Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Greva e gabuar

Shkruar nga: Aurel Plasari  
Botuar më: 14 vite më parë

Aurel Plasari
Greva e gabuar

Dy janë gjatë këtij muaji “eventet” (e kam nga gazetarët këtë term) për spektatorët e kryeqytetit: premiera me titull “Darka e gabuar” në skenën e Teatrit Kombëtar, dhe greva e gabuar që ka improvizuar për skenë shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Para se e quajtura grevë urie, e një partie politike parlamentare, të përfundojë si kujtim famëkeq në historinë politike shqiptare – përkundër lavdidashjes së vënësve të saj në skenë – ndiej detyrë ta cilësoj atë të gabuar.

 

Në parantezë dua edhe të sqaroj bashkëqytetarë që më kanë pyetur se përse nënshkrimi im nuk po ndodhet në thirrjen-kërkesë, që një numër ende në rritje intelektualësh ia kanë drejtuar – dhe vijojnë t’ia drejtojnë – kryetarit të PS. Pikësëpari, ngase e kam ditur paraprakisht, që Edi Rama nuk ua vë veshin atyre: madje ai e lëshoi gojën dhe guxoi t’i quajë “ahengxhinj”, “sazexhinj”, “daullexhinj” etj., në kohë e sipër, që asnjëri syresh nuk e quajti dhe nuk po e quan “bojaxhi”: me gjasë, për të mos fyer komunitetin e nderuar të bojaxhinjve të Tiranës. Po njësoj nuk do ma vinte veshin as mua, – nuk i intereson mendimi im, – për aventurën që ka iniciuar, ndaj edhe nuk e shpenzoj mundin tim t’i drejtohem atij.
Nga ana tjetër, në thirrjen-kërkesë të intelektualëve, nuk jam i një mendjeje me diçka parimore: me faktin që ata ia bëjnë këtë thirrje-kërkesë një kryetari partie politike parlamentare, për të ndaluar grevën e urisë për pushtet, ngase interesi i kombit në këtë moment kërkuakësh që..., ngase Shqipëria qenkësh në prag të liberalizimit të..., ngase proceset e integrimit evropian do t’u dëmtuakëshin nga ... etj. Padashje, ndoshta, e gjitha kjo lë të nënkuptosh se greva pa-vënë-gjë-në-gojë e një partie politike parlamentare qenkësh “pa vend”, vetëm e vetëm ngase u bëkësh në këtë moment, pra në momentin jo të duhur dhe në vendin jo të duhur. Si me thënë: i nderuar z. Rama – aman! – po patët mundësi mos e bëni këtë grevë tani në behar, bëjeni së paku në vjeshtë. Ose, edhe më mirë, gjatë pushimeve të Vitit të Ri. Jo.
Futja e PS në një aventurë si kjo e fundit, duhet ta ketë një shkak shumë të fortë, tejmase shtrëngues, madje – guxoj të them – fatal: ai do të shpaloset në një të ardhme të afërt, kur të bëhen analizat e distancuara të ditës së “kthesës” së kryetarit të PS ndaj zgjedhjeve, si edhe të një vargu treguesish të tjerë, në krye të të cilëve nuk mund të mos jenë veçse ato ekonomiko-financiarë. E pohoj shprehur këtë indicie bazë ekonomiko-financiare sepse një grevë urie e një partie politike parlamentare, si PS, nuk përkon me kurrfarë parimi dhe praktikë të socializmit evropian.
Një grevë urie e një partie politike – aq më shumë e një partie parlamentare – nuk mund të jetë veçse e gabuar: për teorinë dhe praktikën e socializmit evropian, ajo përbën një nonsens dhe, si e tillë, funksionon vetëm si provokim për jetën politike shqiptare, deri për jetën sociale të Tiranës e të Shqipërisë. Meqë për këtë pohim, lexuesit kanë të drejtë të më kërkojnë argumentet përkatëse, do t’i jap ato, por me selektim: 1) në qoftë fjala për socialistë, nga ata që ua vënë veshin vetëm fjalimeve përndezëse të Udhëheqësit, nuk ua kanë nevojën argumenteve të mia, ata të vijojnë të brohorasin “Edi! Edi!” dhe të presin happy end-in që Udhëheqësi u ka premtuar; 2) nëse janë socialistë me-tërë-mend, mund të pyesnin për argumentet në fjalë profesorë si Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani etj., që i dinë disa të vërteta të teorisë dhe të praktikës së socializmit evropian (ndoshta) më mirë nga unë; 2) nëse nuk janë socialistë dhe u interesojnë argumentet e mia, po ua jap si më poshtë vijon.
Si në teorinë, ashtu edhe në praktikën e socializmit evropian, së paku nga mesi i shek. XIX, rekurse të skajshme kundërshtimi ndaj pushteteve si grevat e urisë nuk bëjnë më pjesë në mjetet dhe metodat e konkurrimit të partive socialiste në orvatjet për ardhjen në pushtet. Në veçanti kur parti të tilla ia kanë dalë tanimë të jenë pjesë e parlamenteve, madje pjesë konsistuese e tyre, grevat e urisë si rekurs politik janë vetiu të përjashtuara dhe nuk i përligj më as teoria, as praktika e socializmit evropian. Ato u mbeten, tanimë qysh prej një shekulli e gjysmë, individëve dhe/ose grupeve të padrejtësuar dhe/ose të papërfaqësuar politikisht.
Njerëz të brezit tim, që kemi pasur virtytin e kërshërisë – ose vesin e kërshërisë – dhe ua vinim mendjen mirë sa teksteve që na shërbenin nëpër shkollat e “socializmit real”, aq edhe atyre që po aty na i censuronin prej teoricienëve evropianë të socializmit, e kemi të qartë dallimin që vendosi Engelsi mes tezave të Marksit dhe realitetit të ri, që kishte ardhur duke u përftuar në Evropë mbas vdekjes së këtij. Në parathënien e botimit të ri (1895) që i bënte esesë politike – me vlerë të veçantë historike – të Marksit “Lufta civile në Francë” Englesi vërente se kishte mbërritur koha kur e drejta e sufrazhit universal (votimit të përgjithshëm) do t’i jepte gjithnjë më shumë hapësira drejt pushtetit së Majtës. Si koha, ashtu edhe numrat, për Engelsin, punonin tanimë në të mirë të socialistëve: “Nëse ajo [rritja e votës socialiste] vazhdon në këtë mënyrë, nga fundi i këtij shekulli [XIX] ne [socialistët] do të fitojmë pjesën më të madhe të shtresave të mesme të shoqërisë, borgjezisë së vogël dhe fshatarësisë, dhe do të shkojmë drejt pushtetit përfundimtar në vend”. Ndryshimi që konstatoi Engelsi mes rrethanave që përshkruante Marksi te “Lufta civile në Francë” dhe realitetit të ri, që kishte ardhur duke u përftuar në Evropë përkonte tanimë me këtë realitet. Madje parashikimi i Engelsit nisi përnjëmend të konfirmohej prej ngjarjeve historike, ndonëse jo aq shpejt sa Engelsi e parashikoi: jo në fund të shek. XIX, por së paku në fillim të shek. XX.
Nëse mbahet në sy kjo e vërtetë historiko-politike, që një parti politike – po e përsëris: parti parlamentare – të ndërmarrë një grevë, makar edhe grevë urie, do të duhen dhënë shpjegime, të cilat mund të jenë të larmishme, por nuk do të kenë të bëjnë as me teorinë, as me praktikën e socializmit evropian, së paku nga mesi i shek. XIX e këndej, siç e tregova. Shembull: mund të jetë e përligjur një grevë e tillë nga ana e z. Erion Veliaj, i cili nuk ka përqafuar, së paku hapur, as kauzën mirëfilli socialiste, jo më ndonjë kauzë të djathtë. Duke mos qenë ende politikan parlamentar dhe duke u mbajtur në lojcakërinë e tij politike, – të mbajtur mbi fjalë të vendosura mbas fjalësh simbas manualeve të huaja, të cilat sigurisht prodhojnë fjali të bashkërenditura edhe të nënrenditura, por jo më shumë, – mund të quhet i përligjur në ndërmarrjen e një kësi veprimi të skajshëm. (Afërmendsh me një saktësim: duke llogaritur në këtë mes se fakti që ai vetë nuk është realizuar si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë nuk ndryshohet dot jo me një grevë pa-vënë-gjë-në-gojë, por as me një varg të atillash.) Ose, edhe më thjesht, një grevë e tillë vete e vjen kur ndërmerret prej këngëtares Elsa Lila, e cila mund ta marrë atë edhe me këngë: dihet që ajo ia thotë, kishte për të thënë vetë Udhëheqësi i saj në slengun e vet. Duke mos qenë anëtare e asnjë partie politike – me sa dihet – dhe duke mos gjetur mbështetje për problemet e veta civile (ndoshta edhe politike, pse jo), asaj i mirëkuptohet një ndërmarrje e tillë. (Fundja, artistët anekënd botës spikasin për aktet e skajshme: nga grevat pa-vënë gjë-në gojë te vetëvrasjet.) Ndërkaq, e përsëris: për një parti politike, parti socialiste – posaçërisht parti parlamentare që ka zënë gati gjysmën e Kuvendit të Shqipërisë – greva nuk rezulton në kurrfarë lidhjeje me teoritë dhe as me praktikat e socializmit evropian. Prandaj edhe viktimat e një greve të tillë të mos befasohen, që në Evropë askush nuk ua kupton flijimin: të djathtë jo që jo, por as të majtë.
Por – sepse edhe kjo histori e rrejshme e ka një “por” – në historinë politike të Shqipërisë ka një burim ideor prej nga është çkallur përdorimi i një rekursi si greva e urisë. Atij brezi të padijshëm, pra që nuk e di këtë burim, po ia rekomandoj se ku mund ta gjejë e ta lexojë: në librin “Imperializmi dhe Revolucioni” të shokut Enver. Nuk po e citoj gjatë e gjerë, edhe ngase nuk e kam këtu për duarsh: e ruaj në një mjedis të veçantë të shtëpisë, që nuk më duket e hijshme ta përmend në një shkrim serioz. Por po kujtoj thelbin, siç na e mësonin dhe stërmësonin në shkollë: shoku Enver i denonconte partitë e majta evropiane, që konkurronin për pushtet nëpërmjet pjesëmarrjes legale në parlamente, duke i cilësuar “parti revizioniste”, “parti tradhtare” të ideve të marksizëm-leninizmit. Shumë-shumë shoku Enver pranonte ndonjë pjesëmarrje të partive të majta në parlamente, vetëm sa për sy e faqe, d.m.th. vetëm si një truk që dëshmonte inteligjencën e pazakonshme të marksistë-leninistëve të vërtetë: mbrapa pjesëmarrjes fiktive parlamentare ai rekomandonte sabotimin e parlamenteve, bojkotimin e institucioneve, deri edhe minimin e pushteteve të dala prej parlamenteve në fjalë dhe, përkatësisht, futjet në dorë të pushtetit jo me rrugë parlamentare, por me çdo mjet tjetër, pa përjashtim. Kështu ato do t’ua “hidhnin” demokracive borgjeze. Ky rekomandim qëndron në thelb të të ashtuquajturës “teori” të shokut Enver: e pafshehur, përkundrazi e trumbetuar sheshit në veprën e tij “Imperializmi dhe revolucioni”, si edhe në një turrë shkrimesh të tjera të tij, përfshi “Eurokomunizmi është antikomunizëm” etj. Shkurt fjala: një batakçillëk tipik marksist-leninist në politikë.
Lexojini këto tekste, që jua rekomandoj, të shokut Enver dhe dilni e mbani vesh fjalimet e Udhëheqësit të sotëm të PS. Udhëheqësi i sotëm i PS-së flet në emër të “të gjithëve”, ndërsa hapur kërcënon – kërcënon me mikrofon dhe i amplifikuar me altoparlantë – me gjyqe dhe ndëshkime “të ardhshme” ata që mendojnë dhe/ose veprojnë ndryshe. E dëgjuat edhe më 14 maj 2010 këtë Udhëheqës të PS-së se si me zë të stërlartë foli në emër “edhe të të majtëve edhe të të djathtëve”, ndërkohë që fill paskëtaj e çeli përsëri zemrën: kanosi për së dyti herësh – gjithnjë para mikrofonit dhe amplifikuar me altoparlantë – ata që mendojnë dhe/ose veprojnë përkundër ideve të Udhëheqësit. Dhe a e dini se me ç’argument? Do ta keni dëgjuar me veshët tuaj: sepse ai me të tijtë qenkëshin “bota e re”! Kurse të tjerët, që kanë qëlluar të mendojnë ndryshe, qenkëshin “bota e vjetër”! A bon entendeur, salut! Shqip: kush ka mend, le ta parashikojë vetë të ardhmen me këtë Udhëheqës. Ta parashikojnë të ardhmen me të edhe ata që po sharrojnë – urie, fjala vjen – në kampingun e Bulevardit. E them këtë si njeri që për idetë socialiste kam vlerësim mjaft më të madh se Udhëheqësi i PS-së, i cili ka turp të pohojë: “jam socialist”.
Ndërkaq, po qe puna për të fyerje mikrofonash të amplifikuar me altoparlantë, nëse i bie të jem “botë e vjetër”, simbas stilit edhe më “të vjetër” konician i bëj publikisht një ofertë “botës së re” që rreket të imponojë Udhëheqësi: a më lëpini një herë këpucët, t’ju jap nga një 10.000-lekëshe? (Të vjetra, afërmendsh, si i “botës së vjetër” që i bie të jem.) Kam edhe oferta të tjera, por për në shkrime në vijim. Kaq për fyerjet.
Ma do mendja që një pjesë e drejtuesve të Partisë Socialiste, si edhe e personaliteteve të dalluara të saj, e dinë dallimin politiko-historik që kujtova këtu, ndaj edhe i rrinë larg kësaj greve të gabuar: të gabuar si grevë e një partie politike tanimë prej kohësh parlamentare. Ata e dinë mirë ndryshimin mes mishit të gjahut me majonezë e shampanjë në akull, që premtohet, dhe sallamit me hudhra e ujë Boville, tek i cili me këtë rekurs përfundohet. E ardhmja e një partie të majtë, vetëkuptohet edhe e çdo partie të djathtë, nuk ka për të qenë më kurrë te grevat, as të urisë, as të etjes, as të frymëmarrje, siç i numëroi një koleg yni shkrimtar shqiptaro-frëng: kjo përbën tanimë ligjësi historike, d.m.th. është si një e një që bëjnë dy, edhe për politikën shqiptare. (Nuk po përmend faktin, i cili mund të tingëllojë fyes, që vetë Engelsi i quante mjete të tilla të skajshme, të përdorura prej ndonjë partie me mëtime të majta, “kreshma politike”.) Po kaq edhe jam i bindur që grevat e urisë nuk bën të bëhen pis, duke ua rrëmbyer ato atyre që u takojnë si mjet lufte: të burgosurve, të internuarve, të përndjekurve, të përdhunuarve, të padrejtësuarve në përgjithësi, për t’u shpërdorur si rekurse politikanësh të qenun – zotërinj hesapi! – me mandate parlamentare nëpër xhepat plot.
Së fundi, duke qenë i zhgënjyer nga cilësia e spektaklit të “Grevës së gabuar”, më lejoni të rekomandoj për spektatorët se ajo çfarë na mbetet është të parapëlqejmë cilësinë e premtuar të spektaklit premierë “Darka e gabuar” në skenën e Teatrit Kombëtar: në rolet kryesore Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Naum Shundi, Erjona Kakeli, Mehdi Malkaj, Ahmet Pasha, Marjana Kondi etj. Dhe dalsha unë i gabuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama