Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fati i akuzave

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Fati i akuzave

FATI I AKUZAVE

Që fushata antikorrupsion e Partisë Socialiste e gjeti të papërgatitur Sali Berishën, kjo duket sheshit, kur edhe dy muaj pas sulmeve, Berisha nuk po ia del të ngrejë një skemë kundërpërgjigjeje. Ministërllëku i Dritan Priftit ishte kurbani i parë i kësaj fushate që do kish marrë apo do marrë së shpejti edhe Bregun e Rulin, me ç’duken bathët. Këmbën zvarrë, them unë, ashtu si edhe çdo shqiptar tjetër normal që pret të qeveriset nga njerëz normalë, mirëpo në këtë mes ka edhe një problem të dytë.

Dritan Prifti nga Partia Socialiste nuk u akuzua se ishte ministër i paaftë ndaj duhej të linte karrigen, apo se politikat e tij në sektorin energjetikës binin ndesh me interesat e vendit. Në një rast të këtillë, rënia e ministrit do të shënonte natyrshëm edhe ndërprerjen e batareve ndaj tij. Dritan Prifti u akuzua rëndë e më rëndë për korrupsion e për nepotizëm, për favorizime e për fshehje të ardhurash, për vjedhje e për mashtrime. Të gjitha këto akuza nuk u thanë ashtu në erë apo si shkarazi, por u vazhduan për ditë e javë rresht nga një varg deputetësh e përfaqësuesish të lartë të Partisë Socialiste, u shoqëruan me data e numra protokolli, me dokumente, firma e vula të njoma e të thata.

Pastaj papritur, ditën që Dritani dha dorëheqjen, batareja pushoi. Një gazetë e nis apo e pushon luftën kur të dojë, se i jep llogari vetëm vetes dhe pronarit të vet, ndërsa një parti politike dhe deputetët e saj nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë sipas qejfit të ditës. Këta kanë detyrimin moral përpara zgjedhësve të tyre, ku bëj pjesë edhe unë, që ta vazhdojnë denoncimin deri në sqarimin e gjërave. Këta kanë detyrimin ligjor që dokumentet e korrupsionit e hajdutërisë t’i çojnë në prokurori. Këta kanë detyrimin moral para qytetarëve shqiptarë që, edhe pasi t’i depozitojnë në Prokurori ato dokumentet me firma e vula, të dalin sërish çdo ditë në konferencë shtypi, deri ditën që prokuroria të mbarojë hetimin dhe ta çojë çështjen në gjykatë. Vetëm atë ditë ata kanë të drejtë të na thonë: “Zgjedhës, qytetarë dhe ti Kushtetutë, ne e kryem detyrën tonë”. As unë e as çdo shqiptar që informohet përmes mediave për ç’ndodh në vend, nuk kemi ndonjë inat personal me z. Prifti, as na ka vrarë e as na ka prerë kënd. Mirëpo me ç’kemi parë e dëgjuar nëpër konferencat e shtypit, ata që e ngritën gjithë frymën kundër tij, kanë detyrimin të bitisin punën e nisur.

Ndërsa ky pushimi i zjarrit, ditën që ai burri thjesht zbriti nga qerrja e shpartalluar e qeverisë, por duke marrë edhe thesin me vete, nuk më lë shije të mirë, le pastaj që gojët e liga flasin se ai burri me gjithë thes mund edhe të ndërrojë qerre.

Bën vaki që Dritan Priftin një ditë, tani që u shpall edhe armik me Ilirin, ta shohim që nga “arkitekt i përmbytjes së Shkodrës” dhe “hajdut me 1,8 milionë euro” (siç na thanë se është), të shndërrohet në aleat i opozitës së bashkuar. Të njëjtin kalim patën në kohë të ndryshme edhe Vangjel Dule, edhe Spartak Ngjela, apo në rastin me të freskët Nard Ndoka. Partia duhet të na i sqarojë këto gjëra që të mos gjendemi të papërgatitur nëse një ditë e shohim Dritanin në tribunën e mitingjeve kundër qeverisë. Unë, që mitingjet i kam ndjekur nga poshtë, ju them se skenë më e shëmtuar sesa kur socialistët Nard Ndokën nga halli e duartrokisnin dhe, nga malli e shanin vençe, zor se mund të bëhen. Të na i thonë të paktën, që të përgatitemi, të ambientohemi dhe të mos na bjerë rëndë nëse ndodh e njëjta gjë edhe me Dritanin.

BURGJET E KOSOVËS

Për herë të parë kam dëgjuar për burgjet e Kosovës gjatë demonstratave të atjeshme të vitit 1981. Studentë, të rinj e pleq me plisa të bardhë në kokë, që flakeshin burgjeve pse donin ëndrrën KOSOVA REPUBLIKË. Unë dëgjoja për burgjet për herë të parë se isha fort i ri atë mot, por burgjet e Kosovës aty kishin qenë që prej gati një shekulli, që kurse të mëdhenjtë e kësaj bote e lanë Kosovën ndën Serbi. Dhe ndenjën plot ato burgje, herë me kryengritës e me rebelë, me intelektualë e me partizanë, me mësues e me zanatçinj. S’u zbrazën asnjëherë burgjet e Kosovës edhe për gati dy dekada të fundit, prej ditës kur i mbaja mënt unë në përpjekjen e madhe të një populli për liri e mëvetësi. Dhe në fund mëvetësia erdhi. Shkjau e lëshoi Kosovën, flamuri i lirisë valoi shtëpi më shtëpi dhe burgjet ku, për gati një shekull, ish ndryrë më të mirët e kombit, u gdhinë bosh.

Djemt’ e malit u bënë ministra, idealistët e lirisë u bënë drejtorë agjencish, sypatremburit u bënë deputetë dhe... Eh sa shpejt u rimbushën burgjet e Kosovës. Nuk ka më akuza për irredentizëm, diferencim, nacionalizëm, demonstrata, thirrje, trakte e parulla. Akuzat kanë ndryshuar: korrupsion, licencë, mitëmarrje, favorizim, privatizim, blerje e shitje. Populli është po ai i përjetshmi, se popujt nuk ndryshojnë kollaj. Edhe burgjet nuk kanë ndryshuar, janë po ata të kohës së Karagjorgjeviçit, Rankoviçit e Millosheviçit. Plot ishin e plot mbetën, përveçse në ditët e festës së madhe, kur u zbrazën nga të vjetrit e nuk kishin hyrë akoma të rinjtë.

E megjithatë e ka një të mirë kjo punë. Na shërben të paktën për të thënë që jemi një fis e një farë. Se, merreni me mënt sikur Kosova t’ia kish dalë të krijonte shtetin e vërtetë, atë që të gjithë ne shqiptarët e shohim në ëndërr dhe e luftojmë zgjuar. Mendoni një Kosovë me ministra të panjollë, me deputetë që nuk shahen me parti që nuk janë vetëm kryetarë e badigardë, me agjenci që bëjnë transparencë dhe prona që shiten shtrenjtë. Kushdo do kish të drejtë të thosh se qëkurse ndryshojnë kaq shumë dy shtetet shqiptare këtej e andej kufirit, a mos vallë janë dy popuj të ndryshëm. E pra ne ua dogjëm të ligjve këtë akuzë, se jemi fare njësoj këndej e andej kufirit.

Eh burgje të Kosovës, sa pak kohë mbetët bosh, psherëtij me vete, ndërsa me vjen ndër mënt një këngë e vjetër e kohës kur Kosovë e Shqipëri njihnim vetëm burgjet e Turqisë:

“Kjo hapsan’ e Korçës, shtatë palë shkallë,
bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama