Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkia, tezgat dhe periodikët

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 13 vite më parë

Arjan Konomi
Bashkia, tezgat dhe periodikët

Midis shumë premtimeve që kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës bëri gjatë fushatës elektorale nuk përmendi një fakt të rëndësishëm që i mungon kryeqytetit shqiptar. Është fjala për lejimin dhe licencimin e kioskave të botimeve periodike.

Dhe nuk dihet ende nëse qëndron në planet e ardhshme të kësaj bashkie. Vlen të theksohet fakti se Tirana është i vetmi kryeqytet i një shteti demokratik që i mungojnë pikat e shitjes së shtypit të shkruar apo si njihen me gjuhën popullore, kioskat apo edikolat (nga italishtja).

Pavarësisht se termi “kioskë” ka marrë një konotacion negativ, ky objekt, që nuk përbën një pasuri të patundshme, mund të jetë një vend i informacionit dhe i kulturës. Kjo strukturë e lëvizshme jepet me lejen e bashkisë apo komunës përkatëse, e cila përcakton jo vetëm kohëzgjatjen e aktivitetit ekonomik, por edhe kushtet se ku duhet të jenë të pozicionuara, duke respektuar standardet urbanistike.

Shqipëria është nga vendet e para në botë që ka numrin më të lartë të botimeve periodike në raport me numrin e popullsisë. Një numër i madh gazetash të përditshme, gazetash javore, revistash të përgjithshme apo tematike dalin në treg për lexuesin. Por që i ofrohen atij në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Dhe është fjala për qendrën kryesore të kryeqytetit, se për Unazën apo periferinë është edhe më keq.

Bulevardi që nis nga Banka e Shtetit deri te Garda ka vetëm një kioskë të vjetër dhe pesë tezga primitive druri, mbi të cilat vendosen në mënyrë kaotike gazetat dhe revistat. Kjo ndodh në kohë me diell, sepse kur bie shi, kush ka një çadër plazhi e vendos; kush nuk e ka ose hedh një copë të vjetër plastmasi ose periodikët i lagen të gjithë. Nëse shiu vazhdon për disa ditë shitësi ambulant merr me vete vetëm pak gazeta të përditshme, sa për të mos humbur punën krejtësisht.

Tri janë problemet kryesore të mungesës së pikave zyrtare të shitjeve të shtypit të shkruar. E para, sepse shëmtojnë rrugët qendrore të kryeqytetit, duke u dhënë një pamje primitive atyre, pavarësisht investimeve që mund të bëhen në rrugë e trotuare. Problem i dytë është për klientin, pra për qytetarin, sepse ai nuk mund të blejë dot një gazetë pas orarit të drekës.

Këto tezga druri ngrihen ose mbështillen me plastmas e me litarë për t’i zgjidhur të nesërmen në mëngjes. Nëse dëshiron të blesh në mbrëmje një periodik në tërë Tiranën mund të gjesh vetëm dy pika që qëndrojnë hapur. Dhe problemi i tretë që lidhet me këtë të mësipërmin, është sepse ulet ndjeshëm numri i botimeve periodike të shitura. Shkaku, orari tepër i reduktuar dhe mënyra sesi ato serviren për publikun.

Statistikës, se ne jemi vendi me më shumë botime periodike për frymë popullsie, do t’i shtojnë edhe një të dhënë tjetër shumë më dëshpëruese. Kemi edhe një primat tjetër. Jemi nga vendet e fundit në botë që lexojmë periodikë për frymë popullsie, nisur nga kopjet mesatarisht të shitura për çdo botim, gazetë apo revistë qoftë ajo.

Kjo e dhënë të bën të mendosh se ne shqiptarët jemi mesatarisht injorantë e të painteresuar për shtypin e shkruar. Por në fakt, ky rezultat nuk është pasojë e mungesës së dëshirës për të lexuar apo për të qenë të informuar. Përveç shpërndarjes së improvizuar në të gjithë territorin, është pasojë e mungesës së kioskave sipas një plani urbanistik, të pastërta dhe të hapura e të ndriçuara deri në mbrëmje. Ashtu si në vendet europiane.

Ekzistenca e tyre do ta bënte më të lehtë edhe ekspozimin e periodikëve, si dhe ndalesën atje një atraksion kulturor dhe informativ për qytetarin. Ky problem është më i ndjeshëm për tregun e revistave. Nëse gazeta është një produkt i destinuar për t’u blerë në orët e mëngjesit, revista blihet zakonisht në mbrëmje pas përfundimit të orarit të punës e para se të shkohet në shtëpi.

Ndaj edhe bashkia duhet ta marrë në konsideratë këtë problem jo vetëm estetik për kryeqytetin, por që i vjen në ndihmë si qytetarëve ashtu edhe gazetave e revistave. Në këtë mënyrë ky treg do të stabilizohet dhe ne si shqiptarë, nuk do të dukemi më aq “të palexuar” në statistikat e botës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama