Armët kimike dhe triumfi i populizmit në Shqipëri

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 7 vite më parë

Adri Nurellari
Armët kimike dhe triumfi i populizmit në Shqipëri

Çështja e sjelljes dhe shkatërrimit të armëve kimike të Asadit në Shqipëri u shfaq në mënyrë të befasishme dhe u mahis shpejt si një uragan i vërtetë për mbarë shoqërinë shqiptare.

Tanimë që kanë kaluar disa ditë nga mbyllja e kësaj çështjeje nëpërmjet fjalimit të Kryeministrit, ka mjaftueshëm komoditet për të reflektuar me gjakftohtësi për këtë krizë që nxori në pah shumë probleme të vendit tonë. Fjalimi i Kryeministrit ishte me të vërtetë madhështor, por që nuk u konkludua me një vendim po aq madhështor. Në atë fjalim u thanë në mënyrë bindëse të gjitha arsyet pse duhej thënë po, dhe në fund u tha jo. Rënia pre e populizmit dhe mungesa e kurajës për të thënë po, për një vendim që kishte shumë kundërshtarë nuk është shqetësuese vetëm për situatën e tanishme, por të bën pesimist për të ardhmen. Pas kësaj zmbrapsjeje të parë, lind pyetja nëse Kryeministri do të ketë guximin për t’u ballafaquar me monopolet, oligarkët, krimin e organizuar, korrupsionin apo informalitetin apo s’do bëjë asgjë për të mos u konfrontuar me asnjë.

Pikësëpari kjo krizë nxori në dukje dëmin që shkakton mungesa e transparencës dhe informacionit dhe la të kuptohej që nisma e operacionit të armëve kimike nuk ishte paketuar për t’u pranuar. Në retrospektivë ka shumë individë që u përfshinë përpara nga dallgët populiste të kundërshtimit, por që do të kishin një qëndrim krejt ndryshe ndaj armëve nëse do t’i kishin dëgjuar të njëjtat argumente prej Kryeministrit pak ditë më herët. Konfidencialiteti i negociatave mund të kishte ndonjë kuptim, derisa lajmi u bë publik në Shqipëri prej nxjerrjes nga media e huaj, më pas mungesa e sqarimeve, detajeve apo deklaratave qeveritare krijoi një terren fertil për të kultivuar panik dhe pakënaqësi në publik.

Por cilat ishin argumentet kryesore kundër, që bënë të mundur këtë alarmizëm e kundërshtim masiv? Një valë argumentesh lidheshin me riskun mbi shëndetin dhe ambientin, dhe hiq mënjanë disa figura e qytetarë, që këtë marrëdhënie ndjeshmërie me ambientin e kanë të sinqertë dhe kanë qenë aktivë dhe kërkues edhe në të kaluarën, të tjerët ishin thjesht në rol ekzibicionist, apo të përfshirë nga moda. Ishte madje qesharake që shumë syresh indinjoheshin për një risk të largët e minimal, ndërkohë që kurrë nuk kanë treguar më të voglin shqetësim për masakrimin e deritanishëm të mjedisit shqiptar apo për 31 e kusur bombat kimike ambientale që vijojnë të vrasin ngadalë dhe nga të cilat amerikanët kishin premtuar të na shpëtonin.

Një varg tjetër argumentesh pretendonin se me këtë veprim, Shqipëria po tregohej inferiore në nivel ndërkombëtar? Por nga kush vinin këto argumente? Kësilloj argumentesh u bënë nga kozmopolitanë të përjetshëm me prirje postmoderniste apo neomarksiste, që kurrë më parë s’kanë folur për krimet e serbëve në Kosovë e Preshevë, për vuajtjet e shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi apo për tragjedinë çame. Nëse do të duhej të rimëkëmbej krenaria e sovraniteti kombëtar shqiptar, ky proces nis nga vënia në vend e dinjitetit me vendet fqinje dashakeqe, e jo duke u treguar kapadai e prepotent me aleatin kryesor, të cilit i jemi përjetë borxhli. Rezultati qe një klimë konspirative ngjashëm me dokrrat e librit “Rreziku anglo-amerikan” që linin të përshtypjen sikur ekzistonte një komploti tinëzar amerikan për ta helmuar e ndotur Shqipërinë me armët kimike të Asadit.

Rolin kyç në përhapjen e këtyre argumenteve e luajtën mediat, të cilat e ushqyen protestën nëpërmjet mbajtjes së fokusit te kjo çështje. Agenda setting e medias konsistonte në raportime me emisione politike të përditshme për këtë temë, që transmetoheshin paralelisht në disa kanale, çuarjen e 30 kamerave për të mbuluar “live” për orë të tëra një protestë që ditëve të para kishte vetëm një grusht njerëzish, raportimi i pandërprerë me informacione panikuese të pafiltruara prej racionalizmit dhe të paverifikuara shkencërisht, marrja e intervistave qesharake nga publiku (duke harruar ekspertët) që flisnin për mutacione me tre këmbë apo për një katrahurë, si ato që kishin parë nëpër filma.

Këtu spikasnin padyshim edhe opinionistët, të cilët e përkrahën të ekzaltuar protestën, jo vetëm se donin të bëheshin trendy, por edhe sepse e panë si alamet meseleje për të shfrehur marazin personal që kanë me Ramën, pa çarë kokën se këtu bëhej fjalë për Shqipërinë. Mungesë profesionalizmi kombinuar me injorancë dhe dashakeqësi. Media televizive nuk denjoi të fliste për faktin që Shqipëria e ka krijuar armën e kimisë që më 23 nëntor 1953, me kuadro të përgatitur në Bashkimin Sovjetik dhe për dekada ka bërë stërvitje, eksperimente, studime apo ka shkatërruar lëndë helmuese luftarake si iprit, tabun, luizit dhe nuk ka pasur qoftë edhe një aksident fatal. Apo të ulte panikun, duke folur konkretisht për teknologjitë e avancuara, risqet minimale që hasen dhe faktin që Organizata për Mbrojtjen nga Armët Kimike, e cila sapo ka marrë Nobelin për Paqe, ka supervizuar shkatërrimin e mbi 50 000 tonëve LHL prej vitit 1997 pa asnjë aksident me kosto njerëzore.

Një tjetër gjë që ra në sy në këtë krizë të shoqërisë shqiptare ishte heshtja dhe mungesa e personalitetit të personaliteteve më në zë të vendit. Me pak përjashtim, u vu re dukshëm mungesa e kurajës së njerëzve të elitës shqiptare për të mbajtur një qëndrim të qartë dhe pa ekuivok, qoftë pro e qoftë kundër për çështjen. Shumica pritën derisa u masivizua protesta dhe pakënaqësia për t’u bashkuar me drejtimin nga frynte era. Shumë të djathtë pritën që të dilte Berisha e Basha kundër që të prononcoheshin fill më pas tërë zjarr kundër sjelljes së armëve kimike. Po ashtu, deputetë të ndryshëm socialistë u pozicionuan kundër vetëm prej populizmit. Shumë të majtë që ishin pjesë e protestës, sot janë duke e revizionuar apo justifikuar qëndrimin pasi dëgjuan fjalimin e Ramës. Ndërkohë që kanë dalë ca, që si kofini pas të vjelit, e quajnë si mundësi të humbur këtë operacion, madje dhe e akuzojnë Ramën si frikacak që tërhoqi fjalën e dhënë amerikanëve, ndërkohë që më herët ata vetë nuk guxuan të thonin qoftë një llaf në favor të operacionit.

Në këtë histeri kolektive, degradimin më të madh padyshim e pësoi opozita, e cila nga përpjekja për të gjetur ku të mundet legjitimitet e mbështetje (duke e harruar befas tërësisht çështjen e votave të Korçës) dhe u ngut me naivitet që të merrte një pozicion antiamerikan, duke ngrënë fjalën e dhënë ndaj ambasadorit amerikan, e duke dalë fort kundër armëve kimike. Kulmin e shijes së hidhur në këtë histori e dha dëbimi poshtërues që pësoi duumvirati i Partisë Demokratike, pasi u orvat të përvetësonte protestën, duke u ulur në shesh pak metra larg vendeve ku u vranë Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.

Mirëpo dëmi më i madh lidhet me mbivlerësimin patetik që i bëhej protestës në vetvete, duke himnizuar rolin e turmës si një arritje të madhe dhe duke e proklamuar si forma më e pastër e demokracisë. U deklarua nga pothuaj të gjithë me pompozitet të pashoq, se protesta ishte një ringjallje e aktivizmit qytetar, sikur kjo të ishte protesta e parë në dekada, duke harruar protesta domethënëse të viteve të fundit si ajo për Petroliferën, mbrojtjen e Piramidës, importimin e plehrave apo masivja “Nano Ik” pas tragjedisë së 9 janarit 2004. Jo vetëm që e kanë ngritur në piedestal protestën, e cila për nga laramania e pjesëmarrësve dhe konfuzioni mund të shpjegohet vetëm me psikologjinë e turmës, por kanë ushqyer edhe iluzionin se rruga e rrugës mund të zëvendësojë rrugën e institucioneve të demokracisë përfaqësuese dhe prandaj pretendonin se kryeministrit i takonte t’i përgjigjej turmës dhe jo mandatit të votës së marrë më 23 qershor.

Për psikologjinë e turmës ka shumë autorë, vepra e teori të ndryshme por ka disa elementë, për të cilët pajtohen të gjithë studiuesit e fushës dhe që tregojnë rrezikun e besimit të tepruar tek roli i protestave. Një person që bëhet pjesë e një grupimi humbet individualitetin dhe bashkë me të vetëkontrollin dhe vetërregullimin. Pasi rritet anonimati, truri racional fiket dhe për të përgjegjësia shpërhapet te turma. Njerëzit shpërfaqin në grupe sjellje që nuk do t’i bënin vetë si individë, duke lënë të kuptohet se turmat kanë në njëfarë mënyre një mendje të tyren dhe kur në grup konvergojnë individë me të njëjtat bindje, atëherë këto bindje marrin formën e tyre më ekstreme. Katalizator të përkryer të mentalitetit të kopesë janë alarmi e paniku që mund të çojnë edhe në një histeri kolektive, siç ishte frika për ndonjë armagedon kimik në Shqipëri. Disa prej marrëzive më të mëdha të historisë, si linçimet raciste, terroret revolucionare apo gjenocidet, kanë pasur për shkak pikërisht degradimin e sjelljes në turmë. Një tjetër aspekt që u vu në pah ishte pjesëmarrja rinore dhe paralelizmi me lëvizjen studentore, sikur mosha të mjaftonte për të certifikuar si të kulluar çdo sjellje dhe legjitimuar si të vërtetë çdo qëndrim. Në histori spikasin rrezikshëm veçanërisht turmat e të rinjve, të cilët për nga natyra nuk e kanë karakterin e personalitetin (shtoi këtu edhe zellin e moshës) ende të konsoliduar e për rrjedhojë e kanë më të lehtë të humbasin individualitetin e të përfshihen në turma. Të tilla turma mbahen mend për mizorinë e tyre, si gardistët e kuq të Mao Cedunit apo të rinjtë hutu në Ruanda, por edhe tek ne, me rininë shkatërruese e të pamëshirshme që shkatërroi objektet e kultit më 1967. Me pak fjalë, kjo krizë tregoi se në vendin tonë uji hyn nga shumë anë, pasi ishin shumë faktorë dhe aktorë defektozë. Mirëpo problemi kryesor lidhet me forcën e pakundërshtuar të populizmit. Është e pamundur që të kthehemi në kohë e ta rishqyrtojmë çështjen e shkatërrimit të armëve, mirëpo të paktën mund të nxjerrim mësime nga pësimi. Lehtësia me të cilën kapërdihen paragjykimet apo konspiracionet, mungesa e gjykimit kritik dhe mendimit analitik, nëpërkëmbja apo linçimi i mendimeve alternative, eklipsimi i ekspertëve dhe adhurimi i formës e intuitës në kurriz të arsyes e shkencës, e bëjnë këtë vend shumë fertil për kriza të tjera të ngjashme populizmi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama