjë të pranueshëm. Në fund të fundit, Ahmet Zogu mbetet një prej tri figurave më të rëndësishme të Shqipërisë së shekullit XX dhe, përtej të keqes dhe të mirës, është pjesë e historisë.

Mirëpo ç’bën Saliu? Saliu si Saliu, e shpërdor me sa mundet Zogun për t’ua kundërvënë kundërshtarëve të vet, madje edhe ditën kur e vë mbi piedestal, shkon dhe e zgjedh me kujdes: 24 dhjetor, bash ditën e kthimit të Zogut më 1924-n nga Jugosllavia. Një qeveritar i urtë do kish zgjedhur një ditë më private, datëlindjen e mbretit për shembull, por jo, Saliu nuk e ka hallin te Zogu, do sherr me zor. Dhe natyrisht që sherr plas pas kësaj. Ata që e hanë në fund janë prapë monumentet, që i zë tmerri nga lufta hiq e vur. Unë për vete, sa herë del haberi qeveritar për ngritjen e ndonjë monumenti të ri kam një frikë tjetër. Meqë ky shtet është aq i shkundur sa nuk ka pará për të blerë as bronz, zakonisht për të bërë një statujë të re shkrijnë një statujë ekzistuese. Frika ime është pikërisht kjo, ç’do shkrijnë të vjetër për të bërë të renë. Palo shtet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama