Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika në bankën e akuzës publike

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Politika në bankën e akuzës publike

Edhe pse raportet e ndryshme ndërkombëtare vazhdojnë ta vlerësojnë vendin tonë me shkallën më të lartë të korrupsionit, në burgje zor se mund të gjesh ndonjë zyrtar të lartë të dënuar për këtë krim. Madje s’mund të gjesh as edhe ndonjë mashtrues komune, që i ka shitur qeverisë, në emër të tij, tokat e fshatit ku do të kalonte autostrada dhe që tashmë kapardiset si beu i fshatit. Drejtësia, sistematikisht ka demonstruar pasivitet dhe paaftësi për të trokitur në dyert e zyrtarëve, duke u shndërruar praktikisht në drejtësi vetëm mbi pjesën e varfër dhe pa pushtet të shoqërisë.

Në këto kushte, politika, e mbarsur si një balenë me mëkatet e të gjitha llojeve, ka vendosur ta bëjë vetë drejtësinë, të paktën atë publike. Prej disa javësh, opozita dhe qeveria kanë nisur një garë denoncimesh reciproke të pashembullt, duke shpalosur para popullit gjithë moçalin që ka krijuar, mes të cilit vegjeton pushteti i të gjitha niveleve e nga ku ushqehet politika e të gjitha niveleve.

Çdo ditë, përfaqësues të qeverisë dhe opozitës dalin në të ashtuquajtura konferenca shtypi, ku vetëm monologohet me kamerat e televizioneve. Selia rozë ka shpikur denoncimin përmes pyetësorëve, ku gratë ministre e deputete, një ditë pyeten nëse kanë burra apo jo, e pastaj me radhë, sa vëllezër e motra kanë burrat e si quhen ata dhe, në fund pyeten se sa hidrocentrale kanë vëllezërit e burrave apo kunati i motrës së burrit. Ndërsa selia blu sulmon me një tjetër pyetësor, që i drejtohet kreut të opozitës, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës: Rama pyetet çdo ditë me radhë se çfarë lidhje ka me Tan Leprin që i mori 20% të aksioneve Arjan Tartarit, sa është gjoba që i vë një firme ndërtimi për t’i dhënë lejen, sa apartamente ka në gjithë Tiranën, sa përfitoi nga shitja e tokës te “Tajvani”, e kështu me radhë.

Në kushtet kur drejtësia është tulatur dhe media është mekur, politikanët kanë filluar ta bëjnë vetë rrëfimin publik, duke interpretuar njëkohësisht edhe priftin edhe mëkatarin. Për ta plotësuar këtë kuadër transparence, edhe dy prej eksponentëve të LSI kanë filluar të flasin pa i marrë askush në pyetje. I sapolarguar nga posti i ministrit, Dritan Prifti po hakmerret në mënyrën tipike shqiptare, duke treguar se sa vila ka Ilir Meta, sa gurore, sa toka, sa galeri, sa pallate etj. Ndërsa LSI, pra Meta, po kundërpërgjigjet ndërkohë, duke akuzuar Priftin për pasurim ta pajustifikuar, për miliona euro të fituara nga fabrika tullash që nuk kanë prodhuar ende asnjë tullë etj.

Në këtë gjyq publik, më i rëndë se vetë akuzat që flasin për fabrika e gurore që prodhojnë euro në vend të tullave e rërës, është fakti se si Prifti, ashtu edhe Meta, i dinin këto edhe më herët. Por të dyja palët kishin zgjedhur të bënin paqen, të bashkëpunonin në heshtje, derisa njërës palë iu prekën interesat dhe atëherë shpërtheu lufta.

Kryeministri, ndërsa nuk motivon dot mënyrën e dhënies së koncesioneve në energjetikë, po shkarkon bateritë ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës për kompleksin e ndërtimeve pranë liqenit artificial. Por, Kryeministri nuk e akuzon zotin Rama se po shkatërron të vetmen qendër sportive të kryeqytetit, ku stërviten çdo ditë qindra të rinj. Nuk e akuzon se po shkatërron të vetmin kompleks pishinash brenda kryeqytetit, as se po shkatërron të vetmin kopsht botanik që ka e gjithë Shqipëria, apo një kënd më të madh lodrash, ku fëmijët gjejnë pak argëtim në këtë qytet plot zhurmë e pluhur. Jo, zotit Berisha nuk i dhimbsen të gjitha këto, pasi është bashkautor i këtij shkatërrimi, por ai e akuzon zotin Rama se, përmes njerëzve të tij, e për llogari të tij, i ka grabitur në mënyrë të “dhunshme” njerëzve të tij, d.m.th atij vetë, 20% të aksioneve të kompanisë që do të bëjë ndërtimet në këtë zonë. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me një luftë politike për parime morale, për drejtësi dhe mbi të gjitha, në shërbim të popullit, sikundër predikohet. Ne kemi të bëjmë me një luftë për ndarje territoresh, ndarje zonash influence dhe në fund, ndarje parash.

Vetë menyja e akuzave dhe mënyra e bërjes së tyre publike, na tregon qartë se në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me parti politike, por me shoqata biznesi, në rastin më të mirë, ku secila palë mbrohet dhe sulmon sa herë u preken interesat. Madje, në shumë raste, partitë politike ngjasojnë me organizata kriminale, të cilat luftojnë për ndarjen e territoreve të influencës. Ato bëjnë marrëveshje në heshtje, ndajnë përfitimet kur ka paqe, pastaj përplasen kur dikush prish paktet, dërgojnë emisarë për të ushtruar presion dhe kërcënojnë. Ndryshimi është se deri tani nuk kanë vrarë ndokënd nga grupet rivale. Ashtu si dhe mafiozët e penduar, edhe këta flasin e zbërthehen para publikut për t’u hakmarrë ndaj njëri-tjetrit. Por, në vend të rrëfimit në kafazin e hekurt në gjykatë, politikanët tanë flasin para kamerave, flasin në emër të drejtësisë, në emër të moralit dhe transparencës. Edhe pse të krimbur këmbë e kokë, ata sërish kërkojnë të rrisin kredencialet politike. Ky teatër që po luhet tani në skenën e politikës shqiptare nuk është i ri. Kujtoj ish- kryeministrin Fatos Nano, i cili kur pa se po mbetej jashtë pazareve të mëdha, mori vetë mikrofonin dhe nisi rrëfimin e pasurive që kishin vënë ministrat e tij në mënyrë abuzive.

Katarsisi që ka nisur vetë politika, po na mundëson të gjithëve të kemi akses tek e vërteta e pakontestueshme, pasi atë po e thonë vetë autorët e saj. Drejtësia ka nisur, me gjasë, një proces verifikimi të këtyre akuzave, por ne duhet të jemi koshientë dhe të sigurt se nuk do të dalë asgjë nga ky proces. Ajo nuk ka mundur të jetë asnjëherë arbitër, e aq më tepër tashmë në një ring ku elefantët e politikës kanë nisur tashmë, pa dorashka, luftën ekonomike. Në mungesë të drejtësisë penale, në kësi rastesh duhet të jetë populli që vendos drejtësi përmes votës së tij. Por fatkeqësisht, shqiptarëve nuk u qëllon të zgjedhin mes së mirës dhe së keqes, por gjithmonë kanë pasur si opsion të zgjedhin të keqen më të vogël mes disa të këqijave.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama