KONFERENCA E NATOS DHE HISTERIA ME ISLAMIN NË MC2

Në shtator të vitit 2006 OJQ-ja "Millenium Club Center" (MC2) e drejtuar nga Mentor Nazarko organizoi një konferencë me titull “Strengthening Religious Tolerance for a Secure Civil Society in Albania and the Southern Balkans”. Kjo konferencë që në ditët e para të organizimit të saj shkaktoi një skandal në Shqipëri, pasi ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, deklaroi se i mbështetur mbi disa enciklopedi fondamentalistësh të krishterë kishte mësuar që popullsia shqiptare e besimit mysliman në Shqipëri është gjithsej 38.8 % për qind, ndërsa ajo kristiane është 35.4% për qind, duke e ndarë në 16.8 për qind katolikë dhe në 16.1 për qind ortodoksë. Ndaj kësaj deklarate dashakeqe reagoi Forumi Musliman i Shqipërisë i cili denoncoi përpjekjet e organizatave fondamentaliste evangjeliste si Qendra Kërkimore Botërore e Ungjillizimit, të cilat nxjerrin kësi statistikash jo-shkencore dhe duan të prishin balancat fetare në Shqipëri. Forumi Musliman këshilloi Rexhep Mejdanin që të qëndrojë larg këtyre botimesh dashakëqia dhe jo serioze. Ndaj reagimit të Forumit Musliman reagoi një vit më vonë edhe historiania katolike Ines Angeli Murzaku e cila në një shkrim të botuar në revistën RELIGION IN EASTERN EUROPE XXVIII, 1 (February 2008), mbron tezat e Mejdanit dhe vë në pah se në Shqipëri tolerance fetare kërcënohet nga muslimanët të cilët pasi edukohen në botën muslimane, po sjellin një Islam arab në Shqipëri. Shkrimin e Ines Murzakut mua ma solli në vëmendje një historiane bullgare e cila ishte skandalizuar me nivelin e ulët akademik të autores, dhe më kërkoi që ti bëj edhe një replikë. Megjithatë si pasojë e detyrimeve të tjera që kam patur gjatë vitit të kaluar, unë vendosa ta injoroj incidentin e Mejdanit dhe fantazitë e një katolikeje të rilindur si Murzaku e cila edhe në takimin e Tiranës, në vend që të fliste për tolerancën, prezantoi një punim mbi priftërijtë italianë (të cilët ndryshe nga arabët që ajo i tregon si të këqinjë, italianët i tregonte si të mirë) dhe betejën e tyre kundër Islamit në Shqipëri.

Përpara disa ditësh, duke kërkuar në internet unë hasa aksidentalisht në librin “Strengthening Religious Tolerance for a Secure Civil Society in Albania and the Southern Balkans” edituar nga James Pettifer dhe Mentor Nazarko ku ishin botuar punimet e konferencës të Tiranës. Libri bënte goxha shtrenjtë. Ishte 150 EURO. Thua se në atë të ishin shkruar mrekullitë më të mëdha të shekullit të XXI. Libri ishte botuar nga IOS Press në vazhdën e botimeve të NATOs për Shkencë për Paqe dhe Çështje të Sigurisë. Duke qënë se pas “zbulimit” të Rexhep Mejdanit të statistikave të Islamit në Shqipëri qëndronte edhe NATO, e cila me tanke dhe me avionë sot është kthyer si Traktati i Varshavës në vitet 70të dhe po vret muslimanë nëpër malet e Afganistanit dhe tashmë po konfrontohet edhe me Rusinë dhe mund ta çojë botën në një katastrofë botërore, unë, si ndjekës kureshta i politikës ndërkombëtare që jam, bëra çmosin që ta lexoja dhe kuptojë se çfarë shkence kishin prezantuar emisarët e NATO-s në Konferencën e Tiranës në shtator 2006. Libri të cilin arrita ta posedoj dhe e kam përpara meje në këto momente është prej 138 faqesh. Ai është i ndarë i në katër kapituj; ku i pari flet për fetë në Shqipëri dhe historikun e tyre; i dyti për studime lokale; i treti për paralele matanë Ballkanit; dhe i katërti ka konkluzionet. Librin e kam lexuar në këto 3 ditët e fundit. Leximin e nisa pardje kur isha duke udhëtuar me tren nga Lugano e Zvicrës për në Itali, dhe e mbarova sot, ndërsa isha në spital të Firences, në Pronto Soccorso ku jam duke kryer disa vizita mjekësore.

Libri Strengthening Religious Tolerance…  ka një titull magjepës. Ai flet për përforcimin e tolerancës fetare dhe krijimin e një shoqërie civile të sigurtë në Shqipëri dhe Ballkanin jugor. Megjithatë toleranca fetare dhe saktësia shkencore është ajo që librit i mungon në shumicën e materialeve të tij. Libri hapet me një mesazh urimi nga senator Giulio Andreoti i cili pasi kërkon të falur që nuk ka mundur të vijë në Tiranë, thotë që është duke iu lutur Nënë Terezës që ti ndihmojë. Ama senator Andreoti mua si një lexues musliman dhe shqiptar të këtij libri më lë pak në dyshim mbi lutjen e senatorit. Për çfarë i lutet Andreoti Nënë Terezës dhe cilës Nënë Terezë i lutet ai? Asaj që Dr. Aroup Chaterjee tregon, apo asaj që po përdoret në Shqipëri për të katoliçizuar identitetit e popullit shqiptar? Gjithësesi unë them inshallah Andreoti nuk i lutet Nënë Terezës që të realizohen mesazhet ogurzeza që libri që unë kam përpara ndjell për tolerancën fetare në Shqipëri. Pas lutjes së Andreotit libri i rrëfen lexuesit listën e pjesëmarrësve në konferencë. Në listë dikush lexon emra që variojnë që nga Peshkopi Anastas Janollatos, te famëkeqët Ilir Kulla, Sabri Godo, Rexhep Mejdani dhe Arben Xhaferri. Megjithatë mua emri që më tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai i Ermir Gjinishit. Ermiri Gjinishi i cili mesa duket ka qenë i vetmi përfaqësues jo-zyrtar i muslimanëve shqiptarë në këtë takim, paraqitet si ish-asistent kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Ky emri asistent-kryetar mua më konfuzoi pak, pasi unë nuk di që Gjinishi të ketë pasur ndonjë post të këtillë në jetën e tij. Megjithatë, në krahasim me mrekullitë e tjera të librit, ky indikacion nuk është edhe aq mbresëlënës.

Pas listës së pjesëmarrësve, libri vijon me një hyrje nga historiani britanik James Pettifer. Jamesi i cili mesa duket do të ketë qenë i kënaqur me sulmin e Rexhep Mejdanit kundër mazhorancës muslimane në Shqipëri, paralajmëron lexuesin se Shqipëria edhe pse shihet si një vend me shumicë muslimane, nuk është më e këtillë, pasi në vend ka bashkësi të fuqishme dhe në rritje të krishterësh ortodoksë, katolikë dhe evangjelistë. Pas kësaj libri vijon me një fjalim të Sabri Godos. Në fjalimin e Sabriut bie në sy rrëfimi që ai i bën botës së sotme e cila sipas tij po përballet me “rrezikun e përhapjes së errësirës” dhe dukuritë e përhapjes së Islamit radikal në Maqedoni dhe në disa xhepa të Kosovës. Si për ti ardhur pas fillit James Pettiferit dhe Rexhepit, Sabriu i mburret pjesëmarrësve në konferencë me shembullin e vetes së tij, që edhe pse vjen nga një familje synite, vajzën e tij të madhe e ka martuar me djalin e një prifti ortodoks, ndërsa burri i vajzës së dytë ishte gjysëm katolik e gjysëm ortodoks. Si për ti treguar pjesëmarrësve që në Shqipëri nuk ka më Islam, Godo vë në pah që familjet mikse janë në rritje të vazhdueshme dhe konkluzioni që dikush nxjerr është që në Shqipëri nuk do të ketë më fe monolite. Enver Hoxha do ta kishte patur zili fjalimin e Godos; por medoemos do ketë patur edhe më zili fjalimin hapës të Rexhep Mejdanit që gjejmë në faqen 3. Në librin që unë kam përpara, Mejdani është kujdesur që të heqë referencat e tija mbi përqindjet fetare në Shqipëri me të cilat bëri bujë në 2006. Por këtu ai falenderon programin e NATOs për Shkencë për Paqe dhe Çështje të Sigurisë që i ka dhënë para Mejdanit dhe Mentor Nazarkos që të organizojë konferencën, dhe i tregon pjesëmarrësve se ëndra e tij ka qenë të shohë një fe universale në botë; të mposhtë armikun shekullor i cili është paragjykimi fetar dhe në fund i siguron pjesëmarrësit se në konferencë janë zgjedhur me kujdes disa klerikë, politikanë dhe akademikë të cilët do ti sjellin konferencës sukses. Ndërsa shoh që nga Kisha Katolike, Ortodokse dhe Protestante kanë ardhur disa reverendë goxha të zgjuar dhe të zotë, dhe kur shoh që Mejdani dhe kompani nuk ka ftuar asnjë njeri me taban nga Komuniteti Musliman dhe Bektashian, bindem që Mejdani ka të drejtë kur mendon që konferenca do të ketë sukses.

Fjalimi i Mejdanit ndiqet nga një punim i Gjergj Sinanit mbi Kanunin dhe Kishën Katolike, ku Sinani i siguron pjesëmarrësit se Shqipëria trashëgon një tolerancë fetare që nga antikiteti e deri në mesjetë, e cila u ruajt edhe pas përhapjes së Islamit dhe se Shqipëria nuk njeh viktima të intolerancës fetare, por vetëm viktima të kishave fqinje. Kur dikush lexon konkluzionet e Sinanit ku fajin e intolerancës e marrin vetëm të huajt, lexuesi mund të pyes po nga viti 1945 e deri në 1991, apo nga 1997 e deri më sot, çfarë ka ndodhur në Shqipëri me ata mijëra hoxhallarët dhe priftërinjë, besimtarë dhe besimtare që janë vrarë e persekutuar nga armata e sigurimit të shtetit, dhe që sot dëbohen nga shkollat pse mbajnë shami apo mjekra? A nuk janë viktima të persekutimit fetar nga vetë shqiptarët këta njerëz apo ndoshta i përkasin një planeti tjetër? Si për të vërtetuarën të kundërtën e punimit të Sinanit, shkrimi i tij ndiqet nga një shkrim i Mentor Nazarkos drejtuesit të Millenium Club Center. Në një punim që i shkon për shtat vetëm një sigurimsi të shtetit monist të kohës së Partisë së Punës dhe të duket sikur e ka shkruar Xhavit Shala, Fatos Klosi apo Irakli Koçollari, Nazarko i tregon pjesëmarrësve se në Shqipëri disa grupe ekstreme dhe intolerante kanë nisur të kenë influencë mbi rininë. Ai këshillon se nëse ndaj këtyre trendeve që kanë nisur të shfaqen nuk merren masa serioze, ata do të bëhen kërcënim serioz jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Sipas Nazarkos problemet fetare në Shqipëri vinë si pasojë e mungesës së kontrollit qeveritar. Megjithatë ai tregon që disa organizata (lexo islame) kanë patur punëtorët e tyre të dëbuar forcërisht në Egjipt. Nazarko sjell shembullin e Jasin Kadisë, të cilin ai e ngatërron me Abdyl Latif Salehun, shokun e ngushtë të shokut të tij presidentit Mejdani (të cilin Abdylatifi e mbushte me dhurata) dhe e bën të parin edhe drejtor të organizatës al-Haramain. Me shqetësim ai vë në dukje se shteti deri më tani njeh vetëm 20 organizata islamike, ndërsa të tjerat veprojnë nën rrogoz; se në vend ka 431 xhami por 203 janë jashtë kontrollit të Komunitetit Musliman; se pas futjes së Shqipërisë në Islamic Uorld Organization (sic!) mijëra të rinjë shqiptarë janë rekrutuar dhe dërguar të studiojnë në vende të ndryshme arabe; se numri i këtyre nuk dihet dhe se shqiptarët që kanë shkuar të studiojnë në vendet e njohura islamike me orientim të ashpër nuk duhen injoruar. Më tej autori tregon që inteligjenca e re muslimane ndjehet e irrituar pse lihet jashtë shoqërisë; se ekziston një konflikt në rangjet e larta të Komunitetit Musliman në lidhje me manaxhimin e pronave etj. Një nga solucionet që Nazarko propozon për tu marrë me Islamin dhe muslimanët është spiunimi i tyre, mbajtja shënim e aktiviteteve të tyre dhe mbështetje teknike dhe institucionale për të kryer këtë punë.

Shkrimi i Nazarkos ndiqet nga shkrimi i Rexhep Mejdanit, shokut të ngushtë të Nazarkos dhe Abdyl Latif Salehut – të cilin amerikanët e dëbuan nga Shqipëria në fundvitet 90të. Në shkrimin e tij, Mejdani flet për “modelin shqiptar” ku sipas tij identiteti kombëtar i shqiptarëve është ndërtuar mbi tolerancë të përbashkët dhe traditën. Mejdani tolerancën e shqiptarëve e shtrin që në antikitet me ilirët, arbërit, dmth shqiptarët (autori duke se ka harruar të fusë në këtë listë darviniste evolucioni edhe pararendësit e ilirëve, majmunët) të cilët janë munduar gjithnjë të harmonizojnë efektet që vinë nga jashtë vendit. Ai i tregon ilirët e lashtë aq gjenialë saqë ata i dhanë krishtërimit disa formula pagane në mënyrë që të ruajnë traditat e tyre dhe kur krishtërimi u nda në dy pjesë, ilirët u munduan të ndërtojnë ura komunikimi ndërmjet të dy feve. Progresi i tolerancës shqiptare sipas autoriti dhe vigjëlenca e tyre vazhdon edhe në kohën e Islamit, kur Muhammed Ali Pasha ndërtoi një Egjipt me standarte perëndimore, Pashko Vasa themeloi një Liban shumë-fetar; dhe kjo linjë teleologjike vazhdon për shqiptarët deri më sot, ku, sipas autorit, Nënë Tereza konsiderohet si nënë e madhe e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh fenë e tyre.

Por një nga punimet më fantastikë të konferencës është ai i Miranda Vickersit. Miranda Vickers e cila është bërë e famshme tashmë me muslimanët shqiptarë dhe paditurinë e saj mbi Islamin në Shqipëri morri një replikë zyrtare nga Forumi Musliman i Shqipërisë më datë 13 nëntor 2008, të cilës ajo deri më tani ka dështuar ti përgjigjet. Gjithësesi, në shkrimin e saj “Zhvillimi i feve në Shqipërinë pas-komuniste” autorja në vend që të merret me të gjitha besimet dhe mosbesimet e Shqipërisë, merret pak me Ortodoksinë dhe pothuajse totalisht me Islamin; duke harruar në mënyrë totale Katoliçizmin. Punimi i Mirandës nis me një presupozim fantastik të cilin në Shqipëri e deklaronte rëndom Enver Hoxha dhe sot unë di ta deklarojë vetëm Petrika Thëngjilli. Sipas saj, shqiptarët i kanë ndërruar fetë sipas interesit. Por duke përsëritur tezat e komunizmit mbi Islamin, islamizimin e shqiptarëve ajo e shpjegon si pasojë e politikave të Portës së Lartë e cila gjatë shekullit të 18të rriti taksat mbi jo-muslimanët dhe rriti favored me muslimanët, gjë që çoi në konvertimin masiv të shqiptarëve në Islam. Autorja përsërit këtu klishetë e Kishës Katolike dhe deklaron se ndërsa burrat u islamizuan (nga frika e turkut), gratë qëndruan burrëresha dhe kauresha. Pas përsëritjes së legjendave të komunizmit mbi islamizimin e shqiptarëve, Vickers flet edhe për situatën e sotme të Islamit në vendin tonë. Këtu ajo përsërit tezat e hedhura nga Ilir Kulla, Piro Misha dhe sigurimi i shtetit gjatë kohës së sundimit ortodoks të Fatos Nanos, ku sipas saj në gjirin e Islamit shqiptar ekziston një konflikt ndërmjet të rinjëve që janë mbështetës të shkollës radikale Selefiste dhe të vjetërve që janë mbështetës të shkollës Hanefite. Përndryshe nga ç’predikojnë ekspertët bushistë nëpër perëndim, ku synitët zakonisht tregohen si të këqijtë e Al-Kaedës ndërsa shiitët si të këqijtë e Iranit; Vickersi tregon që në Shqipëri kanë ekzistuar dy forma Islami të moderuar; synitët dhe bektashianët. Por kjo nuk është e gjitha. Si kudo në botë, që nga Iraku e deri në Afganistan edhe në Shqipëri, Vickersi ndërton një konflikt fantastik në shkrimin e saj. Ajo tregon që dy shkollat “e mira” të Islamit shqiptar po kërcënohen nga “të rinjtë” që po kthehen nga shkollat e institucioneve islamike “jashtë vendit”. Sipas saj selefijtë që vinë nga jashtë Shqipërisë, tamam si muxhahedinët e al-Kaedës në Irak, kanë konsoliduar kontrollin në xhamitë e vendit dhe Tiranës. Kur një njeri i paditur me Shqipërinë lexon shkrimin e Vickersit krijon padyshim imazhin në mendjen e tij se Tirana ndodhet diku “next to Kandahar” dhe këta selefijtë portretizohen si ca mullenjë talebanë me mitraloza dhe dykëmbësha, të cilët autorja i tregon sikur janë rreshtuar për xhihad kundër tolerancës së Kauristanit te xhamia e Dine Hoxhës dhe Etheme Beut. Mama mia!

 

Histeria e Miranda Vickersit me muslimanët shqiptarë vazhdon edhe mandej. Ajo tregon sesi kur një grua viziton xhamitë e Tiranës ajo pritet me shikime me sytë poshtë dhe dinakë të të rinjëve. Xhamitë e Pazarit të Ri dhe Dine Hoxhës tregohen si të mbushura me një atmosferë dyshuese për të huajt. Vickers vë në pah që vizitorët ndjehen më pak të mirëpritur nga djemtë e rinjë që tanimë janë kthyer nga Arabia Saudite dhe Jemeni të cilët nuk kanë qejf të ulen dhe bisedojnë me të huajt, siç ka qenë tradita më parë. Të rinjtë që vinë nga jashtë jo vetëm që kanë shkaktuar përçarje në Komunitetin Musliman, por perceptohen edhe si ‘terroristë potencialë’. Unë nuk e di nëse ndonjë djalë i ri e ka rrahur me sheriat Miranda Vickersin në ndonjë xhami të Tiranës dhe i ka vendosur ferexhenë në kokë, por shkrimi i autores mua më bën të më çohet mishi përpjetë nga frika. Gjithësesi për njerëzit zemërbutë si puna ime, konkluzioni i autores është triumfues. Ajo tregon se si pasojë e monitorimit të ashpër të organizatave islamike në vend, radikalët kanë gjetur shumë vështirësi të operojnë. Kohët e fundit, radikalët, dmth të rinjtë – selefinjë, janë mundur nga të moderuarit dmth pleqtë, të cilët ruajtën medhhebin Hanefi nga radikali Selefi. Në konkluzion, Vickersi konkludon se duke qenë se në Shqipëri ka shumë xhamira, pra 431 copë, dhe organizata islamike që operojnë jashtë kontrollit të Komunitetit Musliman, vlerat tradicionale muslimane janë në rrezik si pasojë e influencave të huaja.

 

Fantazitë e Miranda Vickersit ndiqen në libër nga një seri shkrimesh të tjera, të shkruara me një anglishte të dobët dhe plot gabime të cilat nuk po marr mundimin ti komentoj. Por në pjesën e dytë të librit, lexuesi kënaqet kur sheh që shkrimi i parë i këtij seksioni fillon me një shkrim patriotik nga “ish-asistent kryetari i Komunitetit Musliman” Ermir Gjinishi; një person për të cilin mediat kanë shkruar shumë, por që në këtë konferencë përfaqëson muslimanët e Shqipërisë. Në punimin e tij autori është munduar të japë një background të historisë së Komunitetit Musliman nga viti 1912 në 1920. Gjinishi, i cili në faqen 29 të librit tregohet nga Miranda Vickersi si drejtues i krahut radikal dhe anti-modernist të selefijve, që normalisht, sipas përshkrimit të Vickersit duhet të ishte një mulla me turban që në sallë duhet të bërtiste Allahu Ekber dhe ti vinte ferexhenë kaureshës nga Ingilizistani, në faqen 57 e tregon veten si heroin e patriotizmit shqiptar. Është një gallatë të cilën studiuesi hungarez Gyorgy Lederer në shkrimin “Islamists and public security concerns in eastern Europe” e ka përshkruar si rezultat i terrorit të policisë shqiptare për të ju përgjigjur pritshmërive amerikane – të cilat kanë detyruar edhe selefistët ndërkombëtarë që të sillen si patriotë krenarë. Dhe ky patriotizëm lexohet qartë në shkrimin e Gjinishit, i cili nacionalizmin pafe shqiptar e shtrin që nga Lidhja e Prizrenit, dhe e deklaron me krenari si të finalizuar në vitin 1923 kur Komuniteti Musliman u nda me dhunë nga Kalifati dhe muslimanët shqiptarë nisën të ç’islamizohen dhe ti falen zotit të nacionalizmit. Por tolerancën dhe bashkëekzistencën e feve në Shqipëri, Gjinishi e shpjegon si një armë (unë do thoja tamam si lufta “më pushkë dhe me penë” e kohës së rilindjes) që patriotët shqiptarë përdorën kundër pushtuesit Turk, Grek dhe Serb. Më pas, kur flet për situatën aktuale të Islamit në vend, Gjinishi, ashtu si Ilir Kulla disa vite më parë, tregon sesi Komuniteti Musliman ka refuzuar ndihmën e të huajve për të ruajtur ‘kornizat teologjike kombëtare’; ka forcuar hanefizmin si mburojë kundër influencave të huaja etj. Ai vë në pah që donacionet e dyshimta që janë bërë nga të huajt në Shqipëri kanë krijuar marrëdhënie antagoniste ndërmjet “Islamit shqiptar” dhe “Islamit arab.” Për më tepër dërgimi jashtë vendit dhe pa lejen e Komuniteit Musliman të studentëve ka sjellë në Shqipëri eksportimin e medhhebit Hanbeli. Megjithatë për Gjinishin, muslimanët në Shqipëri janë jopolitikë dhe të bindur. Ata nuk mërziten pse në vend ekziston një Parti e Krishterë. Muslimanët vetë nuk duan parti islamike. Ai kujton që qeveria shqiptare duhet të përfundojë masat ligjore për të ndaluar hyrjen në vend të ideologjive militariste dhe fetarisht të deformuara që ekzistojnë në Egjipt dhe Pakistan dhe vë në pah që ndodhitë e 11 shtatorit janë dënuar në mënyrë ekuivoke, në të gjithë xhamitë e Shqipërisë duke shpëtuar kështu vendin nga infeksioni i ideologjive fetare. Si përfundim, Gjinishi konkludon që muslimanëve shqiptarë nuk i kanë bërë përshtypje si muslimanëve të tjerë jashtë vendit, as karikaturat kundër Profetit dhe as ofendimet e Papës kundër Islamit, pasi muslimanët shqiptarë janë të moderuar dhe kanë konsoliduar traditën e paqes në Shqipëri. Kur dikush lexon shkrimin e Vickersit ku Gjinishi tregohet taliban dhe të Gjinishit i cili tregohet më kaur se Papa dhe më patriot sesa vetë rilindasit e lashtë dhe modernë lexuesi pyet veten; ore po armiku cili është këtu?

 

Një shkrim tjetër që merret me Islamin në librin në fjalë, është edhe shkrimi i Arben Xhaferrit, me titull “Ndalimi fetar i shenjtës”. Në këtë shkrim, Xhaferri e nis rrëfimin e tij me një kompleks inferioriteti ndaj perëndimit. Ai citon një citim nga Farid Zakaria ku një politikan indian pyet kryeministrin Indira Gandhi përse hindutë kanë tendencën të zhvillohen më shumë nën sundimin e të huajve sesa në të tyren? Çështja që Xhaferri kërkon të vëj në pah, është se vendet që kanë kulturë perëndimore kanë më shumë shanse të përparojnë sesa ato që janë me kulturë lindore. Kompleksin e tij indian, Xhaferri kërkon ta transportojë te Islami, i cili nuk është shekullarizuar ende si krishtërimi perëndimor. Ai lavdëron Ataturkun i cili ndryshoi kulturën turke nga ‘a la turka’ në ‘a la franka’, zhveshi klerikët muslimanë nga veshja e tyre fetare, ndërsa priftërijtë e krishterë i la të paprekur. Ashtu si edhe shumë shkrime të tjera në këtë libër të paedituar gjuhësisht dhe shkencërisht, shkrimi i Xhaferrit ka shumë gabime. Autori duket të humbasë si Xhaferri simiten shkronja ne tekst kur psh. Bosforin e quan Fosfor, apo fjalën Fetva e përkthen akuzim, mallkim, dhe fajëson Islamin për mospranimin e demokracisë. Ndërsa nuk do të shohë historinë e gjatë të imperializmit dhe tiranive të instaluara nga krishtërimi dhe perëndimi në Lindjen e Mesme, Xhaferri jo vetëm që rri duke akuzuar Islamin si fajtor për moszhvillimin e muslimanëve, por tregon edhe shqetësimin e tij pse në botën arabe nuk ka politike mbi baza etnike. Sipas tij faj këtu ka mentaliteti lindor i cili është eksluzivist, ndërsa ai perëndimor është gjithëpërfshirës, tolerant dhe kozmopolit. Urrejtja që Arben Xhaferri ka për Islamin, ia err sytë aq shumë saqë ai pretendon që në vendet perëndimore muslimanët tolerohen nga perëndimi që të ndërtojnë xhami, por në Lindje, në Arabinë Saudite, ndërtimi i objekteve të krishtera nuk tolerohet. Si duket Xhaferri në Tetovën ku jeton, nuk arrin të shohi dot as RAI 1, as BBC-në, as Al Jazeeran dhe as të lexojë Corriere Della Seran që të mund të krahasojë diktaturën amerikane të Arabisë Saudite me Italinë e Veriut fjala bie, ku muslimanët, jo vetëm që Lega Nord nuk i lejon të ndërtojnë xhami, por nuk i lë që të falen as në rrugë apo të veshin gratë e tyre më ferexhe. Por padyshim Arben Xhaferri nuk ka qejf ti përmendë këto fakte, dhe as ti kujtojë lexuesëve që në Greqi, që nga koha e Ali Pashë Tepelenës, xhamitë shqiptare qëndrojnë ende të mbyllura; pse Xhaferrit dhe partisë së tij i duhet mbështetja greke për të qëndruar në pushtet mbi muslimanët e Maqedonisë që ky i urren kaq shumë. Por budallallëqet e Xhaferrit nuk lidhen vetëm me punën e xhamive. Në faqen 89 të librit ai shfryn inatin e tij edhe me Perandorinë Osmane kur gënjen dhe thotë që vetëm të krishterët kishin të drejtën e miletit në këtë Perandori, ndërsa muslimanët jo. Thelbi i shkrimit të Xhaferrit e tregon Islamin si një fe totalitariste, muslimanët si njerëz utopikë që duan të ndërtojnë xhenetin në tokë, dhe besimin në Kuran dhe në ymet e tregon si një formë ideologjike totalitare. Sipas tij, Islami duhet të ndjekë shembullin e krishtërimit dhe të shekullarizohet. Përndryshe ai konkludon se për sa kohë që fetë nuk ndalojnë të shenjtën (e cila për atë është largimi i Zotit nga jeta e njeriut), azani i muezinit duhet të shihet jo si një thirrje për të ju lutur Zotit, por si një deklaratë për luftë.

 

Shkrimi militant i Arben Xhaferrit ndiqet nga shkrimi i Erica Chenouethit, lektore në Universitetin Metodits të Uesleyanit me titull “Efektet e paparashikuara të demokratizimit mbi grupet ekstremiste fetare”. Erica e cila nëse dikush lexon CV-në e saj në faqen e Universitetit të Uesleyanit, kuptohet lehtë që është bushiste e thekur që beson në luftën globale ndërmjet ‘të mirës dhe të keqes’, në konferencë duket se ka luajtur rolin e Cinderrellës – apo Hirushes. Ajo profetizon që në Shqipëri proçesi i demokratizimit do të sjellë medoemos grupe terroriste që do të përdorin dhunë dhe kjo dhunë mund të ketë natyrë fetare. Megjithatë, shqetësimi i Ericës nuk është se nga do të vijë ky terrorizëm, por si një emisare e lartë e Bushizmit, ajo këshillon qeverinë shqiptare mbi masat që duhet të marrë për tu përballur me grupet radikale. Vendet si Shqipëria duhet të shohin shembullin e Irakut dhe Palestinës, ku demokratizimi ka prodhuar radikalë; dhe mesa kuptohet Erica duke se favorizon kufizimin e lirive demokratike në vend, për të mos i lënë radikalët të drejtën që të ankohen mbi krimet që shteti mund të kryejë mbi ata. Erica Chenoueth që ka përgatitur edhe konkluzionet e kësaj konference për Grupin e Kërkimeve të Përparuara të NATO-s, konkludon në faqen 133 se në Shqipëri, Vahabizmi dhe Arabia Saudite mund të mundohen që të ndërtojnë xhami dhe shkolla radikale. Rinia e edukuar në botën islame mund të prishë bashkëekzistencën e viteve të mëparshme. Por për të ruajtur vendin nga një gjë e këtillë, duhet të ruhet autonomia e institucioneve fetare shqiptare; Shqipëria duhet të ndërtojë një universitet të sajin teologjik për të mos i lënë muslimanët që të shkollohen në botën islame. Ajo konkludon gjithashtu se Shqipëria është shumë e kërcënuar nga terrorizmi. Për këtë, qeveria duhet të mbështesë të moderuarit dhe nëse akte terroriste ndodhin, qeveria duhet të përdorë masa shtypëse kundër tyre. Për të luftuar radikalët duhet të përdoren mediat të cilat duhet të promovojnë të moderuarit, dhe të mbështeten OJQ-të të cilat mbikqyrin radikalët. 

 

Përveç demonizimit të Islamit, konferenca Strengthening Religious Tolerance… pati pjesëmarrës edhe nga komunitete të tjera fetare të Shqipërisë dhe historianë seriozë. Asistent peshkopi i Kishës Katolike në Tiranë George Frendo në fjalimin e tij “Fetë dhe toleranca fetare” mundohet ti përdikojë të pranishmëve mbi vlerat që Krishtërimi ka për shoqëritë perëndimore dhe stagnacionin e shekullarizmit. Peshkopi grek, Anastas Janollatos në fjalimin “Drejt një paqeje të vazhdueshme dhe bashkekzistencës në Ballkan” flet për vlerat që Kisha duhet ti japi shoqërisë. Janullatosi sulmon me të drejtë nacionalizmat ballkanik dhe ateistët, ku ai ka padyshim organizatorët e konferencës, të cilët, sot, hiqen sikur mbështesin fetë tradicionale në mënyrë që të mbrojnë interesat e tyre kombëtariste. Ndërsa i deleguari i qeverisë italiane, Sheikh Abd al-Vahab Pallavicini në fjalimin “E vërteta dhe diversiteti pas qëllimeve të përbashkëta” mundohet të tregojë rrugën e përbashkët të Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit si fe monoteiste, ndërsa shan Islamin si fe e cila vuan ende sot nga inkuiziocioni dhe solucioni sipas tij është Sufizmi. Ish-muslimani i konvertuar në protestant, Fitar Muça në shkrimin “Trashëgimia e evangjelistëve shqiptarë dhe vazhdimi në vitet pas-1990” ka bërë një rezyme të historisë së protestantizmit në Shqipëri; me vllehët Sevasti, Parashqevi dhe Gjerasim Qiriazi, Kostandin Kristoforidhi dhe Petro Nini Luarasi. Ai tregon sesi sot në Shqipëri ekzistojnë 120 kisha protestante dhe vë në dukje aktivitetet humanitare të kishës. Shkrimi i fundit i konferencës që merret me Krishtërimin në Shqipëri është ai i Ines Angjeli Murzakut me titull “Ndërmjet lindjes dhe perëndimit: priftërijtë bazilianë të Grottaferratës në Shqipëri”. Murzaku këtu tregon sesi turqit me ardhjen e tyre në Ballkan “zhdukën shtetet shqiptare, bullgare, romane dhe serbe” (sic!). Dhe në këtë vazhdë pushtimi, autorja tregon sesi shqiptarët trima i rezistuan heroikisht turqve me në krye Skënderbeun dhe më pas, në vend që ti shërbenin sulltanit osman, disa mijëra prej tyre u larguan drejt Italisë. Autorja merret me pas me misionin e priftërijve bazilianë në shërbim të unitetit të krishterë; dhe aktivitetet e tyre në Shqipërinë e shekullit të XX në shërbim të Kishës Katolike. Pasi lavdëron bëmat e Kishës Katolike dhe Ortodokse në shërbim të refugjatëve kosovarë, Murzaku e krahason ndihmën e Kishës me shpirtin e Nënë Terezës, për të cilën, shqiptarët qoftë ata edhe muslimanë duhet të jenë krenarë.

 

Libri Strengthening Religious Tolerance… mbyllet me fjalimin e vajzës së Rexhep Mejdanit, Adea Mejdani me titull “Dialogu ndër-fetar”. Adea rrëfen që shembulli shqiptar i tolerancës është shumë i rëndësishëm. Por ajo thekson se opinioni i shumë juristëve të huaj është se në disa drejtime bazat ligjore të Shqipërisë që merren me minoritetet dhe fenë, mbajnë shumë klauzola demokratike të cilat nuk gjenden jo vetëm në ish-vendet komuniste por edhe në vendet e zhvilluara demokratike. Por sipas Adeas shqiptarët jo vetëm që pranojnë dhe respektojnë fetë e ndryshme, ashtu siç bëjnë të gjithë vendet perëndimore, por fëmitë e familjeve mikse mund të zgjedhin fenë që ata dëshirojnë. Adea tregon që ajo vetë është një nga këta shembuj. Këtu Adea si duket ka parasysh që babai i saj, rrjedh nga një familje muslimanësh; por që më pas u bë qafir dhe enverist dhe ka qenë një nga shkatërruesit e xhamive në Shqipëri në vitin 1967, ndërsa e bija është vaftisur në të krishterë. Pasi dikush lexon shkrimet e kësaj konference dhe ka parasysh intolerancën fetare që Rexhep Mejdani provokoi në Shqipëri në vitin 2006; një lexuesi të paanshëm i mbushet mendja top që konferenca “Strengthening Religious Tolerance for a Secure Civil Society in Albania and the Southern Balkans” vetëm për tolerancë nuk ka folur. Në këtë konferencë që nga faqja e parë dhe deri në të fundit të librit ne lexojmë të krishterë që i luten Nënë Terezës dhe lavdërojnë Krishtërimin; lexojmë disa burra me emra muslimanë si Rexhep, Xhaferr, Sabri e Mentor që shajnë Islamin dhe i thonë të ftuarve nga Perëndimi i Krishterë që ata nuk janë më muslimanë por janë bërë laramanë si pasojë e hibridizimit me të krishterët; dhe një ish-palo-asistent të KMSH-së i cili i ka bërë amin axhendës dhe selektimit të kujdesshëm që Rexhep Mejdani i ka bërë pjesëmarrësve në këtë konferencë. Në këtë konferencë, Islami, muslimanët shqiptarë jo vetëm që nuk janë prezantuar si duhet; por kjo konferencë duket që ka qenë një monolog të krishterësh dhe ateistësh ku muslimanët e Shqipërisë dhe Islami janë keqprezantuar, ofenduar dhe ndaj tyre është kërkuar që të ushtrohet aparteid shtetëror.  

 

Shkruesit të këtij shkrimi, mërzia më e madhe i vjen nga fakti që një konferencë e këtillë është sponsorizuar nga një aleancë ushtarake siç është NATO, dhe programi i saj për Shkencë për Paqe dhe Çështje të Sigurisë. NATO e cila posedon avionë, tanke dhe armë bërthamore me të cilat sot ka bërë zap gjysmën e botës, nuk duhet ta uli veten kaq poshtë, saqë të sponsorizojë disa njerëz të cilët në historinë e Shqipërisë kanë shkatërruar kishat dhe xhamitë dhe kanë brohoritur për Enver Hoxhën dhe Traktatin e Varshavës dhe mallkuar armatën e imperializmit amerikan; NATO-n. Unë e kuptoj që në kohën kur kjo konferencë është mbajtur në Tiranë, NATO sundohej ende nga mendimet agresive të presidentit Bush i cili zhyti Perëndimin dhe botën islame në gjak dhe luftë. Megjithatë me zgjedhjen e presidentit Barack Obama në krye të SHBA-ve në vitin 2009 unë shpresoj që NATO do të ndryshojë kursin e saj ndaj muslimanëve dhe të mos sillet më si një klub cubash të krishterë, pasi pjesë e NATO-s në fund të fundit është edhe Turqia një nga vendet më të rëndësishme të botës muslimane sot. Siç edhe analisti amerikan Zbigniev Brzezinski ka deklaruar gjatë fushatës në mbështetje të presidentit Obama, Islami nuk është armik i Perëndimit dhe Perëndimi nuk ka nevojë të armiqësojë muslimanët sipas fantazive të evangjelistëve dhe fondamentalistëve të krishterë të cilët lulëzuan në kohën e presidentit Bush në Perëndim. Për mendimin tim, sponsorizimi i konferencës dhe librit “Strengthening Religious Tolerance for a Secure Civil Society in Albania and the Southern Balkans” nga programi i NATOs për Shkencë për Paqe dhe Çështje të Sigurisë është një turp i kësaj organizate e cila ka fyer me shkrimet e prezantuara dhe botuara, ndjesitë e muslimanëve shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Zotërijtë që drejtojnë NATO-n sot e dinë fare mirë që muslimanët shqiptarë nuk kanë as fonde dhe as fuqi që të kundërshtojnë konferencat e NATO-s ku feja e tyre poshtërohet dhe nuk kanë as akademi që ti përgjigjen të gjitha budallëqeve që janë prezantuar aty. Zotërijtë që sot drejtojnë NATO-n e dinë shumë mirë se çfarë kanë hequr muslimanët shqiptarë nga Rexhepët, Sabrijtë dhe arma e egër e sigurimit të shtetit në kohën e komunizmit por edhe pas vitit 1998 kur fondacionet, xhamitë, shkollat e medresetë e tyre janë mbyllur, ndërsa të krishterët kanë arritur të shtrihen kudo dhe me mbështetjen e Perëndimit të prozelitojnë disa mijëra shqiptarë drejt Krishtërimit. Megjithatë, zotërijtë që drejtojnë NATO-n sot duhet ta dinë që muslimanët e persekutuar shqiptarë ashtu si edhe Jezu Krishti kur qëndronte në kryq përballë ushtarëve romakë, posedojnë ushtritë e padukshme të moralit dhe shpresës në Allahun, Zotin e qiejve dhe të tokës i cili triumfon mbi çdo perandori dhe superfuqi. Do të ishte e udhës që zotërijtë që drejtojnë NATO-n sot të mos sponsorizojë në të ardhmen programe të këtilla të kota që ofendojnë muslimanët shqiptarë. NATO duhet të sillet si një organizatë shekullare që mbron sigurinë në botë dhe jo si një klub cubash të krishterë që nxit intolerancë kundër Islamit dhe muslimanëve. Nëse krijohet mundësia, zyrat e NATO-s që janë në Tiranë duhet të marrin hapa konkretë dhe të shërojnë plagët që kjo konferencë i ka shkaktuar muslimanëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

 

Firence, 3 qershor 2009

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama