Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fati i partise

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Fati i partise

“U ngrit fati i Shqipërisë, si i vdekuri nga varri”, kështu e fillon poemin e tij Naim Frashëri për Skënderbenë. Sërisht qe fati ai që e shpëtoi këto ditë Partinë Socialiste nga një njollë turpi, që një Zot e di se si do ia dilte ta hiqte. Fillimisht na e kumtoi vetë Dritan Prifti se do bënte kërkesë për t’u pranuar në Grupin Parlamentar të PS-së dhe këtë e tha pasi u pranua në tryezën e partive opozitare. Dy ditë më pas, Erion Veliaj dha një intervistë në Zërin e Amerikës, ku që nga Amerika ju kumtoi socialistëve se çfarë do të bënin ata pas disa ditësh në Tiranë. E pra zoti Veliaj na tha se “zoti Prifti ka arritur ta provojë që shumicën e gjërave për të cilat ne e akuzonim, i bënte me urdhër të njeriut me bllok”. Më kujtohet se kështu arsyetonte derisa e varën edhe Adolf Ajhmani, duke thënë se çifutët i kishte çuar në dhomat e gazit me urdhër nga lart. Gjithashtu zoti Veliaj tha edhe se: “Çdo njeriu që voton kundër qeverisë dhe bëhet pjesë e kësaj kauze (kauzës së opozitës), nuk mund t’i thuhet voto qeverinë sepse ne kemi pasur pikëpyetje”. Në fakt kjo ka qenë teoria e Mao Ce Dunit, që thosh se “nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, e rëndësishme është që ajo të kapë minj”. Që të merremi vesh, nuk po krahasoj zotin Veliaj me herr Ajhmanin apo me Kryetarin Mao, por thjesht mënyrën e tyre të të menduarit. Po e kam gabim, ma thoni se s’më mbetet hatri.

Nejse, nëpër korridoret e Tiranës u fol se, për punë ditësh, zoti Prifti do pranohej në grupin socialist, etj., etj. Në momentin e fundit, rasti bëri lojën e vet. Prokuroria zbuloi se Dritan Prifti pasi kish filmuar parë e prapa dynjanë e tërë, në fund kishte filmuar edhe veten duke marrë ryshfet. Them na shpëtoi rasti, se, mendoni sikur ai eksperti amerikan të ishte vonuar edhe ndonjë javë, ose zoti Prifti ta kish fshirë mirë atë të shkretë laptop para se ta çonte në Prokurori, sot do ishte bërë pjesë e opozitës progresiste, si ca të tjerë që, nga “ministra të korruptuar të Saliut”, u kthyen në luftëtarë të lirisë, ditën që ju bashkuan kësaj tryeze ku u lakan gjynahet. Dhe nëse për disa syresh nuk kanë mbetur regjistrime të harruara nëpër laptop-ë, kjo vjen për arësyen e thjeshtë se nuk dijnë ta përdorin atë. Kjo më sjell në mënt kujtimet e princ Vidit, që shkruante se “kur i kontrolluam shtëpinë Esat pashës, pasi kishte marrë pará nga të gjithë kundër vendit të vet, nuk i gjetëm asnjë dokument kompromentues, për arësyen e thjeshtë se Esati nuk dinte shkrim e këndim”.

Është e rëndësishme të shpjegohet se, pavarësisht nga muhabetet e kafeneve dhe pësh pësh-et poshtë e lart, unë nuk e quaj dot të korruptuar Dritan Priftin, se mua ai as më ka kërkuar e as i kam ofruar ndonjëherë gjësend. E ka quajtur me dhjetra herë Kryetari i PS-së përmes tribunës zyrtare të PS-së dhe gojës së gati gjysmës së deputetëve të saj. Unë dhe gjithë shqiptarët e tjerë, desh e vramë Dritan Priftin, aq shumë u mbushëm me inat kur këta na e përshkruan zotin Prifti si të ziun e të zesve. Sinqerisht, është e pamundur të rreshtohen të gjitha akuzat e Partisë Socialiste kundër Dritan Priftit. Mjaft të hyni në internet me fjalë kërkimi “Dritan Prifti, Korrupsion, PS” dhe do tmerroheni. Të mos hapim pastaj defterët se ç’ka thënë Prifti për këta të gjithë e për secilin veç e veç, se të vjen turp që di shkrim e këndim, me ç’do lexosh se ç’u ka thënë. Dhe papritur, gjithshka mund të harrohej thjesht për të shtuar me një numrin e grupit të deputetëve dhe pastaj papritur edhe kjo u harrua, thjesht se doli ai rregjistrimi i pafshirë mirë.

Formalisht, pranimi i zotit Prifti në gjirin e socialistëve do të kalonte përmes diskutimit në grupin e deputetëve socialistë. Ndoshta atje shumë prej tyre do të gjenin forcë të mos i gëlltisnin ato që kishin thënë për të. Nuk e dimë, sërisht fati i privoi nga kjo provë dinjiteti dhe morali, apo ndoshta zëri nga Amerika i zotit Veliaj mbeti i vetmuar, pikërisht për këtë arsye, sepse askush tjetër nuk deshi të bëhej pjesë e kësaj historie. Shenjë e mirë, kjo. Sa për socialistët e thjeshtë, ata as i pyeti njeri kësaj rradhe e as ka për t’i pyetur njeri rradhën tjetër, por të paktën përpara se të pranojnë dikënd tjetër në tryezën e larjes së gjynaheve të opozitës progresiste, të pyesin sefte atë specialistin amerikan se mos kish ndonjë tjetër qamet nëpër laptop-ë.
THEMELONJËSI I DORËHEQJES

Dom Nikollë Kaçorrin e rivarrosën në Durrës. Shkuan të gjithë të bëjnë sikur e qajnë, e sikur e kishin ndjerë thellë. Në fakt, shteti shqiptar nuk kish asnjë meritë në këtë mes, pasi gjithshka ishte një nismë fisnike e Kishës Katolike dhe e Ambasadës së Austrisë. Qeveritarët tanë e morën vesh kur xhenazja arriti në Durrës dhe nxituan të dalin në televizor para se ta shtinin ndën dhé.

Dom Nikolli, përveç të të qenit anëtar i të parës qeveri të shtetit shqiptar, duhet kujtuar edhe për një gjë tjetër, që merr shumë vlerë në këto ditë. Ai dha dorëheqjen nga qeveria ku bënte pjesë, pak muaj më pas, duke qenë kështu themelues i institucionit të dorëheqjes, që mbetet institucioni më i urryer i qeveritarëve shqiptarë. Ndoshta Imzoti nuk shkonte mirë me Ismail benë, ndoshta kishte arsye të tjera, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se, me dinjitet i shkroi një letër zotnish kryeministrit dhe u largua me qetësi në punë të vet. As nuk e detyruan të jepte dorëheqjen duke e filmuar tek merrte ndonjë çantë me mexhide, as nuk u denoncua për punë konçesionesh a privatizimesh, asgjë nga këto. Ishin të tjera kohë ato, ishin kohë zotnish e burrash të vërtetë, me nder e namuz. Që atëhere gjëja që kanë më tmerr e inat qeveritarët tanë, është të japin dorëheqjen pa i detyruar me zor, apo pa e çuar zullumin atje ku nuk mban më.

Fati dhe pasioni i Lef Nosit, që mblidhte letrat e para të shtetit të shqiptarëve, bëri që dokumenti i dorëheqjes, kjo copë letër e zverdhur, të mbijetonte dhe sot ajo gjendet në Arkivin e Shtetit, për të na bërë të mendohemi tek e shohim një shekull më pas. Vetë Lefi, mori pjesë në qeverisjen e vendit bash atëhere kur askush nuk i afrohej qeverisë, se ishte punë me zarar e pa fitim, duke pranuar postin e anëtarit të Regjencës në vitin e trazuar 1944.

Lef Nosin e pushkatuam në ‘46-ën dhe varri i humbi pa nam. Imzot Kaçorrit varri nuk i humbi, për arsyen e thjeshtë se nuk ia zhduknim dot, ngaqë nuk na arrinte kazma deri në Vjenë. Ndoshta më mirë do kish qenë ta linim të prehej atje ku ishte. Ne këtu kemi zakonin e keq të prishim varret. Për kuriozitet shkoni të shihni se ç’i kemi bërë varrit të Faik Konicës në kodrat e Liqenit në Tiranë, ose varrit të Avni Rustemit në Vlorë, ose varrit të Çerçis Topullit në Gjirokastër ose ... por po e le me kaq më mirë se janë shumë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama