Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria, vendi me mësues pedofil.

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Shqipëria, vendi me mësues pedofil.

Botuar ne Gazeten Shqiptare
Interviste me Aranita Brahaj

(Autore e Monografisë “Pedofilia. Krime seksuale ndaj të miturve, Master ne Shkenca Juridike Penale)

Ditët e fundit është publikuar një rast kur një person i proceduar për ngacmime seksuale është emëruar mësues në një shkollë nëntëvjeçare. A mund të tolerohet një rast i tillë.

Ne qarkun e Beratit dy mësues te shkollave nëntëvjeçare vjeçare janë te skeduar e njeri prej tyre edhe i dënuar nga Gjykata për vepra penale te konsideruara si pedofili. Mësuesi i shkollës nëntëvjeçare të fshatit Ciflik komuna Poshnjë në Berat Engjëllush Bregu me Vendim te Gjykatës së Apelit Vlorë nr. 122, dt. 04.05.2004 rezulton fajtor për vepra të turpshme (ngacmime seksuale) me tre nxënëse të tij të moshës dymbëdhjetë vjeç. Mësuesi është dënuar me shtatë muaj burgim por pasi ka kryer dënimin në vitin 2004 është kthyer përsëri në mësimdhënie. Në 2009 një peticion i disa prindërve të shkollës ku ai jep lëndën e matematikës është paraqitur në drejtorinë arsimore duke bërë me dije se ekzistonte shqetësimi për sjellje jo korrekte ndaj nxënësve. Pas shqyrtim të peticionit Drejtoria Arsimore vendos të mbajë në punë mësuesin Engjëllush Bregu.

 Edhe në vitin shkollor 2010-2011 Bregu është mësues po në të njëjtin pozicion dhe nxënës të tij janë po të mitur të moshës nën katërmbëdhjetë vjeç. Po nga Berati (qarku) kësaj radhe për shkollën “70 vjetori i Pavarësisë” në Poliçan në ditët e para të fillim vitit shkollorë gazetari i GSH në Berat përcjell një shqetësim të prindërve për një mësues fizkulture të sapoemëruar me precedent penal për ngacmime seksuale. Për rastin me iniciale F. A procedimi është pushuar tetë vite më parë pasi nxënësi që ka bërë kallëzim nuk është paraqitur për të dëshmuar veprën penale në proces. Në të dy rastet “avokatin e djallit” për emërimin apo mbajtjen e personave në arsim duket se ka marrë përsipër ta bëje Kreu i Drejtorisë Arsimore në në rreth.

Çfarë ndodh në vende të tjera në raste të ngjashme. Pra a do të lejohej një mësues me të shkuar prej “ngacmuesi seksual” të rikthehej për të punuar në një shkollë publike.

Një i skeduar si pedofil në vende evropiane e me tej ne çdo shoqëri te emancipuar nuk do te lejohej te afrohej me shume se njëqind metra me një ambient shkollor, ndërsa fqinjët e tij do te njoftoheshin me shkrim nga policia për te mbrojtur fëmijët nga rreziku i bashkëjetesës sociale ne te njëjtat hapësira publike me fqinjin pedofil. Një shtet me politika mbrojtje për të miturin nuk do te lejonte qe një i dënuar për pedofili të punonte as në vende ku ka prezencë fëmijësh si parqe, restorante familjare apo objekte te shërbimit publik. Ne Shqipëri ka një frazeologji qe shprehet “i varen ujkut ne qafe melcite”. Në vende të qytetëruara si Mbretëria e Bashkuar organizatat joqeveritare janë lejuar dhe mbështetur në iniciativën e tyre për të publikuar foto të pedofilëve në format posteri pranë zonave ku banojnë, kjo në të mirë të interesit publik, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit të fëmijëve.

Çfarë është në person që ngacmon seksualisht të miturit në moshë shkollore, cfarë rezikshmërie paraqet ky person për shoqërinë.

Një pedofil është person që ka preferencë seksuale për fëmijë të mitur që nuk kanë arritur pubertetin dhe që janë nën moshën katërmbëdhjetë vjeç. Ky profil kriminal konsiderohet nga ekspert te politikes penale si individ ne kushtet e një sëmundje me prirje për të qenë përsëritës në veprimin e tij, madje edhe më agresiv në kalimin e kohës.

Cila është mënyra për të parandaluar veprime më tejshme që cenojnë jetën dhe seksualitetit e të miturve në moshë nën katërmbëdhjetë vjeç.

Në disa vende evropiane Pedofil të vlerësuar me rrezikshmëri i nënshtrohen edhe dënimeve të rënda me qëllim parandalim siç është kastrimi farmakologjik (nëpërmjet dhënies së medikamenteve që shkaktojnë ulje dhe pamundësi të impulsit seksuale). Në Republikën Çeke prej tre vitesh lejohet edhe kastrimi kirurgjik i përhershëm që është ndërhyrje kirurgjike që bëhet pas një vendimi gjyqësorë dhe shkakton impotencë definitive të individit të dënuar si pedofil në kushtet e aktit seksual të konsumuar. Ne ligjin tonë penal krime qe përkojnë me fenomenin pedofili janë parashikuar në të paktën tre nene: Marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me te mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç (neni 100), Vepra te turpshme (neni 108) dhe Pornografi (neni 117).

Drejtori i Drejtorisë arsimore është shprehur në të dy rastet se nuk ka bazë ligjore për të ndaluar një person që është proceduar apo dënuar e më pas ka kryer dënimin të ushtrojë detyrën e mësuesit.

Nëse ndonjë nga mësuesit e proceduar do të kryej sërish të njëjtën vepër penale, pra ngacmimin seksual të nxënësve gjatë procesit mësimor, secili nga drejtorët e drejtorive arsimore përkatëse është në kushtet e të qenit bashkëpunëtorë. Asnjë nga këta individ nuk meriton të drejtojë një drejtori arsimore, madje as një rol më të ulët në arsim nuk duhet të përmbushë një individ që ka këtë mentalitet për kriteret që duhen përmbushur për të qenë mësues. Në fakt mësuesi është një person që duhet të ketë një figurë të pastër morale dhe të përmbushë disa kritere të etikës pedagogjike. Në rastin e një ngacmuesi seksual ndaj nxënësve të tij, gjatë ushtrimit të detyrës etika pedagogjike dhe profili profesional jo vetëm nuk përkojnë me kriteret për emërim dhe mbajtje në detyre por kanë një nonsens të vërtete. Megjithëse jemi një vend me mangësi në studime akademike mbi disa tema të konsideruar “tabu” siç është edhe seksualiteti, për fenomenin e pedofilisë ka definicione të qarta në të gjitha manualet dhe programet universitare të Pedagogjisë. Një punonjës i një drejtorie arsimore është në kushtet e shpërdorimit të detyrës nëse nuk vlerëson të papajtueshëm me funksionin e mësuesit një individ që ka të shkuar abuzive në këtë drejtim.

Po drejtësia a ka përmbushur sa duhet rolin e saj për të parandaluar situata të tilla. A mund të dënohej më shumë mësuesi i proceduar për veprime të turpshme me nxënësit e tij dymbëdhjetëvjeçarë.

Çfarë ka ndodhur me rastin e profesorit të dënuar me vendim të formës së prerë! Gjykata ka dhënë një dënim të pjesshëm vetëm me burgim pa vlerësuar rrezikshmërinë e autorit për shkak të kryerjes së veprës gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe pse në arsyetimin e bërë në vendimin e sipërshënuar është cilësuar ngjarja gjatë ushtrimit të detyrës nuk është vlerësuar rrezikshmëria për këtë fakt dhe nuk është çmuar dhënia e një dënimi plotësues që lejon Kodi ynë Penal siç është dënimi me heqje të të drejtës për ushtrimin e një veprimtarie apo profesioni. Kthimi i personit në detyrën e mësuesit është i pafalshëm edhe në vlerësimin e kritereve pedagogjike për profilin profesional të një mësuesi.

Në këtë situatë si mund të rregullohet një rast i tillë. Pra jemi disa vite larg dhënies së vendimit të gjykatës.

Mbrojtja e emërimeve dhe mbajtjes ne detyre nga kreu i Drejtorisë Arsimore është një veprim tejet i rrezikshëm që përkon me një mentalitet të pa tolerueshëm dhe aspak profesional. Drejtoria arsimore duhet të shkarkojë këtë individ pasi nuk përmbushin kriteret etike për të qenë në detyrën e mësuesit. Për më shumë ngjarja bëhet më e rënde në momentin që komunitetet e prindërve protestojnë dhe shprehin frikë të përligjur për lënien e fëmijëve nën kujdesin e këtyre individëve.

Nëpërmjet shkrimeve të Gazetës Shqiptare janë zbardhur raste të dy mësuesve të proceduar për krime seksuale. A është i konsiderueshëm fenomeni në vendin tonë. Apo kemi të bëjmë me raste sporadike.

Në vendin tonë gjatë harkut kohore 2002 – 2009 janë dënuar nga gjykatat dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë persona si autorë të krimeve seksuale dhe veprave penale kundër moralit dhe dinjitetit të të miturit. Në një rast akti seksual është shoqëruar me vrasje të të miturit shtate vjeçar (Bekim Cenga) në përmbushje të kënaqësisë seksuale nëpërmjet dhunës. Ndërsa në tre raste të tjera të mitur të moshës shtatë deri dhjetë vjeç janë abuzuar seksualisht në forma të rënda që kanë shkaktuar gjendje kritike për jetën. Personat që kryejnë veprime te tilla ndaj të miturve pa pjekuri seksuale janë persona që përveç krimit të rëndë mbartin edhe rrezikun e mundësisë për të vepruar edhe pas përfundimit të dënimit me burgim. Pjesa më e mirë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë autorëve janë në moshë të re. Dhjetë për qind e të dënuarve për krime seksuale janë të mitur, përfundojnë brenda pak kohe dënimet e dhëna nga gjykatat dhe kthehen në jetë aktive ku parashikohet ndjeshëm rrezikshmëria për të kryer të njëjtin veprim.

Ju po thoni se këta individ të klasifikuar si pedofil janë të prirur për të qenë përsëritës. Pra pas vuajtjes së dënimit ata me shumë probabilitet kërkojnë sërish të kryejnë të njëjtin veprim. Çfarë mund të bëhet për të mos lejuar viktimizim të të tjerë fëmijëve.

Në vendin tonë nuk ka një sistem kontrolli për të pasur nën monitorim personat e skeduar si pedofil. Skeda penale e një profili kriminal i tipit pedofil nuk mund të konsiderohet asnjëherë “e pastër” sa kohë që ekspert të kriminologjisë përkufizojnë këtë sjellje kriminale si sjellje recidiviste (prirje për përsëritje të krimit). Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Komitetit të Birësimeve, Ministria e Çështjeve Sociale dhe ajo e Shëndetësisë  duhet të kenë politikat e tyre administrative për të siguruar që personat që shërbejnë në mirërritje e kujdes të të miturve të mos jenë persona me precedent apo të skeduar. Sa kohë që shteti është neglizhent, prindit i takon të bëjë pyetje vetes “a është fqinji, mësuesi, mirërritësi i fëmijës tim një pedofil”.

Kjo është një pyetje e vështirë dhe e dëmshme për një prind, por e dobishme për të rritur presionin qytetar me qëllimin për shmangur apatinë institucionale në vlerësimin e fenomenit. Përmenda pak më lart politikën e ashpër të dënimeve jo vetëm me burgim që aplikohen në vende evropiane. Në emër të interesit dhe sigurisë publike individëve që përbëjnë rrezik për shkak të prirjes për ngacmime seksuale të të miturve ju kufizohet e drejta për jetë private, nënshtrohen në mënyrë të detyrueshme trajtimit me medikamente me qëllim kastrimin që është një formë e rëndë mase ndërshkuese e parandaluese. Nëse në një komunitet egziston një perosn me të shkuar kriminale si pedofil, policia dhe pushteti lokal janë të detyruar të njoftojnë prindrit për rrezikun që mbart bashjetesa e fëmijës së tyre në të njëtat ambjente publike me këtë individ.

Po politika a ka rol në marrjen e masave për të ndaluar këtë fenomen.

Në fushatën e parë presidenciale në Francë presidenti Sarkozi fitoi pikë në mbështetje elektorale pas premtimit për sanksione më të rënda ndaj pedofilisë. Në rastin tonë dikush duhet të iniciojë vëmendje shtetërore më të madhe për të mos qenë një vend ku si mësues punësohen individ pedofil.as drejtuesit e institucioneve që tolerojnë të tillë individ të punojnë në ambjente me të mitur nuk duhet të shpëtojnë pa u ndërshuar për këtë papërgjegjshmëri. Minsitria e Arsimit dhe Ministria e Cështjeve Sociale duhet të hartojnë akte nënligjore që vendosin kritere të specifikuara për personelin që punon me të mitur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama