Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lëvizja e lirë për Kosovën - jo thjesht liri ekonomike

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Lëvizja e lirë për Kosovën - jo thjesht liri ekonomike



Me vendimin e fundit të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për vendin tonë dhe Bosnjën, duket qartë që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor po merr një mbështetje në rritje. Bashkimi Europian dha një shpresë të re për të ardhmen tonë europiane.

Perspektiva europiane mbetet inspiruesi më i mirë për reformat në vendet tona. Integrimi sa më parë në BE vlerësohet si filozofia dhe strategjia më e mirë për të hequr përfundimisht “fuçitë e barutit” nga rajoni ynë.

Krahas BE dhe SHBA, historikisht kanë inkurajuar, mbështetur dhe janë angazhuar drejtpërdrejti për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar se përshpejtimi i integrimit është mundësia më e mirë për paqen dhe prosperitetin, aq më tepër në rajonin tonë, plot histori konfliktesh dhe luftërash.

Por në disa raste dhe në disa nga vendet e rajonit, vonesat në proceset integruese dhe zvarritja e hapave konkretë janë keqpërdorur nga forcat joprogresiste për të rritur mbështetjen e tyre publike. Pa integrimin europian, këto tendenca mund të bëhen më të mëdha dhe mund ta dëmtojnë më shumë të ardhmen tonë.

Përballë sfidave historike të rajonit tonë, pavarësisht vështirësive konkrete në thellimin e proceseve integruese të vetë BE-së, pavarësisht fokusit dhe energjive që kërkon menaxhimi i krizës globale për lidershipin e BE-së, është e domosdoshme që integrimi i plotë për vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohet.

Ka disa vite që jo vetëm anëtarësimi i Kroacisë, por edhe fillimi i negociatave të Maqedonisë për anëtarësim ka mbetur pezull. Mundet që edhe opinioni i Komisionit Europian në nëntor të mos jetë pozitiv për Shqipërinë dhe Malin e Zi për statusin e vendit kandidat.

Jo vetëm përballë këtyre vonesave, duket se BE po përshpejton lëvizjen e lirë për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, këtë të drejtë sapo e fituan Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina.

Tani vetëm Kosova nuk e ka përfituar lëvizjen e lirë. Për disa arsye specifike, lëvizja e lirë për Kosovën sjell përfitime pozitive jo vetëm ekonomike, ndoshta më shumë sesa në vendet e tjera të rajonit.

Në aspektin ekonomik – lëvizja e lirë mund të rrisë përfitimet e lirive të tjera ekonomike. Për një vend ku ekspertët kosovarë dhe ndërkombëtarë vlerësojnë se papunësia është rreth 40%, lëvizja e lirë si pjesë e mundësive në rritje për biznes bëhet akoma më e domosdoshme.

Në aspektin politik - lëvizja e lirë për Kosovën është jetike. Kohët e fundit ka tensione të përsëritura në pikat kufitare midis dy vendeve. Nëse politikanët serbë hyjnë lirisht në territorin e Kosovës, qeveria e Kosovës publikisht konsiderohet e dobët. Po kështu, nëse një politikan serb nuk lejohet të hyjë në Kosovë, qeveria Serbe konsiderohet e paaftë dhe e dobët. Pra, qeveritë e të dy vendeve, e dy shteteve të veçanta, periodikisht vihen nën presion publik me deklarata dhe kundërdeklarata, të cilat rrisin presionet populiste dhe tensionojnë herë pas here marrëdhëniet midis dy shteteve.

Bashkimi Europian duhet të rrisë mbështetjen e Kosovës me asistencë teknike dhe kapacitete profesionale, për të plotësuar parakushtet teknike që edhe Kosova të përfitojë sa më parë lëvizjen e lirë.

Për Kosovën, lëvizja e lirë nuk duhet të jetë thjesht liri ekonomike, ajo do të ndihmojë të reduktojë dhe eliminojë edhe acarimet e herë pas hershme për hyrje dhe dalje të politikanëve të Serbisë dhe Kosovës.

Lëvizja e lirë për të gjithë duhet të zhvlerësojë çdo tendencë abuzive të disa politikanëve serbë për të provokuar hyrjen në Kosovë. Ajo duhet të reduktojë edhe ndonjë krenari të tepruar edhe në Kosovë për ndalimin apo kthimin pas të politikanëve serbë. Disa politikanë serbë jo rrallë tentojnë të provokojnë acarim të ambientit politik midis dy vendeve. Projekti i BE-së nënkupton një bashkim pa kufij dhe dogana. Ditën e parë pas lëvizjes së lirë, këta politikanë do ta humbasin këtë mundësi populiste.

Aplikimi i lëvizjes së lirë edhe për Kosovën e bën masive të drejtën e hyrje-daljes të kujtdo qytetari dhe politikani në vendet e Schengen-it. Kjo liri është sot për rreth 450 milionë europianë. Kur liria e lëvizjes së lirë të aplikohet edhe për Kosovën, do të ulet mundësia e përsëritjes së situatave të tensionuara në pikat kufitare.

Këto situata mund të pengojnë ose vonojnë çdo negociatë, fillimisht për çështje praktike me interes reciprok midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Aplikimi sa më parë i lëvizjes së lirë për Kosovën, si pjesë e filozofisë dhe politikave integruese të BE-së, do të ketë efekte pozitive edhe për atmosferën e takimeve dhe negociatave midis dy vendeve.

Lidershipi politik në Serbi dhe Kosovë, gjithnjë e më shumë do të ndjejë se sa më shumë liri europiane të ketë në të dy vendet, sa më pak pengesa të ketë jo vetëm për lëvizje të lirë, aq më pak ushqim të përditshëm do të ketë për nacionalistët dhe populistët, aq më shumë dhe më mirë paqja dhe prosperiteti do të shijohen nga të gjithë popujt e rajonit tonë.

Shumë vite më parë ishte vështirë të shpresoje se një ditë ne do të bëheshim vend anëtar i BE-së. Pak vite më parë vendet e Ballkanit shpresonin të paktën të arrinin Schengen-in ballkanik. Pak ditë më vonë gjithë Ballkani Perëndimor, përveç Kosovës, do të shijojë lirinë e Schengen-it europian.

Lëvizje e lirë dhe sa më parë edhe për Kosovën, është rasti konkret ku perspektiva europiane sjell impakte pozitive për paqen dhe prosperitetin e gjithë rajonit tonë. Nga vlerat dhe liritë europiane duhet të përfitojë sa më parë edhe Kosova.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama