A ka "standarde" për politikanët?

Shkruar nga: Gëzim Tushi  
Botuar më: 20 vite më parë

Gëzim Tushi
A ka "standarde" për politikanët?

Me sa duket, erdhi koha e kapërcimit të idesë sempliste, sipas të cilës, politikan dhe politikë mund të prodhojë kushdo pavarësisht nga profesioni, aftësitë, niveli kulturor, formimi dhe personaliteti. Tashmë, duket se është e sigurt që "klasa politike" do të jetë përherë e më tepër përballë kërkesës imperative, filtrit të publikut, për të qenë e aftë, kulturalisht e detyruar, për të plotësuar parametrat individualë që duhet të ketë politikani, për të qenë në nivelin e kërkesës publike, që t'i shërbejë politikës profesionalisht dhe jo intuitivisht, me njohuri të plota teorike dhe jo thjesht me "përvojën empirike profesionale".

Nëse këtë kërkesë do ta bëjmë një "standard detyrues" për politikanët profesionistë, me siguri që një pjesë e "klasës politike", nuk e kalon dot "traun e standardit" të politikës si profesion. Deri tani, përgjithësisht, politikanët tanë nuk e kanë perceptuar imperativin e kësaj kërkese, ndaj kanë mundur të "jetojnë të bashkuar", duke krijuar "oligarkitë partiake" në partitë e tyre, duke siguruar mbështetje numerike të votave, duke maskuar në këtë mënyrë aftësitë dhe kapacitetet e munguara. Politikanët shqiptarë janë bërë mjeshtra të "politikës, si pazar partiak i mbyllur", ata e njohin mekanizmin e manipulimit dhe përpunimit me "militantët e devotshëm". Por tashmë duket se koha ka ndryshuar. Ka ndryshuar edhe pesha e "grupit militant" në vendimmarrjet politike brenda partive dhe jashtë saj. Kjo është shenjë e pjekurisë politike dhe përgjegjësisë sociale, për të ndalur infiltrimin në politikën profesioniste të njerëzve që nuk kanë aftësi, staturë kulturore, intelektuale, personalitet publik, për të qenë në "rolin e politikanit".

Politikës profesioniste ka filluar t'i "dalë kallaji". Periudha nga zgjedhjet e vitit 2005, ka qenë e mjaftueshme për të "zhveshur nga galvanizimi" shumë politikanë që mundën të infiltrojnë në Parlament. Tempulli i demokracisë vërtet nuk është "universitet", por nuk mund të mos jetë në të njëjtën kohë, "tempull i dijes", i kulturës polivalente, i fjalës së bukur dhe elokuencës së shprehjes politike.

Shoqëria shqiptare ka filluar të "ridimensionojë konceptin", të rritë pretendimet sociale për standardet që duhet të plotësojë politikani profesionist. Tani duket qartë se defekti social që jep këtë produkt me cilësi të ulët është i lidhur me "mekanizma dhe stratagjema" përdorin partitë politike, për të manipuluar në "45 ditë" elektoratin, që t'i bindet verbërisht, "pa kushte", zgjedhjes dhe "vullnetit të partisë", duke e bërë procesin e "ndërtimit dhe rindërtimit" të klasës politike një proces të thjeshtëzuar, të kollajshëm, një privilegj që mund të realizohet pa "sforcime mendore e volitive".

Disa politikanëve dhe deputetëve, as që u bie ndër mend se profesioni i politikanit është nga më "polivalentët" nga më të ngatërruarit, i cili kërkon jo vetëm militantizëm dhe besnikëri, por dhe njohuri të gjëra. Nuk mendoj se duhet të ngremë "paradigmën maksimale", që politikani të jetë shkencëtar. Natyrisht jo, por nuk mund të mos pranojmë se roli i politikanit profesionist, është i pamundur të realizohet pa njohuri të renditura, sistematike, nga politologjia, filozofia, për të kuptuar "dimensionet e politikës" si profesion. Njohuritë dhe kultura sociologjike, njohja e shkencave shoqërore, janë ndoshta nga më të domosdoshmet. Unë e di që politikanët me kulturë të kufizuar, apo me "gjysëm kulturë", do të revoltohen, do të sjellin si "kundër-argument" për të mbuluar të "vërtetën personale", faktin se jo çdo politikan duhet të jetë patjetër "filozof" apo "sociolog". Kështu është, sepse ka një ndryshim në esencë midis politikanit dhe filozofit apo sociologut. Politikani është "homo politicus", ndërsa filozofi dhe sociologu janë "homo teoricus". Por e vërteta e kohës moderne është se këto role nuk janë të ndara me "mur kinez", të palidhura me njëra-tjetrën. Këto figura profesionale janë të detyruara të afrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, duke i shërbyer qëllimeve "eksplicite" dhe synimeve të "integruara". Politikani nuk mund të bëhet një "homo politicus" i vërtetë, nuk mund të luajë rolin e deputetit, të politikanit profesionist, pa njohuritë e dobishme të këtyre fushave, të cilat ai është i "detyruar" t'i zotërojë. Sepse sociologjia, fjala vjen, si shkencë, njohuritë sociologjike, siç ka thënë me të drejtë Maks Veberi, kanë të bëjnë me "strukturën dhe dinamikën e qënies njerëzore". Në kushtet e shoqërisë që "modernizohet dhe ndërlikohet" në mënyrë të pandërprerë, "aftësitë sociale" të politikanit, janë konditë e domosdoshme. Politika jonë profesioniste, veçanërisht Parlamenti i ka "me pakicë" politikanët që dëshmojnë aftësi për të interpretuar gjerësisht dhe në mënyrë elokuente, ligjësitë e jetës sociale. Dallohen pa vështirësi politikanët që kanë mangësi kulturore, njohuri të kufizuara politike, kulturore e sociologjike dhe që për të mbuluar këtë "handicap personal", bëjnë përpjekje të sforcuara duke operuar vetëm me ca slogane të thjeshtëzuara politike.

Ky "tip politikani" nuk është i veçuar, i izoluar, përjashtim, por, për fat të keq, përbën ndoshta një "pjesë të mirë" të asaj që ka dëshirë ta quajë veten zyrtarisht "klasë politike". Pavarësisht se realisht janë shumë larg "entitetit adekuat" të këtij termi. Ndërkaq ka në politikën tonë profesioniste, në Parlament, "kavalierë të politikës", që plotësojnë dukshëm parametrat dhe "standardet përkufizuese" të politikanit të karrierës, me njohuri të plota, me kontribute konsistente në politikë. Nuk mund të mohohet, se edhe në politikën tonë ka politikanë me "staturë të formuar", me aftësi të gjëra të njohjes dhe interpretimit të dukurive socio-politike, që dinë të analizojnë dukuritë e jetës politike, me njohuri të thella dhe jo me "slogane të përgjithshme". Jeta jonë tashmë është e komplikuar së tepërmi, proceset politike janë të ndërlikuar në procesin e "ndërvartësisë së përgjithshme". Kjo e bën të vështirë punën për politikanët me njohuri të cunguara. Mungesa e njohurive dhe aftësive për të bërë analiza, e ka bërë politikën tonë të bezdisshme për qytetarin. Dëgjojmë deputetë që flasin, por nuk thonë gjë, vetëm fjalë e fraza të parafabrikuara të politikës ordinere. Diçka më ndryshe ca të tjerë, kur vinë me "fjalime të parapërgatitura", të cilat në jo pak raste mezi që munden t'i lexojnë. E keqja më e madhe duket, kur ata janë të detyruar të "improvizojnë diskutim të çastit", për të "gjetur" seritë e shkaqeve dhe të pasojave" të fenomenit që diskutojnë. Në këtë rast dallohen lehtë ata që "kanë ngatërruar profesion", sepse publiku i dallon lehtë "politikaninët mendjengushtë". Mungesa e mendimit të vërtetë, nuk mund të kompensohet me fjalë e slogane, as me trimëritë e "militantizmit dikotomik". Parlamenti nuk është vend për "forcë fizike e trima", por për aftësi mendore, të analizës përgjithësimit, parashikimit e parandalimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama