Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Energjia bërthamore : as Po, as Jo!

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 17 vite më parë

Gjergj Xexo
Energjia bërthamore : as Po, as Jo!

Pas leximit të - Energjia bërthamore: Pse jo!? nga z. Nurellari (Panorama 13/11/2007)
 
Tymnaja mediatiko-politike e ngritur pas deklaratave të bujshme atomike të z. Berisha dhe reagimit të menjëhershëm të opozitës së majtë, pati meritën e padiskutueshme të errësojë për disa çaste të gjitha dritëzat fërgëlluese që ndriçojnë jetën e përditshme të vendit. Sikundër produktet e tjera ajrore që përmbajnë hijen e rëndë të atomit, ajo ndikoi në lulëzimin e një vargu krijimesh të përçudnuara, kundër-natyre. Të ngjashme me zarzavatet e deformuara të kopshteve ukrainiane pas kalimit të resë çernobiliane, simotrat e tyre shqiptare të mendimit intelektual nuk mund t’i shpëtonin këtij efekti shkatërrues. Shpresojmë efemer, por sidoqoftë steril.
Në të njejtën situatë u gjend edhe gazetari-analist, imagjinata e të cilit humbi të gjitha pikat e orientimit të mëparshme dhe u orientua forcërisht drejt analizës të dobive dhe të këqiave të përdorimit të energjisë bërthamore. Padyshim, i lodhur nga andrrallat e përditshme – mungesës së rrymës dhe të ujit të pijshëm, ai ju dha me shpirt vegimit magjik të parajsës së ardhshme shqiptare, asaj « superfuqisë së vogël energjetike të Ballkanit » sipas shprehjes së Kryeministrit vizionar. Me të vërtetë, cili prej udhëtarëve të humbur në mes të shkretëtirës përvëluese ka mundur t’i shpëtojë mirazheve të oazeve ujëmbajtës dhe dritëshumë ?
 
* * *
1. Edhe kritiku më i angazhuar i shkrimit të z. Nurellari është i detyruar të përballet me disa të vërteta paradoksale :

-         i indinjuar, ndoshta me të drejtë, nga qëndrimi i PS dhe i aleatëve të saj agrarë ndaj deklaratave të fundit të qeverisë, ai këmbëngul dhe heq një paralele mes blerizmit dhe ambientalizmit. Nuk e di se në ç’skaj të kulturës politike ka gërmuar ai për të guxuar një krahasim të tillë. Është e vërtetë se blerizmi në politikë identifikohet me një rrugë të tretë, për të mos thënë të mesme, por mesi « i artë » britanik tredjunionist përpara se të shprehet me termat e ambjentit, përdor një gjuhë komunikimi ku theksi i vihet « rritjes ekonomike » dhe adopton një qëndrim social ku mbizotëron fjala « drejtësi ». Edhe ata që nuk e « kanë aspak haberin » nga kjo fushë, por që ndjekin jetën politike të vendit qoftë edhe nëpërmjet shtypit ose televizorit janë të bindur se opozita e Ramës, përveç qëndrimeve të saj të fundit « ambientaliste » nuk shquhet as nga rritja ekonomike as edhe nga drejtësia sociale. Në këtë mënyrë, është një fyerje për social-demokracinë angleze të krahasohet me të majtën shqiptare sikundër është një nder i pamerituar për të këtë të fundit të etiketohet « bleriste ».

Vërtet gjella me kripë, por ama kripa me karar !
-         kategorik, në ato çka thotë, ai nuk ngurron të pohojë se « një pjesë e mirë e komunitetit shkencor ndërkombëtar është shumë e bindur se energjia bërthamore është jo vetëm efikase, por edhe shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë ». Për fat të keq të tij, unë bëj pjesë jo vetëm në atë komunitet shkencor ndërkombëtar, por edhe në atë pjesë të ketij komuniteti që është diplomuar dhe stërdiplomuar pikërisht në energjetikë. Është e vërtetë që jam fort i bindur se energjia bërthamore është efikase - në këtë periudhë kaq delikate ku fuçia e naftës ka shkuar 100 dollarë – por aspak i bindur se ajo është shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë. Jam i bindur gjithashtu se nuk jam i vetmi që mendoj në këtë mënyrë ! Është një gjë të njohësh avantazhet teknologjike të atomit në prodhimin e energjisë elektrike por është diçka krejt tjetër të pranosh problemet fort të ndërlikuara të instalimit të një industrie të tillë dhe veçanërisht, problemet edhe më të delikate pothuaj të pazgjidhshme të ndotjeve radioaktive. Këto të fundit nuk lindin vetëm si pasojë e gabimeve në llogaritje, të mangësive teknologjike ose të keqpërdorimit nga ana e njeriut. Asnjë shkencëtar në botë nuk mund të pranojë « rrezikun zero ». Asnjë central bërthamor i planetit nuk ka shpëtuar nga avaritë, nga keqmanovrimet ose nga shkelja e « vijës së kuqe ». Në qoftë se nuk i kemi parë ose dëgjuar kjo vjen ngaqë dikush ka bërë çmos për t’i fshehur dhe për t’i kaluar në heshtje ! Së fundi, cilësimi estravagant i vënë mbi « qëndrimin ambientalist të Evropës së Veriut » le t’i mbetet ndërgjegjes së autorit në fjalë.
-           i sigurt, ai nuk trembet as nga shifrat pasi na i citon me bollëk : « ..sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, 17% e rrymës sigurohet nga energjia bërthamore; Franca dhe Lituania sigurojnë tre të katërtat e energjisë nga centralet bërthamore, Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Kore e Jugut, Suedia, Sllovenia sigurojnë mbi 1/3-ën, ndërsa Japonia, Gjermania e Finlanda sigurojnë 1/4-ën e totalit të prodhuar ». Por duhet t’i ruhemi shifrave, pasi ato mund të mbrojnë një ide dhe njëkohësisht të kundërtën e saj : kështu, në qoftë se 17% e energjisë elektrike u siguroka nga energjia bërthamore, si sigurohen ato 83% që mbeten ? Përse të mos thuhet njëkohësisht që energjia bërthamore përbën vetëm 6% të energjisë primare ?Me që ndodhemi në kapitullin e shifrave, përse të mos përmendim edhe Kinën që ka vetëm 4 centrale të tilla në aktivitet dhe që mbulon vetëm 2% të nevojave të saj për energji elektrike me rrugë bërthamore ? Përtej betejës së shifrave, tabloja që çfaqet është fare e qartë : Prodhimi i energjisë elektrike me rrugë bërthamore është një teknologji që paraqet mjaft avantazhe sikundër dhe rreziqe dhe që zhvillohet në paralel me teknologjitë e tjera. Zgjedhja e saj është një rezultante e forcave politike, ekonomike, financiare dhe shoqërore dhe mbetet privilegj i vendeve të zhvilluara perëndimore, të cilave ju mungojnë zgjidhje të tjera energjetike afatgjata.
Aktualisht, në këtë fushë militojnë dy kampe - ai i teknologjistëve të botës perëndimore (Westingauset, Arevat, Framatomët, Siemensat…) dhe lobi i tyre politiko-mediatik që mbështesin idenë e centraleve duke theksuar avantazhet e tyre dhe kampi e ekologjistëve gjithëngjyrësh që përmendin rreziqet e atomit civil dhe ushtarak. Mes këtyre kategorive gjendet turma e njerëzve të thjeshtë - ata të rrugës - që kur hyjnë në shtëpitë e tyre ndezin dritën dhe shkojnë të bëjnë një dush (pa e vrarë mendjen fort nëse energjia e nevojshme vjen nga bërthama apo nga lëngu i zi). Diku në një skaj, gjenden Shqiptarët e thjeshtë si puna e z. Nurellari të cilët, në mungesë të dritës dhe të ujit, diskutojnë mbi veprat e mira dhe mëkatet e atomit.
2. Duke mos qenë as kritik as edhe i angazhuar, më duhet të përballem me paradokse të vërtetë :
-       Aspekti më i fundit i krizës së rëndë energjetike që ka kaplluar vendin është ai ëndërrimtar. Kjo krizë lindi së pari nga fakti se burimet e dikurshme hidrike filluan të vjetërohen dhe sot ato punojnë vetëm me gjysmën e kapacitetit të tyre të projektuar (pasi rezervuaret e tyre vazhdojnë të mbushen nga dita në ditë); se termocentralet e dikurshme ose janë fshirë nga faqja e dheut ose janë në tako pasi as naftë, as gaz dhe as qymyr nuk nxirret sot në parajsën demokratike shqiptare; së dyti pasi rrjeti elektrik i dikurshëm është katandisur në një rreckë me mijra arnosje; së treti pasi konsumatorët nuk kënaqen më me ato 100 kWh/muaj të kohës së Enverit por duan edhe dritë, edhe ngrohje, edhe pajisje deri dhe kondicionerë - bile edhe pa paguar faturën; së fundi, sepse që nga ajo kohë e shkuar dhe deri më sot asnjë përpjekje nuk është bërë as për të riparuar, as për të ndërtuar ndonjë burim të ri. Të vetmet përpjekje madhore kanë qenë ato të popullit të shumëvuajtur shqiptar gjatë viteve të paharruara të demokracisë (1991-1993) për të shkatërruar “pasurinë e përbashkët komuniste” si dhe ato të popullit të mashtruar po shqiptar në vitin e paharruar 1997, kësaj rradhe për të shkatërruar rregjimin demokratik të z. Berisha. Pasi që thika preku palcën, një varg projektesh u stivuan mbi tryezën e qeverisë, më i shquari i të cilave padyshim është ai i centralit (centraleve) bërthamor(e). Por përpara se t’i jepemi ëndërrimit, është e udhës të futim dorën në xhep dhe të numërojmë monedhat që na kanë mbetur. Me çfarë mjete financiare të vendit mund të pjesëmarrim në një projekt që kushton së paku 2- 3 miliardë euro, pa llogaritur ato 2 miliardat e tjera për të rimëkëmbur rrjetin elektrik të shpërndarjes ? Si mund të shpresojmë ende në bujarinë e evropianëve dhe të tjerëve amerikanë kur këta të fundit kanë ndihmuar, kredituar dhe investuar jo më tepër se 1.5 miliardë euro, përgjatë 15 vjetëve të tranzicionit ?

Gjithmonë në fushën e ëndrrës, më vjen ndër mend një anekdotë e vjetër - ajo e fshatarit që kish humbur gjumin e natës duke bërë llogaritë pafund të shtëpisë së tij të ardhshme, deri sa fqinji i tij pikasi dëshpërimin që i kish mbuluar fytyrën dhe e pyeti :

- ç’po ndodh me ty, or lalë, pse e ke fytyrën kaq të prishur ?

- s’më del llogaria e shtëpisë së re, megjithëse i kushtoj 500 napolona.

- sa napolona ke gjithsej ?

- asnjë kokërr.

- shtoji atëhere edhe 500 të tjera dhe shko fli i qetë.

 

Tjetri aspekt që ka filluar t’i shqetësojë shqiptarët është ai i ndotjeve të ardhshme të centralit bërthamor aq të ëndëruar. Me qetësinë e atij që nuk i beson fort ëndrrave, vërej se Shqipëria nuk priti ndërtimin e një centrali bërthamor për të zbuluar ndotjen. Ata që kanë patur rastin t’a shkelin, bile përpara se z.Berisha ose z. Nano t’a trashëgojnë, sigurisht mbajnë mend Elbasanin që notonte në një llum të kuq sa herë që binte shi, Kuçovën (ish-Qytetin Stalin) që llokoçitej në gjolet me naftë, Ballshin që qelbte erë gaz deri në ujin e robinetit apo Fanin në Rubik ku edhe gjurma e peshkut ishte zhdukur nga shkaku i mbetjeve të uzinës së bakrit. S’po përmend Osumin në Poliçan të masakruar nga uzina e armëve, Devollin në Gramsh të sterilizuar nga uzina e baterive etj. etj… Mjafton një shëtitje në mbrëmje mbi kodrat e Saukut për të soditur smogun e Tiranës. Edhe pa central bërthamor, ne jemi në gjendje të prodhojmë një smog të denjë për çdo megalopol evropian. Përse duhet t’i kemi zili botës së sotme të qytetëruar (Gjermani, Francë ose Itali) ku njerëzit arrijnë dhe vdesin nga ndotja (e veturave, e centraleve termike dhe e industrisë kimike që i vret përpara se ndotjet radioaktive të mbërrijnë në pjatën e tyre) ? Sa qytetarë shqiptarë vdesin çdo vit nga ndotja atmosferike ose industriale e bujqësore, përpara se ky central i shumëdëshëruar të fillojë të projektohet ? Për ata që nuk e dinë ende, rekomandoj të lexojnë : http://www.wikio.fr/international/europe/albanie.

 
* * *
 
E vetmja alternativë e prekshme që u ofrohet Shqiptarëve në këtë prag dimri është « ngrohja » me ëndrrat e pushtetit ose « ngrohja » me zënkat e opozitës. Ngrohje për ngrohje – si gjithmonë, me « forcat e veta » kalorike – do të preferoja atë të pozitës si më të brendshme dhe më intime, pra ambjentaliste. Tjetra, nëpërmjet agresionit verbal dhe të shkruar, në mos ndot mjedisin me zërat e çakorduar, ndikon në shfarosjen e pyjeve të planetit për të prodhuar letrën e nevojshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama