Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bolsheviket tane

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Bolsheviket tane

SHQIPNI TAVOLINASH

E fundit që më kërkoi të shkruaja diçka për punë të asaj mega-tabelës së vendosur në qendër të Tiranës, ishte Mimi. Nuk ja premtova, meqenëse këto ditë është shkruar gjërë e gjatë për të, mirëpo fundjava më dha kohë të rimendoja më thellë.

Nuk ka asgjë të çuditshme në atë tabelë. Përkundrazi, nëse gërmat e Udhëheqësit do qenë më të vogla, do të kishte vend për t’u shqetësuar, pasi do të kishim rastin e një bolsheviku që nuk vepron si bolshevik. Bolshevizmi, përpara se të jetë ideologji, është mënyrë të menduari dhe vepruari. Në vitin 1985, u botua Fjalori Enciklopedik Shqiptar, sot i konsideruar si një nga shfaqjet më groteske të ideologjizimit të shkencës, ndërsa asokohe shfaqje e kanonizuar e epokës së vet. Brenda tij ka rregulla shumë të qarta të paraqitjes së personazheve. Për shembull, Komandanti paraqitet me fotografi 1 faqe, anëtarët e Byrosë Politike paraqiten me fotografi sa 1/4 e faqes, anëtarët e Komitetit Qendror, sa 1/8 e faqes, heronjtë e socializmit sa 1/12 e faqes, ndërsa mendimtarët e Rilindjes sa 1/16 ose pa fotografi fare. I njëjti standard ndjek edhe radhët e tekstit dhe madhësinë gërmave. Kjo punë 25 vjet më parë.

25 vjet më pas, emri i Berishës paraqitet me gërma më të mëdha sesa emri i Nënë Terezës. Mëse normale, është po ajo mënyrë bolshevike të menduari që vazhdon të funksionojë. Apo, meqë merrem me histori, po të hapësh gazetat e kohës, kur festohej 70-vjetori i Pavarsisë më 1982, sheh citate të Komandantit për Ismail Qemalin, ku Plakut të Vlorës (për të cilin po bëhej festa) emri i shkruhet me gërma të zakonshme “Ismail Qemali”, ndërsa Komandantit me kapitale “ENVER HOXHA”. Mëse e natyrshme edhe kjo, Ismail beu s’të bënte dot më gjë, ndërsa Komandanti të bënte gjëmën. Me një përputhje prej manuali, sot pas gati 30 vjetësh, të njëjtën ortografi bolshevike e ri-gjeni tek tabela e Muzeut. Emri i Nënë Terezës, që po përkujtohet, është me gërma të vogla, ndërsa ai i “kujdestarit” me gërma kapitale. Prapë, Nënë Tereza s’ka ç’na bën, apo më e shumta mund të na mallkojë që së larti, madje as këtë s’e bën se e kaloi jetën duke bekuar, ndërsa Kryeministri të heq bukën e gojës, duke mos të dhënë më tender tjetër.

Po ka edhe më. Në furinë e përdhosjes së ç’do gjëje, bolshevikët e asokohe u hakmorën mbi fenë duke e ndërtuar Muzeun e Ateizmit bash brenda në një kishë të Shkodrës. Bolshevikët e sotëm bëjnë të njëjtën gjë, duke vënë portretin e Nënë Terezës bash mbi mozaikun Socialist. Kësaj ne i themi me mburrje “hakmarrje”, ndërsa e Shenjta Nënë u lut gjithë jetën kundër hakmarrjes. Por bolshevikët nuk dinë të bëjnë ndryshe.

Por ka edhe më. Marksi, i pari i Komunistëve, kur shkruante Kapitanin, ndër të tjera thotë aty: “Borgjezia pasi merr pushtetin politik, kërkon pushtetin ekonomik dhe, pasi merr edhe pushtetin ekonomik, kërkon lavdinë”. Le t’ia heqim petët lakrorit një nga një. Ai mozaiku në fasadë të Muzeut, shpreh pikërisht triumfin e marrjes së pushtetit politik nga komunistët. Mbi mozaik para ca kohe u vendos tej e tej reklama e Vodafon-it, nga e cila fitojnë të gjithë edhe Vodafon-i, edhe aksionerët e tij, edhe ata që e lejuan aty pa leje, edhe ata që prodhuan atë mega-çarçaf. Në fund të fundit, ajo reklamë ishte shprehje e marrjes së pushtetit ekonomik të bolshevikëve tanë. Dhe tash së fundi, mbi çarçafin e pushtetit ekonomik, u vendos çarçafi i Lavdisë, ku me gërma sa një bojë njeriu valëvitet emri i Udhëheqësit të bolshevikëve. Dhe thuaj pastaj që Marksi e kishte gabim, apo që bolshevikët ndryshojnë!

Marksi ishte gjeni, por gjenia e tij nuk do kishte asnjë vlerë pa bolshevikët tanë, që kanë njëqind vjet që u japin jetë parashikimeve të tij. Edhe Nënë Tereza është një gjeni, por as gjenia e saj nuk do të dallohej pa bolshevikët tanë, që me vogëlsinë e tyre na bëjnë të admirojmë madhështinë e saj.
KUJDESI I VEÇANTË

Kujtova se e mbylla më sipër këtë temë, por s’mu ndënjka pa ju kthyer prapë. Në këtë të voglën tonë, Qamil Buxheli është gjeni i humorit, jo aq se të bën të qeshësh me ato që shkruan, por se ja del të shkruajë humor të përjetshëm. Pakkush i moshës time, bën vaki të mos e ketë lexuar romanin e tij “Karriera e Zotit Maksut”, me të cilin ai përshkruan groteskun e dallkaukëve të kohës së Zogut. Në të, mes shumë mrekullive të tjera, ai ka edhe një mrekulli. Janë mbledhur autoritetet të inagurojnë një ... me nder jush, hale - e vetmja gjë që kanë qenë në gjendje të ndërtojnë - dhe haleja është ndërtuar “nën kujdesin e veçantë të Naltmadhnisë”. E pabesueshme, Buxheli gati gjysëm shekulli më parë, tallet edhe me maninë e të pazotëve për të bërë gjëra të mëdha, edhe me maninë e tyre për t’ja veshur ato të madhit të momentit. E pabesueshme, edhe fraza me të cilën tallet Buxheli, është gërmë për gërmë e njëjta, ajo e përjetshmja: “Nën kujdesin e veçantë të ...”. Dhe thuaj pastaj që nuk është gjeni. Vijon pastaj në libër, ajo skena brilante ku xhandar Mevlani, që e kishin porositur të bërtiste sa herë ziheshin në gojë Princeshat, e bëri lëmsh fjalimin e Kryetar Maksutit:

“Kryetari: - Nën kujdesin e veçantë të ...
Xhandari - Rroftë kujdesi i veçantë!
Kryetari: - Nën kujdesin e ...
Xhandari: - Rroftë kujdesi!
Kryetari: - Nën ...
Xhandari Rroftë nën-a!”.

Natyrisht që Zogu nuk ishte bolshevik e, as ata që e rrethonin s’qenë të tillë, por ai ishte thjesht diktatoruci i momentit, i rrethuar nga dallkaukucët e momentit, që i bënin fresk sabah – aksham. Se ndryshe s’ka si shpjegohet që sporti shqiptar zhvillohej “nën Kujdesin e Lartë të Princeshës Sanije”, ndërsa artet “nën Kujdesin e Lartë të Princeshës Ruhije”. E kështu vargan-vargan princeshat e Burgajetit, papritur, falë dallkaukëve që i rrethonin, zbuluan se paskëshin qenë sportiste e artiste me famë. Nuk është nevoja t’ua them unë se me kë mund t’i zëvendësoni sot Sanijet e dikurshme, se i kemi përditë në televizor, nëpër përurime, ekspozita e takime me elitën e pavarur.

Ju lutem vetëm për një gjë, aman mos vini buzën në gaz me këto që po shkruaj, se janë për të qarë, jo për të qeshur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama