Mesazhet moderne të Skënderbeut

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 8 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Mesazhet moderne të Skënderbeut

Përvjetori i Besëlidhjes së Lezhës ka kaluar, por ajo është një ngjarje aq e madhe, sa rreth saj, me të në qendër, mund të reflektosh gjatë. Është normale të vijnë në mend ide të ndryshme, frymëzuar nga ky moment historik unik për kombin tonë. Dikujt mund t’i vijë në mend, madje mund ta ketë gjithherë në mendje idenë se i ngjan Skënderbeut, se historia i ka vënë në kurriz barrën e rëndë për të vazhduar misionin e tij apo se roli i tij në historinë moderne të shqiptarëve është i ngjashëm, në mos më i madh se ai i heroit tonë legjendar. Një qasje e tillë, përveç se është grandomane, e që ndoshta duhet trajtuar prej mjekëve, është dhe ahistorike. Kohërat e sotme nuk mund të pjellin më Skënderbenj. Sfidat para kombit janë krejt të tjera; rotacionet politike supozohet se s’lejojnë mbretërime të shpallura apo të pashpallura ku dikush do t’i ngjajë Skënderbeut; institucionet kufizojnë autoritetet në pretendimet e tyre hyjnore apo qiellore etj.

Në këtë kuptim, sot është më e udhës të merremi me mesazhe më tokësore, mesazhe që u mbijetojnë kohërave të gjata që kanë kaluar prej atëherë dhe mbi bazën e këtyre mesazheve të shohim përpara. Kur unë si kryetar i një partie shpalla në fushatën e fundit për zgjedhje lokale idenë e një Rilindjeje të Re Kombëtare, togfjalësh që ma ka grabitur sakaq lideri i një partie të ashtuquajtur të madhe, nuk e ndieja veten si rilindës dhe nuk shihja rreth vetes në Parlament ndonjë rilindës të madh. Thjesht doja të nënvizoja se përballë nesh si klasë politike, në rrugën e përparimit dhe begatimit të kombit shfaqeshin sfida të ngjashme me ato të rilindësve tanë.

Nuk është në natyrën time as si individ, as si parti, të shpall një patriotizëm bërtitës, patetik, antiinstitucional, përçarës, por përkundrazi. Dhe kur flas për një doktrinë politike të Rilindjes së Re, i referohem asaj jo si produkt personal, por si produkt i elitës intelektuale kombëtare të përbashkuar, sipas dy parimeve që vijnë nga koha e Skënderbeut: bashkim i vlerave më të mira dhe ecje kah Perëndimi.

Me idenë e bashkimit, kur unë vendosa të themeloja partinë që sot drejtoj, e shpalla atë si parti të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht të komunitetit çam, të cilit i përkas. Në fund të fundit, unë vetë i përkas një babai çam dhe një nëne tiranase. Ç’kuptim kishte të krijonim një parti vetëm të këtij komuniteti, siç duan ta përkufizojnë disa vëzhgues jo të vëmendshëm? Nëse shumë intelektualë jo çamë kanë bërë shumë për çështjen çame, si do t’u thoshim ne atyre: Ne kemi partinë tonë të çamëve, ju vetëm na ndihmoni, por ne s’duam të merremi me asgjë tjetër, veçse me çështjen çame!? Kjo do të ishte komike! Madje ne që në fillim kemi kërkuar të krijonim një aleancë partish politike të të gjithë hapësirës shqiptare. Pse? Ne e dinim se çështja çame kishte mbështetje të madhe në Kosovë, në Maqedoni, ndaj ne kemi bashkëpunim të mirë me partitë e të gjithë spektrit politik atje. Ndërkaq, me qasjen properëndimore gjenetike të kombit tonë, ne kemi kërkuar bashkëpunimin për zgjidhjen e çështjes çame me një studio britanike. Ne e dimë se të vetëm, me juristët tanë, me diplomacinë tonë, s’mund të arrijmë shumë për zgjidhjen e saj. Ndaj ne po kërkojmë, ne po lobojmë në Perëndim për të gjetur mbështetje për ta zgjidhur atë çështje, që është sot çështja më e rëndë për zgjidhje para kombit shqiptar.

Me këtë qasje, ne si PDIU kemi propozuar idenë e Komunuelthit mbarëshqiptar sipas idesë së intelektualit të shquar Arbër Xhaferri. Një bashkim ekonomik, kulturor etj. i shqiptarëve sipas parimeve mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian. Kjo ide e përmban brenda qoftë mesazhin e bashkimit, qoftë atë të ruajtjes së boshtit perëndimor – që vijnë prej kohës së Skënderbeut. Kjo ide nuk bie në kundërshtim me detyrimet e bashkësisë europiane ku ne duam të anëtarësohemi, por është një realizim i aspiratës sonë kombëtare. Sot, kur ideja e bashkimit po bëhet familjare, kur në arenën publike diskutohen opsione maksimaliste, krijimi i hapësirës kombëtare të zhvillimit ekonomik, puna për integrimin kulturor, gjuhësor, arsimor, është opsioni më realist. Ne të gjithë e duam bashkimin, por shumë nuk dinë rrugën si arrihet tek ai.

Me idenë e bashkimit dhe të afrimit të kombit me standardet perëndimore të mirëqenies, të ndërtimit të shtetit etj., kam bërë thirrje për një strategji kombëtare zhvillimore. Unë jam ekonomist nga profesioni dhe e kuptoj shumë mirë rëndësinë e një strategjie të tillë. Cilat janë prioritetet tona, ku duhet të mbështetemi, avantazhet dhe dizavantazhet krahasuese në rajon dhe më gjerë, mungesat, komplementaritetet etj., dhe mbi bazën e tyre duhet hartuar një strategji zhvillimore mbarëkombëtare. Hapat kuturu në zhvillim nuk lejohen më.

Ne e dimë se një fotografi e faktorëve politikë shqiptarë bashkë e ndërgjegjëson më mirë Europën për forcën tonë. Ne e dimë se një bashkëpunim më i madh i këtyre faktorëve për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, brenda diversitetit tonë programor për politikat e brendshme, do të na forconte si komb. Ndaj ne kemi propozuar që herët dhe një tryezë mbarëkombëtare për të përballur të ashtuquajturin raport të Dik Martit. Ai ishte një raport që sulmonte njëherësh gjithë kombin shqiptar, dhe Perëndimin – SHBA-të, BE-në, NATO-n, dhe pas tij qëndronin kryesisht Rusia dhe Serbia, armiqtë tanë historikë, ndaj ai e meritonte një reagim të përbashkuar.

Ka plot iniciativa të PDIU-së në këtë frymë përbashkuese që vjen nga koha e Skënderbeut. Sot, kur ai ekziston fizikisht vetëm në buste dhe në monumente, është e pafalshme që të bashkohemi- megjithëse me mungesa – vetëm në ceremonitë përkujtimore të tij. Sot nuk mund të shohim shtetin, institucionet e tij, si feude të cilave duhet t’i mungojë uniteti shtetëror. Sot nuk mund t’i shohim shtetet apo komunitetet shqiptare si realitete të ndara prej historisë, që duhet të ndahen dhe më në të ardhmen, por duhet t’i shohim vetëm bashkë. Retorikat e mëdha patriotike me Skënderbenjtë e rinj, s’kanë asnjë vlerë. Janë dhe qesharake, veç të tjerash.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama