Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Komisionet e perjetshme

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Komisionet e perjetshme

Nuk është mbyllur viti akoma, që kur bëra një shkrim për punë të përmbytjes së Shkodrës. Të ulem e të bëj të njëjtat analiza, më duket punë pa bukë dhe, për më tepër, që jam i bindur se, siç është zakoni në Shqipëri, të gjithë e dinë se si duhen bërë gjërat, përveç atyre që duhet t’i bëjnë.

Ajo që kemi dëgjuar rëndom të na thosh Kryeministri ynë në përmbytjen e parakaluar, në përmbytjen e kaluar, në përmbytjen ku jemi dhe që do ta dëgjojmë edhe në përmbytjen që do vijë, është se do marrim masa, do ngremë grupe pune, do bëjmë projekte, do ngremë komisione teknike, do... Prit, prit një minutë. Se ku e kam dëgjuar, kohë më parë, shumë kohë më parë, këtë avazin e fundit.

Para dy shekujsh, në vjetin e largët 1892, Antonio Baldaci, një udhëtar i palodhur dhe albanolog i shquar, ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër viset e Turqisë Evropiane, ku bënte pjesë edhe Shqipëria asokohe. Për këto udhëtime, ai shkroi një libër një pëllëmbë të trashë, ku përshkruan gjithë ç’i panë sytë. Dhe ndër të tjera ja ç’shkruante ai, teksa përpëlitej majë kalit që të mbërrinte në Shkodër përmes ujërave dhe kënetave që rrethonin qytetin.

“Me të kujtuar, nuk mbahet mend përmbytje më e madhe se ajo e viteve 1858-‘59, pasojat shkatërrimtare të së cilës për të gjithë Zadrimën dhe fshatrat përreth Liqenit të Shkodrës e deri në Mal të Zi, nuk u riparuan kurrë nga turqit, me gjithë komisionet teknike të panumërta që vinin për të “studiuar”, çdo herë që presionet ndërkombëtare mbi Kostandinopojën e detyronin atë të vepronte. ...Komisionet teknike turke filluan të vinin në terren pak vjet pas firmosjes së Traktatit të Berlinit (1878), por deri më sot nuk kanë bërë asgjë. Të shpresojmë se tani që kohët kanë ndryshuar drejt qytetërimit, të sistemohen një herë e përgjithmonë ujërat përreth Liqenit të Shkodrës, vende këto kaq fatalisht të persekutuara nga përmbytjet periodike”.

E pabesueshme se sa e vjetër qenka kjo gënjeshtra me komisione teknike që do të studiojnë gjendjen në terren! Është për të vënë kujën që, të njëjtat argumente që përdorte Sulltani i Turqisë 200 vjet më parë për të mashtruar arnautët, i përdor edhe 200 vjet më pas Sulltani i sotëm për të mashtruar shqiptarët. Dhe nëse e bën me sukses këtë punë, kjo nuk vjen vetëm nga fakti që sulltani ynë i sotëm nuk ndryshon shumë nga Sulltan Hamiti, por edhe se arnautët e atëhermë në shumë gjëra kanë mbetur po aq arnautë si atëherë dhe s’u bënë që s’u bënë dot shqiptarë.

A I BËJMË DOT?

U mësuam me fasada pune pa bërë punë dhe na duket se mund të vazhdojmë kështu përjetësisht, mirëpo e keqja është se u mësuam ne, por jo natyra, e cila sa herë ka hak për të marrë, na i fshin nga faqja e dheut fasadat e llafeve dhe na lë gollomesh përpara realitetit. Prapa fasadës së rrënuar të llafeve, rrinë e presin një mal me pyetje të cilat duan përgjigje.

A i ripyllëzojmë dot sërish malet, me qëllim që prurjet nëpër rezervuarë të mos jenë të menjëhershme, por të vijnë dalë ngadalë?

Në të gjithë pellgun ujëmbledhës të liqeneve, a e ringremë dot sistemin e stacioneve të vrojtimit të përhershëm, që të monitorojnë motin, reshjet në qiell dhe prurjet nëpër lumenj?

Nëpër fusha, ku ngrihen të gjitha digat e vogla, pritat dhe argjinaturat, a jemi në gjendje t’i mirëmbajmë ato herë pas here dhe duke caktuar pranë tyre nga një njeri që, në rast anomalish të ketë detyrë të lajmërojë qendrën se ç’po ndodh?

A jemi në gjendje t’i pastrojmë kanalet kulluese vit pas viti, nga ndërmarrje të specializuara, të ngritura për këtë qëllim dhe që nuk e fitojnë këtë punë me tender?

A jemi në gjendje t’i disiplinojmë lumenjtë, të paktën Drinin dhe Bunën, duke ndërtuar përgjatë rrjedhës së tyre prita dhe argjinatura të larta e të mbjella me pemë të dendura?

A është në gjendje shteti dhe komunat, që çdo vit përgjatë pritave dhe brigjeve të lumenjve, të mbillnin pemë dhe breza pyjorë, të cilat me rrënjët e tyre përforconin tokën?

A jemi në gjendje të ndalojmë rreptësisht gërmimin dhe marrjen e materialeve inerte nga shtrati i lumenjve, që kështu jo vetëm të shpëtojmë urat nga rrëzimi, por edhe të qetësohen lumenjtë nga kjo gangrenë e papërmbajtur?

A e ngremë dot një institut shkencor, që të merret me vrojtimin, me koordinimin e masave, me mirëmbajtjen e veprave publike, me studimet e gjithë sa thamë më sipër?

A i ngre dot shteti në qendër, në qarqe dhe në komuna, disa struktura të gatshme të emergjencave civile me skuadra të stërvitura, mjete pune, ambiente strehimi, ekskavatorë, zjarrfikës pompa uji, shkallë, varka, makina, ambulanca, çadra e lloj-lloj çudish të tjera, të cilat të rrinë në gatishmëri dhe që nuk përdoren për punë të tjera?

A jemi në gjendje që, poshtë në fusha, të përcaktojmë qartë një kon të sipërfaqes, brenda të cilit nuk mund as të lejohen e as mund të legalizohen ndërtimet, pasi në rast emergjence apo prurjesh të jashtëzakonshme, ajo zona brenda konit është e përmbytshme?

A jemi në gjendje të hartojmë një plan afatgjatë për shpërnguljen e atyre familjeve që janë në zonën që në raste të jashtëzakonshme do të përmbytet me doemos?

A mund të ndërtojë shteti me kontribut të përbashkët disa qindra shtëpi të reja në shpatet e kodrave, atje ku uji nuk arrin, shtëpi të reja për këta njerëz dhe kështu edhe të lirojë fushat nga shtëpitë e mbjella kuturu, edhe njerëzit të mos mbyten kohë e pakohë?

Për të gjitha këto pyetje dhe për ca të tjera që specialistët mund të shtojnë, përgjigjja kam frikë se është: “Jo, nuk jemi në gjendje t’i bëjmë. Ca se nuk do politika që të bëhen, e ca se prapë politika nuk bëhet dot bashkë që t’i bëjë”.

Atëherë rrini aty ku jeni dhe hallall e paçi edhe ujin, edhe politikën që keni.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama