Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si ndodhi xhihadizimi i muslimaneve shqiptare?

Olsi Jazexhi


1.

Pranvera Arabe e cila nisi në 17 dhjetor 2010 me vetëvrasjen e Muhamed Bouazizit në qytetin e Ben Arousit të Tunizisë dhe që nxiti protesta popullore në të gjithë botën arabe ka patur efektet e saja edhe në Shqipëri. Politikanët shqiptarë që nga Sali Berisha, Bamir Topi, Edi Rama etj, pasi panë që Perëndimi po merrte një rol aktiv në protestat arabe, dhe në dy vende të pabindura arabe, Siri dhe Libi ndërhyri ushtarakisht, edhe ata u rreshtuan në krah të Uashingtonit. Siç është treguar në mediat e Tiranës, gjatë konfliktit në Libi, qeveria Berisha furnizoi me armë xhihadistët libian, ndërsa qeveria Rama sapo erdhi në pushtet, një nga aktet e para politike që ndërmorri ishte që të rreshtohej në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të mundohej me mish e me shpirt që të ndihmonte luftën “për çarmatosjen e regjimit të Asadit në Siri.” Në nëntor 2013 Edi Rama deklaroi se “Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me SHBA-në dhe mishërimi i këtij partneriteti (është) në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe të Afganistanit te përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri.”


Përfshirja e qeverisë së Tiranës në luftërat e pranverës arabe u paralelizua edhe në Kosovë. Qeveria kosovare priti në Prishtinë muxhahidinët sirianë, dhe në prill 2012 vendin e vizitoi një nga krerët e xhihadistëve sirianë, Ammar Abdulhamid, i cili i kërkoi qeverisë kosovare baza për trajnimin e xhihadistëve sirianë për të rrëzuar qeverinë e Bashar al-Assadit.

 

2.

Duke qenë se regjimi që drejton sot Sirinë rrjedh nga një familje alevite, konflikti që SHBA-të zhvilluan kundër Sirisë morri edhe ngjyra fetare. Regjimet aleate të Amerikës në Lindjen e Mesme, Turqia, Arabia Saudite dhe Katari, përpjekjet e Perëndimit për ndryshim regjimi në Siri i trajtuan si luftë fetare ndërmjet synitëve dhe shiitëve-alevitë. Duke qenë se Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, falë vetos së Rusisë dhe Kinës nuk lejoi që në Siri regjimi të rrëzohet me ndërhyrje të hapur ushtarake, amerikanët dhe regjimet kliente muslimane të tyre organizuan e futën shumë desantë e diversantë në vend me qëllim rrëzimin e regjimit.

 

Diversantët e njohur përndryshe si muxhahidinë u rekrutuan nëpër vendet muslimane nga klerikët synitë të cilët nën joshjen dhe propagandën e qeverive turke dhe arabe, propagandonin e besonin se në Siri po vriten synitët dhe për këtë u mobilizuan që të shpëtojnë synitët. Kjo lloj propagande u përhap edhe në Shqipëri. Në njërën anë ishte vetë Komuniteti Musliman i Shqipërisë por edhe ai i Kosovës që mbështesnin linjën zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës, dmth që në Siri po bëhen masakra kundër synitëve, e në anën tjetër predikuesit selefi / vehabistë, që nga Pogradeci e deri në Preshevë i mbushën xhamitë e tyre me fjalime e fetva që dënonin e denonconin krimet e shiitëve kundër synitëve. Fetvatë e klerikut fanatik saudit, Shejh Adnan Arur dhe klerikëve të tjerë arabë mbushën faqet e internetit të selefistëve shqiptarë, ku Aruri me shokë i udhëzontë synitët sesi të copëtonin alevitët e shiitët që ishin armiq të Islamit. Indoktrinimi me urrejtje kundër regjimit sirian vazhdonte më pas me rekrutimin e luftëtarëve shqiptarë, të cilët pasi shkonin në Turqi dhe bashkëpunonin me organizatat vendase turke, i bashkoheshin vullnetarëve të tjerë muslimanë që vinin nga e gjithë bota e që andej hidheshin si diversantë për t’ju bashkuar reparteve muxhahidine që luftonin në Siri kundër regjimit.


Indoktrinimi, dërgimi dhe udhëtimet e luftëtarëve shqiptarë për në Siri bëheshin me dijeninë e plotë si të Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, ashtu edhe atë të Kosovës. Nga Turqia lëvizjet e xhihadistëve koordinoheshin nga organizatat turke dhe arabe të cilat financonin dhe mbanin logjistikën e diversantëve ndërkombëtar. Shkuarja e diversantëve muslimanë shqiptarë për në Siri jo vetëm që përkrahej e nxitej nga pothuajse të gjithë hoxhallarët synitë të viseve shqiptare, por edhe nga mediat vendase të cilat i tregonin si luftëtarë të lirisë dhe vullnetarë.

 

3.

Por që prej shtatorit të vitit 2013 kur rusët u treguan amerikanëve forcën ushtarake në Mesdhe e i siguruan se për mbrojtjen e sovranitetit të Sirisë ishin gati të hapnin luftë botërore, Uashingtoni urdhëroi aleatët e tij muslimanë që të tërhiqen nga luftimet. Duke parë rrezikun që muxhahidinët i sillnin stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe krimet e tyre të panumërta, amerikanët erdhën në konkluzion se Siria është më mirë nën sundimin e Asadit të dobët sesa nën sundimin e xhihadistëve të papredikueshëm. Siç tregonte edhe gazeta Shqiptarja në shkrimin “Xhihadistët shqiptarë para nga dyqanet ‘Hallall’. Burg imamëve” të datës 13 mars 2014, organet e sigurisë shqiptare nisën të përgatisin dosje e ti survejojnë muxhahidinët shqiptarë që prej shtatorit 2013, në kohën kur aleanca që Perëndimi udhëhiqte kundër Sirisë vendosi të tërhiqet nga konflikti dhe bashkë me atë të përndjekë e burgosë muxhahidinët të cilët nuk i duheshin më.

 

4.

Në Shqipëri propaganda kundër regjimit sirian është bërë nga shumë xhemate muslimanësh shqiptarë. Kanë protestuar si grupet e ihvanëve ashtu edhe ato të selefijve. Në rrugët e Tiranës protestat kundër Sirisë janë udhëhequr nga Aliaa Noha dhe Ilir Hoxholli, kunati i këshilltarit të Edi Ramës – Artan Shkrelit – të cilin Edi Rama tani e ka caktuar kryetar të Komitetit të Kulteve. Ndërsa nëpër xhami hoxhët kryesorë të Tiranës, u thonin besimtarëve që në Damask kanë zbritur melaqetë për të ndihmuar besimtarët. Personat si puna ime që kanë kundërshtuan në internet dhe në shtyp rekrutimin e shqiptarëve për në konfliktin vrastar sirian janë mallkuan nga hoxhallarët kryesorë të selefizmit dhe ndjekësit e tyre. Edhe pse shkruesi i këtij shkrimi i është ankuar Komunitetit Musliman të Shqipërisë në datë 20 qershor 2013 që t’i vërë fre propagandës xhihadiste që bëhej në xhamitë e tij, Komuniteti Musliman nuk bëri asgjë. Në letrën që i drejtova kryetarit të Komunitetit Musliman Haxhi Selim Muçës, nënkryetarëve të tij Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, muftiut të Tiranës Ylli Gurra dhe drejtorit të Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar Genti Kruja u thoja:


“Këtu unë po u shkruaj për diçka konkrete: që prej vitit 2011 kur ka nisur lufta civile në Siri në xhamitë që ju administroni, hoxhallarë që ju paguani (edhe pse ata marrin miliona nga sauditët dhe nuk jetojnë me rrogën tuaj) kanë nisur të nxisin urrejtje të reja kundër njerëzve të feve dhe sekteve të tjera… Siç edhe ju e dini shumë mire, nga xhamitë që ju administroni po rekrutohen njerëz që po dërgohen të vrasin arabë në Siri dhe botën arabe. Hoxhallarët tuaj po mësojnë besimtarët e rinj dhe naivë që alevitët, bektashijtë, shiitët etj janë armiq të Islamit e duhen vrarë. Hoxhallarët që ju paguani e punësoni bëjnë manifestime publike kundër qeverisë së Sirisë, mallkojnë alevitët e mbledhin ndihma të cilat i dërgohen organizatave që luftojnë aty.”

 

5.

Edhe pse organet e sigurisë në Shqipëri aksionet e survejimit të grupeve që çonin desantë nisën t’i ndërmarrin në shtator 2013, fushata për dekurajimin e besimtarëve për të shkuar në Siri duket se ka nisur disa muaj më parë. Disa hoxhallarë që më parë kishin nxitur për xhihadin në Siri kundër “shiitëve të mallkuar”, tani, të nxitur edhe nga sauditët ndryshuan mendim e pranuan që në Siri nuk duhet shkuar për xhihad. Nisën të heqin nga youtube videot e tyre me xhihadistë e nisën të thonë që ne nuk na lejohet të shkojmë aty, edhe pse aty ka xhihad. Megjithatë, disa të tjerë sikur Abdurrahim (Genci) Balla i qëndruan besnik linjës së mëparshme dhe vazhduan të dërgojnë njerëz në luftë. Në mesin e shqiptarëve që shkuan në Siri, thuhet që ka patur edhe spiunë të organeve të sigurisë shqiptare, siç kishte edhe fukarej që në Siri nuk shkonin vetëm për luftë por edhe për të vjedhur pasuritë e sirianëve që ishin larguar apo që këta i dëbonin nga shtëpitë e tyre.

 

6.

Arrestimi në datë 11 mars 2014 i imam Genci Ballës dhe tetë personave të tjerë në lidhje me shkuarjen e shqiptarëve si desantë në Siri i ka dhënë një impetus të ri problemit të muxhahidinëve shqiptarë. Ata po sulmohen nëpër media dhe nga politika, dhe edhe nga vetë disa hoxhallarë e besimtarë të cilët tanimë e tregojnë veten si korrekt me politikën dhe kundër shkuarjes e luftimit në Siri. Hoxhallarë selefij të cilët me vite me radhë kanë sulmuar e mallkuar alevitët e shiitët, tani po ankohen për sulmet që mediat bëjnë kundër tyre të cilat i tregojnë si islamofobike dhe kundër Islamit. Komuniteti Musliman i Shqipërisë i cili kontrollohet nga shërbimi sekret shqiptar dhe xhemati i Fetullah Gylenit po nxiton kudo e ngado që të rregulloj imazhin e tij e të tregoj që është një organizatë që do paqe dhe është kundër luftës. Pra dhe me pak fjalë i gjithë faji po i hidhet hoxhë Genci Ballës, i cili po demonizohet si “hoxhë i vetëshpallur”, që “shërben në një xhami ilegale”, që ka “gënjyer e çuar njerëz në Siri” etj. Genci Balla dhe grupi i tij po shërben si kokë turku nga politika, mediat por edhe shumë hoxhallarë munafikë, të cilët ndryshe nga ç’kanë nxitur e yshtur e mallkuar për tre vite me radhë kundër Sirisë, alevitëve, regjimit të Bashar al-Assadit etj, tani hiqen si paqedashës dhe të mirë. Krimet e Bashar al-Assadit kundër civilëve po harrohen dhe problem po tregohen vetëm muxhahidinët shqiptarë që kanë shkuar në Siri. Në emisionin që Blendi Fevziu organizoi në TV Klan në datë 17 mars 2014, Ilir Hoxholli, i cili ishte një nga kryenxitësit e protestave kundër shtetit sirian në Tiranë pak muaj më parë, tanimë pasi Edi Rama e ka bërë kryetar të Komitetit të Kulteve, justifikonte më paturpësi policinë për arrestimet që i ka bërë besimtarëve dhe dhunimin që i ka bërë xhamive të xhihadistëve duke e nxjerrë në këtë mënyrë veten të palagur. Sa për informacion për ata që nuk e dinë – një nga imamët e arrestuar – Bujar Hysa ka qenë shok për kokë me Ilir Hoxhollin. Të dy rrinin para xhamisë Dine Hoxha e hanin pica bashkë në kohët kur Ilir Hoxholli shiste makina të përdorura që sillte nga Gjermania dhe nuk kishte mbaruar akoma shkollën me para në Universitetin UFO dhe Edi Rama nuk kishte ardhur akoma në pushtet që ta bënte ministër të fesë.

 

7.

Inkuadrimi i shqiptarëve në konfliktin sirian e atë libian mua më ka lënduar shumë. Më ka ardhur keq që besimtarët muslimanë shqiptarë u manipuluan nga Perëndimi dhe Arabia Saudite e brohorisnin kur NATO bombardonte Libinë e kur beduinët arabë linçonin kolonel Muamar al-Gadafin. Më pas, kur nisën të bëhen diversantë dhe shkuan e dogjën Sirinë, një nga qendrat më të mëdha të qytetërimit arab dhe Islam u pikëllova edhe më shumë. Duke ditur problemet që muslimanët kanë në Shqipëri, sulmin intelektual, kulturor e mediatik që ata marrin përditë nga Krishtërimi dhe regjimi laik-katolik shqiptar, pjesëmarrja e komunitetit mikroskopik të besimtarëve muslimanë shqiptarë në konfliktet e botës arabe për mua ishte dhe është një TMERR. Nëpër postimet e mia në internet, unë u kam apeluar gjithnjë besimtarëve musliman që mos të keqpërdoren nga Arabia Saudite, Turqia dhe Katari për axhendat e tyre në Lindjen e Mesme. Komuniteti i shqiptarëve musliman është një komunitet i cili që prej vitit 1913 kur Turqia u largua nga Ballkani ka parë vetëm goditje, rrënim, dhe de-islamizim. Censusi që u bë në vitin 2011 u tregoi shqiptarëve muslimanë që që nga 75% të popullsisë që ata ishin dikur, tani ata janë tkurrur në 60%. Rreth 15% e ish-muslimanëve shqiptarë sot janë kthyer në ateistë, të krishterë dhe anëtarë të feve të tjera.

 

8.

Krishtërimi politik në Shqipëri sot është në kulmet e suksesit të tij. Fakti që sot qeveria shqiptare shumicën e ministrave i ka të krishterë dhe ministri që komandon punët e Islamit në Shqipëri, Erjon Velija, është një ish-musliman i konvertuar në protestant tregon mjerimin dhe gjendjen llahtaritëse ku muslimanët kanë rënë sot. Në një kohë që muslimanët në Shqipëri xhamitë i kanë të mbushura me njerëz të pakedukuar e të varfër, në një kohë që hoxhallarët e tyre janë të pakedukuar dhe mezi mbushin barkun me bukë, dhe që ata muslimanë që shkollohen e bëhen “intelektualë” kanë frikë të shprehin identitetin e tyre në publik, pjesëmarrja e shqiptarëve muslimanë në konfliktet e armatosura e terroriste të Lindjes së Mesme është një hara-kiri publik.

 

Unë edhe pse vetë jam syni dhe i kuptoj devijimet teologjike që sektet e tjera të Islamit kanë, sërisht, pjesëmarrjen e shqiptarëve në konfliktet sektare të Lindjes së Mesme e shoh si një marrëzi kolektive. Shqiptarët muslimanë, e shumë nga ata që kanë shkuar në Siri nuk janë në gjendje që të kthejnë në Islam nënat e motrat e tyre e jo më të rregullojnë hallet e Turqisë e Sirisë apo të marrin hak te shiitët për hazreti Aishën r.a. siç pretendon propaganda vehabite. Për këtë arsye unë e kam kundërshtuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në xhihadin sirian. Populli ynë thotë kur nuk ke bukë në shtëpi mos ço kripë në xhami. E këtë gjë kam dashur t’u përçoj besimtarëve dhe hoxhallarëve shqiptarë në këto 3 vitet e fundit. Megjithatë, zëri im për mos-shkuarjen në Siri ka qenë një zë i vetmuar. Mua më kanë sharë, më kanë ofenduar, më kanë shpallur qafir, shiit e heretik. Megjithatë, unë mendoj se xhihadi i vërtetë i shqiptarëve muslimanë sot është në Ballkan. Xhihadi ynë është xhihadi i të dobëtit. Xhihadi i paqes. Muslimanët shqiptarë duhet të përhapin Islamin te të afërmit e tyre, duhet të edukohen e zhvillohen, e luten që të jetojnë në paqe e mëshirë në kontinentin e Evropës i cili i ka zhdukur me miliona në dekadat që lamë pas. Edhe pse në këto tre vite më radhë mua hoxhallarët e Komuniteti Musliman më ka injoruar, e shumë edhe më kanë sharë e kërcënuar për idetë e mia, tani që shteti shqiptar po arreston hoxhallarë sikur Genci Balla, duket sikur koha ka ardhur që ato që unë thoja për tre vite me radhë të dalin të vërteta. Sido që të jetë puna, unë nuk mendoj që Genci Balla është fajtor në dërgimin e xhihadistëve shqiptar në Siri. Fajtor për xhihadizimin e shqiptarëve është NATO, ideologjia vehabiste që vjen nga Arabia Saudite, politika shqiptare, Komuniteti Musliman, hoxhallarët e besimtarët që nuk kanë kuptuar lojën e madhe gjeostrategjike që sot luhet me fatet e tyre dhe të arabëve muslimanë.

Gjithësesi, në fund të këtij shkrimi unë i lutem Allahut të madhëruar që gjynahqarët t’i falë, të paditurit t’i ndriçojë dhe ne të ngratët të na mëshirojë për gabimet tona. E ska dyshim se Allahu e di më së miri se ku qendron mirësia!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama