Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Raki, skedina dhe kallashë!


 
Politika dhe kronika e zezë janë dy gjërat pa të cilat një edicion lajmesh do të ishte i pavlerë. E para është e kuptuar dhe e provuar. E dyta është ushqim për kuriozitetin e një shoqërie e cila nuk di se ç’kërkon, ç’pret dhe ç’do të bëjë më atë që dëgjon e mëson nga pamjet, rreshtat e titrat!

Mediat e kishin kryelajm të martën (14 Prill) vrasjen makabre të Vlorës, ku një i ri 22 vjeçar ekzekutoi të atin, kushëririn dhe plagosi nënën dhe një shok të tij. Ngjarja është e pa koment! Asnjë psikolog a sociolog nuk ka se ç’t’i shpjegojë një ngjarjeje që tregon kryekëput krizën e madhe morale në të cilën ka bujtur kjo shoqëri.

Çdokush që e ka dëgjuar lajmin është derdhur sadopak dhe ka lëshuar versin...Zot ruajna! Në fakt nuk është hera e parë dhe nuk është lajm i ri... përditë dëgjojmë lajme makabre, prerje këmbësh e duarsh, vrasje me sopata e me hunj si në mesjetë, mbytje në sy të fëmijëve si në Rajhun e Tretë... Kjo është situata që ndodhemi!
Ndërsa TV-të japin lajle – lule për e VIP-ucat që nuk i kanë dhënë asnjë këtij vendi veçse antivlerë me copa trupore lakuriqe si mish në shitje, kur hajdutët pa nivel të muzikës së vendeve të tjerë thirren në programet më të shikuara, në anën tjetër shfaqet një realitet i zi i depresionit që ka hyrë kjo shoqëri.

Askush s’ka nevojë për sociologun të thotë e të pranojë se në tre gjëra bazohen të gjitha: alkool, skedina dhe kallashnikovë! I pari është pjesë e pandarë e shoqërisë sonë: “një gotë nuk të bën asgjë” të çon drejt e te tyta e drejtuar ndaj njeriut tënd që të ka dhënë jetën dhe që ti ja merr atë të tij... Nuk di nëse ka ndonjë statistikë, por jam i sigurtë se përdorimi i alkoolit në Shqipëri po njeh rritje katastrofike...tej “një gote për qejf” duke shkuar të shishja për hall!

Askush s’mund të bëjë moralistin, vetëm se kjo tepri nuk bën tjetër veçse shkatërron në radhë të parë më shumë shëndete, familje dhe të ardhme fëmijësh të pafajshëm... Por ky shtet, sado e paimagjinueshme të duket, duhet të vendosë taksat më të larta për alkoolin, dhe të ndihmojë në minimizimin e përdorimit të tij... Ky shtet duhet të ndërhyjë fort në shkolla dhe të propagandojë fatkeqësitë që sjell alkooli dhe të ndihmojë që të rinjtë “ta bëjnë gjellën me kripë e kripën e karar...”

E dyta, skedina, është bërë pjesë e pandashme e jetës shqiptare si një kancer që pushton përditë e më shumë këtë shoqëri. Kur them skedinë nënkuptoj edhe lojërat e fatit që si kërpudhat pas shiut kanë mbushë çdo vend, çdo qytet nga më i madhi te më i humburi në republikë! Kjo parajsë e gënjeshtërt që mashtron me dhjetëra mijëra të rinj në ditë, po shkakton probleme të mëdha sociale, çrregullime familjare, divorce, vrasje, përdhunime, vjedhje e grabitje... Shteti në vend t’i liberalizojë këto çerdhe injorance dhe shkatërrimi ekonomik, duhet t’u vendosë një fre dhe t’i lejojë në mënyrë të kontrolluar.

E treta, një sëmundje e vjetër më se një dekadë, janë armët që ende qytetarët kanë në duart e tyre. Policia e shtetit i ka mundësitë t’i gjejë dhe t’i grumbullojë ato...sa më shumë të rrinë në duart e njerëzve, aq më shumë ata do vrasin njëri tjetrin.

Sa më shumë këta tre elementë të bashkohen e ndërthuren, aq më shumë lajme të zeza do ketë në TV e gazeta...aq më shumë vrasësi do të mësojë nga vrasësi e vetëvrasësi nga vetëvrasësi... në thelb të gjitha bashkohen në zgjidhje te forcimi i arsimit në vend që nuk duhet të vijë vetëm nga shkolla por edhe nga mediat.

VIP-at (!) nuk kanë asnjë vlerë në një shoqëri kur djali vret babanë, burri i pret këmbët gruas, nusja i vrimos kokën vjehrrës, vëllai i thyen ca dhëmbë motrës e me radhë me tej kur komshiu nuk e ka për gjë të të dërgojë në atë botë për një pulë, një gardh a një vijë uji! Ndaj media duhet të jetë mësues e jo thjesht pasqyrë e shëmtisë që në fund të fundit çdo shoqëri e ka!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama