Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bllokimi

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Bllokimi

Tirana këtë fillim jave u mbyt. Mbytja është punë Perëndie dhe, sado të bësh kanale e tubacione, nëse Perëndia të merr me inat është e pamundur t’ia dalësh. Por përveçse u mbyt, edhe u bllokua. Kjo e dyta është vepër e njerëzve. Udhët u zunë me orë të tëra me kolona makinash që s’lëviznin nga vendi, mbetën në trafik ministrat me makinën e policisë përpara që më kot i binte borisë, mbetën në kolonë makinat me xhenaze brenda pa shkuar në varreza, mbetën në trafik ambulancat me të sëmurë e të aksidentuar që vuajtën në heshtje, mbetën gra shtatzëna që u detyruan t’i kalojnë dhimbjet e ripërtëritjes së jetës në mes të rrugës, mbetën autobusët e rinj të bashkisë që janë europianë nga brenda dhe shqiptarë nga jashtë, mbetën burra gra e pleq, mbetën furgonat plot kalamaj që i shtynin orët e bllokimit duke lozur e duke fjetur në sedilje, mbeti e kush nuk mbeti, gati i gjithë qyteti.

Politika menjëherë u lëshua të gjente fajtorin, i cili pas mënyrës sonë është gjithmonë tjetri. Për njërën palë, faji është i bashkisë që s’ka bërë rrugë të reja, që s’ka bërë unazën e re, që ka ngushtuar rrugët, që nuk shton semaforët, që ka skemë të gabuar trafiku, që nuk shton transportin publik. Ndërsa për palën tjetër, faji është i qeverisë që nuk po financon unazën e re, që nuk po shpronëson për të hapur rrugët, që nuk di të menaxhojë Policinë Rrugore, që ikin dritat te semaforët.

Unë banoj prej më shumë se tri dekadash diku prapa Ambasadës Amerikane. Nëpër rrugën “Budi” që gjarpëron e spërdridhet me vetëm 2 korsi nëpër lagjen tonë, dikur kalonin vetëm banorët e disa pallateve 5-katëshe dhe të ca vilave, si edhe disa mijëra studentë të Qytetit Studenti. Tani atyre anëve janë ndërtuar me dhjetëra pallate me 6, me 8 e me 10 kate, janë ndërtuar me qindra, për të mos thënë me mijëra, shtëpi e lagje pa leje, janë shtuar me mijëra makina dhe rruga është po ajo. Madje, edhe trotuaret i ka vetëm në 50 metrat e fundit, se përndryshe e gjitha është pa trotuare dhe makinat ngjishen mes qindra këmbësorëve dhe mijëra studentëve që nuk kanë asnjë mundësi tjetër kalimi, përveç shtratit të rrugës i ngjeshur edhe ky mes mureve të pallateve. Madje, nëse e mbani mend, atyre anëve ka qenë edhe një rrugë tjetër që derdhej në Rrugën e Elbasanit përtej Ambasadës Amerikane, por e cila rrugë prej gati 10 vjetësh qëndron e bllokuar me tra nga amerikanët për arsye sigurie. E pra, zona që po përshkruaj, mban sot diku midis 20 dhe 30 mijë banorëve dhe ka vetëm një shteg, një të vetëm për të hyrë e për të dalë dhe ky është aty te Liceu. Nuk po flas këtu për parkime, se kjo është zgjidhur deri diku duke pushtuar ABSOLUTISHT çdo centimetër të lirë përveç dy korsive të rrugës. Zihen me makina të parkuara hyrjet e rrugicave, sheshet mes pallateve, qoshet e mureve, hyrjet e pallateve, bordurat e çdo gjë tjetër. Sa për ilustrim, kalamajtë e pallatit tim, përveç internet-kafes kanë vetëm një mundësi loje që e shfrytëzojnë kur mundin: një bodrum i lagur ku nuk parkohen dot makina. E kuptuat? Kalamaj që lozin nën tokë. Të njëjtin përshkrim që bëra për lagjen ku jam rritur e rroj, mund ta bëjë secili prej jush dhe s’besoj të ndryshojë shumë nga i imi.

Nuk e zgjidh hallin e lagjes time as vënia e semaforëve, se s’ke ku t’i vësh, as zgjerimi se s’ka ku zgjerohet, as shtimi i autobusëve se s’kanë ku kalojnë, as polici rrugor se s’i hyn në punë as dreqit, as ndryshimi i skemës së trafikut se s’ka ç’skemë të bësh, as shpronësime nuk bën dot, se janë pallate të reja të bëra taze. Të gjitha këto janë përralla e makijazhe që vlejnë vetëm për të na bërë lëmsh e prishur mendjen në televizor. Problemi në themel është një dhe një i vetëm. Në një lagje të llogaritur të jetonin nja 5000 banorë, rrojnë sot për sot nja 5 fish më shumë dhe vazhdojnë të ndërtohen pallate të reja për të shkuar edhe ca fish më shumë. A e ndalim dot këtë dyndje e makutëri? As që bëhet fjalë. Interesi dhe fitimi është i atillë që është në gjendje të thyejë çdo ligj, rregull e logjikë. Ata që përfitojnë nga kjo punë, janë në të gjitha anët e politikës e biznesit, ata që ndërtojnë janë të majtë e të djathtë, të qendrës e të qoshes dhe nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga shatërvani i madh i parave, vetëm e vetëm se neve na u vështirësuaka jeta.

Ej, asgjë nuk do ndryshojë. Politika do presë bllokimin e radhës për t’ia lënë dobiçin në derë kundërshtarit, të tjera nëna do lindin në ambulancë, e të tjerë kalamaj do lozin e do flenë në furgon. Sa për ne, ne e kemi të vështirë që, në vend të detyrohemi të zgjedhim midis fajeve të njërit ose të tjetrit, t’ia dalim t’i bashkojmë fajet edhe të njërit edhe të tjetrit. Por, edhe nëse ia dalim të themi se fajet janë të të dy palëve, e kush na pyet neve?!

PARLAMENT

Argumenti kryesor që na jepet se pse u dashkësh prishur Piramida, qëndron në faktin se iu dashka dhënë shqiptarëve një Parlament dinjitoz për të futur aty 140 baballarët e kombit. Këtu lihet mënjanë fakti se edhe salla që është - që nuk është aspak jomadhështore - rrallë i sheh të 140-ët bashkë, se në më të shumtën e kohës rri përgjysmë bosh, pasi gjysmit o s’vijnë fare ose edhe kur vijnë, më shpejt ikin se vijnë. Por edhe për gjysmit, prapë shumë është, se edhe ata as që duhen fare, pasi çdo gjë e vendosin dy të mëdhenjtë me celular, ndaj, e parë kështu, them se po të kishim një dhomë me dy kolltukë të rehaçmë, mjaft do të ishte.

Kalonja ca ditë më parë udhëve të Tiranës, kur papritur në krah më ndalet një fuoristradë, bzzzzzt, ulet xhami i pasmë dhe që andej më shfaqet një miku im deputet, s’ka rëndësi i cilës parti. Pasi shkëmbyem ca si je si vete, e më the të thashë, bzzzzzt, xhami sërish u ngrit dhe miku shkoi në punë të tij. Ky zotëria deputet, që s’ka folur asnjëherë në Parlament, as edhe njëzë të vetme, ka një biznes të tijin që i shkon mbarë dhe sheh punën e tij.

Neve Parlamenti, as na është dashur e as na duhet gjë fare. Të gjitha gjërat i vendosin e i zgjidhin dy të mëdhenjtë siç u thotë mendja. Mirëpo, ja që Evropi thotë se shiko, duhet të bëni zgjedhje, të zgjidhni deputetë t’i çoni të diskutojnë për ligjet, e kështu me radhë. Atëhere, të parët e vëndit ju shtruan mendimit të Evropës, bënë Parlament dhe meqenëse s’ia kishin ngenë ta mbushin me njerëz të zgjedhur me gisht nga populli, apo që mund të hapin punë, e mbushën me 140 besnikë, detyra e vetme e të cilëve është të mos hapin gojë, apo edhe në e hapshin kur t’u kërkohet, të thonë “po”. Për të bërë këtë punë kaq të kollajtë, u jepet rrogë, makinë, privilegje, e më the të thashë dhe, sa më pak të hapin gojën, aq më të sigurta i kanë këto gjëra. Ky miku im që i bëri bzzzzzt xhami i fuoristradës, e ka kuptuar shumë mirë sistemin dhe i qëndron besnik atij. Fjala “Parlament” vjen nga fjala parlare pra me folë, një vend ku hyjnë njerëzit që dinë me folë, ndërsa ky i yni është vendi ku hyjnë njerëzit që nuk dinë me folë. Tani më thoni ju a s’na mjafton një dhomë me 2 karrige dhe kështu kursejmë 138 të tjerat?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama