Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prioriteti yne, zgjidhja e cështjes came

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 15 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Prioriteti yne, zgjidhja e cështjes came

Dita e fillimit të një legjislature, bërja e betimit si deputet, përmbushja e detyrimit të parë kushtetues ndaj zgjedhesve, është një ngjarje e rëndësishme për çdo njërin nga ne.Qenia ime deputet i Qarkut të Vlorës, është nder dhe privilegj i veçantë, të cilin unë do ta kthej në një angazhim të fuqishëm, të cilit do t‘i qëndroj gjithnjë besnik, duke filluar pikë së pari nga kjo sallë e nderuar e Parlamentit.

Kanë kaluar kohë të veçanta, që kur unë e mora mandatin për të cilin unë u betova. Opozita nuk po e zë vendin e vet në Parlament dhe polemikat vazhdojnë, duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë. Nuk mund ta injoroj në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës, për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet.

Në lidhje me këtë çështje, do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke iu shmangur komunikimit në distancë nga foltoret e mediave. Le të fillojnë këto kontakte jashtë Parlamentit për të negociuar zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pra për të ushtruar pa u lodhur dhe me besim këtë art të vjetër të politikës - negociatën. Negociatë do të thotë se askush nuk ka të drejtë paraprakisht dhe se të gjithë palët duhet të lëshojnë nga pozicionet paraprake, që i kanë tani.

Por, për mua personalisht, ka dhe disa arsye të tjera, që e bëjnë akoma dhe më të veçantë këtë ditë. Bashkë me kolegun tim Dashamir Tahiri, jam në Parlament si përfaqësues i një partie të re, Partisë për Drejtësi dhe Unitet, partia e katërt parlamentare, që ka në boshtin e saj zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Pas një turi takimesh dhe konsultimesh nëpër Shqipëri, ku morëm bekimin për këtë iniciativë të re politike, jam këtu për t‘i dhënë asaj dhe një zë parlamentar, për ta futur atë në kanalet institucionale të diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve me natyrë kombëtare.

Por më lejoni të shfrytëzoj vëmendjen tuaj, për t‘ju drejtuar nëpërmjet këtij fjalimi edhe opinionit publik, duke i sqaruar ata për atë se çfarë përfaqëson PDU në këtë Parlament dhe në jetën publike të vendit. Pse u krijua, çfarë synon dhe si do të arrijë objektivat e veta kushtetuese dhe ligjore. Shkurtimisht, por qartë, do të përcaktoj piketat e asaj se çfarë dua të bëj unë dhe PDU për 4 vjet. Ne jemi shpallur si parti e interesit kombëtar, duke e konsideruar çështjen kombëtare si prioritetin e aktivitetit tonë politik. Ne, një grup intelektualësh, që qëndrojnë prapa iniciativës së themelimit, kemi bindjen se kjo çështje, përkufizimi i saj nuk është diçka e pandryshueshme, por diçka dinamike, pra diçka që është në funksion të asaj se si ndryshon pozita e kombit dhe e popullit tonë në rrafsh rajonal e botëror. Mendojmë se pjesë të kësaj çështje janë:

- Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe funksionimi normal i saj si shtet sovran, deri në integrimin e saj të plotë në BE;

- Përparimi i statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të trajtimit të popullsive me peshë aq të madhe demografike brenda tërësisë demografike të një shteti;

- Zgjidhja e çështjes çame, si çështja më e rëndësishme nga pikëpamja emocionale, e krimit te kryer mbi popullsinë çame në vitet e Luftës së Dytë Botërore, dhe peshës e rëndësisë së këtij komuniteti në vendin tonë;

- Sigurisht, bashkë me zgjidhjen e saj në përputhje me aktet ndërkombëtare, edhe zgjidhja e problemit të pasurive shqiptare në Greqi, zgjidhje që parashikohen dhe nga ekspertë grekë të paanshëm;

- Përpunimi i një zgjidhjeje afatmesme dhe afatgjatë për problemin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, që përfaqësojnë gati 30 për qind të popullsisë shqiptare në tërësi.

Risitë e programit tonë, për realizimin e të cilit, ne kemi përpunuar dhe zgjidhje konkrete, janë disa dhe unë po mundohem t‘i parashtroj ato shkurtimisht:

Ne jemi parti e shqiptarëve të shekullit të 21-të, që e kanë mbi të gjitha interesin kombëtar dhe ndërkohë jemi të bindur se komuniteti çam është pjesa më vitale e patriotizmit modern shqiptar. Shumë është folur për zgjidhjen e çështjes çame, por ne kemi konceptuar disa hapa konkrete brenda frymës së fqinjësisë së mirë, të ligjshmërisë ndërkombëtare, që do të vendosin drejtësi për popullsinë martire çame.

Ky dallim cilësor në programin tonë e bën PDU-në si partinë më të qartë, më të vendosur në zgjidhjen e kësaj çështjeje që kalon nga këto hapa të mirëmenduar.

Ne do të propozojmë që diplomacia jonë të negociojë pikësëpari amendimin e ligjeve greke të viteve 80, që ndërsa lejonin riatdhesimin e gjithë shtetasve grekë të larguar pas Luftës së dytë botërore, e bllokuan këtë për ata shtetas të vendit fqinjë që janë me kombësi jogreke. Këto ligje janë diskriminuese dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën europiane të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ky amendim, që imponohet nga Konventa, do të lejonte riatdhesimin në Greqi të të gjithë çamëve, që do të dëshironin një gjë të tillë.

Pra, ne kërkojmë riatdhesim dhe rifitim të të gjithë të drejtave të humbura prej atij që gjerësisht quhet gjenocid grek dhe nga ekspertë të paanshëm grekë si pastrim etnik. Pra, ne nuk duam thjesht kompensim pronash.
Ne do të punojmë për përpunimin e një studimi fizibiliteti nga një studio ndërkombëtare britanike dhe dhënien e një zgjidhjeje juridike për çështjen çame dhe të pronave të shqiptarëve në Greqi.

Kjo zgjidhje duhet të përpunohet, krahas negociatave diplomatike me qeverinë përparimtare të Papandreut në Greqi, që gjej rastin ta përshëndes. Shpreh bindjen se ajo do t‘i përmbahet në marrëdhëniet me fqinjët, ndjenjës së barazisë dhe sensit të drejtësisë për të cilën ka folur shpesh zoti Papandreu në cilësinë e kreut të opozitës, apo dikur të ministrit të jashtëm. Ne besojmë shumë se zoti Papandreu do të respektojë traditën më të mirë të se majtës greke, që ka realizuar praktikisht hapat kryesore normalizues në marrëdhëniet shqiptaro-greke duke filluar nga i ati i tij me heqjen e Shqipërisë nga lista e vendeve armiq, nga ish kryeministri Simitis që realizoi traktatin e miqësisë me vendin tonë, etj.

Në rast se nuk do të shohim përparim në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë presionin e duhur që këto çështje të shkojnë në gjykatat ndërkombëtare. Ne do të ndërrmarim nismën për t‘i propozuar këtij Parlamenti miratimin e një rezolute për çështjen çame. Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie të kujdeset

dhe të vendosë një lapidar përkujtimor në varrezat e fshatit Klogjer - ku dergjen eshtrat e 2600 çamëve, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Ata vdiqen nga etja, uria, lodhja, në ikjen biblike për t‘i shpëtuar masakrës nga gjenocidi i bandave të Napolon Zervës, për të cilin, si për një ironi cinike, në anën tjetër të kufirit ngrihet një përmendore.

Nuk duhet të harrojmë se këta njerëz të pafajshëm së bashku me rreth 2500 të tjerë, që u vranë e masakruan brenda një javë në qershorin famëkeq të vitit 1944, nuk kishin bërë asnjë faj, ata e pësuan këtë fat tragjik vetëm për shkak të etnisë së tyre, pra vetëm se ishin shqiptare.

I kërkojmë publikisht kësaj qeverie, e veçanërisht ministrit të Kulturës, të akordojë fonde për shtëpine muze të një prej dijetarëve më të shquar shqiptarë me origjinë çame, Hasan Tahsinit, shtëpi e cila mbetet që nga viti 1997 e shkatërruar dhe në mëshirë të fatit. Ne propozojmë një zgjidhje të mirëmenduar të problemit të emigrantëve. Një vend i vogël si yni nuk e ka luksin të injorojë fatin e 30% të popullsisë së vet, diçka thuajse unike në historinë moderne të shteteve.

Vetëm pak ditë më parë, Kosova miratoi ligjin për mërgatën. Dhe ne duhet të miratojmë një ligj të tillë, që parashikon krijimin e një Komiteti Kombëtar për shqiptarët jashtë vendit dhe do të trajtojë në mënyrë institucionale problemet për integrimin e tyre në vendin ku jetojnë, kulturën, mësimin e gjuhës, dhe përfshirjen e tyre në jetën politike të vendit amë. Ne kemi Komitet për minoritetet dhe nuk kemi një strukturë të tillë ‘ad hoc‘ për shqiptarët jashtë vendit. Mos vallë kemi 30% minoritete sa kemi shqiptarë jashtë? Jo, kemi shumë më pak, por i kemi kushtuar një Komitet nën varësinë e Kryeministrit.

Në arritjen e këtyre objektivave, dëshirojmë të bashkëpunojmë shumë me ju, kolegë të të dyja krahëve. Nuk jemi parti ideologjike dhe nuk kemi skrupuj për të refuzuar këtë apo atë krah. Busulla jonë është interesi kombëtar dhe në emër të tij ne do të bashkëpunojmë me të gjithë. Interesi kombëtar është para së gjithash në këtë moment përshpejtimi i integrimit europian dhe ne do të votojmë pro të gjithë atyre ligjeve që e përshpejtojnë integrimin. Ne do të mbështesim të gjithë iniciativat ligjvënëse që e përshpejtojnë zhvillimin e vendit. Por ne nuk do t‘i japim asnjë shumice, sot dhe nesër, asnjë çek të bardhë, pra garanci mbështetjeje të pakushtëzuar, veçanërisht në rastet kur mendojmë se mund të cenohet sadopak interesi kombëtar.

Në punën tonë ne duam të bëjmë një politikë të stilit të ri. Ne do të bëhemi zëri përfaqesues i të gjithë organizimeve të shoqërisë civile që punojnë për të njëjtin qëllim-përparimin në begati të shoqërisë sonë. Do të bëhemi përfaqesues të shoqatave të pronarëve shqiptarë në vend. Nuk mund të kërkojmë zgjidhjen e problemeve pronësore jashte vendit të shtetasve tanë, pa zgjidhur më parë ato brenda vendit.

Shumë kanë folur për çështjen kombëtare. Ne vëmë në dispozicion të kësaj çështjeje të gjithë fuqitë tona, emrin tonë, dinjitetin tonë, mbështetjen e pakufishme të të gjithë atyre që në takime të shumta nëpër territor na kanë besuar. Çamë dhe jo çamë, kudo nëpër Shqipëri. Ne do të gjejmë aleatët e duhur për këtë çështje dhe do t‘i bëjmë presion cilësor të gjithë shumicave, duke filluar nga e sotmja që ta trajtojnë me realizëm këtë çështje. Askush nuk ka të drejtë të na kompleksojë në lidhje me t. Askush nuk mund të spekulojë me kartën e integrimit. Integrimi nuk i zvogëlon shanset e zgjidhjeve të çështjeve të prapambetura si kjo,por përkundrazi i rrit.

Ne mendojmë se konjunktura e sotme rajonale dhe ndërkombëtare flet në favor të shqiptarëve. Ne thjesht duhet të dijmë ta shfrytëzojmë dhe jo të humbim shansin e kohës që jetojmë.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe besojme kolege te nderuar se JU do të na mbështesni në iniciativat tona.

* Fjala që mbajti dje në Kuvendin e Shqipërisë z. Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), i cili u betua po dje si deputet i Qarkut të Vlorës.



Marrë nga Gazeta Shqip

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama