Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A do të quhemi edhe ne të humbur?

Shkruar nga: Pëllumb Kulla  
Botuar më: 19 vite më parë

Pëllumb Kulla
A do të quhemi edhe ne të humbur?

Nga pika vështrimi personale, nga pozita gjykimi të anshme apo të paanshme, shumë dhënës opinionesh, (ndër ta edhe i nënëshkruari), janë të pakënaqur nga fitorja me të tilla përmasa e Partisë Demokratike dhe koha mund të vërtetojë, që ata, opiniondhënësit, kanë qenë kryekëput të gabuar.
Në krye të fjalës është urimi. Unë uroj megjithë shpirt fitoren e koalicionit të PD-së dhe dëshiroj, që kombit shqiptar t’i bëhet kjo fitore, nga ato fitoret me dritë në histori!
Nga mënyra se si gjykohen shifrat, në qarqe të ndryshme, duhet të biem dakord se në fund te fundit, rezultati të përshkëndit a të dëshpëron, nga dobia dhe dëmi që u sjell interesave personale të njerëzve. Është e kuptueshme që dobia që i vjen kombit në një situatë të tillë historike, është edhe dobi e individit, nga që dobia e kombit është shuma multimilionshe e dobive. Për këtë presin me shpresë milionat e shqiptarëve në tërë hapësirën gjeografike kombëtare.


Ndër ata që nuk kanë interesa veçanërisht të prekur, apo interesa që prisnin gojëhapur, humbja apo fitorja e palëve, degjeneron në një peshëmatje sedrash të përkëdhelura apo lënduara, që nuk ka lidhje me qyteterimin dhe me demokracinë. Në këtë mejdan, ca duhet të kafshojnë gishtat për parashikimet e gabuara dhe për gjykime të ashpra ndaj fitimtarëve. E paradoksalisht, përkrahësit symbyllur quhen edhe ata të fituar, teksa kritikët e ashpër, në mend të shumicës, rreshtohen me të mundurit.
Por për humbjen e tyre duhet pritur ca. Ajo bëhet e plotë vetëm me kalimin e kohës. Se këto ditë nuk i gjen gjëkundi shënjat e humbjes për ne që parashikuam e na doli, se për shkak të atij kodi të shpifur zgjedhor, partia më e dashur e vatrave shqiptare, na doli se na qenka Partia Republikane, e cila nga të njëmbëdhjetë antarët, që numëron, duhet t’i japë parlamentit, 12 deputetë! Humbja lehtësohet edhe më shumë po të themi edhe emrat e deputetëve. Por nuk duhet t’ia humbim fare seriozitetin zgjedhjeve, le ta lemë të qeshim pas disa ditësh, me listën e “republikanëve”!
Do të presim pak e do të rreshtohemi me të humburit, vetëm po qe se fitimtarët përmbushin të paktën gjysmat e zotimeve.
Do të quhemi të humbur, sikur me vendosmëri, menjëherë qeveria e re të fillojë
riparimet e mundëshme në privatizimet e ethëshme rrënuese, që kreu me ngutjen e një ushtrie pushtuese, në ikje e sipër, qeveria e Fatos Nanos. Përpjekjet e sinqerta për t’iu kundërvënë këtij rrënimi, do ta bënin të plotë fitoren. Sa për kujtesë, kazinoja e famshme në mes të Tiranës, është pa asnjë teprim, në përmasat e fatkeqësive që sollën piramidat. Nuk rri dot pa thënë edhe unë, se kazinotë nëpër botë, nuk strehohen kurrë në qendrat urbane. Në vendet e pasura dhe të zhvilluara ato bëhen me orë të tëra larg dhe në to mund të shkohet kryesisht me avion dhe me automobila. T’ua afrosh atë te dera të papunëve shqiptarë pa vetura e avionë, njerëzve të hidhëruar me fatet e vet, me të cilët është mbushur Tirana dhe Shqipëria, është pa dyshimin më të vogël, një akt i vetëdijshëm kriminal. Sa për kujtesë tjetër, dëmit me telefoninë celulare, Nanoja, i shtoi Albtelekomin. Përfytyroni rreshjet e arta që sjell zotërimi i tërë formave të telefonisë shqiptare, kur unë vetë, një ditë maji, me një kartë telefonike njujorkeze të tipit “Style”, me dy dollarë lejohesha të flisja me Tiranën, 17 minuta. Me që nuk më dolli personi kërkova Athinën dhe m’u tha që lejohesha të flas 342 minuta, alias 5 orë dhe 42 minuta! Dhe, për rastësi, me që edhe abonenti i Athinës nuk u gjet, provova Mynihun: u llahtarisa kur m’u tha, se me ata dy dollarë, mund të flisja 984 minuta, alias 16 orë dhe 24 minuta! Ishte një zbulim tronditës. Jo grekët dhe gjermanët, por as edhe tërë Evropa perëndimore nuk ka nevojat për komunikim fonik, siç i kanë shqiptarët. Shqipëria, më e varfra nga numuri i telefonave fiks, vendi më i këputur në Evropë, me aqë të larguar nëpër udhë dhe nëpër dete, paska qenë pra, lëmi më pjellor e më i begatë i fitimeve me telefoninë. Më ndjeni për detajimin e zgjatur, por në se ka ilaç kjo punë, një humbje të re, në këtë terren, ne, “kritizerët”, e meritojmë.
Kritikët e liderit të PDsë do të quhen humbës, nëse Berisha, i vetëdijshëm
tashmë me gabimin skajor që bëri në mos aplikimin menjëherë të drejtësisë për kriminelët që vinin nga diktatura, tani më 2005, në tentativat e para të mbajtjes së premtimeve, do të nxirrte para drejtësisë megaplaçkitësit e pasurisë ish-socialiste, ata që kanë praktikuar evazionin e taksave mbi fitimin, ata që nuk janë takuar fare me detyrimet doganore dhe sorrollopi i tyre. Se as që bëhet fjalë për humbje, pastaj, po qe se edhe kryeministri i ri do të rifillojë të lëshojë rrufe verbale mbi korrupsionin dhe të mos nxjerrë dot asnjë të korruptuar, për të cilët ka bubullitur ai në opozitë, ka bërë spektakël Nanoja në pozitë dhe kanë dëshmuar tërë organizmat ndërkombëtare, FMN, Banka Boterore dhe Departmenti i Shtetit amerikan, sa për të përmendur disa. Dhe pistat e hetimit ai i ka të gatshme: kujtoj se vetë, zoti Berisha, më 3 maj 2004, nga foltorja e parlamentit, ka referuar se “Nano Kopter”, është ngritur me helikopterë kontrabandë, se lideri socialist është pronar i bixhozit seksual televiziv me 0900, pronar i kompanive të grurit dhe pronar i një sërë biznesesh të tjera, plus një akuzë shtesë për përvetësimin e 600 miljon lekëve të reja, në bashkfajësi me Raftin! (Shih, pa përjashtim, shtypin e Tiranës të datës 4 maj 04).
Humbje do të jetë nëse mbi këto të dhëna, drejtësia ta thoshte të saktë fjalën e vet. Humbje për ne, do të jetë, bile, edhe sikur kryetari i ri i qeverisë, të dalë e të pranojë, se para parlamentit, më 3 maj 04, na pat gënjyer!
Do të quhemi humbësa, sikur pushteti i ri të kërkojë në parlament lirinë e hetimit
të plotë për një shtetas shqiptar të vdekur nën rrotat e veturës të një kryeministri të dehur, që e drejtonte mjetin vetë e që maxhoranca moralprishur socialiste, nuk lejoi në parlament shkuarjen deri në fund të kësaj historie.
Po të bëhen të gjitha këto, ne e meritojmë plotësisht etiketën e humbësve.
Unë, për vete, mezi e pres, që ta fitoj të padiskutueshëm këtë epitet!
Midis të tjerash, duke shkelur kufijtë e konfidencialitetit, mund të them për dijeninë e një rrethi më të gjërë, se sa ia atyre që e dijnë, që as më parë dhe as më pas periudhës në shërbim të zotit Berisha, ai kurrë nuk ka folur ndonjë fjale të hidhur në adresën time. Jam unë ai që nuk kam rreshtur me artikuj të ashpër kundër politikave të tij. E megjithatë e çmoj këmbënguljen e tij, për t’iu rikthyer pushtetit, jo si rendje pas pushtetit si i tillë, por si si rikthim konstruktiv, me dëshirë të ndershme korrigjuese, duke sjellë në qeveri atë përvojë tranzicionale jo të pakët, të pasuruar edhe nga shkolla e dobishme e gabimeve të veta.
Dhe suksesi i tij vetjak, do të ishte vërtet një nga humbjet me te bukura, që do t’ia uronim vetes.
Dëmin, zoti Berisha, nuk e ka nga ata që e kritikojnë objektivisht, sado ashpër. Dëmi i madh i tij, - dhe e ka treguar koha - i vjen pikërisht nga ata që çirren si tifoza rreth tij.
Unë pra, sa do që do të desha të jem humbës, kam frikë, se në rrjedhë të kohës dhe të ngjarjeve, do të dal, mjerisht, fitues. Ngul këmbë të rikujtoj, që pas testit fatkeq të të qënit në pushtet, Berisha dështoi edhe në shumë provime në krye të Opozitës. Them se shpresat, që Shqipëria të ngrerë kokë me të në timon, janë të venitura. Sadopak rëndësi ka fati i tij, siç pak rëndësi ka fati i sejcilit prej nesh, shfronësimi dhe largimi eventual i Nanos, eshtë për t’u përshëndetur edhe më shumë, sepse paralajmëron dhe largimin e këtij aktori të dytë negativ, Berishës, këtyre njerëzve pra, që e prunë vendin në këtë gjëndje në bisht të kombeve të kontinentit plak.
Le të heshtim! Le të urojmë edhe një herë që gjërat paskëtaj të venë mbarë dhe le t’i lutemi, t’i përgjërohemi Zotit, që humbja të jetë në anën tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama