Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha II ose korrigjim i historisë!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Fevziu
Berisha II ose korrigjim i historisë!

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kompozuar dje Qeverinë Berisha II. Një kabinet po prej 15 ministrash, që kësaj here ndryshe nga 4 vjet më parë nuk ka më në përbërje të tij një seri kryetarësh minipartish, por një koalicion bazik me LSI-në, parti e majtë e drejtuar nga ish-kryeministri socialist i suksesshëm gjatë viteve të qeverisjes së tyre, Ilir Meta.

Komenti i emrave të kabinetit në vetvete nuk duket se ka rëndësi të veçantë. Qeveria e 15 që Shqipëria ka pasur në 18 vite të pluralizmit politik, pa përfshirë rifreskimet e herëpashershme të secilës prej tyre, duket se është mbështetur mbi dy parime: E para, të jetë një qeveri e mirëfilltë politike dhe, e dyta, që një ekip fitues në zgjedhje nuk ka përse të ndryshohet pas tyre.

Berisha duket se i ka pasur parasysh të dyja këto. Në qeveri janë përfshirë të gjitha figurat e mirëfillta politike të Partisë Demokratike, në një masë të tillë sa nuk mund të thuash se ka mbetur jashtë saj, një personazh i spikatur që e meritonte një gjë të tillë. Kriteri politik ka qenë ai bazik, shoqëruar më pas me përfaqësimin gjeografik, kriterin profesional dhe atë fetar.

Në parimin tjetër, Berisha ka preferuar të mos largojë nga qeveria asnjë prej emrave të spikatur që kanë pasur një rol në fitoren e zgjedhjeve dhe kanë mbajtur peshë në fushatë. Ai ka bërë lëvizje paralele, duke ulur në tryezën e qeverisë, edhe pse në karrige të ndryshme, kryesisht po ata ministra. 

Por nëse komenti i emrave në raport me dikasteret që drejtojnë nuk është interesant, lista e qeverisë në vetvete ka një moment mjaft domethënës. Ajo përbën jo thjeshtë një listë qeverie, por një rishikim të politikës 19-vjeçare të partisë së djathtë në Shqipëri. Lista e re e ministrave është një reflektim i gjithë historisë së PD-së, me gjithë thyerjet, ikjet, grindjet, bashkimet dhe kërkimin e ndjesës. Në këtë këndvështrim ajo është më shumë se sa një listë ministrash dhe moralisht, ajo është fitorja politike e Sali Berishës pas 19 vitesh që ai drejton Partinë Demokratike. Në listën e Qeverisë, është edhe emri i Arben Imamit, larguar më 1992 bashkë me Neritan Cekën, që tashmë është këshilltar i Berishës; në listë është Genc Ruli, i larguar më 1997; Genc Pollo dhe Ferdinad Xhaferri të ikur më 1999. Në listë janë edhe emrat e atyre që qëndruan në vitet e ashpra të opozitës 1997 – 2005 dhe që kanë një rol po kaq solid sot në parti. Në një farë mënyrë, në këtë listë reflektohen gjithë thyerjet e PD-së, thyerje që kanë pasur në bazë të tyre kontestimin e Sali Berishës dhe mënyrën se si ai e drejtonte ose kërkonte ta drejtonte PD-në. Partia më e madhe antikomuniste pësoi jo pak rrudhje, kritika dhe goditje nga konfliktet e brendshme.

Qëndrimi i saj në opozitë dhe raporti i vështirë me elektoratin, më shumë se sa programit të PD-së i takonte situatës së saj të brendshme. Pas vitit 2001, Berisha kërkoi rikthimin e gjithë të ikurve nga partia. Procesi i rikthimit që kaloi përmes mosbesimit, hetimit, verifikimit, e më pas bindjes, duket se është mbyllur të mërkurën në mbrëmje. Me listën qeveritare, Berisha ka korrigjuar historinë 19-vjeçare të Partisë Demokratike.

Kontestuesit janë kthyer duke e pranuar lidershipin e tij; Berisha vetë ka ndarë pushtetin me ta, duke përmbyllur edhe një raport në dukje problematik dhe moral me PD-në dhe historinë. Tashmë ai duhet të jetë i qetë. PD e 2009 dhe Qeveria e saj, reflektojnë në një masë atë që shumë vetë kanë aspiruar 20 vjet më parë dhe për një lider, vërtetimi i besimit të tij është fitorja më e madhe. Berisha ka besuar dhe sot, ai drejton, ndryshe nga 10 vjet më parë i pakontestuar dhe i mbështetur nga të gjithë ata që në shumë vjet, kanë qenë kritikët më të mëdhenj të tij.

Ndaj, lista e Qeverisë Berisha II, është po aq, edhe lista e certifikimit të vetë Berishës si lideri i pakontestueshëm i së djathtës shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama