Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjyqtarët e përjetshëm

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Gjyqtarët e përjetshëm


SHQIPNI TAVOLINASH

Gjashtëdhjetë e ca vjet më parë, shqiptarët u gjendën përpara dyerve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kishin dava për të zgjidhur me Mbretërinë e Bashkuar, se kush ishte përgjegjës për vendosjen e minave në Kanalin e Korfuzit. Shqiptarët e humbën gjyqin. Në pallatin e lashtë të Hagës, një trupë gjykatësish po aq të lashtë, pasi hapën harta e dokumente konsultuan libra të vjetër e shfletuan kode të pluhurosur, dhanë vendim: “Shqiptarët janë fajtorë”.

Aso kohe zumë inat të madh me gjykatësit me toga të zeza e jaka të bardha me dantella. Ne i quajtëm të shitur e shërbëtorë të imperializmit, ndërsa englezët u kthyen në ishullin e tyre, pasi falënderuan me qetësi gjykatësit për vendimin e drejtë.

Jeta rrodhi, vitet u bënë dekada e dekadat u bënë gjashtë. Komunizmi botëror nuk ia doli të bëhej e ardhmja e botës dhe u shemb. Byrotë Politike ua lanë vendin partive politike dhe gjërat u kthyen ku kishin qenë, e atje ku u nisën.

Në vitin 2010, në këtë botë tërësisht të ndryshuar, shqiptarët sërisht morën rrugën dhe trokitën në Hagë, në portat e së njëjtës gjykatë të para gjashtëdhjetë viteve. Kësaj rradhe kishin hall për të zgjidhur, jo më me Mbretërinë e Bashkuar, por me një mbretëri shumë më të vogël, por me të cilën u kish mbirë sherri në derë tash njëmijë vjet, me Serbinë. Godina e stërlashtë e gjykatës ishte po ajo dhe gjashtëdhjetë vjetët e rrjedhur nuk ishin asgjë për shpinën shumëshekullore të saj. Edhe salla ishte po ajo e dikurshmja, e lartë, me gurë të skalitur e harqe gotike, me tryezën e gjatë të harkuar. Pas tryezës, të ulur qëndronin po ata, gjykatësit pleq të përjetshëm që prej shekujsh gjykojnë e ndajnë punët e botës, të zhytur në togat e zeza dhe jakat e bardha me tantella. Gjykatësit për muaj me rradhë shfletuan po ato libra e kode të pluhurosur, me cepa të ngrënë nga përdorimi shekullor, hapën traktate e studiuan marrëveshje dhe në fund folën e dhanë vendim: “Shqiptarët kanë të drejtë. Atyre u takon pavarësia”. Kësaj rradhe u lumturuam ne, e kërcyem përpjetë nga gazi dhe i quajtëm gjykatësit më të mirët në botë, ndërsa sërbët u kthyen në vëndin e tyre duke ia vënë fajin gjykatës.

Si është puna, janë të mirë a të liq këta gjykatës, i ndajnë davatë drejt a shtrëmbër, gjykojnë me drejtësi a me anësi? Apo ata të parët na hëngrën hakun dhe këta të dytët na dhanë hakën? Apo ...
Jo nuk ka asnjë “apo”. Puna është më e thjeshtë. Institucione si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë janë institucione shumë të lashta për të patur ndjenja kaq tokësore, të përkohshme dhe kalimtare si e drejta dhe e padrejta. Funksioni i përjetshëm i të tilla institucioneve të përjetshme është të mbrojnë rendin e përjetshëm.

Në vitin 1946, ndoshta për momentin Shqipëria kish pasur të drejtë, minat s’i kish vënë ajo. Por a mund t’i jepej e drejta një qeverie ende të panjohur nga askush; një qeverie që s’dihej se ç’ishte, një vendi që pushkatonte priftërinj dhe varte deputetë; një klase politike që kërkonte të shkatërronte sistemin ekzistues për të ndërtuar rendin e ri komunist; një shteti që nuk kish dhënë ndonjëherë prova se ish në gjendje të mbante përgjegjësi në komunitetin e qytetëruar? A mund t’i jepej e drejta, përkundër fuqisë që me perandorinë e vet kishte eksportuar qytetërimin nga Alaska në Australi; që kish mbajtur barrën e madhe të pishtarit të qytetërimit perëndimor në natën e zezë naziste; që tani pas lufte po përpiqej të shpëtonte copëza të këtij qytetërimi teksa po u afrohej ngrica e madhe që frynte nga Lindja? Dhe e gjitha kjo të vihej në balancë për punë të ca minave që dreqi e merrte vesh se si qenë gjendur atje, midis një kanali me shkëmbinj e gurë më të dy anët. Natyrisht që detyra e gjykatësve të përjetshëm ishte të shpëtonin qytetërimin evropian dhe jo të merreshin me punë minash. Dhe ata e bënë detyrën e tyre atëhere.

Gjashtëdhjetë vjet më pas, të njëjtët gjykatës kishin në tryezë të njëjtën përballje. A mund t’i jepnin të drejtën një shteti që ishte bërë sebep për shpërthimin e të parës luftë botërore; një populli politikanët e të cilit në historinë e tyre të re, i kishin zgjidhur problemet e brendshme herë duke vrarë mbretin e tyre, herë duke hedhur nga ballkoni mbretëreshën e tyre, e shumë herë të tjera, duke u bërë atentat kryeministrave të vet; një shteti që në fillim të shekullit stabilizohej duke therur dhjetra mijë shqiptarë, në mes të shekullit stabilizohej duke masakruar dhjetra mijëra italianë të Istrias dhe në fund të shekullit sërisht u rikthehej masakrave të shqiptarëve; një shteti që asnjëherë nuk kishte demonstruar se ishte në gjendje të merrte përsipër përgjegjësi ndërkombëtare, pa vrarë e therur kë i binte në dorë?

A mund t’i jepej e drejta një shteti të tillë, përballë nevojës ulëritëse për mbijetesë të një populli që tashmë i rrezikohej jo më mbijetesa kombëtare por mbijetesa fizike; ekzistencën e të cilit e kishin sanksionuar vetë fuqitë e mëdha; për mbrojtjen e të cilit ishte angazhuar ushtarakisht superfuqia e vetme e mbetur në botë; dhe për sistemimin përfundimtar të kufijve në atë anë të kontinentit, ishin angazhuar bashkërisht kombet e mëdha, ato kombe të cilat ishin edhe mbartëse dhe mbrojtëse të qytetërimit të sotëm botëror? Dhe e gjitha kjo të vihej në balancë për punë të ca pikave të paqarta të një rezolute që i kish vdekur nervi me kohë e vakt.

Natyrisht që detyra e gjykatësve të përjetshëm ishte të shpëtonin vendimmarrjen e qytetërimit evropian dhe jo të merreshin me punë nyjesh e qarjesh. Dhe ata e bënë detyrën e tyre sërisht. Në oborrin e çdo gjykate të Evropës lartohet statuja e Drejtësisë me sytë e lidhur dhe peshore në dorë. Në oborrin e Gjykatës së Hagës një statujë e tillë mungon, sepse kandari i kësaj gjykate kur do peshohen davatë midis shteteve, nuk është i barabartë. Në një nga pjatat e tij qëndron që në nisje të gjykimit qytetërimi që duhet shpëtuar. Mjafton që kauzës tënde t’i bjerë për t’u vendosur nga kjo anë e peshores dhe fitoren e ke të siguruar.

Ne, bota kalimtare, do vazhdojmë të bëjmë analiza, e të themi herë na pëlqen e herë jo vendimmarrja e tyre, sipas rastit nëse do na vijë pas midesë ose jo, ndërsa ata gjykatësit e përjetshëm rrijnë atje në godinën e lashtë të gjykatës, jo për të ndarë sherret e ditës, por për të mbrojtur qytetërimin e përjetshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama