Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Skandali Pango dhe dënimi i Ylli Pangos!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 16 vite më parë

Blendi Fevziu
Skandali Pango dhe dënimi i Ylli Pangos!

Vështirë që një ngjarje tjetër, qoftë edhe me   pasoja tragjike, të ketë provokuar vëmendje, etje për informaciondhe eksitim të shoqërisë sa ai që tashmë quhet “skandali Pango”! Nuk ka dyshim që e gjitha kjo është e kuptueshme. Ngjarje ku bashkohen abuzimi me postin, korrupsioni, përgjimi, debati mbi të, histori femrash dhe në fund seksi i mbetur në tentativë, nuk mund të të qëllojnë çdo ditë. Në çdo vend të botës raste si ky konsiderohen të arta për median dhe provokojnë jo pak vëmendjen e publikut. Duke u kthyer në televizion në debate politike, shoqërore dhe seksuale njëherësh.

Në fakt në këtë shkrim nuk dua të merrem me dy aspekte të diskutuara tashmë të “Rastit Pango”. Nuk dua të merrem me atë që ndodhi dhe komentin e saj. Nuk ka asnjë dyshim dhe nuk shpreh as hezitimin më të vogël se ai është një rast i dënueshëm (në fakt një fenomen). Një rast që mori përgjigje për 4 minuta me shkarkimin e Ylli Pangos nga Ministër dhe me distancimin e familjes së tij politike nga ai. Fenomeni është ende aty dhe ai pritet të marrë një përgjigje të shpejtë juridike. Parlamenti duhet të përgatisë një paketë ligjore të ashpër për ndëshkimin e një fenomeni që ka qenë, është dhe për fat të keq mund të jetë ende një plagë e shoqërisë shqiptare. Si e çdo shoqërie të varfër, ku dinjiteti i njeriut nuk vlen aq sa duhet të vlejë realisht.

Nuk dua të merrem as me përgjimin dhe debatin nëse një gjë e tillë duhej apo nuk duhej bërë. Unë jam për denoncimin nga media të çdo rasti korruptiv, ndërsa e drejta e jetës private dhe raporti i saj me median duhej të kishte marrë një përgjigje nga disa dhjetëra OJQ, grupe dhe shoqata të të drejtave të njeriut dhe veprimtarë të saj. Qoftë pro apo kundër, këta duhej të prononcoheshin në respekt të “Fiksit” apo Pangos, duke bërë punën e tyre, që në fakt nuk po e bëjnë. OJQ, grupe dhe njerëz që deklarohen përpara kamerave për çdo shkelje në burgje apo komisariate, që konsumojnë fonde nga institucionet europiane, struken dhe fshihen sa herë ka një debat mes pushtetit ose një njeriu me pushtet dhe pushtetit të medias.

Ajo që doja të komentoja dhe që në fakt vetëm aty-këtu ka ngritur kokë, është mënyra se si shoqëria shqiptare dhe gjithë hallkat e saj e trajtuan jo “rastin Pango”, por Ylli Pangon. Histeria kundër tij, ishte në fakt e frikshme. Ylli Pango është një njeri i kapur në flagrancë; një njeri që ka shpërdoruar detyën e tij; një njeri që u shkarkua dhe që mund të ndiqet penalisht nëse Prokuroria e sheh të arsyeshme. Por Pango nuk u pa si i tillë. Ylli Pango u bë motoja e katarsisit të të gjithë mëkatarëve të politikës shqiptare dhe më gjerë. Njerëz që në kohë dhe rrethana të ndryshme kanë vepruar si ai; njerëz që ende mendojnë dhe që në vetminë e tyre e justifikojnë gjestin e tij, iu turrën me një histeri moralizuese. Njerëz që kanë abuzuar seksualisht me postet, që kanë tradhtuar gratë, shefat dhe kauzat e tyre politike, drejtuan gishtin mbi të me një fjalor dhe filozofi mjerane. Kushdo që e ka parë seancën e Parlamentit dhe ka dëgjuar opinionet e politikanëve në gjithë kanalet televizive do ketë ndjerë po atë neveri.

Kjo ishte më e pakta. Ana thjeshtë morale. Shoqata e Pedagogëve u ngrit duke kërkuar moskthimin në universitet pa e dëgjuar ende një herë atë dhe pa pritur vendimin e drejtësisë; një shoqatë universitare kërkoi që botimet e tij të hiqen nga Fakulteti dhe nga qarkullimi; një gazetar shkruante që ai të ikë dhe mos jetojë më në Shqipëri; ndërsa një shoqatë ish-oficerësh kërkoi që atij t’i hiqet pasaporta shqiptare!!!

Në fakt, jo “rasti skandaloz Pango”, por histeria anti-Pango duhet të na bëjë të kuptojmë se shoqëria represive e viteve të komunizmit dhe modelet e saj jetojnë ende fort brenda nesh. Se modeli i vetëm i dënimit të një individi për fajin e tij është ai i damkosjes, më pas demaskimit publik, pastaj internimit dhe në fund ndalimit të veprës së tij. Ky model i vjetruar dhe makabër i dëbim – internimeve dhe morali me dy fytyra i shumë prej atyre që e dënuan, duhet të jetë për ne, po aq shqetësues sa “Rasti Pango” vetë. Sepse kjo dëshmon se shoqëria që jetojmë nuk është ende e pjekur për të përballur ashtu siç duhet, një ngjarje dhe një fenomen që është edhe vetë shumë i rëndë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama