Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kombet nën peshën e miteve




Në nëntor të 2008-ës fqinji ynë në Lindje, Turqia ishte mbërthyer nga një debat lidhur me figurën e liderit të saj më të madh te shekullit XX, Mustafa Qemalit. Një gazetar i njohur i gazetës Milliyet (Kombi) Can Dündar (Xhan Dyndar) kishte shkruar një skenar filmi të quajtur “Mustafa”, ku shpjegonte jetën e babait të republikës turke që Asambleja e këtij vendi në vitet ‘20 e quajti Ataturk, ati i turqve. Filmi u xhirua edhe do futej në rrjetin gjigant të kinemave turke, kur plasi debati mes atyre që e kishin parë apo lexuar më parë skenarin...debatet zgjaten deri atje saqë një kompani sponsorizuese (operatori më i madh celular në vend me rreth 40 milionë abonentë) u tërhoq nga frika se mos pësonte dëme financiare.

Në thelb, “Mustafa” ishte një film që gazetari me prirje qemaliste, pra një i majtë mbështetës i Ataturkut, e kishte shfaqur ish-liderin si një njeri tejet autoritar, i shoqëruar gjithmonë nga tymi i cigareve që nuk shuheshin kurrë dhe ç’është me keqja, nën shoqërinë e shpeshtë të alkoolit. Mustafa Qemali kishte zbritur nga qielli mitizues i turqve që e kanë vendosur në çdo rrugë, në çdo shkollë e në çdo shesh bustin e tij dhe ishte bërë një njeri si gjithë të tjerërt, me vese dhe huqe, por që sërish mbetej një lider i madh që arriti të shpëtonte kombin!
Shoqatat “Qemaliste” e kryqëzuan gazetarin e njohur që ishte po qemalist, bënë thirrje për bojkot të filmit dhe zhvilluan protesta! Sipas tyre figura e Ataturkut nuk mund t’u shfaqej kurrë kështu sidomos të rinjve, një shembull i keq e gjithë vese. Por ja që Ataturku ashtu ishte në kohën e tij. Pamja e tij njerëzore, ulte poshtë mitin e ngritur për më se 80 vjet! Por kjo nuk e vinte në dyshim aftësinë e tij si komandant, strateg, politikan dhe burrë shteti. Përkundrazi u tregonte turqve se ai s’ka qenë perëndi dhe se në Turqinë e sotme mund të piqen sërish Mustafa Qemalë që të punojnë që vendi të shkojë edhe më pranë familjes evropiane që dëshiron.

Gjithçka ishte thuajse e njëjtë në Tiranë kur të gjithë diskutojnë për figurën e Skënderbeut. Sërish heroi ynë kombëtar me një vepër të historianit austriak Oliver Schmit zbret në tokë nga lartësia e kalit të tij në sheshin më të madh të Tiranës dhe Shqipërisë. Në debat janë përfshirë historianë e shkrimtarë, politikanë e gazetarë...ata që e kanë lexuar Schmitt-in dhe ata që thjesht kanë dëgjuar debatet e të tjerëve siç ndodh rëndom në Shqipëri.

Skënderbeu nuk ka nevojë që ta mbrojmë. Ashtu si edhe Ataturku për Turqit, ai mbetet një simbol i Shqiptarëve. Por ata duhet ta mësojnë shkencërisht se çfarë ka bërë ai, pse ka luftuar ai, si ka jetuar ai! Ata nuk duhet të ushqehen më thjesht me filmin rus “Skënderbeu”. Ashtu siç historia 500 vjeçare e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane s’mund të reduktohet në 25 vjet!

Ky proces është i dhimbshëm, pasi do të shkulë të gjitha stereotipat e krijuar në shekullin e XIX dhe XX. Ky proces është i ndërlikuar sepse punimet më të mëdha të historiografisë janë ndërmarrë nën regjimin komunist. Ky proces është i vështirë sepse shumë vetë nuk duan të ndryshojnë tashmë ata që njerëzit janë mësuar të mësojnë!

Historia është shkencë. Por një pjesë ende nuk e ka kuptuar këtë. Ajo s’mund të bëhet sipas midesë, sepse kombet zhgënjehen ashtu siç po zhgënjehen aktualisht serbët nga mitet e tyre të çmendura. Dhe Oliver Schmitt-i e ka treguar se është përpjekur ta sjellë shkencërisht figurën e heroit tonë kombëtar. Kjo nuk e ul atë, nuk e përbalt figurën e tij, nuk e zvogëlon vendin që ruan në panteonin e kombit.

Përkundrazi, kjo e bën më njeri, ashtu si qindra mijëra shqiptarët që luftuan kundër Perandorisë Osmane apo u bashkuan me të për t’i shërbyer deri në postet më të larta (përveç atij të Sulltanit).

Evropa dhe Perëndimi nuk do të na përçmojnë për këtë. Përkundrazi, do të na respektojnë. Sepse ne ishim ata që e luftuam Perandorinë 25 vjet a më shumë, dhe ishim ne që e mbështetem 400 vjet e më shumë!

E lexova me durim Skënderbeun e Oliver Schmitt-it si një qytetar i thjeshtë dhe e kuptoj që përtej kësaj pune kolosale shkencore, nuk ka qëllim për të denigruar një figurë të madhe të historisë së shqiptarëve dhe gjithë Ballkanit. Ka më shumë arsye, ka më shumë cilësi në këtë libër se çdo tekst i mbushur me mite. Fëmijët tanë duhet ta mësojnë se vendi nuk ndërtohet nga mitet, por nga shembulli i vërtetë i personave që janë bërë mite.

Ndaj Oliver Schmitt-i ndoshta qesh nga mënyra sesi shqiptarët e trajtojnë një pjesë të historisë së tyre para 500 vjetësh me një ndjenjë të tillë! Ndoshta i vjen keq që shumë persona po përpiqen të fitojnë terren me kartën nacionaliste! Ndoshta i dhimbsemi se ende nuk e kemi arritur gjykimin e ftohtë të paktën në atë fushë ku mund të bëjmë shkencë, në histori, se në degë të tjera të teknologjisë as sot e as mot s’ka fuqi kombi ynë i vogël të shquhet apo ka shumë pak.

Pas filmit “Mustafa” (të ndjekur nga një DVD pirate!) mu shtua edhe më shumë respekti për Ataturkun dhe i kuptova edhe më mirë turqit dhe problemet e tyre. Mund të them të njëjtën gjë edhe për Skënderbeun e Schmitt-it: e respektoj edhe më shumë këtë ushtarak dhe udhëheqës të madh, problemet me të cilat u përball janë ende sot evidente në mënyrën sesi po përpiqen klasat politike dhe liderët ta drejtojnë këtë vend, apo komunitetet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë! Skënderbeu i Schmitt-it më ndihmon të kuptoj marrëdhënien e fiseve, udhëheqësve dhe zonave më njëra tjetrën, të feve me njëra tjetrën në gjirin e shqiptarëve, të kombeve ende jo kombe në atë kohë me njëri tjetrin!

Sepse është shumë më afër realitetit se historitë që kanë brenda liderin (prijësin-udhëheqësin-kryetarin-komandantin) absolut! Historia shqiptare duhet të ndahet njëherë e mirë nga romantizmi i Rilindjes sonë të shekullit të XIX dhe “komunistizimi” i shekullit të XX. Mjaft të lexoni historinë amerikane se me ç’vlerësim por thjeshtësi i portretizojnë ata burra të mëdhenj që ndërtuan demokracinë më të madhe në botë, duke evidentuar gjenialitetin por edhe dobësitë e tyre! Por para se të shohim përtej Atlantikut, duket të shpëtojmë nga kthetrat bizantine...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama