Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ku po shkon PS?

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 15 vite më parë

Agim Isaku
Ku po shkon PS?

Deklarimi i para dy ditëve i Edi Ramës për fillimin e protestave popullore, në të vërtetë, nuk ishte as i ri dhe as i papritur për ata që pretendojnë se i ndjekin zhvillimet politike në vend. Me humbjen e zgjedhjeve politike, humbje që nga shumë zëra racionalë dhe institucione ishte paralajmëruar qartazi, drejtuesi i Partisë Socialiste dëshmoi një ndryshim të menjëhershëm të strategjisë së vet. Ranë maskat e së ashtuquajturës "sjellje ndryshe", i futi shkelmin legalitetit, duke mos respektuar as statutin e partisë së vet, dhe gjendja e një alarmi të përhershëm e tragjik (analiza e të cilit nuk mund të bëhet shkarazi) iu përcoll një salle kongresi ende të shokuar nga humbja që u ishte servirur si e pamundur. Ishte pikërisht ajo sallë kongresi, në të cilën Rama paralajmëroi këtë sjellje të "re". Sjellje e re, që në të vërtetë, është po aq e vjetër sa edhe revolucionet apo përmbysjet e pushteteve në mënyrë të dhunshme.

Në fakt, e gjithë sjellja e tij politike kohë më kohë ka dëshmuar një qasje "ekstravagante" dhe tepër të ndryshueshme (të paparashikueshme, në të vërtetë, e për pasojë të rrezikshme, siç kanë qejf të theksojnë ata që merren me politikë anekënd) për sa i përket mënyrës së të bërit politikë. Në një rast ai nuk kishte asnjë skrupull e dëshmohej pragmatik dhe aleat (i përulur) ndaj kujtdo që i duhej sa të kapte shkallën e radhës në karrierën e vet. Në një rast tjetër dëshmonte një aleancë korruptive me personalitetet dhe institucionet e mediave. Në një moment të tretë, bashkuesi "i vetëm" i së majtës, e vetëm pas disa muajve, ndarësi më i madh i saj. Shpërfillës ndaj çdo akuze të bërë, ndaç nga brenda, ndaç nga jashtë partisë. I "pavëmendshëm" ndaj personaliteteve të partisë së vet dhe i paturpshëm në korruptimin e atyre që "i nevojiteshin". Slogani bazë i tij: "Unë nuk jam politikan", i përsëritur me një këmbëngulje lodhëse në të gjitha rastet e mundshme, në të vërtetë kishte për synim qartazi njësimin e vetes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi (kuptohet spekulativ) dhe ndarjen përfundimtare të tij me të ashtuquajturën klasë politike apo "politikë e vjetër", në thesin e së cilës nuk matet dy herë të fusë cilindo që mendon se i bëhet pengesë në arritjen e qëllimeve të veta.

E tani, ky njeri që për katër vjet, në emër të "politikës së re" nuk e angazhoi asnjëherë partinë në ndonjë sprovë ushtrimore - aq jetike për funksionimin e demokracisë - që nuk e bëri këtë as atëherë kur të gjithë ia këshillonin, që reagoi me cinizëm të paparë edhe ndaj protestës dhe grevës së urisë së ish-aleatit të tij Meta, pretendon ta bëjë tani.

Njeriu i thjeshtë, qoftë ky edhe simpatizant apo militant i asaj partie që duket se do të lodhet në opozitë, ngre supet dhe pyet i shokuar: Protesta? Tani? Po pse tani? Vetëm sepse Edi Rama nuk u bë Kryeministër? Po kudo në botë ka të paktën një të humbur pas çdo palë zgjedhjesh. Për logjikë të kësaj politike "të re", i bie që në çdo vend të kemi, si rregull pas një palë zgjedhjesh, një revolucion…

Dhe, kësaj radhe, së bashku me njeriun e thjeshtë janë në një mendje edhe institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka në gjirin e vet të paktën tre anëtarë përfaqësues politikë të opozitës, e certifikoi rezultatin në një votim 7 me 0. OSBE apo zyra e Bashkimit Europian në Tiranë janë shprehur se, vetëm pjesëmarrja në Parlament mund t‘u japë përgjigje një sërë pyetjeve që lidhen me përmirësimin e mëtejshëm, qoftë edhe të vetë procesit ende të parimëkëmbur plotësisht të zgjedhjeve në vend. Në seancën e parë të Parlamentit të ri ishin prezentë përfaqësuesit diplomatikë të shteteve kryesore që ne i kemi pranuar si partnerë, duke dhënë kështu miratimin se ky është Parlamenti që ata e njohin.

Përfaqësues të rëndësishëm të Partisë Socialiste Europiane - ku ende PS bën pjesë - e kanë përshëndetur tashmë aleancën e "maskarenjve" Berisha-Meta. Ndërkaq, me daljen publike të disa prej krerëve të PS-së, duket se edhe brenda kësaj partie tashmë nuk ka një mendim unanim në lidhje me këtë qëndrim që përfundimisht është vetëm i Ramës.

Sepse vetëm Edi Rama nuk "nënshtrohet". Një ditë del e thotë se janë katër kushte. Të nesërmen, kush di aritmetikë, zbulon se ai numëroka jo pak po tetë kushte. E fut veten në votim për kryetar partie, ç‘ka do të thotë se pranon që i ka humbur zgjedhjet, ndërsa nga ana tjetër del e thotë se ka fituar. Kërkon një ligj të ri për të hetuar të ashtuquajturin "krim elektoral", kërkon edhe komision hetimor parlamentar, por në Parlament nuk merr pjesë. Flet për transparencë zgjedhjesh, por i mbyll dyert e aktiviteteve partiake për mediat. Tërheqja e Arben Malajt nga konkurrimi ishte më së shumti një akt i pastër politik, që dëshmonte deri në ç‘shkallë kanë degraduar në këtë parti edhe rregullat më minimale të funksionimit të jetës organizative. Dhe shqiptarët nuk ka se si ta kenë harruar se ishte pikërisht kjo parti që u shndërrua në një laborator të vërtetë të ushtrimit të rregullave bashkëkohore të demokracisë së brendshme.

Po, ku po shkon kështu PS-ja "e re"?

Një nga vlerat që kjo parti kaliti me këmbëngulje në pesëmbëdhjetë vjet jetë politike, ishte ndërtimi i aleancave me partnerët ndërkombëtarë, që na asistojnë në rrugën tonë të përparimit. Falë përkushtimit të spikatur, kjo parti fitoi mbështetjen tashmë historike të tyre pas masakrës elektorale të vitit 1996. Falë këtyre marrëdhënieve, me ardhjen në pushtet të socialistëve (ish-komunistëve) procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike jo vetëm që nuk u ngadalësua, por përkundrazi, eci me një ritëm më shumë se normal.

Ndërsa tani, në emër të "politikës së re", Rama, në hidhërimin e humbjes së një pushteti të ëndërruar edhe më të madh nga ai që ka, falë edhe amatorizmit diletantesk politik që e karakterizon, po ringjall në këtë parti një traditë revolucionare, që është thjesht dhe vetëm një recidivë e kohës kur partinë e drejtonte Enver Hoxha. Ndryshe, nuk ka se si shpjegohet rikrijimi i kultit të një sërë figurave të kësaj partie, për të cilat shumëkush i pati kujtuar si figura thjesht tranzitore (Rama posaçërisht nuk ka mëtuar ta bëjë këtë në polemikat e veta, jo shumë të shtyra në kohë).

Por kthimi i PS-së në një gjendje "revolucionare" është vetëm njëra nga dukuritë tashmë të spikatura të kësaj partie. Problemi më i madh duket të jetë krijuar nga një kokolepsje e mungesës totale të ideve politike dhe e mbartësve të tyre me kultin e papërballueshëm e të paturpshëm të kryetarit. Mjafton të kujtojmë se si në dy zgjedhjet e përparshme për kryetar, edhe në këtë që përgatitet të mbahet në fund të muajit, Rama nuk ka për të pasur përballë askënd. Koha kur përballeshin ish-presidentë apo kryeministra e kryebashkiakë me Nanon, tashmë thuajse është harruar. Edi Rama, strukturat i ka korruptuar plotësisht, qoftë financiarisht, qoftë politikisht, dhe meqë vazhdon të jetë kryetar, në këtë skemë, që edhe naivi më i madh e lexon, tentativa e sinqertë e Maqo Lakrorit duket thjesht e vetëm si një shërbim që certifikon rezultatin, i cili, ashtu si më parë, do të numërohet dhe kuadrohet në ndonjë nga zyrat e bashkisë së kryeqytetit.

Ndërkaq, një lëvizje e re duket se ka filluar në gjirin e kësaj partie. Mirëpo, edhe kjo lëvizje vetë përjeton një situatë dilematike: nuk ka kurajon e mjaftueshme politike që të strukturohet, të shpalosë hapur qëndrimet e saj që lipsej të fillonin pikërisht te mosbindja ndaj vendimeve pa logjikë të Ramës. Në të vërtetë, me artikulimet e veta gjysmake, duket se kjo lëvizje ende nuk është në gjendje që, përballë populizmit abuziv të Ramës të vendosë logjikën e pastër politike.

Ç‘do të ndodhë pas kësaj? A rrezikon që, sikundër ndonjë e paralajmëron, PS të ndahet sërish? A do të ndodhë edhe me këtë parti po ajo dukuri që është vënë re edhe gjetkë: domethënë një ndarje e mëtejshme që e bën alarmant dhe të domosdoshëm bashkimin?

Asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Me siguri mund të thuhet se Rama në fund të muajit do të rizgjidhet kryetar i asaj mase njerëzish të papunë e të pakënaqur, disi të trullosur dhe që dikur patën besuar se ishin aktivistë kontribuues të një partie politike moderne e bashkëkohore.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama