Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk ka një, por dy Maqedoni!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Fevziu
Nuk ka një, por dy Maqedoni!

Akademia e Shkencave e Maqedonisë ka tërhequr botimin enciklopedik që hapi debatin më të madh mes dy etnive kryesore, që përbëjnë Republikën e Maqedonisë, shqiptarëve dhe maqedonasve, me justifikimin për ta rishikuar sërish atë. Nuk ka asnjë dyshim që tërheqja dhe rishikimi u bë pas protestave të forta në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri si dhe pas insistimit të ambasadave amerikane dhe britanike në Shkup, që ishin përfshirë befas edhe ato, pa dëshirën e tyre në vorbullën e diskutimit.

Nuk dua të merrem me tekstin e Enciklopedisë që ka lidhje me shqiptarët dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Enciklopeditë e vendeve ballkanike janë të mbushura me pasaktësi të tilla të qëllimshme historike; nuk dua të merrem as me shndërrimin e një teksti enciklopedik në një pasqyrë thashethemesh si ato sipas të cilave SHBA dhe Britania kanë stërvitur UÇK–në e Maqedonisë në vitin 2001; as me kompleksin e vazhdueshëm të maqedonasve, që në kërkim të një identiteti kombëtar, kanë filluar një fushatë përplasjeje me Greqinë, Bullgarinë dhe tashmë së fundi edhe me shqiptarët.

Nuk dua të gjykoj as akademikët maqedonas, që nga teksti duket se janë produkt i mirëfilltë i shkollës ideologjike të nacionalkomunizmit, si për fatin e keq janë edhe hartuesit e enciklopedisë shqiptare që sapo është botuar. Këto janë të gjitha probleme që kanë rëndësinë e tyre, por që unë nuk besoj se janë thelbi. Sipas meje, thelbi qëndron në atë që shqiptarët dhe maqedonasit kanë dy vështrime tejet të ndryshme të shikimit të historisë, të gjykimit të njëri–tjetrit dhe të ndërtimit të shtetit të tyre. Nuk ka asnjë dyshim, dhe kjo u shpreh, se maqedonasit besojnë se janë aty përpara nesh, trashëgimtarë të Aleksandrit të Madh, emrin e të cilit ia kanë vënë një dyzine sheshesh, aeroportesh etj.; nuk ka asnjë dyshim që ne mendojmë dhe jemi të bindur se kemi qenë në ato troje përpara tyre.

Kjo është një mënyrë e shikimit të historisë së shkuar dhe të debatueshme prej kohësh. Por shqiptarët dhe maqedonasit kanë një mënyrë krejt të ndryshme të shikimit dhe të historisë aktuale. Pak kilometra nga Tetova ngrihet një përmendore në kujtim të 5 pjesëtarëve të UÇK–së të vrarë në mars 2001. Teksti përkujtimor i quan ata dëshmorë të vrarë në betejë me trupat maqedonase. Për shqiptarët ata janë heronj; për maqedonasit ata janë terroristë. Si do ta mësojnë fëmijët shqiptarë dhe maqedonas në shkollë, historinë e vitit 2001? Si do të reflektohet kjo në enciklopedinë e një shteti, të përbërë nga dy etni që nuk gjejnë në asnjë vend pika të përbashkëta me njëra-tjetrën?

Po shkoj më tej. Maqedonasit refuzojnë anëtarësimin në NATO për hir të një problem identitar. Ata nuk bien dakord me Greqinë për çështjen e emrit. Por për 30% të popullatës shqiptare të Republikës së Maqedonisë, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Shqiptarët duan të anëtarësohen në NATO, BE, të ecin përpara dhe s’kanë asnjë kompleks identiteti.

Fatkeqësisht, ajo që duhet thënë sot dhe që problemi i enciklopedisë e nxori në shesh, është se nuk kemi një, por dy Maqedoni. Një Maqedoni të shqiptarëve dhe një tjetër të maqedonasve. Se kemi një shtet, por që në thelb nuk funksionon si i tillë.

Eksperimenti për një shtet unik maqedonas, i sponsorizuar me shumë shpresë nga komuniteti ndërkombëtar, për fatin e keq ka dështuar në terren. Shqiptarët jetojnë gjithnjë e më shumë në hapësirat e tyre në perëndim të Maqedonisë. Sa më shumë ata vetadministrojnë territoret e tyre, aq më shumë ato bëhen homogjene etnikisht, maqedonasit largohen. Po kështu me lindjen e Maqedonisë, ku shqiptarët po largohen drejt perëndimit ku jetojnë në komunitete të unifikuara etnike. Interesat janë po ashtu të ndryshme.

 Shqiptarët e Maqedonisë, nga Struga në Tetovë, mund të të flasin për çdo problem të politikës së Shqipërisë e Kosovës, por pak ose aspak për problemet që kanë lidhje me shtetin ku jetojnë. Për ta, Sali Berisha apo Hashim Thaci, janë më të rëndësishëm se sa Gruevski apo Ivanovi dhe ky është një fakt.

Problemi i enciklopedisë nuk është thjeshtë problem i disa historianëve apo akademikëve demode, të formuar në kohën e komunizmit, që hedhin në treg një tekst provokativ. Problemi i enciklopedisë është problemi i mungesës së një koncepti të qartë dhe perspektive të një shteti të vërtetë të Maqedonisë, ku maqedonasit dhe shqiptarët do të jetojnë si të barabartë dhe me interesa të njëjta. Për fatin e keq të vetë Maqedonisë, kjo nuk ndodhi dhe vështirë se do të ndodhë. Ndaj, probleme si ky i enciklopedisë mund të përsëriten çdo ditë dhe në realitet, ne do të kemi ndoshta një Republikë të Maqedonisë, por në fakt, dy vende të ndryshme, Maqedoninë e maqedonasve dhe Maqedoninë e shqiptarëve…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama