Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Euforia, deficiti dhe taksa e fshehte e Shqiptarve

Shkruar nga: Ermelinda Meksi  
Botuar më: 15 vite më parë

Ermelinda Meksi
Euforia, deficiti dhe taksa e fshehte e Shqiptarve

Duke ndjekur, jo pa interes, nëpërmjet televizionit mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë për rishikimin e buxhetit 2009, m‘u kujtua debati në Parlament për hartimin e tij një vit më parë. Nuk ndjeva keqardhje për mungesën time, kur mendova se asgjë nuk do ndodhte edhe po të isha prezente në këtë debat, përveç dekorit gjoja pluralist parlamentar.

Edhe një vit më parë, sikurse këtë vit, debati për buxhetin e vitit 2009, kaloi me shumë nxitim, vetëm me një mbledhje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, pa debat dhe informacion nga institucionet respektive, kur pritej e kundërta dhe kur kriza kishte përfshirë botën e Shqipëria po përgatiste buxhetin e vitit elektoral. Qysh në tetor të vitit të kaluar u shfaqën simptomat e efekteve të krizës financiare ndërkombëtare, si rënia e dërgesave të emigrantëve, depozitave, rrudhja e kredisë si pasojë e tyre, po kështu edhe rënia e importeve, eksporteve etj. Por qeveria nuk donte ta shikonte këtë realitet dhe quante si arritje historike rritjen e të ardhurave doganore.

Një vit më parë, në Parlament, argumentuam me fakte se shtesat si tetëmujor kundrejt një viti më parë në të ardhurat doganore prej drithërave apo të karburanteve ishin vetëm rezultat i rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në tregun ndërkombëtar, pasi sasia e importit të tyre kishte rënë. Paralajmëruam se, në kushtet e krizës globale, ky realitet fiktiv nuk do jetë si më parë dhe kërkuam kujdes e më pak eufori me shifrat e arritjeve, në mënyrë që programimi i rritjes së PPB-së të ishte real. Pretendimi qeveritar se, të ardhurat e realizuara nga dogana (efekt i rritjes së çmimeve ndërkombëtare) ishte produkt i rritjes ekonomike me dy shifra, rezultoi siç e parashikuam: I gabuar. Ndryshe nga viti i kaluar, vlera e zhdoganimit dhe të ardhurat doganore kanë rënë dukshëm sivjet. Nëse ilustrojmë këtë konstatim me zhdoganimin e karburantit si pesëmujor rezulton që: me gjithë rritjen e sasisë së zhdoganimit me rreth 5500 tonë më shumë, vlera e tij është 1,7 miliardë lekë më pak. Prandaj, sivjet me të drejtë pyesim: Përse rritja ekonomike e pretenduar dhe lufta kundër evazionit fiskal nuk po shërben më si argument për rritjen e të ardhurave doganore, por po nxitohet të shpjegohet kjo me uljen e çmimeve në tregun ndërkombëtar?

I. Buxheti 2009, euforia e një viti elektoral

Kryeministri dhe vartësit e tij kanë mbrojtur me kokëfortësi argumentin e paprekshmërisë së Shqipërisë nga kriza globale, si argument të vitalitetit të saj, duke justifikuar kështu djallëzisht shpenzimet marramendëse buxhetore në një vit elektoral. Krejt ndryshe mendonte opozita dhe institucionet ndërkombëtare, si FMN etj., që deklaronin se Shqipëria nuk është e paprekshme nga kriza. Në këto kushte, debati për rritjen ekonomike të Shqipërisë zuri jo pak vend në diskursin politiko-ekonomik të kohës, i cili vazhdon akoma dhe sot. Ky debat shfaqet me diferenca në qëndrime. Nga njëra anë, qeveria insiston se rritja ekonomike në Shqipëri është më e larta në rajon e botë me një rritje të PPB-së prej 6%, e nga ana tjetër kemi qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare dhe opozitës, që tërhoqën vëmendjen për kujdes e maturi në programimin e këtij treguesi. Arsyeja e qëndrimit të dytë ishte maturia në programimin e shpenzimeve të vitit 2009 si vit elektoral.

Sot është i njohur fakti se rritja e një vendi nuk mbështetet vetëm te rezultati i një treguesi, siç është PPB, por si tregues llogaritës. Me gjithë rezervat për mënyrën e llogaritjes së tij në Shqipëri, ai mbetet shumë i rëndësishëm për të parë jo vetëm sa të ardhura krijohen në raport me PPB-në, por edhe sa janë shpenzimet në raport me të, në mënyrë që të ruajmë ekuilibrin makroekonomik.

FMN, një vit më parë, parashikonte që rritja e eksporteve pritej të ngadalësohej, dërgesat e emigrantëve do të ndikohen, investitorët mund të rivlerësonin rreziqet. Prandaj, sipas Fondit, "qeveria duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç‘duhet. Kjo do t‘i mundësonte Shqipërisë ta kalonte furtunën e këtyre kohëve të turbullta dhe përsëri të regjistronte një rritje ekonomike domethënëse midis 3.5 dhe 4% në vitin 2009, me një inflacion të ulët e me një pozicion të përmirësuar të llogarisë korrente".

Këtë pozicion të matur në llogaritjen e rritjes ekonomike që ndikon në programimin e gjithë treguesve të tjerë të buxhetit, veçanërisht në deficitin buxhetor, përkrahu edhe opozita. Në të kundërt, ministri i Financave deklaronte: "Programi i vitit 2009 është realist. Ne kemi programuar që rritja ekonomike të jetë në të njëjtat parametra me vitin 2008, në nivelin 6%, që është dhe rritja më e fortë ekonomike në rajon... Ka hipoteza nga më të ndryshmet... por një ekonomi e lidhur me botën më shumë përmes importeve se sa eksporteve ka më shumë shanse për të pasur një ecuri pozitive". Ditët e fundit, FMN deklaroi se rritja e PPB-së në Shqipëri do të jetë 0.7%.

II. Përse u rishikua buxheti?

Një vit më pas gjithçka rezultoi siç e kishim parashikuar. Për ilustrim, duke iu referuar qëndrimit të ministrit të Financave, realiteti e vërtetoi atë si të pasaktë. Ekonomia jonë është e orientuar nga importi, në sajë të remitancave dhe burimeve të tjera informale. Ndërsa deri në vitin 2007 rritja e depozitave tejkalonte deri edhe GDP-në vjetore, duke filluar prej tetorit të vitit të kaluar ato janë ulur vazhdimisht. Qysh në tremujorin e parë të vitit 2009, FMN parashikoi rritjen ekonomike (PPB) shumë të ulët, 0-1% nga 6.8% në vitin 2008, kurse para një jave FMN përsëriti parashikimin e ulët të rritjes së PPB-së në nivelin 07%. Kjo shifër, pavarësisht deklaratave të përsëritura propagandistike për një rritje të lartë, flet më shumë për një stanjacion të ekonomisë shqiptare; është rezultat i rënies së kërkesës që ka ardhur nga rënia e dërgesave të emigrantëve, rënies së kredisë për ekonominë dhe përkeqësimit të llogarisë korrente. Këtë e vërtetojnë pjesërisht edhe të dhënat e cunguara të statistikave tona, ku sipas INSTAT, treguesi i shitjeve me pakicë të tremujorit të dytë (2009) ka një rritje 1%. Kjo e dhënë mungon për tremujorin e parë apo të tretë, sepse nuk do të ketë rritje (ndryshe nga sa ndodhte vjet, që kur shifra ishte e lartë nuk mungonte të shpallej në faqen e internetit të INSTAT).

1. Pas një rritjeje disavjeçare, vërehet qartë rënia e depozitave dhe kreditimit. Treguesit e depozitave dhe kredisë janë ndër më kryesorët ku mbështetet rritja ekonomike. Vitet e fundit ishte vënë re një rritje e dukshme, si e nivelit, ashtu dhe e ritmit të rritjes të depozitave. Rritja e depozitave ka qenë afro 80 miliardë lekë në 2006, 100 miliardë lekë në 2007, pra më tepër se sa rritja vjetore e PPB-së, duke rënë në 17 miliardë në vitin 2008. Dhe kjo në kushtet e një sistemi bankar të konsoliduar ka përbërë një potencial për ritme relativisht të larta të rritjes së kredisë. Kredia për ekonominë ka pësuar ritme të larta rritjeje; ritmi i kreditimit ka qenë relativisht i lartë (50% në 2007 dhe 35% në 2008, kundrejt një viti më parë). Por niveli i kredisë ka qenë shumë i lartë edhe në terma absolutë. Mjafton të mbahet parasysh se në vitin 2007 teprica e kredisë u rrit me rreth 100 miliardë lekë dhe 103 miliardë lekë në vitin 2008, pra më shumë se rritja e GDP-së. Në këto rrethana ka ndodhur dukuria që, edhe vitin e kaluar Shqipëria ka mundur të ruajë ritme relativisht të larta të PBB-së, mbi 6%. Por situata ndryshoi pas fillimit të krizës globale financiare dhe ndikimit të saj edhe në ekonominë shqiptare. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, kur ndikimi i krizës filloi të shfaqet edhe te ne, vërehet rënia e depozitave bankare, të cilat nga 667.7 miliardë lekë në fund të shtatorit, ranë çdo muaj, duke arritur në 604 miliardë lekë në fund të muajit mars, e pas ulje-ngritjeve mujore arritën në 614 miliardë në qershor dhe 637 miliardë në gusht të këtij viti -sipas Bankës së Shqipërisë - pa arritur nivelin e tyre të para-rënies. Kjo rënie në depozita u shoqërua me tkurrjen e saj. Kjo duket qartë sidomos në muajin dhjetor 2008, kur shtesa e kredisë është vetëm 1 miliard lekë, kur gjatë muajve të tjerë të vitit 2008 ka qenë në nivelet e shtesës prej 8-12 miliardë lekësh. Për herë të parë, në muajin qershor, pas kontraktimit të kredisë u vu re rënia absolute e saj në nivelin e 417 miliardë lekëve apo 6 miliardë më pak se një muaj më parë, duke u ngritur përsëri në 423 miliardë lekë në muajin gusht.

Rritja e kredive të këqija që për 2008 (9,5%) ka sjellë shtrëngimin e standardeve të kredidhënies. Kreditimi u bë më i rrallë dhe më i shtrenjtë, duke sjellë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, të zhvillimit të biznesit, e për rrjedhojë edhe të të ardhurave buxhetore. Prandaj, në buxhetin e rishikuar (që në mënyrë qesharake, mazhoranca guxon dhe e quan suplementar) të vitit 2009 propozohet ulje e të ardhurave me 7.7 miliardë lekë duke ulur të ardhurat e planifikuara nga TVSH, Akciza, të ardhurat doganore dhe tatim-fitimi, që janë reflektim i drejtpërdrejt i rënies së aktivitetit ekonomik të biznesit, si rezultat i efekteve të sipërpërmendura.

2. Ndërsa vjet në të njëjtën periudhë vërehej rënie e ritmeve të importit dhe eksportit, gjithsesi kishte rritje të volumit të tregtisë së jashtme në nivelin e rreth 16%. Ky volum në rritje i tregtisë së jashtme ndikoi në rritjen e të ardhurave buxhetore të vitit 2008. Sivjet situata është shumë e zymtë, ku si në eksporte dhe importe kemi rënie të tregtisë, që kanë dhënë efektet e tyre në uljen e të ardhurave buxhetore. Kjo do të thotë se biznesi ka pakësuar dukshëm investimet dhe se aktiviteti ekonomik në përgjithësi ka rënë. Si shtatëmujor (sepse për këtë periudhë kemi të dhëna statistikore nga INSTAT) vlera e eksporteve ra me 30%, kurse e importeve me 17%. Kjo situatë ka nevojë për analizë, sa kjo ulje vjen nga rënia e tregtisë dhe sa nga rënia e çmimeve. Në mungesë të statistikave, këtë analizë e kemi të pamundur, prandaj i takon qeverisë të japë shpjegime. Ndërkohë, qytetarët pak apo aspak, kanë ndjerë uljen e çmimeve në tregun ndërkombëtar, kjo edhe si rezultat i zhvlerësimit të lekut.

3. Deficiti i llogarisë korrente shënon rekord historik. Deficiti i llogarisë korrente për vitin 2008 ishte 1.3 miliardë euro ose 14,9% e PPB-së, krahasuar me 831 milionë euro në vitin e kaluar ose 10,4% të PPB, duke tejkaluar edhe vitin 1997, kur vendi gjendej në anarki të plotë. Sivjet ky deficit është thelluar më tej, i ndikuar kryesisht nga ngadalësimi i remitancave dhe rënia e shpejtë e eksporteve për këtë vit. Ky tregues vë në dyshim stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti i llogarisë korrente është shoqëruar me rënien e vlerës së monedhës vendase. Në një ekonomi si ajo e Shqipërisë, e orientuar nga importi, zhvlerësimi i monedhës shoqërohet me ulje të fuqisë blerëse të popullatës, si dhe vështirësi në rritje për shlyerjen e kredive në valutë, që ka çuar në rritjen e kredive të këqija në nivelin e 9,3%.

III. Manipulimi me shifrat dhe cenimi i stabilitetit makroekonomik

Megjithëse në programin e qeverisë përmendet se ruajtja e stabilitetit makroekonomik është qëllimi kryesor i saj, në shifra situata është krejt tjetër.

Të ardhurat buxhetore gjatë vitit 2009 në fakt u rritën shumë më ngadalë se shpenzimet, duke thelluar deficitin buxhetor si asnjëherë më parë. Konkretisht, ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore ka rënë nga një muaj në tjetrin nga rreth 13% në tremujorin e parë në 7.9% në qershor, 6.4% në korrik, ndërsa si 8-mujor ishte 5.4%. Pra, ritmet e rritjes së të ardhurave kanë rënë dukshëm. Në vitin e kaluar të ardhurat si shtatëmujor ishin 26 miliardë lekë më tepër se një vit më parë, kurse sivjet ato janë rritur vetëm 10.3 miliardë lekë. Me këtë nivel rritjeje, mbështetur në realizmin faktik të vitit të kaluar, të ardhurat buxhetore në fund të vitit pritet të arrijnë: 290 X 1.054=305.765 milionë lekë (PPB 2008 X ritmin e rritjes së të ardhurave). Ky tregues, pavarësisht korrigjimit në rritje që do vijë nga a) rritja e të ardhurave buxhetore për efekt të zhvlerësimit të lekut; apo b) rritja e të ardhurave prej ndryshimit në rritje të tatim-taksave (akciza e cigares, kafesë etj.) nuk pritet të arrijë më shumë se 310 miliardë, shifër kjo më e vogël se 327 miliardë lekë, që u parashikua gjatë rishikimit të buxhetit 2009. Por mbi ç‘bazë është llogaritur në buxhet rishikimi në nivelin 327 miliardë lekë? Manipulimi me shifrat e buxhetit është përsëri bazë në rishikimin e tij, për sa kohë që ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore parashikohet 12.7 për qind, pavarësisht nga ecuria e tyre si 8-mujor 5,4%. Pra, 290.1 X 112.7=325.78 miliardë lekë ose e rrumbullakosur 327 nga 336 miliardë lekë në buxhetin fillestar. Kjo shifër është e pabesueshme, sepse në katër muajt që mbeten shtator, tetor, nëntor, dhjetor duhet të realizohen të ardhura rreth 132, kur si tetëmujor u realizuan 195 miliardë lekë, ose në muajt që mbeten të realizohet një e ardhur 33 ndaj 24 miliardë lekë në muaj të realizuar si 8-mujor.

Ky manipulim bëhet për të justifikuar rritjen galopante të shpenzimeve dhe për të manipuluar përsëri deficitin buxhetor që në fakt do të jetë më i lartë se niveli i rishikuar në buxhet i cili megjithatë rritet në mënyrë të frikshme. Në kushtet kur të ardhurat ulen ndërsa shpenzimet mbeten të pandryshuara, deficiti rritet nga 55 në 75 miliardë lekë, ose nga 4.6% të PPB-së në 6,4% të PPB-së sipas buxhetit të rishikuar. Ky nivel i lartë i deficitit ndodh kur perspektiva e eurozonës për të cilën flet me gëzim kryeministri kushtëzon disa kritere, një nga të cilët është niveli i deficitit 3% të PPB-së. Produkti i Përgjithshëm Bruto (PPB) sipas gjithë parashikimeve të analizuara në shkrim, por dhe sipas FMN-së dhe BSH-së nuk ka gjasa të rritet siç është parashikuar 5,8%, si dhe duke pasur parasysh që të ardhurat nuk mund të arrijnë nivelin e rishikuar prej 327 miliardë lekësh, deficiti buxhetor pritet të arrijë nivelet 7-8% të PPB. Deficiti buxhetor i rritur dhe, për pasojë, edhe rritja e kostos së borxhit (bonot arritën 9.3% interesa pa folur për interesat për kredinë në valutë me mbi 11%) lidhet, nga njëra anë me performancën e ulët të mbledhjes së të ardhurave për arsyet që u analizuan në këtë shkrim dhe nga ana tjetër me shpenzimet galopante në këtë vit elektoral. Ndërsa, një vit më parë deficiti shfaqej në qershor në nivelin e 2,4 miliardë lekëve, kurse në vitet e mëparshme ai shfaqej në tetor apo nëntor, sivjet batërdia elektorale e shiritave të prerë e shfaqi atë qysh në shkurt dhe bëri që deri në korrik të ishte realizuar 78% e deficitit vjetor, kurse në fund të gushtit më shumë se 90% e tij. Ishte kjo arsyeja që detyroi qeverinë të rishikonte buxhetin, që të mos shkelte ligjin, për të cilin gjithsesi kam rezerva nëse është respektuar.

Si përfundim: Fenomeni i deficitit që vërehet sivjet nuk është përsëritur në historinë e financave shqiptare që prej 1996. Ky është modeli "Berisha" që abuzon njësoj si në 1996 edhe në vitin 2009, me deficitin buxhetor dhe investimet publike, duke bërë që nga njëra anë të influencohej në vendimmarrjen e zgjedhësve dhe nga ana tjetër të mbuloheshin shpenzimet marramendëse të fushatës elektorale.

Kjo situatë ka sjellë me vete koston e saj, që shqiptarët prej kohësh po e paguajnë nëpërmjet zhvlerësimit të lekut, si një taksë tashmë të fshehtë, e cila duke perifrazuar nobelistin Friedmanit s‘ka nevojë për ligj. Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit, është thjesht një taksë që qeveria ua ka ngarkuar shqiptarëve në kurriz, për të mbuluar shpenzimet paraelektorale, përfshirë edhe rritjen e pagave e pensioneve nga 1 maji. Zhvlerësimi i monedhës kombëtare është një lloj takse që nuk fal askënd dhe paguhet nga të gjithë.

Pavarësisht demagogjisë qeveritare për taksa të ulëta, ato priten të rriten me ligje të posaçme në të ardhmen. Kjo sepse mbetet pak pronë shtetërore për të privatizuar, si vitin e shkuar, për të përballuar pagesën e rritur të borxhit publik të një qeverie të papërgjegjshme për pasojat e shpenzimeve të saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama