Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Piramidë apo Parlament?

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Fevziu
Piramidë apo Parlament?

Teatër apo Parlament?! E shembur krejt apo e rindërtuar sipas arkitekturës fillestare? Kjo është pyetja që është shtruar papritur dy javët e fundit për Piramidën, godinën që dominon bulevardin qendror të Tiranës dhe që me sa duket mund të rihapë edhe një tjetër...

debat publik. Një ndërtesë me shumë emërtime, asnjëherë në 20 vitet e fundit, ajo nuk ka pasur një funksion të qartë. Në asnjë prej guidave të huaja që prezantojnë Tiranën nuk thuhet me qartësi se përse shërben. Kam frikë se këtë se di mirë askush në Shqipëri, as vetë drejtori që e menaxhon. E shndërruar nga Muze i Hoxhës në Qendër Ndërkombëtare të Kulturës, ajo ska pasur kurrë lidhje me këtë emërtim. Në fakt, që nga ndryshimi i funksionit të parë, atij për të cilin u ndërtua, Muzeumit të Diktatorit Enver Hoxha, Piramida që ngrihet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një prej vendeve më të dukshme të kryeqytetit, thuajse ska vlejtur për asnjë funksion publik. E shndërruar herë në diskotekë e herë në sallë panairesh, ajo i është nënshtruar rrënimit të përditshëm. Pllakat e dikurshme të mermerit që duhej ti jepnin asaj pompozitet ranë njëra pas tjetrës; xhamat që prej nga drita e diellit duhej të ndriçonte monumentin e diktatorit të ulur në një masiv mermeri mu në qendër të hollit u thyen dhe ngado hyn ujë. Gëzimi i vetëm i saj qenë disa breza fëmijësh që rrëshqisnin dhe ende rrëshqasin nga maja duke e kthyer në një vend atraktiv, ndërtesën publike më pa jetë të kryeqytetit shqiptar.

Po çduhet të bëjmë me këtë ndërtesë që iu imponua dhunshëm kryeqytetit të shqiptarëve pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë konsultim, si shenja tipike e dhunës urbanistike dhe arkitektonike komuniste në fund të viteve 80-të? Me këtë ndërtesë që sipas shifrave të shtypit, i ka kushtuar Shqipërisë së varfër dhe me tallona të asaj kohe një shifër astronomike prej 25 milionë dollarësh? Por që rrezikon që ti kushtojë në vitet e ardhshme miliona dollarë të tjerë për ta mirëmbajtur. Pyetje e vështirë, që kërkon sa më shumë mendime, por që unë personalisht nuk kam asnjë dilemë. Parlament ose jo, kjo ndërtesë duhet shembur.

Duhet shembur së pari sepse është godina më e shëmtuar dhe pa asnjë lloj sharmi në një ndër bulevardet më të bukur të Ballkanit. Një godinë e imponuar dhunshëm, që qëndron si një oktapod dhe që në asnjë rast nuk i ka dhënë hijeshi Tiranës dhe zonës ku qëndron. Madje as është menduar për këtë gjë. Është menduar thjeshtë si ndërtesë imponuese, një ndërtesë që duhej të dominonte mbi ndërtesat e tjera të atij bulevardi, siç dominonte Hoxha mbi të gjithë.

Duhet shembur së dyti sepse është sot godina më jofunksionale publike e Tiranës. Kthimi në teatër apo në një qendër atraktive me salla teatri kinemash e ekspozitash, sipas një plani francez e shndërron atë në një labirint të pamenaxhueshëm, në një seri vrimash pa asnjë kuptim. çdo njeri që do ta shohë atë plan, do të mbetet i befasuar nga përçudnimi edhe i brendshëm i asaj godine, që është e përçudnuar ndërkohë nga jashtë.

Duhet shembur së treti sepse kostot e mirëmbajtjes së një godine të tillë janë tejet të larta. Pllakat e mermerit ranë dhe pllakat e tjera do kërkojnë një kosto që nuk justifikohet me asgjë. Po ashtu izolimi dhe riparimi i plotë dhe përfundimtar.

Duhet shembur sepse që në fillesë ka qenë ideuar dhe projektuar si një muozaleum (Edhe pse jo ekzaktësisht i tillë) që i shërbente kultit të individit të figurës më negative të historisë së Shqipërisë.

Nuk ka asnjë dyshim që në vend të saj mund të ngrihet një godinë dinjitoze parlamentare. Kjo do të kishte edhe një simbolikë të vlefshme. Ky shtet që e ka nisur ekzistencën e tij duke ngritur godinën e Parlamentit (Teatri i sotëm i Kukullave në fillim të viteve 20-të), mund të festojë 100-vjetorin e pavarësisë duke inauguruar një ndërtesë dinjitoze parlamentare. Një ndërtesë që të vendosë kultin e votës së lirë dhe të zgjedhurve prej saj, në atë vend ku përjetësohej kulti i një diktatori.

Por mund të ngrihet edhe një teatër i ri apo opera; Bibliotekë Kombëtare ose ndërtesë publike me funksione të përcaktuara sipas nevojave të shtetit shqiptar. Por ajo sipërfaqe prej disa mijëra metrash katrorë, që zuri vendin e disa prej vilave dhe lulishteve më të bukura të Tiranës në fund të viteve 80-të, nuk mund të vijojë të ekzistojë më ashtu siç është.

Do të ishte mirë që ky proces ti nënshtrohej një debati sa më të gjerë, për të dëshmuar se së paku një herë iniciativa si këto, i përfshijnë të gjithë ata që duan të japin kontribut, qoftë edhe me ide, për të ardhmen e kryeqytetit të shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama