Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Futbolli dhe shitja e emocioneve

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Konomi
Futbolli dhe shitja e emocioneve

Edhe ne shqiptarët, ashtu si në pjesën dërrmuese të vendeve të Botës u përfshimë nga ethet e futbollit. Në stadiumet e Afrikës së Jugut u mbërthyen sytë e shumë prej nesh në kërkim të kalimit të një kohe zbavitëse, emocionuese dhe shumëpërfshirëse. Ky vend i njohur deri më sot për famën e keqe të politikës së Aparteidit, diskriminimit më çnjerëzor që i është bërë njeriut në kohët moderne, po njihet sot si vendi organizator i evenimentit sportiv më të rëndësishëm botëror pas lojrave olimpike, Kampionatit Botëror të Futbollit.

Edhe pse pas shkëlqimit të stadiumeve dhe flamujve nacionalë me hymnet që i shoqërojnë, pas gëzimit për një gol apo fitore fshihet dëshpërimi i një vendi të varfër, ku shumica e popullsisë jeton më me pak se dy dollarë në ditë. Fare pak larg shkëlqimit të stadiumeve madhështorë njerëzit vdesin për nga kequshqyerja, nga malarja dhe sëmundje të tjera infektive, nga Sida që është shumë e përhapur. Për faktin se nuk mund të kenë mundësinë e një vaksine. E kur mendon se me çmimin e biletës së finales mund të bëheshin njëqind vaksina, pra të shpëtoheshin njëqind njerëz nuk di nëse duhet t’i gëzohesh këtij eventi sportiv, apo të hidhërohesh.

Por nuk mund të fshehim që kjo garë i ka dhënë ditëve tona, edhe pse për pak kohë një ritëm më të qetë, më të bukur, duke na bërë të harrojmë hallet dhe problemet tona. Dikush mund të mendojë se nuk duhet të jetë kështu. Pse jo? Kush nuk do të kishte nevojë për të larguar vëmendjen qoftë edhe për pak çaste dhe të përqendrohej diku tjetër? Në këtë aspekt sporti është një zgjidhje e mirë.

Lokalet, baret, trotuaret e qyteteve tona janë mbushur me shikues të sportit më popullor edhe tek ne. Futbolli dhe sporti në përgjithësi është një fenomen social në të gjitha kuptimet dhe i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në të paraqiten elementët themeltar të veprimeve kolektive që derivojnë në raporte interesante pjesëmarrjeje dhe agregimi duke paraqitur specifika të identitetit të formimit të grupit. Për ne ka qenë gjithnjë një sport i dashur për të luajtur. Dikur luanim me topa të improvizuar nëpër rrugë dhe oborre pallatesh, sot ka një numër të madh fushash të sistemuara, ku mund të luhet deri natën vonë. Dhe efektet sociale janë në dy aspekte. Për ata që e praktikojnë si dhe për numrin shumë më të madh të atyre që e ndjekin si spektakorë. Futbolli është lojë, por edhe garë, bëhet një mënyrë e këndshme argëtimi edhe në komoditetin e një karrigeje lokali, se dhuron ankth e të përfshin në mënyrë emotive të tërin duke u socializuar me tifozët e përbashkët. Por edhe me kundërshtarët.

Pikërisht për këtë efekt futbolli ka sjellë edhe një nga kontradiktat e shoqërisë së sotme, sepse njëkohësisht me efektet pozitive që përmenda më sipër, mund të ndikojë në kontrollin psikologjik të vetes duke shkaktuar një shfryrje emocionale që ka për pasojë dhunën. Ndodh kudo e ndodh edhe tek ne.

Por ka edhe një element tjetër për t’u vënë re. Përveç emocionit dhe kënaqësisë sporti është bërë biznes. Një industri gjigante përfitimesh që sot nuk e kupton dot fillin, se ku ndahet zbavitja nga biznesi. Nuk e kam fjalën për fenomenin botëror të futbollit, që tashmë më shumë se lojë është kthyer në një spektakël. Po për fenomenin shqiptar që vitet e fundit është rritur në mënyrë të marrëzishme duke sjellë përfitime kolosale. E kam fjalën për kompanitë e basteve të shumta, për lokalet ku këto zhvillohen, që janë më të përhapura në Shqipëri sesa dyqanet ushqimorë.

Luajnë pothuajse të gjithë. Edhe ata më të varfërit. Lënë rrogat dhe të ardhurat e tjera e dikush edhe më shumë duke futur jetën e tyre në një labirint emocional që arrin në formën e një sëmundjeje psikologjike. E kur kjo bëhet kolektive është me të vërtet për t’u shqetësuar. Duke bërë kështu, që njerëzit t’ua shesin emocionet e tyre për fare pak, atyre njerëzve që ua blejnë me përfitime kolosale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama