Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të destinuar për të prodhuar diktatorë

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Të destinuar për të prodhuar diktatorë

“Pyete pak zotin Ruçi, a do t’i ndërrojnë kryetarët e komunave sivjet, apo do t’i kandidojnë edhe për mandatin e 5-të” – këtë pyetje më dërgonte me sms një person, ndërsa ndodhesha me një grup kolegësh në emisionin “Ora e Debatit”, ku ishte i ftuar zoti Gramoz Ruçi. E telefonova më pas këtë person dhe më tha se banonte në një komunë ku kryetari kishte 4 mandate që drejtonte dhe kishte nisur fushatën për mandatin e pestë. Gjatë dy viteve të fundit, ndërsa me kolegët e Korpusit të Vullnetarëve jemi endur fshatrave të bregdetit shqiptar për të ndikuar sadopak në pastrimin e zonave turistike, jemi ndeshur me shumë kryetarë komunash e bashkish. Shumica prej tyre kanë mbyllur mandatin e tretë ose kërkojnë të tretin.


Në fakt, ligji e lejon që një kryetar komune apo bashkie mund të kandidojë sa herë të dojë dhe mund ta drejtojë fshatin apo qytetin për aq kohë sa komuniteti ta votojë. Në të vërtetë, ne nuk është se kemi një traditë të mirë demokratike dhe nuk kemi dhënë prova se gjithmonë kemi zgjedhur më të mirin. Por çështja nuk është te fakti se sa të mbarë e kemi dorën kur shkojmë te kutia e votimit, por te një problem shumë herë më i madh se ky. Ne si popull dashurohemi me udhëheqësit, të çfarëdo niveli dhe çfarëdo soji politik qofshin ata. Ne si popull nuk dimë të rrëzojmë udhëheqësit në mënyrë demokratike, por e bëjmë këtë në mënyrë dramatike kur na shkon thika në kockë. Me pak fjalë, ne nuk dimë dhe nuk mundemi të bëjmë rrotacion pushtetesh dhe drejtuesish, nuk bëjmë dot qarkullim udhëheqësish dhe elitash. Ne jemi të destinuar të prodhojmë diktatorë dhe udhëheqës të korruptuar, sepse ne nuk dimë t’i zbresim ata nga froni.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ra nën perandorinë e komunizmit si e gjithë Europa Lindore. Por, asnjë vend nuk e vuajti më rëndë se ne shqiptarët diktaturën dhe për këtë historia jonë fajëson Enver Hoxhën. Në fakt, përse e pësuam ne dhe jo polakët një dramë kaq të madhe, përse ne dhe jo hungarezët apo çekët? Edhe ato vende ishin nën diktaturë, edhe ata përjetuan periudha dramatike në këtë marrëdhënie me diktaturën, por ata ditën të tronditin themelet e saj dhe shpesh ishin ata që ndezën edhe zjarrin e ndryshimit të madh. Në fund të fundit, brenda të njëjtës ideologji, ne ishim ata që e përjetuan komunizmin në mënyrën më tragjike në Europë. Është një histori e gjatë për të përshkruar brutalitetin e diktaturës, shtypjen e oponencës, por edhe përulësinë e servilizmin e një populli të tërë ndaj një njeriu dhe adjutantëve që e rrethonin. Bibliotekat dhe arkivi muzikor janë të mbushura plot me himne dhe këngë që shkrimtarët dhe populli, me vullnetin e tyre të lirë, i kënduan Enver Hoxhës. Vajtimi mbarëpopullor, në ditën e vdekjes së diktatorit më të egër të Europës së pasluftës, është një shembull i paprecedent në historinë e një populli. Shkurt, ne e mbajtëm Enver Hoxhën në pushtet derisa vdiq dhe u qeverisëm e iu përulëm me tërë vullnetin tonë fantazmës së tij, derisa komunizmi u shemb globalisht.

A thua ka qenë tërësisht faji i Enver Hoxhës ky?

Edhe 20 vjet pas rënies së komunizmit, ne kemi sot në krye një njeri, i cili ishte heroi i protestave për rrëzimin e komunizmit. Sali Berisha, u bë Presidenti i parë demokrat dhe drejtoi shtetin për 5 vjet. Pastaj drejtoi opozitën e vendit për 8 vjet, prej 5 vjetësh drejton qeverinë dhe është i bindur se mund dhe do ta drejtojë sërish Shqipërinë edhe për 15 vjet të tjera. Ende dhe pas 20 vjetësh, Sali Berisha është strumbullari i politikës shqiptare, ai është epiqendra e luftës politike, e akuzave për korrupsion, është idhulli i pjesës së popullit që e mbështet dhe e voton. Madje, rapsodët dhe grupet polifonike kanë thurur ndërkohë këngët e para, në të cilat populli, sërish me vullnetin e tij të lirë, i thur lavde prej udhëheqësi të madh. Të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se Sali Berisha ka ndërtuar qeverinë dhe administratën më të korruptuar.

A thua e ka tërësisht fajin Sali Berisha për këtë?

Prej dhjetë vjetësh Edi Rama drejton Bashkinë e Tiranës dhe, të paktën deri tani, nuk ka asnjë gjasë që ai në mënyrë të vullnetshme të heqë dorë nga rikandidimi. Dhe me gjithë gjasat, banorët e kryeqytetit do ta votojnë sërish në zgjedhjet e majit 2011. Rama është vënë në ballë të luftës për të marrë pushtetin dhe për të qenë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Ai tha se ishte sigurt në fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, por sërish nuk hoqi dorë nga bashkia e kryeqytetit, pasi ai nuk e mendon dot veten jashtë atij institucioni, jashtë atij pushteti dhe të mirave që sjell ai. Ai do ta braktisë bashkinë vetëm pasi të ketë marrë në dorë çelësin e zyrës së Kryeministrit.

Udhëheqësit janë njerëz si gjithë të tjerët, por pushteti dhe kamja që rrethon pushtetin i ndryshon ata. Në fillim ata janë me parime morale, politike, patriotike e atdhetare. Por, me kalimin e kohës ata ngjizen me pushtetin e tyre, me institucionin dhe karrigen e tyre dhe as që mund ta mendojnë që nesër të gjenden në rrugë si qytetarë të thjeshtë dhe të shkojnë në ndonjë pub e të pinë birrë, krejt shpenguar si burrat e tjerë. Me kalimin e kohës ata korruptohen dhe pasurohen, krijojnë pronat dhe pushtetin e tyre ekonomik, pa të cilin nuk mendojnë të jetojnë qoftë edhe një ditë. Me kalimin e kohës ata janë të bindur se, atyre dhe familjeve të tyre, u përket një pjesë e fshatit, një pjesë e qytetit, apo edhe një pjesë e tërë Shqipërisë. Dhe, pasi i kanë marrë këto, ata kërkojnë t’i mbrojnë dhe t’i shtojnë me të gjitha mënyrat, duke ngritur rrjetat e tyre të merimangës shtetërore dhe joshtetërore, duke afruar rreth vetes njerëz të inkriminuar, sekserë të zotë investimesh, mashtrues e matrapazë gjithëfarësojësh. Kryetari i komunës është gati të djegë fshatin për të mbrojtur pasurinë që ka vënë dhe karrigen e tij. Kryetari i bashkisë kthen qytetin përmbys, ndërsa një President apo Kryeministër i vë flakën gjithë vendit për të mos u dorëzuar. Në fakt, këtu lind diktatori dhe ne jemi një popull perfekt për të prodhuar diktatorë. Udhëheqësit që dikur ishin të thjeshtë e me parime, tashmë janë agresivë, janë brutalë, janë kapadainj, nuk pranojnë t’i kritikosh, të hakërrehen, të kërcënojnë e të rrahin.

Ne jemi sot dëshmitarë të një lufte të egër politike, nga Tirana deri në fshatin më të humbur. Por në thelb ajo nuk është një betejë mes partish, normale në një shoqëri demokratike, por një lufte mes individësh, të cilët ashtu si perënditë e legjendave, gjuajnë sho-shoqin me gurë nga majat e maleve ku ne i kemi hipur dhe i mbajmë ende, pa mundur dot t’i zëvendësojmë. Mund të kërkojmë në të gjitha vendet e lindjes ish-komuniste dhe askund nuk do të gjejmë udhëheqës kaq jetëgjatë në epokën postkomuniste.

Ish-kolegët e Berishës tashmë shëtisin nipërit në parqe dhe shkruajnë kujtime.
Dhe të jemi të bindur se nuk është aspak faji i tyre, është tërësisht i yni.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama