Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Papërgjegjshmëria e skajshme e lidershipit politik shqiptar

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 14 vite më parë

Adri Nurellari
Papërgjegjshmëria e skajshme e lidershipit politik shqiptar

Roli i lidershipit është vendimtar në zhvillimin e një kombi, mirëpo fatkeqësisht realiteti politik mbarëshqiptar në këto momente po dëshmon një krizë të jashtëzakonshme të lidershipit, pasi elita politike po manifeston një papërgjegjshmëri të skajshme. Mungesa e kurajës së lidershipit politik për të qenë në lartësi të detyrës, duke dhënë llogari dhe marrë përgjegjësi për pasojat e shkaktuara prej veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, lë të mendohet se papërgjegjshmëria qenka një sëmundje kombëtare.

Elementi kryesor ilustrues i kësaj papërgjegjshmërie është pikërisht lehtësia me të cilën interesat personale meskine vihen përpara interesave kombëtare. Së fundmi u pa qartë që lidershipi i opozitës në Tiranë e ka pas varur shpresën për realizimin e qëllimeve të veta politike te kërcënimi me shkaktimin e frenimit të liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE. Fatmirësisht rezoluta e BE-së nuk e penalizoi Shqipërinë për paaftësinë e politikanëve shqiptarë për të zgjidhur punët në mënyrë institucionale. Kjo papërgjegjshmëri kalon caqet e arsyes atëherë kur ndizet lufta e gjelave mes rivalëve politikë dhe garohet kush e nxin më tepër realitetin e për rrjedhojë edhe vendin. Është qesharake të mendohet se imazhi i vendit tonë ka për tu përmirësuar me anë të reklamave të transmetuara në CNN kur lideri i opozitës e quan Kryeministrin Ahmadinexhad ose Çavez e nga ana tjetër kreu i ekzekutivit e konsideron kryeopozitarin si drejtuesin e mafies më të rrezikshme në Europë.

Fatkeqësisht po vihet re e njëjta papërgjegjshmëri edhe në Maqedoni, ku liderët politikë i mbajnë partitë si me tapi e s’japin dorëheqjen kur humbasin zgjedhjet. Madje edhe në situatën e tanishme të poshtërimit të lartë të shqiptarëve, s’guxojnë ta braktisin koalicionin me Gruevskin, sepse e dinë që pala tjetër ka për të rendur ti zërë vendin pa pyetur për gjendjen kritike të shqiptarëve.

Megjithatë, situata më tragjike po ndodh në Kosovë, ku personaliteti më i lartë i shtetit, Presidenti Fatmir Sejdiu, edhe pse si kryetar i shtetit që është i takon të jetë garant i Kushtetutës, në fakt është i pari që e shkel, duke mos u tërhequr nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Së fundmi, një grup deputetësh po e çojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke e konsideruar të papërputhshme mbajtjen nga Presidenti të postit të kryetarit të partisë së dytë më të rëndësishme në vend. Por kulmi i papërgjegjshmërisë është padyshim mosdhënia e dorëheqjes prej ministrit të Transportit, z. Limaj, pas akuzave të rënda për abuzim me postin, të bëra drejtpërdrejt ndaj tij prej prokurorëve të EULEX-it. Kërkesa për dorëheqjen është bërë edhe nga përfaqësuesit politikë ndërkombëtarë në Kosovë, mirëpo jo vetëm që s’ka dorëheqje, por nxitet një frymë anti ndërkombëtarëve në Kosovë dhe e vetmja mbrojtje që ofrohet është se veprimtaria e Ministrisë së Transportit nuk dallon nga ajo e ministrive të tjera. Duke bërë në këtë mënyrë një lloj shantazhi, sepse nënkuptohet që në këtë lojë merren të gjithë me vete, diskreditohet i gjithë shteti dhe vihen në pikëpyetje të gjithë pushtetarët e tjerë të lartë dhe legjitimiteti i qeverisjes. Jo më pak i ulët është rasti i dy ish-ministrave shqiptarë të Transportit dhe Mbrojtjes, të cilët ngelën në pushtet si ministra, edhe pse një vit më parë kanë qenë të hetuar dhe akuzuar për shkelje me përmasa të krahasueshme vetëm me republikat afrikane të bananeve e jo me Europën, respektivisht për qindra milionë euro të vjedhura dhe 26 qytetarë të vrarë.

Dorëheqja e stilit të Niksonit në rast akuzash të tilla sështë vetëm një akt simbolik i nevojshëm për ta lënë në dorë të drejtësisë të vërtetën, duke shkëputur përgjegjësitë personale nga funksionimi i shtetit, por edhe një veprim i domosdoshëm për të mundësuar punën e drejtësisë. Duke ngelur në detyrë zyrtari i hetuar, jo vetëm që dekurajon rrëfimin e së vërtetës nga dëshmitarët vartës, por rrezikon prishjen e provave dhe fshirjen e gjurmëve të shpërdorimeve.

Kombet e përparuara kanë begatuar pikërisht sepse kanë pasur elita politike që kanë qenë në nivelin që ka diktuar momenti historik dhe janë udhëhequr nga liderë që kanë vepruar si shtetarë të vërtetë, duke u treguar të gatshëm për vetëmohim për hir të atdheut.

Historia e këtyre vendeve është e mbushur me raste të panumërta të burrave të shtetit që janë larguar në mënyrë dinjitoze kur kanë parë se po bëheshin pengesë për përparimin e vendeve të tyre. Kancelari gjerman, Willy Brandt, dha dorëheqjen vetëm sepse u zbulua se një nga stafi i tij ishte spiun i komunistëve. Dë Goli dhe Kryeministri francez, Raffarin, kanë dhënë dorëheqjen vetëm sepse dështuan referendumet që ata kishin mbështetur. Tony Blair dha dorëheqjen vetëm për zhgënjimin dhe pakënaqësinë që mbolli lufta në Irak dhe raste të tilla dorëheqjesh kalorësiake të politikanëve të rëndësishëm në Europë mund të përmenden pa fund.

Po çfarë ndodh me fqinjët ballkanikë për sa i përket largimit të lidershipit? Modeli alternativ është ai i Serbisë me Milosheviçin, ku elita politike serbe edhe pse ishte kryekëput e përfshirë dhe bashkëfajtore për çfarëdo paudhësie të viteve ‘90, vendosi të distancohet për të siguruar nxjerrjen e vendit nga izolimi. Pra, elita serbe, për ti siguruar vendit një të ardhme europiane, vendosi ta bëjë Milosheviçin kokë turku për gjithçka kishin bërë serbët, duke sajuar një pseudorevolucion me organizatën OTPOR, që në fakt ishte krejt i inskenuar dhe instrumentalizuar. Mirëpo ne shqiptarët e kemi traditën ndryshe, ne bëjmë kokë turku dhe sakrifikojmë atdheun për hir të liderit.

I vetmi rast i një dorëheqjeje vullnetare nga posti politik mes shqiptarëve deri tani ngelet ai i ish-liderit socialist, Nano. Imagjinohet lehtë se në ç’pikë të hallit është politika shqiptare kur për model të vetëm të largimit nga politika që s’ka ardhur prej kushteve natyrore apo prej shtrëngimit, ka Fatos Nanon! Sot është për të ardhur keq kur shihet se si individë si Neritan Ceka, Nikollë Lesi apo disa aktorë politikë të spikatur të djathtë, që janë shndërruar në aleatë të Partisë Socialiste, janë duke kapërdirë gjithë atë që kanë pas pështyrë kundër ish-armiqve politikë, vetëm e vetëm që të ngelen me çdo kusht në lojën politike. Bëhet fjalë për politikanë të cilët dikur kanë pas dëshmuar kurajo të lartë qytetare dhe ishin në anën e së drejtës, por që tani janë vënë në shërbim të ish-kundërshtarëve më të rreptë politikë të tyre.

Kjo situatë e moslargimit nga jeta politike me çdo kusht është njësoj si bërja e një loje shahu me një lojtar mediokër, që edhe kur gjendet në disavantazh të qartë me gurë dhe disfata është e pritshme pas pak lëvizjesh, nuk dorëzohet në mënyrë dinjitoze, por insiston deri te guri i fundit. Vazhdon me shpresën se mos fati e përmbys situatën sikur të ishin duke lozur tavëll me zare e jo shah. Rrinë me insistim në lojë deri sa të bëhen mat e mos të kenë ku të venë, pa dëgjuar orën që tregon se u ka ardhur koha për të ikur dhe pa kuptuar se tërheqja e hershme është më e mirë për ata, sesa dëbimi me turp.

Këmbëngulja e madhe për tu kacavjerrë pas arenës politike edhe atëherë kur janë zbuar nga vota e popullit ose janë diskredituar tërësisht, tregon ose që këta njerëz nuk kanë besim tek aftësitë e tyre profesionale dhe e shohin veten se mund të mbijetojnë vetëm duke mjelë shtetin si politikanë ose zyrtarë të lartë, ose që këta individë janë të përlyer dhe e kanë të domosdoshme imunitetin që sigurohet prej të qenit aktor aktiv i jetës publike, në mënyrë që të shmangin hesapet që kanë me drejtësinë për zullumet që kanë bërë.

Me mënyrën si po shkojnë gjërat, elita politike mbarëkombëtare e jona po i ngjason gjithnjë e më shumë një pellgu me ujë të qelbur që po e pengon popullin tonë të shpalosë potencialin që ka për progres. Për sa kohë nuk largohet uji i vjetër e i ndenjur dhe nuk lejohet të rrjedhë brenda ujë i ri dhe i freskët, ky moçali ynë politik ka për t’u bërë gjithnjë e më shumë një oaz për parazitët dhe shushunjat dhe një burim infeksioni për gjithë shoqërinë. Kjo papërgjegjshmëri e lidershipit tonë politik në këto momente kardinale për kombin shqiptar, mbase nuk ka për tu frenuar në kohë ose mbase nuk do marrë ndëshkimin e merituar nga organet e drejtësisë, por gjithsesi nuk ka për ti shpëtuar dënimit të historisë. Disa prej politikanëve më në zë nuk e dinë sa e pamëshirshme është historia në vendosjen e njollës dhe me sa lehtë fshihen e zhvleftësohen meritat e dikurshme prej mëkateve të bëra në një kohë të dytë. Nuk ka kurrfarë dyshimi që për kusuret që i kanë shkaktuar vendit disa prej politikanëve shqiptarë, të cilët sot krekosen e dominojnë politikën, kanë për t’u përmendur tërë përçmim në librat e historisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama