Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjedhjet vendore, për kë duhet të votojmë?

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Zgjedhjet vendore, për kë duhet të votojmë?

Parlamenti aktual përbën një rast absurd në historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare. Edhe pse duhet të jetë i përbërë nga njerëz të zgjedhur nga populli, asnjëri prej tyre nuk është zgjedhur drejtpërdrejtë nga votuesit dhe askush sot në republikën tonë nuk mund të thotë me saktësi se kë ka deputet të zonës së tij. Populli, në fakt, votoi vetëm për partitë dhe ishin kryetarët e partive ata që zgjodhën deputetët dhe formuan Parlamentin. Të jemi të sigurt, se nëse do të ishte drejtpërdrejtë në duart e votuesve, shumë syresh që ngrohin sot karrigen e deputetit nuk do të ishin në Parlament. Pasi bënë siç deshën ligjin zgjedhor, Berisha dhe Rama i mbushën listat me miq, shokë e biznesmenë. Nga pozitat e pronarit të partive, ata pastruan listat nga njerëz të “padëshiruar” dhe si kurrë më parë, krijuan një Parlament ushtarësh të bindur, ku padyshim Berisha dallohet për një unitet më të fortë dhe për moslejimin e asnjë zëri kundër, sikurse ndodh, të paktën, me një grup minor në gjirin e socialistëve. Informacione jozyrtare treguan për një luftë të fortë bërrylash në të gjitha partitë, për t’iu afruar kreut të listës dhe shpeshherë numri rendor u pagua shtrenjtë, nga ata që suksesit dhe karrierës në biznes ishin të vendosur t’i shtonin edhe karrierën në politikë. Hartimi i këtyre listave u shoqërua nga një fushatë tërësisht të personalizuar nga kryetarët e partive, ku “uni” ishte kryefjala e të gjitha fjalimeve.

Tashmë kjo i përket së shkuarës dhe duhet të priten zgjedhjet e reja për të parë nëse do të vazhdojë i njëjti kontroll i kryetarëve mbi partitë e tyre. Megjithatë, se ç’do të ndodhë në zgjedhjet e përgjithshme, padyshim që ne do ta mësojmë në zgjedhjet vendore, që janë në prag dhe për këtë bathët nuk na japin ndonjë paralajmërim të mirë.

Kryeministri Berisha, pasi dëgjoi këngët dedikuar atij, nga grupi polifonik i Pilurit, iu drejtua banorëve të fshatit dhe gjithë Shqipërisë duke thënë: “Ju siguroj se për sa kohë të votoni për mua, do të ketë investime dhe luftë kundër korrupsionit”. Nuk duam të ndalemi në faktin nëse zoti Berisha e ka justifikuar apo jo votën dhe a meriton apo jo të rivotohet, por te një tjetër problem. Mbërritja e tij në Pilur për të përuruar një rrugë të rëndomtë fshati dhe ftesa që u drejtoi shqiptarëve për ta rivotuar, nuk është gjë tjetër veçse fillimi i fushatës për zgjedhjet vendore. Por në fakt, kë duhet të votojnë banorët e Pilurit dhe të gjitha komunave e qyteteve të Shqipërisë? A duhet të votojnë ata për Sali Berishën dhe Edi Ramën apo për kandidatin më të mirë për kryetar të komunës? A është normale që Berisha dhe Rama të mbulojnë dhe përfaqësojnë me imazhin e tyre te njerëzit që do të garojnë për komunat dhe bashkitë e vendit?

Ky është një problem po kaq i madh sa dhe ai i listave të deputetëve. Berisha, por padyshim edhe Rama e kryetarët e partive të tjera, do të udhëtojnë sërish fshatrave e qyteteve dhe do të kërkojnë votën në emër të tyre dhe jo në emër të kandidatit për kryetar komune e bashkie, të cilët do të jenë sërish ata që do t’i caktojnë dhe kriteri kryesor do të jetë të qenurit pjesë e klanit politik. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë më me zgjedhje, por me emërime kryetarësh. Populli voton partinë, partia cakton kryetarët dhe ky është një tjetër hap prapa i demokracisë dhe degradim i lirisë së votës.

Në kushtet e decentralizimit të pushtetit, kur komunat e bashkitë janë pronare të së gjithë pasurisë së territorit dhe përgjegjëse për të gjitha shërbimet që u ofrohen komunitetit, zgjedhjet vendore për qytetarët janë edhe më të rëndësishme se ato të përgjithshmet. Kryeministri i vërtetë për banorët e fshatit është pikërisht kryetari i komunës, pasi ai përgjigjet për rrugën, për ujësjellësin, për tregun e perimeve dhe bulmetit, për shkollën, përkrahjen sociale etj. Por, fushata e zhvilluar nga kryetarët dhe në emër të partive, ka bërë që në komuna të vegjetojnë pjesa më militante dhe më e pafat. Këshillat e komunave në shumë raste janë një grup shokësh, gjysma e të cilëve janë emigrantë në Greqi dhe vendimet i merr aforfe vetëm kryetari. Të shndërruar në bejlerë të fshatrave, këta kryetarë janë sot në gjendje të sigurojnë vota përmes makinacioneve dhe të ushqejnë etjen e pashterur të partive të tyre për financime. Padyshim që ky lloj batakçillëku do të vazhdojë të triumfojë dhe banorët do të shkojnë në votime sërish, pa pasur alternativë më të mirë dhe të ndarë sipas ngjyrave partiake. Komunat dhe bashkitë do të vazhdojnë të drejtohen nga militantë dhe biznesmenë që blejnë karrierën, të cilët padyshim që do të jenë në listën e ushtarëve të bindur të kryetarëve të partive apo në listën e financuesve informalë të politikës.

Të shtunën, në një emision në Televizionin Publik, gazetari e pyeti kryetarin e një komune në Qarkun e Vlorës, se cilat janë resurset e komunës që ai drejton dhe kryetari iu përgjigj: “Sikurse ka thënë edhe vetë Kryeministri ynë, zoti Sali Berisha, i cili është njeriu i punës dhe vendosmërisë, njeriu i sukseseve, guximit, sakrificave dhe veprave të mëdha, komuna jonë është e bekuar nga Perëndia”. Ky person e ka të sigurt se do të rikandidojë, pavarësisht se çfarë rezultatesh mund të ketë pasur gjatë drejtimit të komunës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama