Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Amnistia fiskale, dështimi i radhës i shtetit të së drejtës

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 14 vite më parë

Adri Nurellari
Amnistia fiskale, dështimi i radhës i shtetit të së drejtës

Prej ca kohësh janë ndezur në Shqipëri diskutimet për bërjen e një amnistie fiskale të përgjithshme. Kuptohet qartë që në kushtet e krizës ekonomike që ka pllakosur, qeveria është e dëshpëruar që të shtjerë në dorë të ardhura nga çfarëdo burim, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat afatmesme.


Mirëpo në këtë situatë më mirë do ishte të legalizohej droga e lehtë dhe prostitucioni e të vileshin taksa prej këtyre aktiviteteve, sesa të bëhej një tjetër dorëzim i shtetit para padrejtësisë dhe sërish shteti ti trajtonte qytetarët në mënyrë të barabartë. Marrja përsipër e këtij projekti nga qeveria është imorale për shumë arsye. Pikësëpari sepse është e pandershme për shtetin ligjor dhe përkundrejt njerëzve të ndershëm. Një amnisti çimenton pandëshkueshmërinë dhe shpërblen shkelësin e kriminelin dhe dekurajon të gjithë ata që kanë vendosur të ecin në rrugë të drejtë.

Përpos kësaj, është imorale që një reformë e tillë kaq e rëndësishme nuk ka qenë propozuar në asnjë platformë elektorale ose program partiak. Opinioni i qytetarëve nuk mund të vazhdojë të shpërfillet pafundësisht dhe shteti nuk mund të vazhdojë gjithnjë të administrohet me improvizime dhe arnime që bëhen në rrugë e sipër si ta sjellë situata.

Një tjetër problem i madh i kësaj nisme lidhet me papërputhshmërinë që do kishte amnistia me ligjin e sapokaluar të anti-mafies. Nga një anë shteti ka një ligj që autorizon konfiskimin e pronës apo pasurisë private, për të cilën nuk vërtetohet burimi i ligjshëm dhe nga ana tjetër mendohet të kalojë një ligj që do të legalizojë çdo lloj prone apo pasurie të paligjshme. Mes dy ligjeve që bien ndesh me njëri-tjetrin, kuptohet që gjithçka do ngelet në dorën e Maliqit, i cili do të vendosë në mënyrë arbitrare, i ndikuar nga lidhjet partiake, nepotike apo ryshfetet, që të aplikojë njërin apo tjetrin ligj. Kjo gjë nuk është as serioze me partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë na jep një imazh të keq para Bashkimit Europian. Fundja, kur u bë ligji anti-mafia, u pretendua se ligji ishte dëshmi e angazhimeve serioze të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe i shërbente përshpejtimit të procesit të integrimit europian dhe liberalizimit të vizave.

Zakonisht amnistitë bëhen në një situatë kur shteti ka aftësi të shtrëngojë në vijim situatën dhe të lërë të kuptohet që prej sot e tutje këto shkelje nuk do të tolerohen, por do të pengohen ose do të ndëshkohen rëndë. Kuptohet që nëse kjo gjë nuk bëhet, atëherë çfarë interesi do kishte një zotërues parash të pista që të legalizohej. Ai do vazhdonte të ushqente iluzionin se edhe në të ardhme do të mund të tolerohet evazioni fiskal.

Ne tanimë kemi pasur disa amnisti të bëra hera-herës, të cilat nuk e kanë ndaluar fenomenin për të cilin u bënë, sepse shteti nuk solli ndonjë shtrëngim të madh më pas, ose ishte i papërgatitur për to. Rasti tipik është legalizimi i ndërtimeve pa leje që amnistoi zaptimin e tokës dhe ndërtimet pa kriter, i cili nuk ia ka dalë tu vërë fre ndërtimeve abuzive që ende sot vazhdojnë anembanë Shqipërisë. E njëjta mund të thuhet për amnistitë për vjedhësit e energjisë elektrike, apo amnistitë e panumërta të bëra për gjithnjë e më shumë të burgosur. Për mos të folur pastaj për amnistinë e 11 marsit 1997, që jo vetëm nuk parandaloi, por i inkurajoi krimet e panumërta që ndodhën në pjesën e ngelur të vitit.

Një tjetër aspekt shumë i pandershëm i kësaj nisme është edhe vetë përqindja e penalizimit që hamendësohet të derdhin ata që do duan të formalizojnë paratë e pista. Nga përfaqësues të qeverisë apo të biznesit po përflitet një përqindje prej 3-5%, që është jo vetëm qesharake, por edhe shumë e rrezikshme për vendin tonë. Është qesharake në vetvete që “indulgjencat” për “larjen e mëkateve” të jenë kaq të lira dhe shkelësit e ligjit ta hedhin lumin kaq lehtë, ndërkohë që në Shqipëri biznesmenët e ndershëm paguajnë një TVSH prej 20% dhe një tatim fitimi prej 10%.

 Kjo do të thotë që nëse kalon një ligj amnistie në Shqipëri me këto tarifa, çdo biznesmeni që deri më sot i ka paguar detyrimet kokërr më kokërr, i leverdis të dalë në të zezë dhe të ardhurat e tij të vitit ti deklarojë si të pista e të paguajë maksimumi 5%, sesa minimumin e 30% që i takon duke qenë formal. Në dhjetor të vitit 2002, kur kancelari Shrëder deklaroi një plan për të bërë amnisti për shtetasit gjermanë që kishin asete jashtë vendit, ai parashikoi që ata që do i kthenin këto para në vend, do paguanin të paktën 25% të pasurisë. Por në këtë rast ishte paraparë që të amnistoheshin evazionistët e taksave dhe do sqarohej mënyra si ishte vënë ajo pasuri, kurse në rastin tonë po bëhet fjalë që të mbyllen sytë plotësisht për burimin nga kanë ardhur paratë, duke e çuar në kosh të plehrave ligjin anti-mafia.

Mirëpo ka një aspekt tjetër që e bën këtë tarifë të ulët shumë të rrezikshme, konkurrueshmëria e saj me aktivitetet e pastrimit të parave në nivel ndërkombëtar. Domethënë, sipas institucioneve ndërkombëtare të ligjit, siç është Interpoli, shuma që trafikantët paguajnë nëpër parajsa fiskale, si ishujt Kajman apo Bahamas, për të pastruar paratë, është diku te 3 deri në 5 për qind të totalit, që do të thotë që shumë pastrues parash mund të joshen nga një amnisti fiskale e mundshme e jona që ta transferojnë këtë aktivitet në Shqipëri, duke na përlyer me rrjete të fuqishme kriminale ndërkombëtare, me të cilat nuk jemi hiç të përgatitur për tu përballur. Gjithashtu ka për të nxitur një reagim të madh kundër nesh nga BE dhe SHBA, aktorë këta që kanë ndjeshmëri të madhe kundër pastrimit të parave.

Së fundmi, ka boll arsye për ta konsideruar edhe vetë qëllimin e kësaj amnistie shumë të dyshimtë dhe për të menduar se amnistia nuk do ketë efektin që pretendohet të ketë. Ekonomia jonë informale është de facto e formalizuar, pasi paratë e pista qarkullojnë lirisht, investohen rregullisht dhe askush nga shteti nuk është kujdesur që të shqyrtojë se nga ka ardhur burimi i këtyre parave që janë investuar këtu. Paratë e zeza janë prej kohësh pjesë thelbësore përbërëse e ekonomisë dhe kjo duket qartë nga fakti që këto para në mënyrë të qetë kanë ushqyer sektorë të ndryshëm të ekonomisë prej kohësh. Nga njëra anë vihet re lehtë rritja e lartë ekonomike, investimet e shumta, konsumi i madh i mallrave luksoze, nga ana tjetër vihet re që kjo sasi e madhe kapitali që investohet nuk figuron të ketë pasur ndonjë kontribut te tatimi që është mbledhur për fitimin.

Për më tepër vihet re gjithashtu që niveli i kredisë ka qenë relativisht i ulët, pra investimet e bëra sidomos në ndërtim, nuk kanë pasur si burim bankat, por paratë e pista. Kjo do të thotë që edhe po të bëhet amnistia, nuk është se do ketë një bum investimesh, sepse investimet nuk i ka penguar burimi i pistë i parave. Një investitor shqiptar nuk ka çfarë ta dojë pastërtinë e parave, sepse në Shqipëri nuk pyet njeri për të. Jashtë shtetit po. Për pastërtinë e parasë pyesin kryesisht ata që duan të largojnë paratë nga Shqipëria, ose që duan të investojnë jashtë vendit, apo të hyjnë në partneritet ndërkombëtar.

Ose mund të jenë edhe politikanët apo zyrtarët e interesuar, sepse ata kuptohet që s’duan ti hedhin këtu paratë, pasi bien lehtë në sy po investuan në Shqipëri dhe u del në shesh korrupsioni. Kjo do të thotë që një amnisti jo vetëm që s’do të shtonte sasinë e likuiditetit që qarkullon në Shqipëri, por madje rrezikon që të lehtësojë edhe largimin e likuiditetit nga vendi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama