Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prerogativa të deformuara të politikanit

Shkruar nga: Gëzim Tushi  
Botuar më: 17 vite më parë

Gëzim Tushi
Prerogativa të deformuara të politikanit

Nëse do të kërkonim në morinë e shkaqeve që e kanë bërë disi të huaj politikën me qytetarin, me siguri që një nga më kryesoret ka për të qenë perceptimi i politikës si “privilegj” personal i politikanit, që të siguron “status” të veçantë, të ndryshëm dhe të dallueshëm nga qytetari. Në fakt bindja, faktet që po publikohen dhe realiteti apo dyshimi, se disa politikanë të pozitës dhe opozitës së këtij vendi të varfër, abuzojnë me “prerogativat” e pozicionit të politikanit në shoqëri, është bërë ide fikse, tabu. Në të vërtetë, politikanët e këtij vendi edhe pse publikisht e akuzojnë njëri-tjetrin për abuzime korruptive, madje duke i nxjerrë shifrat e njëri-tjetrit në Parlament, në shtyp dhe në median televizive, megjithatë nuk e kanë për dëshirë që këtë realitet ta diskutojnë dhe qytetarët, publiku.

Sepse pavarësisht nga nervozizmi momental, mungesa e vetëpërmbajtjes së tyre kur akuzojnë njëri-tjetrin për abuzime në përmasa skandaloze, në thelb duket se megjithatë politikanët e të dy palëve, pavarësisht “kontradiktave” apo xhelozive pasurore, duke qenë bashkë në “botën e politikës”, e kanë të pranuar, megjithëse në “mënyrë konsensuale”, që politika është mjet që të sjell privilegje më shumë se statuset e shkruara. Për këtë tashmë janë të bindur edhe ata, edhe qytetari, i cili pikërisht nga ky shkak gjithnjë e më shumë po ftohet, duke i kthyer krahët politikës.

Politikanët, nëse duan të ngrenë vlerën e politikës si instrument i rregullimit demokratik të jetës sociale, duhet më së pari t’i bëjnë “skaner” pozicionit të tyre si politikan dhe rolit të secilit në arenën e politikës publike. Mungesa e besimit tek politika nuk është në përgjegjësinë e qytetarit, por të atyre që e kanë profesion, që janë të zgjedhur për të kryer misionin e ndikimit inpersonal, social, në të gjithë shoqërinë shqiptare. Nga mënyra si po e zhvillojnë atë, duket se një pjesë e “klasës politike” po udhëhiqet nga parime të tjera të dyfaqësisë, pragmatizmi personal, shpesh në përmasa banale, duke e lidhur “misionin” me interesa empirike, materiale e familjare.
 
Këto qëndrime po deformojnë “aksin social” të politikës shqiptare. Tashmë nuk janë pak ata politikanë që kanë vënë në krye interesat nominale mbi synimet racionale të shoqërisë. Politika në perceptimin publik, pikërisht nga ky deformim që po i japin disa politikanë, ka filluar të perceptohet si një nga “bizneset më fitimprurës”. Padyshim, në këtë realitet ka ndikimin e vet të dukshëm fakti që shoqëria civile në këtë vend ende nuk është e fortë, në nivelin e vlerësimit të prerogativës qytetare të kontestimit qytetar, ndaj politikanëve që i bëjnë karshillëk me pasuritë e tyre, të vëna “nëpërmjet politikës”. Politika ende ka padrejtësisht një forcë të hipertrofizuar, e të pamerituar në këtë vend. Pikërisht kjo e ushqen mentalitetin e deformuar publik tek njeriu i thjeshtë, që të mendojë në mënyrë sempliste se çdo politikan, pavarësisht nga përkatësia ngjyrore dhe pozicioni dikotomik, në të majtë apo të djathtë, është në të gjitha rastet “forcë pushteti” dhe politika konsiderohet heshtur si “mjet që sjell privilegj”. Ndërsa qytetari është vetëm objekt, mjet me të cilin “politikani bën politikë”.

Realiteti ynë ka kohë që ka filluar të deformojë raportet e politikanit me qytetarin. Kjo shfaqet dukshëm në procesin e kthimit të “klasës politike” nga një grup njerëzish që kanë mision social, në një “klasë”, që më shumë mendon të garantojë privilegje materiale, morale e sociale, për vete dhe familjen e tij. Dhe kjo bëhet nga disa me një kollajllëk fshataresk, në sy të qytetarit, që broçkullit në kafene dhe “ha pilaf” në shtëpi. Duket se ideja e privilegjit të “njeriut politik” ka marrë përmasa të frikshme në këtë vend. Përmasat e kësaj “reje të zezë” që qëndron mbi qytetarët, mund të evidentohen një ditë, nëse klasa politike do t’i nënshtrohet, kundër vullnetit të saj, një “operacioni transparent”, të detyruar dhe jo të instrumentalizuar me lojën manipulative të dalë boje të “imuniteteve” me publikun dhe drejtësinë.

Në këtë situatë ndikon paradigma që ushqejnë disa politikanë, se ata “kanë të drejtë të kenë privilegje”. Natyrisht që ato që parashikon ligji po. Por shoqëria jonë po vuan nga fakti se veç tyre, funksionon një mekanizëm që krijon privilegje shtesë në marrëdhëniet e tyre me strukturat e shtetit, si kompensim, si shtesë për “statusin e politikanit”. E gjithë kjo situatë buron nga bindja e vjetër se qytetari i këtij vendi ka qenë timid, inferior, i trembur nga politikanët nga njëra anë dhe nga bindja e politikanëve se qytetarët e këtij vendi, nuk e kanë “staturën e qytetarisë”, nuk kanë sy e veshë, nuk kanë tru që të bëjnë llogari. Qytetarët le të kënaqen me “gallatë politike’ që për politikanët nuk përbën më problem, ndërsa politikanët të merren me statusin e tyre social dhe material. Nëse ecim kështu, politika profesioniste do të bëhet gjithnjë e më shumë asociale, e panevojshme, e padobishme, me impakt gjithnjë në rënie. Që të ndryshojë ky realitet, që politikanët tanë t’i kthehen politikës me të gjithë energjitë, që të kuptojnë se politika nuk është gallatë, por siç thotë politologu gjerman Erhard Epler, veprimtari me “kokë në torbë”, duhet të luftojmë të gjithë për të rregulluar raportin e tyre me qytetarin. Dhe kjo nuk bëhet duke iu lutur, duke ju shkuar verbërisht nga pas. Së pari, duhet t’i detyrojmë që ata të ndryshojnë konceptin dhe raportet me qytetarin, të ndryshojmë idenë sunduese se qytetari është “send politik” ndërsa politikani është “idhull i tij”.

Kur u përmbys sistemi totalitar që sillte privilegje të shëmtuara revoltuese për klasën politike, menduam se klasa e re do t’i largohej kësaj sëmundjeje të rrezikshme, që cenon vlerën morale dhe kredibilitetin social të politikës dhe politikanit. Në fakt, klasa politike u ndryshua, por nuk u shërua paradigma e vjetër, se “politika është fushë që sjell privilegj”. Madje kam frikë se tashmë ai është kthyer në një koncept që po fiton përditë e më shumë qytetari. Ndaj i janë qepur politikës një masë kaq e madhe njerëzish, disa prej të cilëve janë me “kilometra dritë” larg saj.

Si qytetar i këtij vendi më shqetëson ideja se në shoqërinë shqiptare po ravijëzohen “dy masa lirie”, një për qytetarin e zakonshëm, që duhet të jetë korrekt se e “kap ligji” dhe një tjetër për politikanin profesionist, i cili ka ca hapësirë lirie më shumë se qytetari, për vete, për gruan, për fëmijët, për shokët e “idealit”, duke pasur status dhe raport të veçantë me “lirinë” dhe ligjin. Liria e “tepërt” që u vjen politikanëve gratis, si shtesë për shkak të angazhimit të tyre në politikë, është “rudiment” i teprimeve të dikurshme të politikës totalitariste, që krijonte privilegje të shëmtuara. Ndërkaq ky është njëri nga shkaqet, por me siguri më kryesori, që qytetarët po ftohen me politikën, po i shmangen asaj dhe që vlera dhe kreditet e politikanëve sot janë në kuotat më të ulëta. “Teprica e lirisë” si privilegj për politikanët, që ata të kenë statuse jo ligjore, që sjellin privilegje të pashkruara “sui generis”, është cenim i lirisë së qytetarit. Politikani nuk është njeri me “shans të shtuar”. Ata duhet të kenë “status ligjor” por jo “privilegje sociale”.
 
Ky është imperativ, nëse nuk duam që demokracia të deformohet akoma më shumë, që besimi i qytetarit dhe distanca e tij me politikën të mos thellohet më tej. Qytetari nuk është “objekt” i thjeshtë për politikën, por është siç thotë filozofi francez, Emanuel Levinas në veprën e shkëlqyer “Liria e vështirë”, një “veçanti e pareduktueshme” po aq sa politikani. Në këtë kontekst, nëse klasa politike nuk e kupton, apo bën sikur nuk e kupton “tepricën e privilegjeve dhe të lirisë” që kanë mbi qytetarin e nderuar që përpëlitet të jetojë me djersë të ndershme dhe vështirësi të paimagjinueshme, atëherë duhet t’i detyrojë opinioni publik, media, shtypi, shoqëria civile, transparenca, kërkesa këmbëngulëse e llogarisë qytetare, për t’i penguar ata në projektin e krijimit të “hierarkisë së tyre”. Uni i tyre, kalkulimet egoiste nuk duhet të jenë ndryshe nga ato të qytetarit të thjeshtë. Kjo është alfa dhe omega e demokracisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama