Dilemat e kutive të votimit

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 10 vite më parë

Adri Nurellari
Dilemat e kutive të votimit

Dilemat e kutive të votimit

botuar tek gazeta Shqip

Adri Nurellari, Blendi Ceka

Fatkeqësisht rritja e agresivitetit, ngarkimi me tone të tepruara banale dhe doza të skajshme sulmesh personale, ka bërë që ndarja e opinionit publik në dy kampe, pro apo kundër hapjes së kutive, të bëhet më e plotë dhe më e qartë. Ka krijuar një situatë ku të thuhet o je me ne, o me ata, si të ishte ky problem i ravijëzuar dhe i përcaktuar në mënyrë të prerë, si të ishte një çështje bardhë a zi. Në fakt, problemi është shumë më i ndërlikuar dhe i sofistikuar sesa thjesht përkatësi apo besnikëri ndaj një krahu, dhe kërkon të merren në konsideratë shumë dimensione të jetës politike shqiptare që shpesh anashkalohen.
Pikësëpari duhet kuptuar që ky debat kërkon bërjen e një zgjedhjeje për të zgjidhur mëdyshjen e modelit të zhvillimit të demokracisë shqiptare. Bëhet fjalë për të zgjedhur midis evolucionit dhe revolucionit. Nga një anë është alternativa e pranimit të këtyre zgjedhjeve si shkuan, më të mira se të kaluarat, por jo aq të mira sa do të donim të ishin, në një proces gradual përmirësimi për të arritur standardet. Bazohet në idenë se rritja dhe konsolidimi i vazhdueshëm i institucioneve, ligjeve, procedurave, standardeve ka për të bërë diferencën dhe zhvilluar vendin. Nga ana tjetër është alternativa e bërjes së një revolucioni, hapjes së kutive, përmbysjes së kësaj qeverie nëpërmjet diskreditimit të pashmangshëm të legjitimitetit nga shkeljet që sipas të gjitha gjasave kanë për të dalë në pah nga hapja e kutive dhe bërja e kthesës njëherë e mirë në fushën e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke u bazuar në instrumentin e forcës, presionit, trysnisë dhe kërcënimit me përshkallëzim të protestës deri në veprime ekstreme që destabilizojnë shtetin.
Perspektiva e parë është historia e tranzicionit shqiptar gjatë dekadës së fundit. Dy palët janë marrë vesh për gatimin e një procesi zgjedhor që kishte për garant vetë palët e interesuara, pra militantët e jo ligjin. Për këtë reformë elektorale kanë kaluar tre vite dhe lideri i opozitës jo vetëm që ka qenë arkitekt i kësaj reforme, por edhe ka pasur kohë të bollshme t‘i paraprinte çdo parregullsie. Madje lideri i opozitës e ftoi elektoratin socialist të dilte masivisht duke i garantuar që vota nuk do prekej dhe madje vetë opozita ka lënë të kuptohet hera-herës se ka forcë të mjaftueshme, qoftë edhe paramilitare për të garantuar procesin. Forcë kjo që konsiderohej më efikase dhe e besueshme se forca e ligjit. Procesi zgjedhor është certifikuar plotësisht nga komisionerët e Partisë Socialiste në çdo nivel, qendre votimi, KZAZ dhe KQZ. Mirëpo kur rezultati përfundimtar nuk i shkoi për shtat opozitës, atëherë i gjithë procesi u kontestua me pretendimin se edhe parregullsitë më minimale kanë pasur mundësinë që të përmbysin tërësisht rezultatin zgjedhor e duke hamendësuar se me ca vota më shumë do kishin marrë pushtetin. Kuptohet që vetë sistemi zgjedhor proporcional rajonal e bënte të parashikueshme që më herët se diferenca në mandate mes dy palëve kishte për të qenë shumë e vogël falë vetë sistemit. Zgjedhjet e vitit 2009 kanë qenë padyshim më të mira se ato të vitit 2007, mirëpo ato nuk u kontestuan, sepse në rezultanten e madhe, Partia Socialiste dilte fitimtare. Ngjashëm kjo me veprimtarinë e Partisë Demokratike kur ishte në opozitë, u kontestuan zgjedhjet e vitit 2001, ku PD humbi ndjeshëm dhe nuk u përfolën aspak ato të vitit 2005 që pavarësisht nga parregullsitë kishin si finale fitoren e PD-së.
Pretendimet e Partisë Socialiste ngjasojnë në një farë mase me të ashtuquajturin spekulim logjik "nirvana". Spekulimi nirvana është një gabim logjik që konsiston në shpërfilljen apo përçmimin e një situate, sepse e krahason atë me një realitet ideal, shpesh utopik, duke hamendësuar se një problem specifik e ka një zgjidhje të përsosur që duhet të jetë e vetmja zgjidhje e pranuar. Volteri dikur thoshte se e përsosura është armikja e të mirës, sepse e dinte që duke marrë për referencë vetëm të përsosurën, dekurajoheshin arritjet apo përmirësimet.
Idealja do ishte hapja e kutive, kryerja e një akti të transparencës, duke shërbyer si precedent parandalues ndaj tentativave për abuzime në të ardhmen dhe duke i dhënë fund cenimit të zgjedhjeve. Ka nevojë shoqëria jonë që të ketë transparencë të plotë lidhur me gangrenën e manipulimeve të zgjedhjeve, që i ka vënë fre dhe ka ngadalësuar progresin, begatinë dhe integrimin europian. Ka nevojë për ndërtimin me themeli të institucioneve transparente, të besueshme e qëndrueshme, që të realizojnë standardet më të larta të demokracisë. Akti i hapjes duhet padyshim të shoqërohej nga ndëshkimi i gjithë shkaktarëve që me vetëdije kanë ndyrë duart, duke deformuar vullnetin e popullit shqiptar, në mënyrë që ata ta vënë vath në vesh për të ardhmen, që me votën nuk bëhet shaka.
Mirëpo një pyetje lind natyrshëm: A është i mundur ky revolucion në procesin zgjedhor shqiptar në rastin kur ndërpritet procesi evolutiv i deritanishëm dhe hapen kutitë? Ne kemi një përvojë aspak premtuese në këtë aspekt, atë të vitit 1997, kriza e të cilit lindi pikërisht me vjedhjen flagrante të vitit 1996, e cila çoi në diskreditimin dhe delegjitimimin e qeverisjes, duke motivuar kryengritjen e vitit pasardhës. Sikurse dihet nga të gjithë, praktikat e manipulimit të zgjedhjeve, autoritarizmit në qeverisje, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin u ripërsëritën pavarësisht nga rotacioni politik. I vetmi dallim ka qenë pasi u bë tabula rasa me pretendimin se gjërat do të bëheshin nga e para në mënyrë të drejtë, ka qenë se me kalimin e kohës këto praktika janë zbehur dhe zbutur deri diku, me përjashtim të korrupsionit, i cili ka njohur rritje. Pra e majta e ka përdorur fabulën e revolucionit tashmë dhe e ka shpërdoruar. Të vetmet përmirësime që i kanë ardhur Shqipërisë, kanë qenë ato që kanë ardhur nga të mësuar prej të pësuarit, nga gabimet dhe korrigjimet që vinin fill pas, nga një proces evolutiv që ka minimizuar abuzimin me procesin zgjedhor, duke konsoliduar një lloj tradite apo praktike që e refuzon gjithnjë e më shumë manipulimin zgjedhor.
Pastaj shtrohet pyetja tjetër: Ja u hapën kutitë dhe u bë transparenca, por a do të ndëshkohen shkaktarët? A janë komisionerët e thjeshtë të partive politike që do dalin si manipulatorë me hapjen e kutive më përgjegjës për vjedhjen sesa liderët e partive politike dhe vetë partitë politike që iu kanë dhënë udhëzimin për të vepruar në atë mënyrë? A është, ta zëmë, një militant i thjeshtë i Partisë Socialiste i Fierit, besnik, i bindur dhe i përkushtuar deri në vetëmohim ndaj partisë më shumë përgjegjës për faktin që ka vjedhur vota të LSI-së, më shumë sesa lideri i PS-së që enkas sajoi një sistem për të masakruar LSI-në (strategji kjo që doli me sukses të plotë me sa u pa)? Po partitë politike që e kanë bërë modus operandi vjedhjen e zgjedhjeve aty ku mundën, si do t‘i ndëshkojmë? Por opozita kërkon që të heqim dorë nga praktika e deritanishme e përparimit hap pas hapi nëpërmjet negocimit institucional në këmbim të një ujdie deus ex machina që diktohet nëpërmjet protestës, duke hedhur tutje mbi dhjetë vite traditë demokratike shqiptare dhe duke i imponuar publikut dilemën e ‘97-ës. Çfarë garancie kemi ne se po të heqim dorë nga institucionet e ta lëmë gjithçka në dorë të ujdive ekstraligjore, aktorë të njëjtë që marrin pjesë në këto ujdi do na japin rezultate ndryshe? Marrëveshja e 9 marsit 1997 është precedenti i fuqishëm që i jep përgjigje negative kësaj pyetjeje. Në fakt po ndodh e kundërta e ofrimit të garancisë, vazhdimisht është parë një mungesë koherence te Partia Socialiste, ka pasur ndryshime pozicionesh, si dhe pretendime të paqarta, dhe ajo që është më e rëndësishme, një mungesë platforme për hapat e mëtejshëm, si dhe për alternativën konkrete që do duhej të propozohej pas hapjes së kutive dhe diskreditimit të procesit. Jo vetëm që Partia Socialiste nuk po jep garanci, por po i thotë publikut "hipni në këtë autobus", për inat të Berishës, por nuk po ju tregoj destinacionin, vetëm kini besim te partia dhe lideri i saj. Pra garanci ngelen prapë partitë dhe lideri, të njëjtat që gatuan manipulimet që përmenden në akuzë. Pastaj edhe nëse ky proces përmbyset, prapëseprapë dy palëve do ju duhet të hyjnë në ujdi me njëra-tjetrën për të organizuar zgjedhjet e ardhshme, s‘ka kuptim djegia e urave të komunikimit që bëjnë sot. Pse u dashka që të kthehemi e ngelemi peng te zgjedhjet e kaluara, kur mësimet mund t‘i aplikojmë te zgjedhjet e ardhshme? Zgjedhjet lokale janë pas një viti dhe asnjë hap nuk po merret ende që ato të organizohen sa më mirë.
Ja po e marrim të mirëqenë se vendimmarrësit kryesorë do na i vrasë ndërgjegjja, do bëjnë kthesë të trembur nga forca e transparencës dhe do bien në një ujdi të sinqertë me vullnet të plotë, që prej asaj ujdie e tutje nuk do vjedhin më kur t‘ju jepet mundësia. Realisht është shumë pak e mundur që të zbatohet në mënyrë të përsosur kjo ujdi në praktikë e në terren, me këtë kulturë masive politike që kemi ne, si dhe me këto institucione të dobëta që do të shërbenin si garant. Procesi i përsosur zgjedhor kërkon jo vetëm vullnet nga lidershipi, por edhe një kulturë masive politike për t‘u vetëpërmbajtur, për të toleruar diferencat, respektuar procedurat dhe ligjin, që të mundësojë që ato që janë shkruar në letër në Tiranë, të vihen plotësisht në jetë në periferi. Po kështu, vështirë se do eliminohen të gjitha cenet e procesit zgjedhor për sa kohë jemi pa një sistem drejtësie të konsoliduar që të monitorojë me skrupulozitet çdo hallkë të procesit dhe të vërë para përgjegjësisë ligjore shkelësin, pa një burokraci të konsoliduar, efikase dhe me integritet, që përgatit lista e dokumente identifikimi rigorozë, apo pa një administratë profesionale e të paanshme publike, që nuk do përdorë mjetet shtetërore për qëllime politike. Për sa kohë këto karakteristika të jenë të pranishme, gjithmonë do ketë arsye apo motive për të denoncuar parregullsi dhe për të vënë në pikëpyetje përsosmërinë e zgjedhjeve. Fundja parregullsi të vogla në zgjedhje janë parë edhe në Florida, Itali apo vende të tjera të zhvilluara. Kjo do të thotë se nëse kësaj radhe ngulitet parimi se zgjedhjet "quhen" vetëm kur janë të përsosura, do ketë gjithnjë hapësirë për humbësit, sidomos kur diferenca të jetë në fijen e spangos, që të pretendojnë se zgjedhjet nuk janë të ndershme sa duhet dhe do përdorin bojkotin për të kërkuar zgjedhje të reja.
Të dyja zgjidhjet kanë kosto oportune të rënda. E sigurt është që asnjë prej tyre nuk vjen pa kosto, dhe se askush nuk mund të thotë që zgjedhja përkatëse është një ilaç i hidhur, por me sukses të sigurt. çështja qëndron në bërjen e një analize kosto-përfitim, duke i krahasuar të dy skenarët. Nga një anë, nëse e pranojmë përmbysjen e situatës aktuale dhe hapim kutitë, i bie që të heqim dorë nga një proces evolutiv i ngadalshëm por i sigurt, sfilitës por i qëndrueshëm, i vështirë dhe i ndërlikuar, por efikas. Kjo do të thotë një cikël të ri, që mund të jetë një mundësi për t‘i dhënë shtysë të shpejtë një lloj udhëtimi supersonik të përshpejtuar drejt Europës, që kapërcen njëherë e mirë ato praktika e abuzime që kanë shërbyer si barrierë ndaj përparimit të vendit, por me garanci të dobëta suksesi, sepse bazohet tek aktorë të komprometuar. Pra, deri diku një lloj lotarie, por që ka premium shumë të majmë.
Nga ana tjetër, moshapja e kutive do të thotë të vazhdojmë sikurse kemi bërë deri tani, me tiparet e breshkës në garën mbarë europiane të tranzicionit postkomunist, me justifikimin se vendi ynë aq e ka takatin që të bëjë përpara, duke toleruar vazhdimin e abuzimeve, por në një masë që vjen e ulet, mosndëshkueshmërinë e manipulatorëve të zgjedhjeve, si dhe këto nivele paaftësie të administratës dhe qeverisjes. Por e gjitha kjo tolerancë e bërë në këmbim të një drejtimi të sigurt, fatmirësisht të pandryshuar, që herët a vonë do na çojë në BE, sikurse na çoi në NATO, të një thellimi të shtratit institucional që konsolidon traditën dhe praktikat demokratike dhe minimizon hap pas hapi mundësitë e liderëve kokëshkretë që të shkaktojnë përmbytje si ajo e 1997-ës.
Autorët e këtij shkrimi, edhe pse janë të tunduar nga ideja e përshpejtimit të procesit të përparimit të vendit dhe të joshur nga nevoja për të bërë hapa gjigandë për të dalë nga gjendja e tanishme, e kanë të vështirë t‘i besojnë ëndrrës së revolucionit në kushtet kur revolucionarët janë bashkëfajtorë të shkeljeve të deritanishme dhe kur revolucionet e kaluara ose kanë dështuar (1997), ose nuk kanë përmbushur siç duhet qëllimet që premtuan (1991). Më mirë t‘i besohet një procesi të sigurt evolucioni, që konsiston në një rritjeje graduale që progreson në varësi të pjekjes së kushteve paralel me kontekstin politik, ekonomik, kulturor e social shqiptar, sesa një aventure me fasadë të fisme, por me gjasa të pamjaftueshme suksesi dhe madje me rrezik të lartë regresi.
Fatkeqësisht, e gjitha kjo sorollatje e tejzgjatur nuk është thjesht lojë fjalësh apo argumentesh, por edhe vetë vonesa ka kosto të mëdha oportune. Nuk mjaftoi shkrehja e pushtetit qendror e vendor gjatë një fushate shteruese që nisi që në vitin 2008, por tashmë po futemi në muajin e gjashtë pas zgjedhjeve të qershorit që nuk është zgjidhur situata. Pra i gjithë viti 2009 shkoi dëm e u bë fli nëpër trysni e tension për një proces zgjedhor që tanimë duhet të ishte bërë automatik dhe i natyrshëm, duke e devijuar vëmendjen, energjitë dhe burimet nga zhvillimi ekonomik, konsolidimi i institucioneve të drejtësisë dhe demokracisë, profesionalizimi i mëtejshëm i administratës, përmirësimi i shërbimeve publike dhe procesi i përmbushjes së kritereve e kërkesave të anëtarësimit në BE. Ka ardhur koha që kjo agoni pavendosmërie të marrë fund e të mos ketë më dilema.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama