Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 15 vite më parë

Adri Nurellari
TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER

TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER

botuar tek gazeta Shqip
www.adrinurellari.com

Eshtë bërë tanimë traditë në Shqipëri që, çdo sezon turistik të shoqërohet me komente entuziaste për ecurinë dhe zhvillimin "marramendës" të turizmit shqiptar. Toni i papërmbajtur optimist me të cilin komentohet turizmi shqiptar, si dhe të dhënat, gati-gati të kujtojnë arritjet e planeve pesëvjeçare të komunizmit. Vetëm se ka ndryshuar terminologjia, jo përqasja. Atëherë kapërcehej plani, sot me sa duket kapërcehen parashikimet.

Në fakt, kjo mani për të thurur lavde ndaj turizmit apo potencialit turistik shqiptar është jo vetëm e pavërtetë, por edhe e rrezikshme. Pasi ky inkurajim i tepruar i politikave qeveritare dhe i amplifikuar prej mediave apo aktorëve të tjerë stimulon një deformim të ekonomisë, duke bërë që gjithnjë e më shumë burime të çohen në një sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria. Kuptohet që të qenurit në Mesdhe dhe Europë na rezervon edhe neve njëfarë hapësire për të pasur turizëm në përmasa modeste, por kurrsesi nuk mund të jetë turizmi shtylla mbajtëse e ekonomisë sonë, e aq më pak epiqendra e investimeve publike dhe private.

Pikësëpari duhet pasur parasysh konkurrenca: sa hapësirë ka në tregun ndërkombëtar për ne? Mjafton të shikohet se sa kilometra bregdet kanë vendet e afërta të Mesdheut për të kuptuar sa të vobektë jemi ne me potencial bregdetar. Sipas librit të fakteve të CIA-s, Greqia ka një linjë bregdetare prej 13676 kilometra (më shumë se një e treta e ekuatorit, i cili ka një gjatësi prej 40092 kilometra), Italia 7600 kilometra, Turqia 7314 kilometra, Kroacia 5835, kurse Shqipëria vetëm 362 kilometra (pothuaj një e treta e bregdetit të ishullit grek të Kretës). Për mos të folur pastaj për cilësinë dhe bukurinë e bregdetit, praninë e monumenteve, florën dhe faunën, reputacionin ndërkombëtar etj., etj.

Një njeri që flet për plazhe shqiptare të virgjëra e të pashkelura, për një perlë në Mesdhe, është pa dyshim një romantik i padalë dhe i keqinformuar, që nuk e ka bredhur as bregdetin shqiptar të infektuar anembanë nga një epidemi ndërtesash të shëmtuara, dhe as bregdetin e vendeve fqinje, që mbetet ende larg të qenurit tërësisht i saturuar. Mjafton të bësh një vizitë në qindrat e kilometrave të bregdetit të rajoneve të Pulias e Kalabrisë në Itali, Peloponezit në Greqi apo Makarskës dhe Korçulës në Kroaci për të përvetësuar tamam domethënien e shprehjes bregdet të pazhvilluar dhe për të kuptuar që nuk është aspak një rastësi që, në bregun tonë nuk gjendet qoftë edhe një hotel apo resort i vetëm i ndonjë prej kompanive të mëdha ndërkombëtare hotelerike.

Ky iluzion është fryrë nga disa rrethana, ndër të cilat spikat në rend të parë izolimi. Shqiptarëve të Shqipërisë u janë shtuar të ardhurat, por jo mundësia për të udhëtuar, e për rrjedhojë pushimet u është dashur t‘i kalojnë këtu, në pamundësi për të marrë viza. Nga ana tjetër, sasinë më të madhe të të ardhurave të turizmit e sjellin emigrantët, të cilët detyrohen të kombinojnë çlodhjen me çmalljen me të afërmit e kthehen të kalojnë pushimin në Shqipëri. Mirëpo, nëse hiqen vizat, siç edhe pritet, në janar të vitit 2011, kjo situatë ka për të ndryshuar. Shqiptarët, ende të padalë, do të vërshojnë të eksplorojnë Perëndimin, jo vetëm për të parë ato vende të famshme që deri më sot i kanë shijuar vetëm në ekran, por edhe sepse zbulojnë një larmi shumë më të madhe e cilësore ofertash turizmi, që shpesh ka për të qenë shumë më e leverdishme se bregu i Jugut.

Emigrantët do të preferojnë të ftojnë familjarët e tyre aty ku ndodhen e të pushojnë tjetërkund, sesa të kthehen në Shqipëri për periudhën e verës. Përpos faktit që, me kalimin e kohës edhe emigrantët po i ftohin lidhjet me Shqipërinë, po u rriten fëmijët, të cilët shpesh janë plotësisht të asimiluar e do të integrohen më shumë në tregjet turistike të vendeve të adoptuara. Grupi i dytë i konsumatorëve të turizmit shqiptar janë pa dyshim bashkatdhetarët e Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët sikurse shtetasit e Shqipërisë kanë pasur vështirësi për të udhëtuar. Maqedonisë do t‘i hiqen vizat në janarin që po afron dhe shtetasit e këtij vendi do t‘u rikthehen brigjeve të Greqisë. Edhe kosovarëve, herët a vonë, do t‘u hiqen vizat, dhe sikurse po ndodh me emigrantët tanë, edhe atyre do t‘u ftohet delli apo kurioziteti patriotik për të vizituar Shqipërinë.

Pra, turizmi ynë është inflacionuar në një farë mënyre si pasojë e disa rrethanave të përkohshme izolimi dhe kjo periudhë, prej një dekade, gjatë së cilës kemi pasur një klientelë të garantuar turistike nuk është shfrytëzuar aspak për ta ngritur ofertën tonë hotelerike në një nivel që të konkurrojë në nivele ndërkombëtare. Përkundrazi, është menduar se situata e izolimit do jetë jetëgjatë, e për rrjedhojë, është ngurtësuar e njëjta mënyrë e të ofruarit turizëm në Shqipëri.

Mirëpo, në vendin tonë po vihen re edhe premisa të tjera që zvogëlojnë edhe vetë këtë klientelë "të garantuar" e që lënë të mendohet se investimet e deritanishme kanë për të shkuar dëm. Një pjesë e mirë e ndërtimeve buzë detit janë ndërtim banesash e jo hotelesh, që do të thotë se një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh, që deri dje merrnin hotele, tanimë zotërojnë apartamente ku gatuajnë vetë dhe kanë për të shpenzuar më pak se më parë gjatë pushimeve. Këtu përfshihet edhe një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, që kanë blerë apartamente në Durrës, Shëngjin apo gjetkë, por që deri dje paguanin për hotele. Edhe ata që marrin me qira ambiente apo shkojnë nëpër restorante nuk kënaqen më me pak, si më parë, kanë rritur pritshmërinë dhe kërkesën për cilësi në shërbim, që do të thotë se bashkë me konkurrencën në rritje, po i detyrojnë restorantet apo hotelet ekzistuese të ulin marzhin e fitimit për shërbimet apo produktet që ofrojnë, duke e bërë këtë biznes më pak të leverdishëm. Nga ana tjetër, janë masivizuar që tani ofertat për të udhëtuar e pushuar jashtë në Turqi, Kroaci e vende të tjera.

Është i vërtetë shtimi i numrit të vizitorëve të huaj që rezultojnë se kanë hyrë në Shqipëri, mirëpo me numrin dhe natyrën e tyre spekulohet. Një pjesë e mirë e atyre që kanë hyrë me shtetësi të huaj në Shqipëri janë emigrantë shqiptarë të legalizuar në vendet ku kanë emigruar e që zotërojnë pasaportën e një shteti të huaj. Përveç kësaj, një pjesë e mirë e të huajve që kanë hyrë janë eksploratorë, ‘backpackers‘ dhe jo pushues klasikë, të cilët janë të gatshëm edhe të paguajnë më shumë. Pra, bëhet fjalë për të huaj që derdhin në xhepat e turizmit shqiptar shumë më pak sa, ta zëmë, një emigrant shqiptar i Italisë, i kthyer për pushime. Këta të huaj, që po vihen re të vizitojnë vendin tonë, vijnë shpesh me çadra për të parë Veriun apo me kampera e makina me rulotë, duke shpenzuar shumë pak ose që zbresin për një ditë shkurtimisht sa për të parë Butrintin. Për të thënë të drejtën, kjo është edhe tipologjia e turistit që mund të pretendojmë se do joshim në një treg ndërkombëtar turizmi. Individë kureshtarë në kërkim të aventurës, të joshur nga pushime aktive e kuptimplota e që do e vizitonin Shqipërinë të ndjellë nga diversiteti fetar, kulturor, etnografik, monumental apo thjesht sepse vetëm vendi ynë u ka mbetur i pashkelur nga Europa. Vështirë se mund të priten pushues në bregun tonë të rrëmujshëm, me trafik e shërbime përtokë, ku vetëm pushim nuk bëhet. Sipas të gjitha gjasave, ne do mund të thithim udhëtarë eksploratorë.

Pavarësisht se nuk janë bërë studime të mirëfillta cilësore lidhur me potencialin tonë turistik apo mënyrën më të mirë të zhvillimit të turizmit shqiptar, bregdeti ynë tashmë është masakruar, shpesh në mënyrë të pakthyeshme. Po kështu, është e zorshme të shpresojmë që çmimet e apartamenteve të blera buzë detit sot, do rriten mot, me shpresën se së shpejti do vijnë blerës potencialë të huaj. Këta blerës të huaj të mundshëm të apartamenteve të bregdetit tonë, pa dyshim që kanë për të hezituar për një kohë të gjatë për t‘i blerë këto apartamente për sa kohë nuk kemi ndonjë nam të mirë, kur vazhdojmë të kemi kriminalitet të lartë, kur kemi probleme me pronat dhe ligjin, kur mungojnë elemente bazike si uji i vazhdueshëm, parkimi, pastërtia kolektive, sistemet e ujërave të zeza etj. Aq më tepër që apartamentet në bregdetin e Turqisë, Tunizisë e Egjiptit janë më të mira dhe më të lira se te ne.

Fatkeqësisht, ky iluzion është vaditur dhe kultivuar akoma më shumë prej politikave qeveritare gjatë viteve të fundit, ku spikasin veçanërisht parulla si "shqiptarët, sytë nga deti" apo "shtoni katet e shtëpive në bregdet". Investimet tejmase të reklamuara në ndërtimin e rrugëve në bregun jonian inflacionojnë akoma më tepër mitin se turizmi do jetë çelësi i begatisë së shqiptarëve. Inkurajimi ndaj turizmit familjar nuk bën gjë tjetër përveçse i hap dritën jeshile vijimit të ndërtimeve pa leje e pa kriter, që e kanë shndërruar Himarën nga xhevahir monumental e historik në ndotje estetike. Këtë linje reklamimi të tepruar të fryrjes së turizmit shqiptar e kanë ndjekur edhe mediat, të cilat nuk rreshtin së shtypuri faqe apo së dhëni kronika të gjata nga bregdeti, thua vetëm ne kemi det dhe se ai yni është më i miri. Flitet për investitorë të mëdhenj anglezë apo izraelitë, që befas u kujtuan për bregdetin tonë e po vërshojnë të interesohen për të ndërtuar e blerë. Dhe kur? Pikërisht në një periudhë, kur çmimet e apartamenteve të bregdetit të Spanjës kanë pasur një rënie prej 60% në çmim. Kuptohet, këtu luajnë edhe interesat ekonomike të ndërtuesve të apartamenteve dhe fshatrave turistikë, të cilët ngrenë lart potencialin turistik të bregdetit tonë për të ringjallur shitjet e mijëra metrave katrorë ndërtimi, të mbetura stok.

Mirëpo, kjo fryrje artificiale e këtij sektori qëllon edhe në një moment të keq të tregut ndërkombëtar të turizmit, i cili ka qenë ndër viktimat kryesore të krizës globale financiare. Në kushte krize, gjëja e parë që bëjnë njerëzit është heqja dorë nga gjërat jo të domosdoshme, siç është turizmi, gjë që ka çuar në një rënie të ndjeshme të sektorit në të gjithë botën. Franca, gjatë kësaj vere, ka pasur dy të tretat e turistëve të vitit të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, Italia ka pasur një rënie prej 10% të turistëve, kurse Spanja prej 8%. Po kështu, paratë e harxhuara nga turistët kanë rënë. Në Portugali, turistët kanë sjellë 13.2% të holla më pak se vjet, kurse në Greqi 14.7% më pak. Prandaj, tani që mbaroi ky sezon do të ishte mirë që të vinim me këmbë në tokë e ta pranonim që investimi me kësilloj përmasa në turizmin shqiptar nuk është dhe aq vendim i mençur. Ka sektorë të tjerë të lënë pas dore, si bujqësia dhe industria e lehtë, që premtojnë shumë më tepër qëndrueshmëri dhe siguri të investimeve. Mirëpo, këta sektorë penalizohen, jo vetëm sepse një pjesë e kapitalit që potencialisht do ishte hedhur tek to po shkon e fundoset në ndërtime turistike, por edhe sepse shumë pronarë në bregdet apo mal nuk i shesin apo kultivojnë tokat që kanë në zotërim, sepse iludohen që prona e tyre ka të ardhur të ndritur turistike, e për rrjedhojë, presin blerës me çmime të larta, ndaj nuk denjojnë ta përdorin për frutikulturë apo hortikulturë, edhe pse çmimet e produkteve të këtyre kulturave kanë ardhur në rritje. Po kështu, kjo turisto-mania e shoqëruar nga ndërtimo-mania ka çuar në fryrjen e tepruar të çmimeve të tokës, duke e bërë të vështirë investimin në industri, pasi çmimi i tokës ku do të donin të ndërtonin fabrikën, shpesh shkon më shumë se kostoja e ndërtimit dhe teknologjisë së nevojitur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama