Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rezoluta si amanet

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 12 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Rezoluta si amanet

Fjala “amanet” ka kuptimin e një vullneti të epërm, e një porosie të fundme. Ne, populli çam, që jemi shkulur vetëm fizikisht nga trojet e të parëve, jemi popull i një amaneti të papërmbushur, i një porosie të fundme që nuk ka parë ende jetësim. Është në fakt një porosi e fundme kolektive e gjyshërve, gjysheve tona, e paraardhësve të tyre para se të vdisnin apo që na e përsërisin vazhdimisht ndërsa enden ditëve të fundit të jetës fizike.

Ky amanet është i shkrirë në këngët dhe vallet tona, në folklorin tonë më të mirin në Europë, dhe ndoshta në botë. Ky amanet që nuk vdes kurrë, derisa të përmbushet, është i thjeshtë: gjeni mënyrën na ktheni andej nga vjen origjina jonë, ku është ngjizur ekzistenca jonë, jeta jonë, fillesa jonë si qenie njerëzore, si komunitet. Na ktheni në çdo formë: nëse vdesim, na ktheni hirin apo eshtrat; nëse jemi të gjallë akoma, na ktheni të nderojmë të vdekurit tanë; nëse s’arrini dot ju, përcilljani bijve tuaj amanetin tonë, e kështu me radhë.

Ky amanet na ka ndjekur të gjithëve, dhe është një lloj detyrimi që edhe nëse nuk na përcillet në këtë formë, e ndiejmë njëlloj të gjithë ne pjesëtarët e komunitetit çam. Të gjithë ata që kanë dëgjuar tregimet e bukura të paraardhësve tanë për tokën e bukur nga vijnë, ku kanë lënë shumë gjëra të çmuara e kanë ndier këtë amanet.

Kështu e kam ndier dhe unë, si gjithë të tjerët. Pavarësisht historive tona, angazhimeve tona jetësore, drejtimeve të ndritshme apo të zakonshme që ka marrë jeta jonë, të gjithë ne çamët jemi bartës të këtij amaneti. Mund të duket paradoks, por pse jemi bartës të këtij amaneti postum, që zakonisht jepet në momentin e fundit të jetës së dikujt, ne jemi gjallë si komunitet, ne mbijetojmë, ne forcohemi, ne nuk ndahemi nga njëri-tjetri.

Jam marrë me politikë qëkur isha student i Dhjetorit 1990 deri tani, por dikur thashë: këtë amanet mund ta përmbush nëse i përkushtohem 100% të kohës sime politike. Dhe kështu lindi PDIU-ja si parti e amanetit.

Rezoluta, ose si përmbushet amaneti

Ky amanet nuk është i thjeshtë, sepse që të përmbushet duhet bërë politikë, duhet bërë diplomaci. Hyn në lojë një shtet apo shtete të tjera, hyjnë në lojë marrëdhëniet ndërkombëtare, detyrimet integruese, nga dikush bëhen hesape dhe pazare se sa peshon realizimi i amanetit.

Si formacion politik ne kemi qenë të durueshëm. Ne kemi pritur shumë. I kemi duruar kritikat e atyre që s’duronin duke u thënë: prisni, do vijë dhe dita jonë.

Dhe dita erdhi. Të festosh 100 vjet shtet, më saktë të përkujtosh 100 vjet shtet, të shohësh sa shumë shqiptarë ndihen krenarë që janë shqiptarë, nuk mund të rrish më duarkryq. Duhet të bësh diçka. Duhet të guxosh. Duhet të mendosh të përmbushësh detyrimin tënd, pse hyre në politikë, detyrim i cili ka lidhje me atdheun. Për ne çamët, atdheu është ajo tokë e bukur ku lindën të parët tanë, vatrat e tyre stërgjyshore që tani i ka zënë dikush tjetër, varret e mbuluara dhe të zbuluara. Kështu ne vendosëm që pikërisht sot të paraqesim rezolutën.

Rezoluta që ne paraqesim sot është në fakt amaneti apo testamenti i atyre brezave që ikën pa parë të përmbushur një ëndërr të thjeshtë njerëzore: të kthehen në çdo formë, të gjallë apo të vdekur, në tokën ku lindën. Është në të vërtetë gjithë amaneti kolektiv i të parëve tanë. I pyes veçanërisht kritikët që vijnë nga brenda komunitetit tonë: a nuk gjejnë brenda tekstit të rezolutës gjithçka kanë dëgjuar prej të parëve të tyre, nderimin për varret, tokën, pronën, shtetësinë, lëvizjen e lirë, drejtësinë?
Rezoluta është një dokument i thjeshtë politik, disafaqësh, por prapa të cilit qëndrojnë studime të bollshme ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, qëndron një platformë e vërtetë dhe jo sezonale për zgjidhjen e çështjes çame.

Rezoluta nuk është një akt lufte, por një akt paqeje. Ne nuk po i shpallim luftë Greqisë për kufijtë e vjetër të ekzistencës sonë si komb, por i themi: hiqe gjendjen e luftës që ti mban me ne.

Për pasojë, rezoluta është një akt fqinjësie të mirë, sepse ne nuk po kërkojmë të shtyjmë gardhin, përkundrazi, ftojmë të jetojmë gjithsecilin, brenda sinorëve tanë, siç kemi jetuar në shekuj.

Rezoluta është një akt kujtese, sepse partitë e mëdha politike e kanë harruar çështjen çame apo i kanë detyruar ta harrojnë në negociatat e shumta për integrimin e Shqipërisë.

Rezoluta është akt bashkimi, konsensusi, sepse ne duam që atë ta firmosin të gjithë, të djathtë dhe të majtë, krishterë dhe ortodoksë.

Rezoluta është akt krenarie sepse ne tregojmë që nuk përkulemi, por e mbajmë kokën lart.

Rezoluta është një akt drejtësie sepse ne kërkojmë drejtësi njerëzore, politike, ligjore.

Rezoluta është akt drejtësie europiane sepse ne mbështetemi vetëm mbi ligjet europiane, dhe jo mbi drejtësi imagjinare të dikujt që nuk njeh as ligjet e veta, as të tjetrit, as konventat europiane, as ato ndërkombëtare.

Rezoluta është një akt patriotizmi për të gjithë, sepse atdheu është dhe te kujtimet e të parëve. Ne i respektojmë ata, respektojmë kujtimin e tyre nëpërmjet kësaj rezolute.

Rezoluta është i vetmi akt drejtimi politik i Parlamentit që zakonisht në punën e vet bën vetëm ligje. Epo kush tjetër, veç Parlamentit ku bëjnë pjesë të gjithë do ta detyrojë çdo parti politike që është apo do të vijë në pushtet, që të ketë si busull zgjidhjen e kësaj çështjeje të drejtë?

Rezoluta është vënie e një kapaku për gjithçka është thënë dhe është bërë mbi këtë çështje, me guxim, me ndrojtje, madje është kapak dhe për atë që nuk është thënë nga frika, servilizmi ndaj fqinjëve dhe nga turpi.

Rezoluta është një akt bashkimi. Nëpërmjet pranimit të saj do duhet të ndihen shqiptarë të gjithë, ata që frymojnë shqip, që flasin shqip në vatrat e tyre, siç janë vëllezërit tanë ortodoksë. Do ndihemi të gjithë njëlloj, shqiptarë. Rezoluta do duhet të bashkojë rreth saj, rreth tekstit të saj, rreth amanetit që ajo bart, të gjithë kritikët tanë dhe ata që na kanë mbështetur. Ja kemi falur kritikëve parashikimet prej kasandre se ne nuk do të guxonim ta paraqisnim rezolutën.

Sepse si akt bashkimi mes të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, rezoluta është dhe akt bashkimi mes nesh çamëve. Nëse dikush pas shpalljes së saj do të vazhdojë që pa nxjerrë fytyrën të thotë diçka kundër rezolutës, atëherë turp për të. Haram qumështi i nuve tona, për ca njerëz që dhe në një moment solemn si ky nuk ditën të bashkoheshin, por të rrinë në kurriz të mushkës xanxare të përçarjes, të ndarjes, të shpifjes dhe të përbaltjes së vëllait të një gjaku.

Rezoluta është akt heshtje dhe nderimi solemn. Heshtni armë të luftës politike, të sherrnajës së përhershme; të ngrihet flamuri i kombit. Të nderojmë të vdekurit e pafajshëm, të rënët e vetëdijshëm për atdhe dhe komb. Amaneti po nis e po përmbushet!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama