Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lopa e korrupsionit dhe kali i inti-korrupsionit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Lopa e korrupsionit dhe kali i inti-korrupsionit

“Me të ardhur në pushtet do të realizojmë transparencën më të madhe të këtyre njëzet vjetëve”. Eshtë kjo deklaratë e Kryetarit Rama, që do të më bënte t’u bashkangjitesha socialistëve edhe sikur të mos isha pjesë e tyre, e jo më që jo vetëm jam i tillë, por edhe e kam bërë këtë punë sa herë kam mundur edhe pa më urdhëruar me “sms” që të dal e të recitoj hartimet e Zyrës së Shtypit tek PS-ja.

Në një mënyrë a në një tjetër, të gjitha pushtetet në Shqipëri kanë ditur ta shalojnë kalin e anti-korrupsionit. Duke nisur që nga Komandanti, që nuk u lodh së na përsërituri vjershën e “Zogut që kish vjedhur florinjtë e popullit nga Banka kur ja mbathi”, e deri te gjyqi i gruas së Komandantit, gjysëm shekulli më pas, që u bë për kafet e pira me tepricë dhe tortat e ngrëna pa faturë. Të mos harrojmë pastaj që shqiptarët u ngrenë kundër Saliut të parë, jo se bënte kontrabandë me Serbinë apo se po na hiqte liritë, por vetëm kur u prekën në xhepat e tyre dhe panë të bëhen firar paratë që kishin lënë te Sudja e Vefa. Edhe socialistët që aso kohe morën pushtetin, një ndër gjërat kryesore që premtuan, ishte pikërisht se do kthenin deri më një paratë e vjedhura të Piramidave.

Saliu vërtet është mësues i keq, por është nxënës i shkëlqyer ama. Kuptoi se, në donte ta shihte edhe një herë vehten në pushtet, këtë mund ta bënte vetëm duke lënë mënjanë kalin e ngordhur të lirive dhe duke i hipur kalit të furishmë të anti-korrupsionit. As që vlen të kujtoj këtu lumenjtë e fjalëve për Mamuthin e Korrupsionit, për Cacin e Zi, për Metullahun, për Mafjen e Kuqe, për dreqin e për të birin. E pra ky kalë që e solli në pushtet në vitin 2005, u braktis prej tij menjëherë, që një ditë më pas, për t’ju futur nën të, barkut të lopës së pushtetit dhe për t’ja shtrydhur e ndukur gjinjtë me të dyja duart. Berisha i Dytë bëri edhe një tjetër eksperiment por që nuk para funksionoi. Me maninë e tij për t’i mbajtur të gjitha për vete, provoi që të bënte akrobatin, që ja del t’i kacavirret edhe lopës së pushtetit edhe kalit të antikorrupsionit. Nuk i funksionoi dhe për të tepër u bë edhe qesharak, teksa në ditët kur e akuzojnë atë apo të tijtë për lloj-lloj pisllëqesh, ai të dalë e të thërresë më shumë se kurrë për luftën e madhe kundër korrupsionit. Bajate, apo jo?

Tash së fundit, shenjat janë se edhe Rama ka vendosur më në fund që t’i hipë kalit të anti-korrupsionit. Pasi e provoi për vite me radhë që ta arrinte pushtetin duke i hipur gomarkës së lirive, që në Shqipëri nuk gjen bar të hajë, pastaj duke i hipur mushkës së “politikës së re” e cila edhe kjo mbeti mb’udhë, tash së fundi vendosi të shalojë kalin qimendritur të anti-korrupsionit. Deklarata e Kryetarit mbi këtë punë dhe pas tyre batareja e akuzave që prej një muaji po na batërdisin kokën, janë shenjë e sigurtë e kësaj udhe të vjetër.

Në fakt, dita kur pushtet-ëndërronjësit e Tiranës i braktisin të gjitha zbukurimet e filozofimet e tjera dhe i përmblidhen vetëm luftës së antikorrupsionit, duhet të jetë një ditë e trishtë për shqiptarët. pasi tregon se është lënë mënjanë ëndrra (kur ka ekzistuar) për të ndrequr vëndin dhe i është lëshuar freri lumit të akuzave për të këmbyer pushtetin.

Me të gjithë këtë nuk dua për asnjë çast të dal kundër denoncimeve të këtilla, por kemi rrezikuar e rrezikojmë shumë nga kjo mënyrë të vepruari kështu: “Ti më shaj mua për korrupsion, ndërsa unë bëj sikur s’dëgjoj e vazhdoj të vjedh derisa mileti të mërzitet dhe të mos më votojë më, e kështu të bie nga pushteti. Pastaj për rrjedhojë vjen ti në pushtet, zë të vjedhësh, unë zë të të akuzoj për hajdut dhe loja fillon nga e para”.

Kështu funksionon secila akuzë e secilit akuzues të secilës palë dhe të gjithë bashkë i mbledh vetëm një gjë: Në këto akuza denoncohet fakti por asnjëherë fenomeni, pasi e njëjta gjë do ndodhë edhe kur Saliu ta lëshojë lopën e pushtetit dhe Rama të zbresë nga kali i antikorrupsionit të cilin tani e ka shaluar si gjithë të tjerët para tij.
BASTI I SIGURT

Durrësi është si puna e lakrorit, sado petë t’i zbulosh prapë ka të tjera nën to. Gjenden kështu njëri ndën tjetrin Durrësi romak e ai bizantin, Durrësi norman e ai venecian, otoman e italian. Ndërsa përsipër të gjithë këtyre, ne po ngremë Durrësin tonë bashkëkohor, i cili nuk dallon nga kollonat, kapitelet apo harqet me majë, por nga një karakteristikë tjetër: po përpiqet të zhdukë nga themelitë çdo gjurmë të pararendësve. U bë ç’u bë, shpëtoi ç’shpëtoi, e arriti të shohë dritën e gërmimit deri në vitin 1990, ka shpresë që të mbetet përjetë, ndërsa gjithshka tjetër që është ende nën tokë, është e destinuar të mos e njohim asnjëherë. Kjo për faktin se sa është e mbuluar se shohim se e mbulon dheu, ndërsa ditën që gërmohet për të ndërtuar, s’do ta shohim dot se do ta zhdukin pa gjurmë ata që ndërtojnë.

Për sa duket çudi, Durrësi mban kampionin si qyteti që më mirë se në çdo qytet tjetër respektohen rregullat e rrethimit të kantiereve ku ndërtohet. Sheshet e ndërtimit janë të rrethuar jo me gardhe apo me breza të ulta llamarine, por me mure të larta mbi dy metro ku prej blloqesh betoni e ku prej llamarine të ngjeshur, në të cilën nuk do të gjesh dot as edhe një vrimë gozhde për të parë se ç’bëhet brenda. Portat e kantiereve qëndrojnë gjithnjë të mbyllura dhe hapen gjithë frikë ato pak sekonda që duhen për të dalë jashtë makinat e ngarkuara me dherat e gërmimeve apo për të hyrë brenda betonierat. Roje surrat-ngrysur qëndrojnë pranë portave dhe nuk lejojnë askënd, jo që të hyjë por as të shohë se ç’bëhet brenda. Rezultatet e këtij “respekti për privacy-në” janë të dukshme.

Teorikisht, kudo (qoftë edhe qorrazi) që të gërmosh në Durrës, duhet të gjesh diçka se janë të paktën 6 qytete njëri ndën tjetrin. Ndërsa praktikisht, ka 20 vjet që gërmohet për të ndërtuar në Durrës, sa nuk është gërmuar gjithë shekullin e XX dhe gati asgjë nuk qënka gjetur. Arsyeja është e thjeshtë: asnjë pronar nuk do të rrezikonte investimin duke lejuar të publikohen gjetje arkeologjike brenda rrethimit të tij. Kështu që arkeologëve ju duhet ta bëjnë punën e tyre në Hamallaj, Porta Romane apo Sukth, kudo ku shkarkohen dherat e gërmuara në Durrës, dhera të ngarkuara në ç’do lopatë me material arkeologjik të masakruar.

Para pak ditësh, Bashkia filloi punimet për sistemimin e skarpatës pranë sheshit qendror të qytetit dhe ... që në kazmat e para u shfaqën gjurmët e shtresave të varrosura të qytetit, fakt që u transmetua në të gjitha mediat. Arsyet ishin dy: E para, duke qenë punë publike, askush nuk kishte merak ta rrethonte zonën me llamarinat e larta e të padepërtueshme. Dhe e dyta, duke qenë tokë publike, askush nuk kishte frikë nga gjetja e gjurmëve arkeologjike.

Kur rreshtova petët e Durrësit, e fillova nga shtresa Romake dhe jo nga shtresa e themeluesve të qytetit. Kjo për shkakun e thjeshtë që Durrësi i periudhës helenistike nuk ka gati fare gjurmë të zbuluara dhe kjo bën që të jetë edhe shtresa më e kërkuar dhe ëndërruar prej studiuesve e arkeologëve. Ditët e fundit, po në Durrës, kanë filluar gërmimet për një bllok pallatesh të reja në një prej të fuuuundmeve hapësira të gjelbra që i kanë mbetur atij qyteti. Mirëpo duke qenë se hapësira ku është dhënë leje ndërtimi ishte shumë e madhe, megjithëse të gjitha rregullat e fshehjes (llamarina, roje, porta, e të tjera kësodore) ishin zbatuar me rigorozitet, megjithatë fjala doli se aty brenda qënka zbuluar jo pak, por bash pjesë të Durrësit helenistik.

O ju që më lexoni, a doni të fitoni një bast? Unë them se ky ndërtim do të anullohet, pronarët do shpronësohen për interes publik dhe do dëmshpërblehen nga shteti, ajo lulishte do gërmohet dhe muret antike që do të shfaqen do të restaurohen për t’u bërë pjesë e gjerdanit të bukurive të qytetit. Për këtë vë bast unë. Juve duhet të vini bast për të kundërtën, pra që pallatet do bëjnë përpjetë. Ju siguroj që do e fitoni bastin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama