Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Liria e fjalës dhe fenomeni Mero Baze

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Liria e fjalës dhe fenomeni Mero Baze

Dje, dhjetëra gazetarë dhe qytetarë të Tiranës u tubuan para selisë së qeverisë shqiptare dhe protestuan kundër dhunës së ushtruar ndaj kolegut tonë, Mero Baze. Ishte një protestë për lirinë e shtypit, por ato tri-katër pankarta me mbishkrime kundër Kryeministrit Berisha dhe agresorit të Bazes, Rezart Taçi, për fat të keq nuk i mbanin gazetarët, por disa punëtorë ndërtimi. Kontaktova dje me shumë kolegë që në kohën e mbretërimit të Berishës së parë, bënim gazetarin e terrenit. Shumë prej tyre thanë se ishin në atë shesh, pasi ishin aty edhe të tjerët, pra për t‘u dukur.

Ashtu siç rëndom shkojmë për të bërë një qokë, diku, ku edhe pse nuk na pëlqen, shkojmë për sytë e botës. Mes kolegësh, ashtu rrufeshëm ne kujtuam ato kohë vërtet të vështira për një punë si e jona, kur nuk kishte as internet, as celular, as zëdhënës dhe ku edhe komunikata më ordinere e policisë që fliste për një aksident rrugor, i ishte rezervuar vetëm dy-tri gazetave që kontrolloheshin nga njerëzit e Berishës.

Por më shumë se kaq, kujtuam një kohë të frikshme kur gardistë, policë e agjentë ndiqnin gjurmët tona dhe shpesh edhe na dhunonin apo përfundonim në polici qoftë dhe për një artikull gazete. Ndërsa oratorët në tubim, edhe ata kolegë tanët, flisnin e kërkonin që qeveria të heqë dorë nga presionet, ne kujtuam edhe Zamir Dulen, ish-gazetarin e "Koha Jonë", i cili sot është shndërruar në një gjysmënjeri, pasi nisi tatëpjetën mendore në një dhomë izolimi në Komisariatin Nr. 3 të Policisë së Tiranës. Kujtuam edhe një ish- tjetër koleg tonin të terrenit, Bardhok Lala quhej. Një ditë atë e rrëmbyen me një makinë "Volkswagen", me ngjyrë jeshile e me targa të huaja, që ishin makinat e SHIK-ut, të cilat ne i njihnim fare mirë, se na ndiqnin kudo.

 Bardhokun e torturuan, e zhburrëruan dhe e hodhën në një kanal pranë kopshtit zoologjik, duke e menduar të vdekur. Pasi u shpëtua fizikisht nga një kalimtar që e pa, as Bardhoku nuk u shpëtua dot mendërisht. Kujtuam edhe kur gardistët hynin në klubin e Fidelit, ish-kafenenë e famshme të gazetarëve në parkun "Rinia" dhe rrihnin në sytë tanë ndonjë politikan të opozitës apo ndonjë gazetar. Kujtuam shumë kusure që kishim provuar mbi shpinë dhe normalisht që bëmë dhe një pyetje: Po gazetari Mero Baze, çfarë bënte asokohe? E ndërsa, bënim këtë pyetje, një botues, në gazetën e të cilit paralajmëroheshin të gjitha të këqijat që do t‘u ndodhin kolegëve të tij dhe opozitës, fliste në mikrofon dhe akuzonte Sali Berishën për dhunë ndaj mediave.

Ne ishim në atë shesh dhe iu bashkuam protestës për dhunën ndaj medias dhe bëmë shumë mirë. Ne iu bashkuam revoltës për dhunën ndaj kolegut tonë, Mero Baze, dhe sërish bëmë shumë mirë. Por, përse shumë gazetarë ishin aty, thjesht sepse duhej të ishin? Çfarë kujtojnë ata nga Mero Baze, përpara se ai dhe gazeta e tij të përfshihej në një përballje të drejtpërdrejtë me Sali Berishën? Ne e dënojmë atë që i ndodhi kolegut tonë, do ta dënojmë dhe nuk do të reshtim të shkruajmë e flasim, jo zoti Baze, por edhe një shofer redaksie të dhunohet nga shteti apo shtesat e tij me emra biznesmenësh. Por ne duhet ta themi atë, që të gjithë e përflasim. Shumica e gazetarëve nuk ishte atje për Meron, por për të demaskuar dhunën.

 Ne duhet ta themi se Mero dhe disa të tjerë që sot bërtasin për lirinë e medias, kanë qenë arkitektët e shumë të këqijave që Sali Berisha u ka bërë mediave që nuk i kontrollonte e nuk i kontrollon. Në gazetën e tij zoti Baze ka shkruar fletërrufe për dhjetëra kolegë gazetarë, botues, politikanë dhe figura publike, të cilët mund të shfaqnin pikëpamje, apo të shkruanin ndryshe nga ç‘mendonte Berisha dhe vetë Meroja. Por sërish ne sot jemi me Meron dhe duhet të jemi me të deri në fund, sepse ai është një njeri i medias dhe u dhunua vetëm e vetëm sepse denoncoi një mashtrim qeveritar.

Zoti Baze e përdori dhe shpërdori gazetën e tij kundër të gjithëve që nuk mendonin si ai dhe Berisha dhe askush nuk i kundërpërgjigjej, pasi të gjithë e dinin: Me Meron askush nuk ia dilte. Por ne sot jemi dhe do të jemi me Meron, sepse ne të gjithë duhet të revoltohemi kur një njeri ngre dorën kundër një gazetari, sepse ai është i pasur, i afërt me qeverinë dhe nuk pranon t‘i kujtojnë aferat korruptive. Në mbrojtje të zotit Baze doli edhe Edi Rama, i cili gjithashtu është mallkuar, sharë e anatemuar shumë herë nga gazeta e Meros. Ai sërish i doli në krah dhe shumë mirë bëri. Kolegu ynë, Mero Baze, është vënë sot në ballë të denoncimit të aferave të familjes Berisha, sepse ai di shumë.

 Ashtu si Adriatik Coli, i cili në pendesë e sipër po rrëfen krimet e Bandës së Durrësit, kolegu ynë, Mero Baze, po rrëfen zullumet e Sali Berishës, pasi ai është njeriu që di më shumë se kushdo tjetër, nga ata që tani nuk janë më pjesë e familjes politike të Sali Berishës. Pavarësisht arsyeve, sot Baze duhet mbështetur, duhet stimuluar dhe duhet mbrojtur, pasi në fund të fundit, të gjithë neve, demokracisë dhe drejtësisë publike i duhet e vërteta. Dhe Mero Baze tani po i shërben të vërtetës.

Por Mero Baze nuk është thjesht një gazetar, ai është një fenomen. Ashtu siç ai i shërbeu dikur Berishës dhe ndikoi tek ai, sot ka të tjerë gazetarë që janë shndërruar në shërbëtorë të politikanëve, majtas e djathtas. Ata po shesin gazetat dhe ekranet në shërbim të njërit apo tjetrit politikan, që shpejt shndërrohet në diktator dhe dhunues i fjalës së lirë. Zoti Baze u bë viktimë e një realiteti për të cilin punoi vetë me shumë zell. Kush më pak e kush më shumë, edhe sot ka gazetarë që me po kaq zell punojnë për politikën dhe për një realitet që kurrë nuk ka për të na u shqitur.

Dje ne dënuam të gjithë bashkë dhunën kundër Mero Bazes dhe ndaj fjalës së lirë, por do të ishte mirë që aty të ishim mbledhur më herët dhe që duhet të mblidhemi edhe në të ardhmen, pa pritur të na rrahin. Ne që kemi zgjedhur të bëjmë punëtorin e shtypit, duhet ta dimë se fjala dhe liria e saj nuk janë të shenjta vetëm kur dikush ngre dorën e na qëllon.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama