Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shoqëria gati-tu!!!

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 15 vite më parë

Adri Nurellari
Shoqëria gati-tu!!!

Shoqëria gati-tu!!! botuar tek gazeta Shqip www.adrinurellari.com Shqipëria po mban frymën. Institucionet, bizneset, mediat, njerëzit në një farë mënyre janë ndalur nga veprimtaria rutinë, por janë përqendruar tek fushata duke pritur çdo ndodh më pas. Fatkeqësisht për të kushedisesatën herë zgjedhjet kur afrohen në Shqipëri kanë të njëjtin efekt sikurse kanë ciklonet apo uraganët nëpër ishujt e brigjet e Paqësorit. Priten me ankth, me shumë parapërgatitje të hershme, duke treguar se zgjedhjet demokratike në Shqipëri ende nuk janë shndërruar në një normalitet, në një proces automatik që nuk e trondit në mënyrë dramatike rrjedhën e jetës së përditshme. Përkundrazi e gjithë shoqëria shqiptare duket e prekur, e ndikuar apo e mobilizuar prej këtyre zgjedhjeve duke dëshmuar që jemi vite dritë larg nga ai moment ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme të konsiderohen si një zhvillim i natyrshëm periodik e jo si një ngjarje spektakolare dhe e jashtëzakonshme që prek ndjeshëm jetën e kujtdo. Një tjetër element që dëshmon se sa është ngurtësuar ky abnormalitet është zbërthimi i shtetit në periudhën e parazgjedhjeve, dhe përfshirja e gjithë administratës, rrogëtarëve si dhe burimeve materiale në shërbim të partive. Një deja vu e nocionit parti-shtet që është e barazvlefshme jo vetëm për pushtetin qendror, por edhe për pushtetin vendor. Asnjë nuk është imun nga tundimi për të instrumentalizuar tërësish institucionet shtetërore në këtë garë. Por ndërsa në një farë mënyre është e kuptueshme që administrata të jetë politizuar sepse varet drejtpërdrejtë dhe është lehtësisht e shantazhueshme dhe për rrjedhojë e instrumentalizueshme prej ofiqarëve politik të cilët kanë në dorë skeptrin e emërimit apo heqjes nga puna, është shqetësuese që kjo vorbull politike ka përfshirë pothuaj çdo sektor tjetër të shoqërisë. Angazhimin e parë të dukshëm padyshim e kanë bizneset private gjë që deri-diku tregon se ndryshe nga sa pretendohet, roli i shtetit në ekonominë shqiptare është tejet i pranishëm në mënyrë intruzive. Prania e pamatë e sponsorizimeve jotransparente dëshmon që pothuaj të gjithë faktorët ekonomik kanë interes që një forcë politike të vijë apo të ngelet në pushtet. Pra fatin e tyre shumica e bizneseve nuk e shohin tek cilësia e shërbimeve apo produkteve të tyre, zhvillimet në tregjet e brendshme dhe të jashtme, ndryshimin tek oferta apo kërkesa, marketingu, investimi në teknikë e teknologji, përmirësimi i burimeve njerëzore apo aftësia në sipërmarrje, por tek kush është në pushtet. Megjithatë edhe bizneset janë deri diku të justifikuara, sepse ka shumë prej tyre që nuk janë thjesht free-riders që kërkojnë të vjelin fondet publike nëpërmjet tenderave, përfitojnë status monopoli nëpërmjet licencave apo të sigurojnë imunitet për kontrabandën dhe evazionin fiskal. Një pjesë e mirë e bizneseve është thjesht i shantazhuar prej arbitraritetit të shtetit e për rrjedhojë është shumë me rëndësi për këto sipërmarrës se kush është në krye të shtetit e prandaj edhe angazhohen në fushatë. Media pastaj është një rast ekstrem, ku shumë institucione mediatike aq shumë janë të njëanshme, sa pothuaj zihen ato vetë me njëra tjetrën siç ndodh me tifozët e dy skuadrave kundërshtare të futbollit. Por ajo që është më shqetësuese është përfshirja aktive në politikë e profesionistëve të lirë apo individëve që i përkasin sektorëve më pak të shantazhueshëm apo që më së paku lidhen me shtetin. Këtu bëhet fjalë për individë që i përkasin shoqërisë civile, akademisë e kulturës. Shoqëria civile është kryesisht e varur prej fondeve të ardhura nga jashtë e po kështu një pjesë e mirë e artistëve kanë kohë që e mundësojnë jetën nëpërmjet tregut privat. Bota universitare ka autonomi të theksuar por edhe nëse në ndonjë rast ekstrem ata do të hiqeshin nga puna si profesorë për hir të një qëndrimi kurajoz rebel apo antikonformist, prapëseprapë sektori privat universitar është duke lulëzuar dhe nevojat dhe rrogat për pedagogë në to është shumë e madhe. Nga një anë partitë politike gjithnjë e më të zhveshura prej përmbajtjes dhe identiteti ideologjik ka nevojë për individë me vizibilitet e popullaritet për të shërbyre si një garnityrë që do e bënte çorbën e ofruar prej tyre më të gëlltitshme dhe nga ana tjetër kemi këta individë të mirënjohur që pa kurrfarë hezitimi e pranojnë këtë rol rendin të vihen në listat për kandidatë të partive politike për të arnuar brimat e legjitimitetit të këtyre partive. Në një pamje të parë dhë në një kontekst normal përfshirja e këtyre individëve do të konsiderohej si një kontribut, si një prurje e dobishme. Hamendësimi normal do ishte që këta individë do vinin me një far integriteti, individualiteti të spikatur, me arritje personale, pa ndonjë babazi për të vjedhur sepse kanë një siguri e rehati për të ardhmen e tyre të garantuar nga profesionalizmi, përvoja e ekspertiza e zotëruar, me kurajo e altruizëm. Pranormalisht do të shpresohej që këta individë të vetëdijësuar dhe indinjuar për realitetin pikëllues të Shqipërisë, kanë vendosur të sakrifikojnë investimin e madh në profesionin e tyre, të lënë mënjanë karrierën për t‘u angazhuar në një gjë më të madhe, në një mision për të shpëtuar vendin. Mirëpo historia bashkëkohore shqiptare ka dëshmuar të kundërtën. Këto celebritete apo personalitete kanë treguar se janë thjesht të interesuar për favoret dhe autoritetin që rrjedh nga të qenurit politikan në Shqipëri dhe janë shndërruar në një makiazh për të freskuar imazhin e dalë boje të faktorëve politik shqiptar duke i dhënë jetë disa tiparëve të theksuara të sulltanizmit në shoqërinë tonë. Me sulltanizëm nënkuptohet pak a shumë një sistem politik ku despoti nuk ka ndonjë ideologji qeverisëse por thjesht do që të ketë duart tërësisht të lira dhe autoritet të plotë për të vepruar sipas vullnetit individual. Po të analizohet më vëmendje duket qartë që lufta politike është duke u luftuar në çdo skutë e me çdo mjet, duke hapur llogore edhe në botën universitare, botën e artit, medias apo të shoqërisë civile. Pikësëpari dëshmi janë listat ku profesorë mbajtës të titujve e pozitave të rëndëishme universitare, nuk e kanë pasur për gjë që të braktisin katedrat për të garuar për në parlament. Po kështu me ndonjë përjashtim të vogël, pothuaj të gjithë drejtuesit apo aktivistët kryesorë që ishin në krye të organizatave joqeveritare me emër para pesë-gjashtë vitesh, janë të mobilizuar në transhetë e frontit zgjedhor. Kjo gjë nxjerr në pah gjithashtu se këta aktivistë civilë me futjen në lista janë duke u shpërblyer për punën që kanë bërë edhe më parë nën rrogoz për aktorë apo faktorë të caktuar politikë e tashmë janë duke marshuar para haptazi. Të rreshtuar në krahët politik gjenden edhe artistë të shumtë të cilët me sa duket nuk ndihen mjaftueshëm protagonistë me popullaritetin që vjen prej artit, por duan protagonizëm edhe në politikë. Kuptohet që çdo individ aq më tepër kur është i spikatur, ka një shije apo pëlqim politik, dhe nuk ka asgjë të keqe nëse këta individë mbajnë qëndrime të qarta dhe drejtëpërdrejta politike në debatin publik, pa u angazhuar si kandidatë. Kjo gjë jo vetëm është e drejta e tyre por deri diku edhe detyra e kujtdo që e pretendon veten si intelektual. Duhet bërë një dallim i madh midis paanshmërisë dhe pavarsisë. është më se e mirëpritur që të jesh i njëanshëm sepse kështu zgjedh me vullnet të lirë, mirëpo kur përkrahjen e bën se je i varur është krejt tjetër gjë. Dalja haptazi në favor të një krahu ndodh dendur edhe në perëndim. Mirëpo ndryshimi i përvojës sonë është radikal me përvojën perëndimore. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara artistët e shquar me të vërtetë dalin haptazi në favor të një kandidati apo partie, mirëpo këtë e bëjnë për vokacion e madje figura të hollivudit janë ndër sponsorizuesit më bujarë të aktiviteteve politike. Shumë këngëtarë këndojnë gjatë fushatave amerikane vullnetarisht pa pagesë për të kontribuar për forcën që mbështesin haptazi. Pasi mbaron fushata e kryhen zgjedhjet, këta njerëz kthehen në jetën e profesionin e tyre. Tek ne mbizotëron një tjetër realitet. Ky rreshtim në kampe të ndryshme bëhet për të siguruar përfitim e mbështetje politike, pra për të mjelur shtetin për interesa të ngushta individuale. Kështu profesorë që mbështesin një parti politike kur partia e tyre vjen në pushtet befash bëhen dekanë, rektorë apo drejtues institucionesh kërkimore. Aktorët e shoqërisë civile kinse të pavarur e objektivë, befas angazhohen si zyrtarë të lartë ose përzgjidhen si marrës fondesh të majme nga qeveria. Artistët e angazhuar befas shndërrohen në drejtues teatrosh apo përfitues sponsorizimesh publike për projekte mediokre, shpesh plagjiaturë. Kjo situatë flet për një një fenomen shumë shqetësues, fillimin e një gangrene që po majiset në shoqërinë tonë. Humbjen e atij pak pluralizmi që filluam të ndërtonim pas rrënies së komunizmit. Ky rreshtim masiv i shoqërisë në garën politike, ky konformizim partiak i forcave të gjalla tregon mungesën e diversitetit, profesionalizmit dhe ndarjes së punës. Të krijohet përshtypja se askush nuk ndihet rehat në zanatin e vetë dhe se vetëm garimi politik i jep një domethënie jetës së një individi në Shqipëri e prandaj të gjithë "sillen në radhë". Dhe në kushtet kur klientelizmi dhe patronazhi politik ka hedhur metastazat anembanë shoqërisë sonë, ateherë ngrihet pyetja dhe ndizet kurioziteti se nga do vijë ndryshimi dhe shërimi?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama