Kulturë kafenesh

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 10 vite më parë

Arjan Konomi
Kulturë kafenesh

Kush ka patur rastin të vizitojë një vend tjetër të Europës, dallimi i parë që të bie në sy kur ecen nëpër rrugët e Tiranës është një numër i madh baresh dhe lokalesh që mbushin rrugët e qendrës, rrugicat e lagjeve por edhe zonat periferike. Të mëdha e luksoze me çmime të kripura, diku të vogla e disi më të lira, ato të qendrës me dizajne të fundit dhe investime jashtë çdo logjike biznesi, disa më të thjeshta e të tjera biznese familjare që gëlojnë në çdo orë të ditës nga fluksi i njerëzve që hyjnë e dalin.

Është një rit për të gjitha moshat, të rinj e adoleshentë që përbëjnë edhe klientët kryesorë, por nuk mbeten pas edhe moshat e tjera. Sipërfaqe gjigante nëpër oborre dhe sheshe me tavolina, ku është e vështirë në disa orë të ditës të gjesh vend. Të tejmbushura nga njerëzit të kujtojnë lokalet e famshme turistike në botë, në pikun e sezonit. Ecën dhe tek sheh këtë mendon “po deti ku është?”, sepse arsyeja nuk ta pranon apo më tepër ta justifikon një numër të tillë në një vend krejtësisht të zakonshëm.

Sa orë kalojnë të rinjtë shqiptarë në një lokal? Sigurisht shumë, duke kaluar nga njëri te tjetri, dhe duke bërë kështu ndryshimin se cili është për paradite, cili për pasdite dhe sidomos ato të mbrëmjes mbeten më të privilegjuarit. Orë të tëra para një filxhani kafeje. Natyrisht që është një pjesë e madhe kohe e humbur, një kohë që ikën dhe nuk vjen më e që të rinjtë ndoshta nuk ia dinë vlerën ende. Aty bëhen takime, biseda, por edhe kalohet koha në shoqëri miqsh. Kush vjen nga jashtë “dashurohet” me këtë lloj jete. Të mësuar me një jetë disi më të tërhequr në perëndim, lokalet e Tiranës bëhen atraksioni më i madh i atyre që vijnë për pushime në atdhe, sidomos kur kanë munguar gjatë dhe nëse ka diçka që i bën të mërziten kur duhet të largohen është pikërisht kjo lloj jete, në dukje pa kokëçarje dhe me shumë njerëz përreth.

Mund të jenë të shumta arsyet pse ndodh kjo. Ndoshta një farë dembelizmi shoqëror, ndoshta tradita shqiptare e vizitave është zhvendosur në ambiente publike, apo se ne jemi ballkanas dhe historikisht na ka pëlqyer ‘të lozim e të kuvendojmë’, por jo më nën hijen e një peme por në një tavolinë kafeneje. Dhe shumëpak mund të bëjnë përjashtim. Ndoshta sepse licenca për një aktivitet të tillë është e lirë, pra mund ta ketë cilido që bën kërkesën, ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera, ka krijuar një të mirë ekonomike sepse u ka dhënë mundësinë të jetojnë e të mbahen shumë familjeve me një biznes të tillë. Shumë të rinj, shumica studentë janë punësuar nëpër këto lokale duke bërë edhe biznesin e parë në listë për punësim të të rinjve, që ndryshe do ta kishin të pamundur punësimin diku tjetër.

Por a është e dëmshme kjo për shoqërinë? Janë të shumtë ata që thonë që të rinjtë humbin kohën e tyre duke ndenjur sa në një lokal te tjetri kur ndërkohë mund të bënin diçka tjetër, si të studionin më shumë, të lexonin një libër apo të shkonin në një teatër apo në tjetër aktivitet kulturor. Problemi është se të rinjtë që kalojnë kohë të gjatë në mjedise të tilla nuk është se po të ndodheshin diku tjetër do të lexonin më shumë. Askush nuk i pengon këta të rinj të kalojnë më shumë kohë në mënyrë më kulturore dhe sigurisht sikur të mos ekzistonin kafenetë do të kishin shpikur mënyra të tjera për ta organizuar atë, përsëri pa vajtur në teatër apo pa lexuar ndonjë libër.

Po të vësh re me vëmendje këtë fenomen kupton se duke qenë në tavolina në shoqërinë e një apo më shumë personave, këta njerëz nuk qëndrojne vetëm. Ka një jetë sociale që ndihet shumë nga kjo “kulturë kafenesh”. Mundësi që te ne është akoma të takohesh me miqtë, e të takosh shumë njerëz të njohur me të cilët harxhon kohën nëpër lokale i bën këta njerëz që të flasin, të komunikojnë, të shprehin shqetësimet e streset e tyre, të shkëmbejnë mendime, të tërheqin vëmenjden e tjerëve, e pse jo të informohen mbi shumë gjëra nga njëri tjetri.
Ështe një marrëdhënie sociale shumë e rëndësishme, që në mënyrë instinktive dhe të pandërgjegjshme njeriu zbraz situata emotive, ankthe e pasigurira, të cilat në rast të kundërt do të ishin shumë të dëmshme për gjendjen psikologjike të një personi e sidomos për të rinjtë, që konsiderohen si pjesa më delikate dhe e ekspozuar ndaj gjendjeve të tilla.

E ndenjura në lokal e bën njeriun më të kujdesshëm në sjelljet e tij, të mendohet para se të veprojë sepse mjedisi ndikon, pavarësisht vullnetit e me kalimin e kohës kjo bëhet një mënyrë sjelljeje që përsëritet në të gjitha ambientet që personi frekuenton përfshirë këtu edhe familjen. Nëse kujtohemi ne jemi larguar nga “kultura e tufës” , që gruponte të rinjtë në vende të hapura lagjesh, nëpër cepa rrugësh, në bordura e në mure ku shfaqnin sjelle tufe ashtu si ndodh edhe në botën e kafshëve. E padyshim që e tëra kjo ka bërë të ulet edhe mikrokriminaliteti.

Ndoshta nuk do të jetë gjithnjë kështu. Do të bëhemi edhe ne si perëndimorët një ditë; të ftohtë, të izoluar dhe egoistë. Por marrëdhëniet shoqërore, në kuptimin filozofik të fjalës, e jeta sociale që vihet re në shoqërinë shqiptare janë një vlerë që duhet ta gëzojmë derisa ta kemi, pa e vrarë mendjen nëse kemi lexuar një libër më pak.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama