Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Muri i parrezuar

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Muri i parrezuar

SHQIPNI TAVOLINASH

Pasi kishin një muaj që bënin plane se si të arratiseshin nga burgu, si të bënin një shkallë litarësh që të kapërcenin murin, si të këpusnin telat me gjemba majë tij, si të mos i shihnin rojat duke u kacavjerrë, e kështu me radhë, natën e fundit para arratisjes, grupi i të dënuarve dërgoi një vrojtues të fshehtë për të bërë një vrojtim të fundit përpara se të fillonte zbatimi i planit të arratisjes. Vrojtuesi u kthye i dëshpëruar duke thënë: “Plani u prish, muri është rrëzuar”.

Kjo anekdotë absurde e kohës së rinisë sime, m’u kujtua ndërsa kishim ditë që me forumin për mbrojtjen e trashëgimisë po përpiqeshim të organizonim një protestë për shkatërrimin e shatërvanit historik në lulishten para Kuvendit. Dhe mëngjesin kur do bënim këtë punë, marrim vesh se shatërvanin e shkatërruar, e kishin ringulur në bar nja njëqind metra më tutje.

Bajagi shumë u shkrua, u fol e u transmetua për atë monument fatkeq, që me sakrificën e vet u kthye në një farë mënyre edhe simbol, por edhe sebep për të shkarkuar të gjithë nervin e mbledhur ditë pas dite e ngjarje pas ngjarje. Në këto dy aktivitete të zhvilluara brenda 20 ditësh, (tryeza publike për situatën e trashëgimisë dhe protesta për shatërvanin), ajo që më ka bërë përshtypje nuk është aktivizimi i Klosit, Lubonjës apo Maks Velos. Këta janë ushtarët e përjetshëm të qytetarisë dhe do bënin lajm po të mos qenë, e jo pse qenë. E reja e këtyre lëvizjeve është përfshirja në to e njerëzve të tjerë, të mediave, gazetarë, analistë, studiues, publicistë e të tjerë nga ata që shërbejnë si patologë të shoqërisë, por që si çdo doktor duhet të jenë jashtë ngjarjes, ndërsa ata u përfshinë emocionalisht në ngjarje kësaj radhe.

Pikërisht kjo përfshirje emocionale e bëri, për shembull, Aleksandër Çipën që në tryezë të na kërkonte gati me lutje të ndërhyjmë për të shpëtuar incizimet e vjetra të pllakave të gramafonit me muzikë shqiptare që po shkatërrohen pa asnjë përkujdesje. Nuk dua të flas gjatë vetëm, ndaj po sjell këtu vetëm disa prej mesazheve që kemi shkëmbyer këto ditë, mesazhe që fillojnë me një frazë të ngjashme me pyetjen lapidare “Po me urën ç’patën xhanëm!”, duke u kërkuar ndjesë të gjithëve për publikimin e fjalëve të tyre pa u marrë leje.

Fatos Lubonja: “Po me këtë shatërvan çpatën mor burr, se është shumë i bukur dhe i mbaruar edhe në restaurimin e tij? Dreq, është një objekt i vogël, por mund të bëhet simbol i madh”.

A.D.: “Nuk paska gjë më të poshtër se ndjenja e pafuqisë në sy të injorancës. Dhe kur të thosha se dua të eci me djalin e t’i tregoj dy gjëra të mbetura nga qyteti i babit, isha me shpresën se me të vërtetë, po të ndizej pak nervi qytetar, do kisha ç’t’i tregoja”.

Gazmend Bakiu: “Ne s’jemi as deri te shkollat e Kosovës (e cila dje u bë shtet), që bënin 12 orë rrugë për të parë shtëpinë e Kongresit të Lushnjës (të katandisur si mos më keq – meqë ra llafi)”.

Beti Njuma: “Ju atje keni hall fadrome, ndërsa një shoqe më shkruan nga plazhi: Ah çpo i perëndon sytë Larisa (vajza e vogël) me një orkestrale tallavaje që kumbon te lokali ngjitur, këtu në Golem City. Fli të keqen mami dhe ëndërro për fadroma që shkatërrojnë gjithë këto mizerje lokale”.

Artan Shkreli: “Tan, dikur jam marrë vetë me atë shatërvan dhe kujtoja se kishte shpëtuar përgjithmonë! Po të nis për arkivin tënd (se edhe ky shatërvan u bë për arkiv) një foto ekskluzive të bërë natën e shkatërrimit me buldozer”.

Etleva Bisha: “E keqja më e madhe është se tashmë nuk e di se ç’mund të bëj që fëmijët e mi të mos rriten në mes të këtij pisllëku të gjithanshëm, që brezit tonë ia vrau shpresën dhe jetën normale, ndërsa fëmijëve tanë u rrezikon të ardhmen. Ndryshe rrezikoj të vazhdoj t’i gënjej edhe dy jetët e mia të vogla, siç gënjeva veten time këto 20 vjet që besova se edhe unë duhej të kontribuoja për të sjellë ndryshimin, dhashë ç’munda nga koha, idetë, energjitë e mia dhe tani kuptoj se as unë, as ne, nuk arritëm të sillnim atë që menduam si më të mirën.

Besnik Aliaj: “Artan, flm për informacionin. Jam kurioz kush e prishi dhe pse e prishën? A dihet gjë?”.

Auron Tare: “Ka ardhur puna ku nuk mban më. Kryetari i Bashkisë në Sarandë sapo miratoi shkatërrimin edhe të tre godinave të vjetra nga Saranda historike, godina mbi 80-vjeçare, ndër të cilat edhe ish-Shtëpia e Pritjes, ku kanë bujtur me dhjetëra personazhe historike. Mund të themi që Saranda shpëtoi më në fund nga kujtesa”.

Anila Basha: “Çt’u them, është një turp, një shatërvan që shkulet me fadromë. Nuk di më si të ndërgjegjësohemi, por them se duhet të shpikim një ide të re, përtej tavolinës ku diskutojmë e dërgojmë promemorie. Mendo për ndonjë gjë më të fortë, fundja, ne të paktën jemi pak më shumë sesa ata që prishin”.

Ardian Klosi: “Me thënë të drejtën, në gjithë këtë shkëmbim, nuk po e kuptoj kush është shkaktari i prishjes se shatërvanit? Kush ka nënshkruar konkretisht, Edi Rama, Ferdinand Xhaferri? Të merremi me emra konkretë, mos të qahemi në përgjithësi”.

Dashnor Kaloçi: “Lame, a të kujtohet Shvejku kur thoshte: Midis qiellit dhe tokës ndodhin gjëra të çuditshme që sia merr mendja kurrkujt...".

Erion Tase: “Më e rëndësishme, tashmë që shatërvani u shkatërrua, është të penalizohen shkaktarët e shkatërrimit. Kjo për të shërbyer edhe si shembull për të tjerët, se nuk mund të dëmtohet çdo gjë në këtë vend pa të hyrë asnjë gjemb në këmbë”.

Skënder Minxhozi: “Bashkohem me nismën tuaj, megjithëse druaj se një vërë në ujin e shatërvanit do bëjmë, me këta që janë për t’iu rishkruar Koncert në vitin 2010”.

Mentor Kikia: “Së pari, të mblidhemi te vendi ku po bëhet ndërtimi. Pasi mendoj se ka qytetarë që e duan këtë qytet dhe këtë vend më shumë se Xhaferri. Të bëhet edhe një padi, për faktin se mbi ç’bazë ministri vendosi ta heqë këtë monument nga lista. Të vendosim orën dhe të mblidhemi, mjaft më me e-maile dhe të tregojmë se qoftë edhe një herë të vetme, shoqëria mund t’i dalë përpara një drejtorie, një bashkie, një ministrie apo një qeverie”.

B.G.: “Djali im, i madhi, del nga dhoma vetëm për të ngrënë ose për të vajtur në banjë, se nuk e duron dot atmosferën në rrugë, fytyrat, ambientin, shpresën që mungon dhe dritën që nuk kanë portretet e komunitetit. Mezi pret të ikë kudo qoftë për studime, dukshëm me shpresën që të mos rrojë në këtë vend të marrë ... sado të mundohem unë e gruaja ime që ta bindim për të kundërtën ... më duket shumë vonë për ne”.

Elida Cangonji: “I dashur Tani, kam lindur e jam rritur te rrugica karshi shatërvanit. Gjithë lodrat e fëmijërisë janë rreth atij shatërvani dhe asaj lulishteje. Kam qenë keq sot gjatë gjithë ditës“.
Ylli Dylgjeri: “Në këtë vapë te shatërvani më keni / jam Dylgjeri, ju lutem më ndjeni / Shatërvanin e prishi legeni / të gjithëve ju dua te veni!”.

Alban Dudushi: “Nesër në orën dhjetë pa një çerek do të jem aty, edhe pse në këto ditë të çmendura korriku, vapa fillon që në orën shtatë të mëngjesit. Atje në bar ku e ngulën shatërvanin, ai nuk mbushet dot as me ujë, që të kemi mundësi të freskohemi”.

Filip Çakulli: “Më vutë në siklet, se kur po dilja nga zyra që të vija për të protestuar për shatërvanin, më kapën te dera dy qytetarë kavajas që u kishin prishur shtëpinë. Unë u flisja për shatërvanin, e ata për shtëpinë”.

J.J.: “Është detyrim qytetar ta ngremë zërin për çdo barbari që i bëhet këtij vendi. Unë jam nga Lushnja me origjinë dhe kam shumë kohë pa vajtur andej, vetëm për një arsye të thjeshtë: nuk dua të shoh barbarinë që i është bërë Shkëmbit të Kavajas (Petra antike) etj., të gjitha këto në emër të zhvillimit të turizmit. Është e tmerrshme, çdo i papërgjegjshëm në këtë vend, mund të ndërtojë në troje publike pa i hyrë gjë në këmbë... shpresoj se e ardhmja do të jetë më e mirë, me njerëz që të ketë frikë shtetin dhe ligjet!”.

Arian Çani (nga Parisi): “Eeej Tano e papame, vërtet e shkulën dhe e ngulën prapë?”
Teuta Maçi: “Jam një vajzë që studion për Farmaci në veri të Europës. Duke qenë se kam marrë vendimin të kthehem të punoj në Shqipëri, jam duke ndjekur shumë emisione dhe lexuar artikuj për të kuptuar më në thelb situatën në vendin tonë. Sigurisht situata është të paktën depresionuese për dikë që ka pak “common sense” për ta kuptuar atë drejtësisht. Jam e bindur se së bashku me vizionin e intelektualëve të tjerë, do të mund të krijoni një klimë bisedimi dhe besimi, ku unë si qytetare të ndihem krenare për bashkatdhetarët e mi, një ndjenjë e cila është venitur që kur kalova moshën e pubertetit. Ju inkurajoj në punën tuaj të mëtejshme”.

Fundi i historisë. Pas gjithë këtyre debateve e protestave dhe një morie shkrimesh nëpër gazeta e kronikash nëpër televizorë, asnjë prej institucioneve, as Ministria e Kulturës e as Bashkia e Tiranës, nuk morën mundimin të nxjerrin ndokënd për t’u shpjeguar qytetarëve të tyre se çfarë ndodhi. Merreni me mend se sa vleni për ta! Me ç’duket, vërtet që muri tek ajo anekdota e fillimit është rrëzuar, ndërsa muri midis shqiptarëve dhe shtetit të tyre vazhdon të lartohet i pacenuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama