Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zu Guttenberg

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Zu Guttenberg

Sa herë ndodh poshtë e përpjetë botës ndonjë gjë me të cilën mund të bëjmë krahasime me ato ç’ndodhin këtu, shpejtojmë ta bëjmë. Mua përgjithësisht kjo gjë nuk më pëlqen, por ka ndonjë rast që është aq i tejskajmë, sa gjynah ta lësh të të ikë pa e krahasuar.

Karl-Theodor Maria Nikolaus Johann Jacob Philipp Franz Joseph Sylvester freiherr von und zu Guttenberg, shkurt Karl zu Guttenberg, është anëtar i aristokracisë së vjetër gjermane, me njërin gjysh princ e me tjetrin kont, edhe këta të dy politikanë profesionistë e të dëgjuar. Njëra nga gjyshet ishte nga familja e von Ribentropëve, nga ishte edhe ministri i Jashtëm i Hitlerit. Këtu ndër ne, me një gjyshe të tillë, kushedi sa lek do kishte bo duke shit viza dhe legalizu dokumente nëpër konsullata. Gjyshja tjetër, është stërmbesë e perandorit Leopold II. Këtu me një stërgjysh të tillë, kushedi sesa prona do kishte kërkuar t’i ktheheshin e do kish vënë festen mbi sy për tërë jetën. Një tjetër stërxhaxha i tij që ka marrë pjesë në komplotin e famshëm të 20 korrikut 1944 kundër Hitlerit, me ç’rast edhe e varën, në një kohë që po të ishte marrë me pronat e veta, do kishte qenë mirë e bukur.

Vetë ky Karli që sapo dha dorëheqjen, ka qenë nja tri herë ministër në qeverinë federale dhe së fundi ishte Ministër Federal i Mbrojtjes. Kini parasysh, ministër i Mbrojtjes i Bundesrepublik Deutschland dhe jo ministër me kapterët e Ben Imamit.

Princin gjerman që dha dorëheqjen, nuk e kapën me mbërthecka nëpër duar e as nuk bashkëjeton me deputete, nuk ka familjen të përzierë në pazare, as nuk ka dalë lakuriq në fotografi, nuk ka sharë njeri në Parlament, nuk ka privatizuar ndërmarrje, nuk e ka shitur votën me euro në Kuvend, nuk ka marrë koncesione me mik, nuk e kanë filmuar fshehuriçkazi duke marrë e dhënë pará, nuk ka bërë asgjë nga këto, vetëm se, në doktoraturën e vet, vite të shkuara, ka përdorur disa fraza të marra nga shkrime të tjera, por pa cituar burimin. E ka bërë se ka harruar, apo me ndërgjegje, kjo është punë tjetër, por e ka bërë.

Po ky princi, a i ka paratë me thasë? I ka. A ka prona sa të duash dhe jo të fituara me privatizime, por të lëna gjysh stërgjyshi? I ka. Po makina të shtrenjta me xhama të zinj, që të shkojë nëpër motele kur t’i dojë qejfi a i ka? I ka. Epo atëherë ç’dreqin do që shkon të bëjë doktoratura e mastera? Se sipas logjikës sonë, kur i ke paret ç’të duhen diplomat! Në të gjithë botën normale, njeriu harxhon vite e vite për të bërë shkolla, diploma e mastera, që pastaj me anën e këtyre të punojë e të bëjë para për të jetuar mirë. Ekzistojnë edhe dy kategori që bëjnë të kundërtën. Lordët e princat që kanë lindur me pará të bëra; dhe shqiptarët që bëjnë pará dhe pastaj me ato blejnë diplomat. Zu Gutenbergu i takon kategorisë së parë, ndërsa një takëm nga zengjinët dhe politikanët shqiptarë, i takojnë të dytës.

Po ja ta zëmë se e donte për hobi doktoraturën, meqë paratë i ka me thasë pse nuk e kërkoi t’ia sjellin diplomën të hazërtë nga ndonjë universitet? Këtu ndër trojet tona mbarë shqiptare, ka nja dhjetë universitete në të cilat nuk është fare e nevojshme të prishësh rehatin, jo për të shkuar për të dhënë provimet, por as për të tërhequr diplomën. Mjafton të dërgosh të dhënat personale, emër, mbiemër dhe degën që dëshiron, këtë ta shoqërosh me pagesën përkatëse, të gjitha këto me postë dhe fap, të të mbërrijë në shtëpi diploma, gjithashtu me postë. E mira e kësaj është që të paktën mund të demonstrojmë që posta funksionon, ashtu siç funksionon liberalizimi i tregut i bashkuar me liberalizimin e arsimit. Me këtë metodë janë pajisur me doktoratura, mastera specializime e diploma disa duzina deputetë midis atyre që kanë qenë e këtyre që janë ende sot e gjithë ditën deputetë.

Po ka edhe më mirë se kaq, se trojet tona mbarëkombëtare ofrojnë edhe shërbime të tjera. Mund të marrësh diplomën e universitetit, pa mbaruar hiç shkollën e mesme dhe këtë jo për ndonjë dyqanxhi që do të mburret në dyqanin e fshatit, por për personazhe që i kemi bërë edhe ministra.

Ndërsa ky qyqari me “von und zu”, nuk ka bërë as një të njëmiliontën e këtyre hynereve. Epo, qëkurse duke i pasur të gjitha, para, kështjella, prona, vila, tituj e makina dhe donte akoma edhe doktoratura, e meriton t’i themi “mos u fryfsh, e mos u ngopsh”.

Njëqind vjet më parë, një tjetër princ, koleg i këtij princit që dha dorëheqjen, erdhi në Shqipëri të qeverisë mbi shqiptarët. Princ Vidi mezi shtyu gjashtë muaj asokohe dhe e bëmë të ikë nga sytë këmbët i tmerruar. Ndoshta duke analizuar se çfarë mjaftoi që ta bënte këtë Zu Gutenbergun e sotëm të jepte dorëheqjen, mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se pse iku i lebetisur Vidi pas vetëm 6 muajsh kontakti me politikanët shqiptarë.

Bashkëshortja e këtij gjermanit që dha dorëheqjen, është edhe ajo një aristokrate fort aktive në jetën e Gjermanisë dhe stërmbesë e Otto von Bismarkut të famshëm. E atij Bismarkut për të cilin neve na kanë mësuar në shkollë se, njëqind e ca vjet të shkuara, paskësh thënë se “Shqipëria është një shprehje gjeografike”. Siç na kanë gënjyer për të gjitha, edhe për këtë na kanë gënjyer. Në fakt, Bismarku politikisht ka qenë pro krijimit të një shteti që në perspektivë do të pengonte daljen e sllavëve në Adriatik, ndaj për ne ka thënë pak a shumë kështu: “Sot për sot (më 1879-n) Shqipëria është thjesht një shprehje gjeografike. Shqiptarëve do t’u duhet shumë mund, gjak e djersë, që të krijojnë një elitë politike e kulturore, që më pas t’i udhëheqë drejt krijimit të kombit të tyre. Dhe atëherë do ta kenë shumë të lehtë të kërkojnë shtetin e tyre”. Kam frikë që atë elitën që thoshte Bismarku, ne ende nuk e kemi krijuar, ose i biem shkurt duke e krijuar me diploma false ose të blera me lek në dorë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama