Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza e Greqisë – kriza e një vendi fqinj

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 15 vite më parë

Arben Malaj
Kriza e Greqisë – kriza e një vendi fqinj

Kohët e fundit është rritur analiza publike e impakteve që kriza e Greqisë mund të ketë mbi ekonominë shqiptare. Është e dobishme që ekspertët tanë t’i analizojnë me sa më shumë profesionalizëm impaktet e saj mbi emigrantët shqiptarë dhe mbi ekonominë e vendit dhe të rajonit tonë.

Vullneti i tepruar në ndonjë rast, për të identifikuar krizën e Greqisë në rrënjët e situatave të vështira ekonomike në Shqipëri, profesionalisht është i pabazuar dhe politikisht jo korrekt. Bazuar në teoritë ekonomike, shkalla e partneritetit tregtar ndikon në shkallën e ndërvarësisë ekonomike midis dy vendeve. Në vitin 2007, ekonomia shqiptare realizoi rreth 8.3% të eksporteve dhe rreth 14.6% të importeve me Greqinë. Gjatë vitit 2008, eksportet greke drejt Shqipërisë u rritën me 19%, ndërsa eksportet shqiptare drejt Greqisë u rritën më rreth 25%. Gjatë periudhës 11-mujore të vitit 2009, importi i mallrave me Greqinë ishte 59.4 miliardë lekë dhe eksporti 9.4 miliardë lekë. Deficiti tregtar është rreth 50 miliardë lekë, rreth 380 milionë euro të emigrantëve shqiptarë rikthehen në ekonominë e Greqisë për të importuar mallra. Investimet e biznesit grek zënë rreth 28% të investimeve të huaja direkte, ndërsa totali i tyre vlerësohet rreth 1.2 miliardë euro.

Studimi i impakteve të krizës së Greqisë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktorë specifike: e para për numrin e madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe e dyta, për faktin se investimet greke janë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, në sistemin bankar dhe telekomunikacion. Është e qartë që rënia e ritmeve të rritjes ekonomike në Greqi rrit papunësinë dhe varfërinë, e cila prek edhe emigrantët shqiptarë. Shumë prej tyre humbasin vendet e punës, ata do të kenë vështirësi të mbështesin familjet e tyre në Shqipëri. Disa prej tyre do të reduktojnë investimet në Shqipëri apo Greqi.

Sipas vetë grekëve, fjala krizë nënkupton mundësi. Reformat që po ndërmerren nga qeveria greke për të dalë nga kriza, do të kenë efektet e tyre pozitive edhe për emigrantët shqiptarë. Çfarë mund të përfitojnë emigrantët shqiptarë nga reformat ekonomike në Greqi? Ndoshta fjala “përfitim” në kushtet e një krize të rëndë mund të duket jo e përshtatshme. Por realisht nga reformat antikrizë të qeverisë greke, pas kostove afatshkurtra qëndrojnë përfitime reale afatgjata.

Është e qartë që një ekonomi me deficit të lartë buxhetor dhe borxh të lartë publik, rrezikohet ndjeshëm nga kriza e rëndë e interesave të borxhit dhe nga nivele të larta të inflacionit. Reformat e vështira të qeverisë greke për të vendosur rregull në financat publike dhe ekonominë e tyre mund ta rikthejnë brenda pak viteve Greqinë në mundësinë e ritmeve të larta të rritjes ekonomike. Sa më shumë të ndihen efektet pozitive të reformave, aq më shpejt edhe emigrantët do të përfitojnë prej tyre.

Reformat për vendosjen e kontrollit në financat publike të Greqisë reduktojnë riskun e inflacioneve të larta. Nuk ka dëmtim më të madh edhe për emigrantët shqiptarë, se sa zhvlerësimi i pagave, i të ardhurave dhe i kursimeve të tyre nga inflacioni i lartë. Në bankat në Greqi janë miliarda euro kursime të mijëra shqiptarëve, të cilat duhet të mbrohen nga inflacionet e larta.

Kthimi në mundësinë për të qenë konkurrues kërkoi rishikimin dhe korrigjimin e rritjeve jo produktive të përfitimeve në trajtë page e shpërblimi, por edhe uljen e rritjes joekonomike të çmimeve të pasurive të patundshme në Greqi. Ky korrektim është pozitiv edhe për të ruajtur vlerën reale të të ardhurave të emigrantëve dhe i bën investimet e tyre të ardhshme më të mundshme dhe më të lira.
Reformat e qeverisë për rritjen e produktivitetit të ekonomisë greke, do t’i kthejnë ekonomisë së Greqisë aftësinë për të qenë konkurruese në tregjet europiane e globale. Kjo do të rrisë mundësinë për ritme të larta dhe të qëndrueshme rritje ekonomike.

Shumë nga emigrantët shqiptarë janë larguar nga vendi i tyre për shkak të krizave. Ata e kanë të qartë se dalja nga kriza nuk mund të jetë e lehtë, nuk mund të jetë e menjëhershme dhe nuk mund të jetë pa dhimbje. Sfida e çdo qeverie është që kostot afatshkurtra të kompensohen nga përfitime afatgjata.

Pjesa e dytë e analizës është ndikimi i krizës së Greqisë në sistemin bankar shqiptar, në telekomunikacion dhe në investimet e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
Ndikimi në sistemin bankar duhet analizuar në disa aspekte: së pari mbi sigurinë e depozitave, së dyti mbi kreditimin e ekonomisë shqiptare dhe së treti, mbi investimet në sektorin bankar.

Risku i krizës greke mbi depozitat në Shqipëri është zero. Kjo sepse depozitat, pavarësisht nëse ato janë në një bankë shqiptare apo të huaj (greke, italiane, austriake, gjermane etj.), ato sigurohen dhe garantohen në mënyrë të barabartë nga ligji i miratuar prej Parlamentit shqiptar.

Lidhur me këtë konkluzion mbajmë parasysh faktin që ndryshe nga kriza e viteve 1929-1933, në krizën e fundit globale, momenti i parë i një reagimi të koordinuar në nivel europian dhe në nivel global, ishte rritja e konfidencës së depozituesve. U ndal risku që një krizë psikologjike të shndërrohej në një krizë të depozitave bankare, e cila do të ishte katastrofike për ekonominë e çdo vendi dhe për vetë depozituesit.

Të gjitha vendet rritën nivelin e sigurimit të depozitave, të njëjtën politikë ndoqi edhe vendi ynë, duke rritur sigurimin e depozitave nga 700000 lekë në 2.5 milionë lekë. Ndaj nuk duhet të abuzohet me impaktin e krizës së Greqisë mbi sigurinë e depozitave bankare në Shqipëri. Por kriza në Greqi mund të ndikojë në uljen e kreditimit të ekonomisë shqiptare, për shkak të peshës së konsiderueshme të bankave greke në sistemin tonë bankar. Ky shqetësim rrezikon të jetë real, kur disa politikanë grekë u kërkojnë bankave që ristrukturimin e tyre, shkurtimin e shpenzimeve, shkurtimin e punonjësve, reduktimin e kredive, ta bëjnë jo në Greqi, por në bankat e tyre jashtë Greqisë.

Por studiuesit dhe biznesmenët grekë nuk do të jenë dakord. Ekonomia e Greqisë, si ekonomia e çdo vendi tjetër, nuk do të sigurojë ritme të larta rritjeje ekonomike, duke u mbyllur në vetvete. Shkallja e hapjes së ekonomisë së çdo vendi ndikon në amortizimin e krizave dhe në rigjallërimin e saj. Pjesa e tretë e analizës është mbi efektin e reduktimit të investimeve të huaja direkte. Sipas shifrave zyrtare, Greqia përfaqëson rreth 28% të investimeve të huaja në ekonominë e vendit tonë. Në kushtet e krizës së rëndë që po kalon vendi i tyre, kompanitë greke do të kenë më pak burime financiare në dispozicion. Reduktimi i investimeve të tyre në sistemin bankar dhe telekomunikacion do të krijojë efekte negative jo thjesht për shkak të shumës së investimeve që shkurtohen, por sidomos për shkak të vonesave në zhvillimin dhe modernizimin e sektorëve të tillë që vlerësohen shumë të rëndësishëm në rritjen e produktivitetit të ekonomisë së çdo vendi.

Në raport me treguesit konkretë të partneritetit tonë ekonomik me Greqinë, në thellim të analizës së kostove dhe oportuniteteve, ekonomia jonë mund të ndikohet, por kriza ekonomike e Greqisë nuk rrezikon të krijojë një krizë të ekonomisë shqiptare. Ndërsa rigjallërimi sa më parë i ekonomisë së Greqisë do të jetë një mundësi më e mirë dhe më madhe e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik midis vendeve të rajonit tonë. Ndërsa Brukseli i kërkon Greqisë të bëjë detyrat e shtëpisë, ekspertët e ekonomisë janë skeptikë që vetëm vullneti i qeverisë greke, me masat radikale në rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve, mund të sjellë efektet e duhura.

Këto masa rrezikohen jo pak edhe nga reagimi i sindikatave dhe opinionit publik. Bllokimi i reformave i ngjan një të sëmuri që pengon mjekun të kurojë vatrat e sëmundjes, si e vetmja mundësi për ta shëruar atë. Kur i sëmuri nuk i duron dhimbjet dhe largohet i pashëruar, jo vonë ai do të rikthehet, por atëherë trupi i tij mund të jetë prekur më rëndë ose është dobësuar më shumë. Mbështetja politike dhe financiare e BE-së mund të kryejë rolin e anestezisë që i lehtëson dhimbjet pacientit dhe e lejon mjekun të vazhdojë terapinë e shpëtimit.

Mbështetja e BE-së për reformat e qeverisë, shtrirja në kohë e disa prej masave, bëhen të domosdoshme që reformat të mos pengohen, kriza të mos thellohet dhe pasojat e saj të bëhen gjithnjë e më të rënda. Kredibiliteti personal i Kryeministrit Papandreu po referohet sot nga disa ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë, si garancia reale edhe për tregjet ndërkombëtare, mosbesuese dhe të shtrenjta. Ulja e kostove të rënda të borxheve është lufta që qeveria e Greqisë synon ta fitojë sa më parë.

BE-ja me gjithë hezitimin e tij, pas disa hapave konkretë dhe të guximshëm të qeverisë greke, ka filluar të vlerësojë se rikthimi i stabilitetit në çdo vend të Europës së Bashkuar, meriton mbështetjen e mirëkoordinuar dhe të mbikëqyrur të institucioneve të saj ekonomike dhe politike.

Kushtëzimi i BE-së për çdo mbështetje nuk duhet parë si një penalizim, por si një ndërveprim për të eliminuar vonesat dhe për të rritur efikasitetin e reformave strukturore në vendet anëtare të saj.  Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, në prezantimin e projektit “Europa 2020”, do të theksonte: "Realitetet ekonomike janë duke lëvizur më shpejt se realitetet politike..., ne duhet të pranojmë se rritja e ndërvarësisë ekonomike kërkon një përgjigje më të vendosur dhe koherente në nivel politik”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama