Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Te ndajme detyrat

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Te ndajme detyrat

SHQIPNI TAVOLINASH

Mund ta zgjidhja edhe me një telefonatë kundërmejtimin me Henri Çilin, por s’e bëja dot kështu, për dy arsye. E para, se kështu do mbetësh e shkrojtur për brezat vetëm ç’tha Çili, por jo se ç’ju përgjigj Lamja (nëse ata që do vijnë pas nesh, do jenë aq të ngeshëm sa të merren me ç’tha ky e si ia preu ai). E dyta, se duke e zgjidhur debatin me telefon, do ta merrte vesh vetëm Henri se qysh e mendoj unë këtë punë, ndërsa dua t’ua bëj me dije të gjithëve.

Po ç’dreqin ka bërë vaki? Po ja, në numrin e fundit të revistës MAPO, Henri bënte një shkrim që, për ata që se kanë pasur fatin ta këndojnë, po e përmbledh në tri pika. Që paska lindur një lëvizje intelektuale për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe kjo është gjë shumë e mirë ku, meqë ra llafi, edhe vetë Henri ka pjesë. Që shyqyr që po lind një lëvizje e tillë, ku mekanizmi nuk është përfitimi, por pasioni. Dhe e treta, një e këtillë lëvizje, që të mos mbetet thjesht idealizmë, duhet të nxisë përfshirjen e trashëgimisë kombëtare në mekanizmat e tregut, apo, që të kopjoj Çilin “trashëgimia kulturore ka shans për t’u ruajtur, vetëm kur të krijohet një mekanizëm ekonomik që e bën me interes punën për të”.

Bela e madhe me këta liberalët e tregut. Që Henri t’i bjerë muzikës që ka më për zemër është e ligjshme, por që të pretendojë se kjo muzikë është e vetmja që e bën botën të kërcejë, kjo s’ma mbush mendjen.

Ka disa fusha të veprimtarisë njerëzore dhe, veçan, disa funksione të shtetit, që nuk bëhen as për të prodhuar pará e as për të fituar pará. Shteti nuk fiton duke hapur shkolla e as duke financuar kulturën, spitalet, akademitë, azilet, foshnjoret, bibliotekat, arkivat, muzetë e të tjera këso dore. Shteti nuk përfiton as duke harxhuar bronz për bustet e heronjve dhe mendimtarëve, as duke harxhuar flori për medalje që t’ua vërë në gjoks atyre që bëjnë vepra, e as duke vënë pjesë të buxhetit për të ndrequr monumentet dhe dëshmitë e së shkuarës. Të gjitha këto kanë ca funksione të tjera ama. Duke financuar këto, shteti u përmirëson jetën shpirtërore shtetasve të tij dhe kjo nuk është gjë e vogël. Në fund të fundit, dallojmë nga majmunët, jo se ata kanë qime e ne nuk kemi, apo se ata hanë mish të gjallë, ndërsa ne e bëjmë skallop, jo, dallojmë nga një gjë shumë më esenciale, që është edhe baza e qytetërimit. Majmunët që mbetën majmunë nuk kanë kujtesë, ndërsa ata që krijuan kujtesë, u bënë njerëz.

Shkenca thotë, se qenë të shumtë llojet e majmunëve që filluan të krijojnë vegla pune, duke bërë kështu një hap përpara në piramidën e majmunërisë, por ama vetëm njëri prej këtyre llojeve u bë njeri. Ky lloj ishte pikërisht ai që filloi të kishte edhe elemente të botës shpirtërore, që filloi të kishte kujdes për të vdekurit, që filloi të krijonte vizatime me perënditë e veta, që filloi të mbante zbukurime në qafë, që filloi të krijonte konceptin se ekzistonte, se linte gjurmë dhe të krijonte bagazh dijesh, pra, po të përdorim një fjalë të madhe, ai që krijoi kulturë. Të tjerët, aha u tretën e s’lanë gjë pas, veç kockave që, edhe këto, ua studiojnë pasardhësit e atij majmunit tjetër, të atij që mbijetoi se harxhoi për kulturën. Këtij mësimi të madh (që vetëm tani shkenca po i jep formë), pa vetëdije, por me instinkt, i janë përmbajtur edhe të gjithë organizimet e shoqërisë njerëzore në shtet. Të harxhojnë për dijen dhe kulturën se, edhe kur duket sikur ato nuk japin pará me vështrim të parë, ca më afatgjatë ato bëhen baza e përparimit, lulëzimit dhe mbrothësisë së çdo shteti.

Tani në kohërat moderne, i gjithë ky mekanizëm bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm, pasi nga një anë dija njerëzore bëhet gjithnjë e më e stërholluar dhe më e gjithanshme dhe, nga ana tjetër, me çdo brez që kalon, bagazhi që duhet të ruajmë dhe trashëgojmë rritet e rëndohet. Për fat, kohërat moderne, me shpërndarjen horizontale të mirëqenies, na dhanë një burim të ri të ardhurash, që është turizmi i masës, ku miliona e qindra miliona njerëz lëviznin nga një vend në tjetrin për periudha të shkurtra kohe, për të parë e shijuar bukuritë, kulturën, dijet e arritjet e kombeve të tjera. Bash në këtë mënyrë lindi ideja moderne e “turizmit kulturor”, pra i gjithë ky bagazh kulture e trashëgimie i çdo kombi dhe për të cilin çdo shtet duhet të harxhojë pará për të mbajtur e mirëmbajtur, mund edhe të prodhuaka pará dhe kështu të na kthejë mbrapç, jo vetëm moralisht, por edhe materialisht, një pjesë të shpenzimeve që bëjmë për të. Në shumicën vendeve që kanë ç’t’i tregojnë botës, ky parim është kthyer në bazë të zhvillimit ekonomik, megjithëse i shoqëruar me të gjitha risqet e tendencat që përmban brenda dhe që nuk është vendi këtu për t’i analizuar.

Pikërisht kur dalim në këtë shteg, na mbërrijnë dashnorët legalë të tregut dhe fap na thonë: -Shikoni, meqenëse patatet bëhen më të mëdha vetëm duke përdorur mekanizmat e tregut; apo telefoni kushton më pak po qe i liberalizuar tregu; apo tullat dalin më të lira kur ka shumë fabrika tullash; atëherë edhe trashëgimia do mbijetojë vetëm po u krijua “tregu i trashëgimisë” (termi në thonjëza, i H.Ç.). Por këtu harrohet vetëm një element, që është edhe baza e asaj që dallon tregun e mallrave nga tregu i kujtesës; dhe ky është fakti që kujtesa është unikale në kohë e hapësirë dhe jo mall i prodhueshëm në seri.

Mallrat shtohen e pakësohen sipas nevojës në treg: na duhen më shumë pantallona, hop i porosisim në fabrikë; na duhen më pak avokatë, hop ata që dalin tepër ndërrojnë zanat; na duhen më shumë shtëpi, hop shtojmë fabrikat e tullave. Por e njëjta gjë nuk mund të ngjasë me kujtesën, pra nuk mund të arsyetojmë që, na u shkatërrua një arkiv nga keqmbajtja, s’ka gjë se ndërtojmë një tjetër; na u thye një statujë romake, s’ka gjë se porositim një të dytë. Në bagazhin e madh të kujtesës, ajo që humbet një herë, humbet përgjithmonë pa kthim. Mund të riprodhojmë një milion avionë që kushtojnë nga një miliard dollarë secili, por nuk mund të ribëjmë një ikonë që u prish nga shiu pse mungonte një xham i thyer në dritare. Kjo është magjia e përjetshme e kujtesës, unikaliteti i saj.

Pikërisht për këtë arsye, shteti nuk mund ta lërë bagazhin e kujtesës vetëm në dorë të tregut që, me ashpërsinë e zinxhirëve të tij konvejer, do ta bluante atë pa mëshirë. Me të gjithë këtë, nuk dua t’i them tregut “sikter nga trashëgimia”, jo në asnjë mënyrë, pasi këtë nuk e bëjnë as vende bajagi më të pasura se ne, e jo më ne që jemi kothere. Shteti me mekanizmat e veta të kontrollit të tregut, ka shumë mundësi për ta nxitur këtë proces, që kështu të lehtësojë barrën financiare të domosdoshme dhe këtu ka vend sa të duash për Henrin dhe liberalizmën e tregut. Por zanati im nuk është ai i shtetarit, kështu që kjo nuk është detyra ime. Unë jam punëtor i mendjes, hajt po i them vetes intelektual (meqë është në modë kjo fjalë), ndaj si i tillë misioni im është të mbroj idealizmën, t’i nxij jetën shtetit tim që të bëjë detyrën, të përpiqem për trashëgiminë e përbashkët deri në ekstremizmë.

I takon shtetit pastaj që, i bezdisur nga unë, nga punëtorët e mendjes, apo edhe nga grupime të tyre, të gjejë mekanizmat për ta mundësuar ruajtjen e kujtesës edhe përmes përfshirjes së elementeve të tregut në këtë proces. Por shteti gjithmonë duhet të ruajë me shumë kujdes balancën delikate të këtyre ndërfutjeve të tregut të lirë, që po dolën nga kontrolli sjellin dëm të pakthyeshëm për sa kohë që asnjë shpikje e tregut të lirë nuk mund të kthejë kohën pas për të pikturuar edhe një herë ikonën e kalbur, apo gdhendur edhe një herë skulpturën e thyer. Apo mund të përfundojnë në kooperime tragjikomike të tregut me kujtesën, si ky që duket në këtë foton që po sjell këtu.

Henri, ti me shkrimin tënd e unë me këtë, e bëmë tonën, u vodhëm shqiptarëve pak minuta që mund t’i harxhonin gjithë qejf duke u zënë për hapjen e kutive. Pastaj, nëse mejton se ia vlen ta hapim debatin më tej, le t’i themi Ballës, Fevzos a Dudushit të organizojnë një debat, jo që shqiptarët të shohin në televizor fytyrat tona, por që të paktën edhe për ndonjë orë të dëgjojnë debat për libra, monumente e parqe, në vend të sherreve për privatizime, kontrata e hajdutë me kollare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama