Përdorimi politik i islamofobisë në Shqipërinë paskomuniste

Rrënjet historike të islamofobisë

Në një nga publikimet më të fundme të Këshillit të Evropës, islamofobia është përkufizuar si: `frikë ose paragjykim nga Islami, muslimanët dhe çështjet që i përkasin atyre në përgjithësi. Islamofobia mund të marrë forma racizmi dhe diskriminimi, ose edhe të dhunshme. Islamofobia është dhunimi i të drejtave të njeriut dhe kërcënim i kohezionit social'.


Termi islamofobi gjendet i përdorur për herë të parë në vitin 1922 në esenë L'Orient vu de l'Occident nga orientalisti Etienne Dinet.' Në ditët tona, termi islamofobi zakonisht përdoret për të treguar diskriminimin me të cilin muslimanët përballen në Evropën perëndimore pas viteve 1990. Islamofobia kuptohet si një praktikë dhe ligjërim modern anti-Islamik, i cili pas 11 shtatorit ka marrë përmasa të mëdha. Një seri shkollarësh kanë vënë re që përdorimi i termit të islamofobisë në shumë raste bëhet në mënyrë jo të saktë, për të rrëfyer fenomene që variojnë nga racizmi e deri te anti-terrorizmi. Për këtë arsye Marsel Maussen mendon se, `termi Islamofobi' shpesh grupon së bashku forma të ndryshme ligjërimi dhe veprimi, duke sugjeruar që të gjitha këto burojnë nga një thelb i njëjtë ideologjik, i cili është `frikë irracionale' (fobi) nga Islami".


Shkruesi i këtij shkrimi mendon se islamofobia nuk është e lidhur vetëm me frikën që Islami shkakton te islamofobët. Islamofobia sipas mendimit tonë është e lidhur edhe me një urrejtje irracionale që persona të caktuar ushqejnë në shoqërinë tonë kundër asaj çfarë Islami dhe muslimanët përfaqësojnë. Në rastin e Shqipërisë, islamofobia gjendet e prezantuar dhe trashëguar në kulturën tonë nga regjimi i kaluar komunist, i cili nëpërmjet artit, literaturës, medias dhe debateve publike, Islamin dhe muslimanët i ka trajtuar si `të huaj' dhe kundërshtarë të qytetërimit. Në Shqipërinë e ditëve tona islamofobia shpesh gjendet e kombinuar me propagandën e regjimit të kaluar komunist kundër fesë (në rastin tonë vetëm Islamit), me dëshirën e disa qarqesh të caktuara për të prozelituar muslimanët në të krishterë dhe veçanërisht në katolikë, dhe me shfaqje ndjenjash raciste turkofobike dhe arabofobike. Ndjenjat islamofobike në shoqërinë paskomuniste shqiptare, shpesh prodhohen duke kombinuar slloganet e luftës së perëndimit ndaj të ashtuquajturit luftë kundër terrorizmit dhe trashgiminë anti-turke që komunizmi ka mbjellë në shoqërinë tonë. Për problemin e islamofobisë në vendin tone intelektuali Abdi Baleta nxorri në vitin 2006 edhe librin "Përballjet me Islamofobinë" ku autori argumenton mbi format e përdorimit të islamofobisë në Shqipëri nga qarqet antiislame të cilat kërkojnë të poshtërojnë muslimanet dhe realizojnë me çdo kusht kristianizimin e shqiptarëve.


Edhe pse për lexuesit e sotëm shqiptar islamofobia mund të perceptohet si një nocion i ri, imazhet negative kundër Islamit dhe muslimanëve gjenden rëndom në historinë e Evropës dhe Perëndimit. Që nga kryqëzatat e deri në kohët e kolonializmit, prej revolucionit iranian e deri te lufta e ditëve të sotme që zhvillohet në Irak dhe Afganistan, islamofobia është shfaqur vazhdimisht në mënyrë të frikshme në mendjen dhe shkrimet e popujve evropianë. Siç Karen Armstrong vëren, me mbërritjen e Islamit në Perëndim dhe shpikjen e kryqëzatave, Islami dhe profeti i tij u kthyen në armiqtë kryesorë të cilivizimit perëndimor, dhe kundër tij janë hedhur turlifarë shpifjesh dhe gënjeshtrash që synojnë përshkrimin e Islamit si kërcënimin për perëndimin.

Në gadishullin Ballkanik imazhet frikësuese kundër Islamit dhe muslimanëve janë zhvilluan dukshëm me avancimin e Perandorisë Osmane drejt Ballkanit gjatë shekujve të 14 dhe 15të. Në nxitjen e islamofobisë në Ballkan një rol të veçantë kanë luajtur kishat ballkanike të cilat Islamin fitimtar e shihnin si një forcë të tmerrshme i cili kërcënoi jo vetëm supremacinë politike të Kishës por edhe mesazhin teologjik të Krishtërimit në Evropën Juglindore. Kulmet e islamofobisë në Ballkan arritën gjatë fund shekullit 19të dhe fillim shekullit të 20të kur Perandoria Osmane u sulmua si fizikisht ashtu edhe propagandistikisht nga nacionalizmat ballkanikë dhe sponsorët e tyre evropjanë. Në pothuajse të gjitha `hagjiografitë nacionaliste' të Ballkanit, turqit dhe feja e tyre janë trajtuar si mizorë dhe të dhunshëm dhe të kundërtit e qytetërimit.


Megjithëse në Shqipëri shumica e popullit tonë i përket fesë Islame, islamofobia dhe turkofobia janë bërë pjesë e kulturës sonë nacionaliste që prej vitit 1913 kur Shqipëria u krijua si shtet. Nga që Islami në Ballkan lidhej me turqit, nacionalistët shqiptarë që u sollën në pushtet pas rënies së Perandorisë Osmane, formuan një nacionalizëm të mbushur me stereotipe kundër turqve dhe në mënyrë direkte ose indirekte edhe muslimanëve sunitë të cilët shpesh janë trajtuar si bashkëpunëtorë të Devletit turk. Megjithatë, Islamofobia morri përmasa masive shtetërore dhe politike në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

 

Duke e parë veten si modernizues, komunistët trashëguan nga `Rilindasit' dhe hagjiografitë nacionaliste ballkanike urrejtje kundër turqve dhe fesë që ata sollën në Ballkan. Regjimi komunist në Shqipëri, të 500 vitet e Perandorisë Osmane në vendin tonë i ka përshkruar si një periudhë prapanike mesjetare, e cila shkëputi Shqipërinë nga Evropa mëmë dhe nga zhvillimi i civilizimit perëndimor. Nëpër librat shkollor të historisë së Shqipërisë moderne, Perandoria Osmane gjendet e fajësuar për prapambetjen e Shqipërisë, ndërsa zyrtarët otomanë që drejtuan perandorinë, siç janë bejlerët, pashallarët, agallarët - sëbashku me klerikët muslimanë si hoxhallarët, dervishët dhe myftijtë – shpesh gjenden të portretizuar si shkaktarë të vuajtjeve sociale të vendit. Nëpërmjet publikimeve, filmave, librave, pikturave dhe poezive, regjimi komunist shqiptar i portretizoi zyrtarët e Shqipërisë pre-moderne si turq dhe prej këtej si jo-shqiptarë.


Islamofobia në Shqipëri është transmetuar edhe nëpërmjet përdorimit të temave orientaliste në artin e realizmit socialist, ku bejlerët, agallarët, kulakët, hoxhallarët dhe dervishët ashtu si edhe të gjithë besimtarët muslimanë gjendet të portretizuar si oportunistë dhe bashkëpunëtorë me armikun. Lufta kundër zakoneve prapanike siç edhe njihej lufta që regjimi komunist organizoi kundër fesë në Shqipëri, synonte çrrënjosjen nga muslimanët të zakoneve të tyre në veshje, ndalimit nga alkoli dhe mishi i derrit, agjërimi i Ramazanit, si dhe besimi në Zot dhe në Ditën e Kijametit.

Terma si anadollakë, prapanikë, tradhëtarë, dallkaukë, turqeli, dylberë, aziatikë, fanatikë, bixhozçinj, përdhunues dhe barbarë janë disa nga termat që komunistët përdorën në artin dhe median shqiptare për të diskredituar zyrtarët muslimanë dhe otomanë. Osmanlliu dhe muslimani i artit të realizmit socialist shpesh rrëfehen si njerëz me qëllime të fshehta, të cilët duan ndarjen e Shqipërisë nga Evropa, dhe bërjen e saj pjesë të Azisë nëpërmjet proçesit të islamizimit dhe aziatifikimit. Siç thotë edhe Enis Sulstarova në librin e tij `Arratisje nga Lindja', Ismail Kadareja që është arkitekti kryesor i literaturës kombëtare në kohën e komunizmit, ai, është në të njëjtën kohë edhe një nga nxitësi më të rëndësishëm të islamofobisë dhe orientalizmit në kulturën tonë.

Islamofobia në Shqipërinë paskomuniste

Me rrëzimin e komunizmit në Shqipërinë e viteve 1990, në vendin tonë pati një rilindje fetare, ku ndër fetë më të rëndësishme që u rimëkëmbën ishte padyshim edhe Islami. Gjatë viteve të para të demokracisë në Shqipëri, muslimanët arritën të ndërtojnë një numër xhamishë dhe shkollash në mbarë vendin. Aktivitet fetare të muslimanëve u organizuan nga Komuniteti Musliman, Kryegjyshata Botërore Bektashiane si dhe nga një numër i vogël tarikatesh sufiste dhe OJQ-së islamike, të cilat me ndihmën e organizatave të huaja dhe vendase u përpoqën të rindërtojnë sa më shumë infrastrukturën fetare të vendit që ishte shkatërruar më parë nga komunizmi. Megjithatë me hapjen e Shqipërisë ndaj perëndimit, disa nga ish-aparatçikët komunistë të cilët në të kaluarën kanë qënë në krye të shtypjes së fesë në vend, kësaj here protestuan dhunshëm kundër asaj që ata konsideruan si ri-islamizim të Shqipërisë. Ismail Kadareja, i cili është i mirënjohur për ndjenjat e tija kundra fesë gjatë regjimit komunist, ka vazhduar të udhëheqë fushatën kundër ri-islamizimit të Shqipërisë edhe pas rënies së sistemit. Vetëm se pas rënies së komunizmit militantizmi i Kadaresë në mbrojtje të ateizmit, është kthyer në një dëshirë të madhe të tij për te konvertuar shqiptarët në të krishterë katolik. Idetë e Kadaresë mbi Islamin dhe Krishtërimin në Shqipëri, u bënë të qarta në vitin në 1991, kur ai deklaroi se: Prirja e Shqipërisë do të ishte drejt fesë së krishterë, ngaqë ajo lidhej me kulturën, kujtimet e vjetra, dhe nostalgjinë e kohës paraturke. Me kalimin e viteve, feja e vonë islamike, e ardhur bashkë me otomanët, do të zbehej (së pari në Shqipëri e më pas në Kosovë), derisa t'ia linte vendin fesë së krishterë, ose më saktë kulturës së krishterë. Kështu që së paku nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të vinte një e mirë. Kombi shqiptar do të bënte një korigjim të madh historik, çka do të shpejtonte bashkimin e tij me kontinentin mëmë: Evropën.


Siç kuptohet më lartë, Kadareja e konsideron futjen e shqiptarëve në fenë Islame si një gjynah historik. Kadareja, që gjatë kohës së komunizmit dhe ditëve të sotme portretizohet nga disa si `babai i kombit' dhe `fytyra publike' e Shqipërisë në perëndim, në ditët tona mund të konsiderohet pa frikë edhe si arkitekti kryesor i islamofobisë dhe turkofobisë në Shqipërinë moderne. Nderimi që Enver Hoxha kishte për të, dhe statusi i lartë politik që ai gëzon sot falë lobit të fuqishëm francez, si dhe nderimit publik të Sali Berishës ndaj tij, e kanë kthyer Kadarenë në një shenjtor të gjallë të ideve të njeriut pas-komunist në Shqipëri. Megjithatë këndvështrimet raciste të tij kundër Islamit, Azisë, turqve, arabëve, romëve, vllehëve etj kanë krijuar shumë kundërshtime publike në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat shumë njerëz i kanë konsideruar raciste dhe islamofobike. Në pjesën më të mëdha të shkrimeve dhe novelave të tij, Kadareja e barazon Islamin me një të keqe të madhe. Nësë gjatë kohës së komunizmit për Kadarenë e mira simbolizohej me komunizmin dhe e keqja me kapitalizmin, në Shqipërinë paskomuniste, Kadareja të mirën absolute e projekton drejt perëndimit ndërsa të keqen drejt Islamit, Azisë dhe turkut. Siç edhe Sulstarova tregon në librin e tij të sipërpërmendur, në punimet e Kadaresë armiku kombëtar i shqiptarëve gjatë periudhës së komunizmit por edhe pas rënies së tij mbetet turku dhe feja e tij.


Islamofobia që Kadareja rrëfen në trajtimin e turkut është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me fenë e tij: Islamin. Këtë e gjejmë tek novela `Ura me tri harqe', ku Kadareja ardhjen e Perandorisë Osmane në Shqipëri e rrëfen si `diçka të errët që shfaqet në horizont: Shteti Turk. Shteti Turk i imagjinatës kadarejane tregohet feudal dhe dashakeqës, aziatik dhe i errët, i cili ka Islamin si komponentin kryesor të tij. Ndër të tjera Kadare flet për "Hijet e minareve të tij po na arrijnë". Kadareja i portretizon turqit si njerëzit që sjellin errësirën në Evropë. Për Kadarenë qëllimi kryesor që turqit kishin në Evropë dhe Shqipëri (e cila portretizohet si mbrojtësja e kufijve të qytetërimit perëndimor) është shkatërrimi i shqiptarëve dhe aziatifikimi i tyre. Dhe nëse ata rezistonin, turqit planifikonin ti zëvendësojnë shqiptarët me arabë, në mënyrë që cilivizimi evropian të ngelej pa rojet e tij shqiptarë.


Racizmi dhe islamofobia e Kadaresë vazhdon të shfaqet edhe në shkrimet e tija të ditëve të sotme. Në esenë "Identiteti evropian i shqiptarëve" (botuar në 2006) islamofobia dhe racizmi i veprës së Kadaresë ndërlidhet me të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit, ku Kadareja përpiqet ti bindë shqiptarët, që si evropianë që ata janë, duhet të divorcohen nga Islami. Në esenë në fjalë Kadare sulmon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike si dhe përpjekjet e disa intelektualëve shqiptarë që i përshkruajnë shqiptarët si muslimanë. Ai sulmon personat që shohin Shqipërinë si pjesë të botës muslimane, madje sulmon edhe praktikat fetare të besimtarëve muslimanë siç është përulja e tyre gjatë faljes. Sipas Kadaresë shqiptarët janë vetëm evropianë dhe si të këtillë nënkuptohet të jenë anti – Islamë. Duke e ndarë botën në dy pjesë – në perëndim dhe atë që mbetet prej tij - Kadare deklaron që Shqipëria nuk mund të bëjë pjesë sa në Azi aq edhe në Evropë, por ajo bën pjesë vetëm në Evropë, dhe si rrjedhojë nënkuptohet që i përket vetëm krishtërimit.


Për Kadarenë, Islami që osmanllitë sollën në Shqipëri ishte një lloj i veçantë Islami. Sipas tij osmanllitë sollën në Shqipëri një Islam që është inferior ndaj krishtërimit katolik. Për Kadarenë inferioriteti i Islamit turk shihet edhe në fushën e artit otoman i cili sipas tij prodhoi një `të ashtuquajtur letërsi erotike' që `në një pjesë të madhe të saj s'ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë'. Ky lloj islami paraqitet nga Kadareja si reaksionar dhe i prapambetur. Si pasojë e kësaj natyre që Islami turk ka mbjellë në Shqipëri, Kadareja arsyeton strehimin që i bën traditës ky Islam i cili bën që `Parazitë të shumtë do t'i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin'.  Ideja që Islami qëndron në pozita antagoniste me Evropën dhe modernitetin, dhe që kjo është një nga arsyet pse Shqipëria vuan nga gjendja e mjeruar ekonomike, është përsëritur shpesh në këto 17 vitet e fundit nga shumë intelektualë ish-komunistë të vendit tonë. Përdorimi politik i islamofobisë lexohet qartë në politikën shqiptare të ditëve tona, ku Partia Socialiste e Shqipërisë ka qënë gjithnjë në pararojë. Zyrtatët e PSSH-së që janë kryesisht ortodoksë nga jugu i Shqipërisë, gjatë fushatave të tyre politike kundër Berishës e kanë akuzuar vazhdimisht atë sikur kërkon të islamizojë jo vetëm Shqipërinë por edhe vetë Evropën. Kur socialistët erdhën në pushtet në 1997, ata nisën një fushatë histerike anti-muslimane të drejtuar në mënyrë të veçantë kundër vendeve muslimane, antarësimit të Shqipërisë në OKI si dhe rikonstruktimit të xhamive dhe medresve, që ishin mbyllur ose shkatërruar nga paraardhësit e socialistëve 3 dekada më parë. Hierarkia e Partisë Socialiste në Shqipëri e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme Islamin si një nga arsyet kryesore pse Shqipëria nuk pranohet nga Evropën e Krishterë. Neshat Tozaj, një nga eksponentët kryesorë socialist në vitin 1995 deklaronte se: "Shqipëria po troket fort dyert e Evropës kur në të vërtetë ka hyrë në Lidhjen Islamike...Mbi Shqipërinë po rëndon prej kohësh damka e një vendi mysliman, damkë të cilën ia kemi stampuar vetë me hekur të skuqur në ballë... Skënderbeu ka luftuar kundër turqve osmanë për çerekshekulli dhe ka triumfuar jo vetëm për të ruajtur Shqipërinë, por edhe për t'iu bërë barrierë e ruajtjes së krishtërimit evropian".


Deklaratat e mësipërme të Tozajt kundër OKI-së dhe të qenit musliman, të cilat Tozaj i cilëson si një `damkë', lidhen më një shkrim që ishte botuar në Paris disa muaj më parë, ku Shqipëria ishte quajtur depo e fundamentalizmit islamik. Duke e imagjinuar Islamin si një forcë të keqe në botë apo si `një damkë të stampuar me hekur të nxehtë në ballë', Tozaj propozon që në vend të mbahet një referendum kombëtar që nëpërmjet tij t'i vërtetohet Perëndimit se muslimanët në Shqipëri janë një minoritet i vogël dhe i parëndësishëm.


Një nga politikanët socialistë që ka sulmuar identitetin Islam të shqiptarëve në mënyrë të hapur dhe agresive në këto vitet e fundit ka qenë edhe Fatos Nano, i cili ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë në intervalet e viteve 1997 – 2005. Kur partia e tij morri pushtetin nga Berisha në 1997, Nano deklaroi se qeveria e tij do të fshinte historinë e 555 vjetëve të fundit të Shqipërisë, duke ju referuar kështu periudhës osmane dhe pasuesve të saj. Një vit më vonë ai deklaroi se qeveria e tij do të luftojë pa mëshirë `krimin ordiner, politik dhe islamik', duke e cilësuar kështu Islamin si një lloj krimi i cili duhet luftuar. Ndërsa në vitin 2003 kur muslimanët e Elbasanit protestuan kundër grabitjes së pronave të namazgjasë të qytetit të tyre nga qeveria, Nano i bëri thirrje popullit të Elbasanit që të kundërshtonin këtë protestë, duke ju apeluar që të mos votojnë "ferexhetë politike" të kundërshtarit, por midis Haxhi Qamilit dhe Kostandin Kristoforidhit të zgjedhin këtë të fundit. Siç mund të kuptohet nga ky tekst, Nano i sheh ferexhetë e grave muslimane dhe Haxhi Qamilin si diçka që i përkasin të shkuarës së zymtë. Ndërsa modernizmin e portretizon si të lidhur me heqjen e ferexhesë dhe të udhëhequr nga të krishterët si Konstandin Kristoforidhi.

 

Islamofobia politike arriti kulme të reja në Shqipëri gjatë vitit 1998 kur amerikanët, ekstraduan nga Shqipëria disa  arabë të dyshuar për përfshirjen në akte terroriste. Socialistët që në këtë kohë ishin në pozitë e përdorën fushatën amerikane për të akuzuar Berishën si njeri që kishte lidhje me fundamentalizmin ndërkombëtar. Lufta e administratës amerikane kundër terrorizmit u shoqërua më një rritje histerike të islamofobisë mediatike në vend, ku tashmë sulmet kundër Islamit nuk vinin vetëm nga Partia Socialiste por edhe shumë OJQ të sponsorizuara nga amerikanët dhe fondacioni Soros. Një shembull i këtillë është artikulli i Remzi Lanit dhe Fabian Schmidtit me titull "Politika e jashtme shqiptare ndërmjet gjeografisë dhe historisë". Në këtë artikull, Lani, i cili është drejtori i Institutit të Medias Shqiptare dhe një nga drejtorët e bordit të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, së bashku me Schmidtin që është gjerman, jepnin përshtypjen se qeveria e Berishës ishtë anti-amerikane dhe anti-evropiane meqë Berisha kishte anëtarësuar Shqipërinë në Organizatën e Konferencës Islamike.

Roli i OJQ-ve të sponsorizua nga Sorosi në nxitjen e islamofobisë në Shqipëri mund të shihet edhe në shumë shembuj të tjerë. Këtu mund të përmendim organizatën "MJAFT", e cila në Nëntor 2006 publikoi në revistën `Mapo' karikaturat e profetit Muhamed.  Megjithatë, personi më shqetësues i rrjetit të të paguarve nga Fondacioni Soros, që ka nxitur valë të frikshme islamofobie në Shqipërinë e viteve të fundit ka qënë rasti i Piro Mishës. Piro Misha i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë si një nga drejtorët e bordit të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Tiranë dhe organizata e tij `Instituti i Dialogut Publik & Komunikimit' mbahet me paratë e Sorosit, ka nxitur shumë polemika në shtypin shqiptar me deklarata e tija anti-islame të këtyre dhjetë viteve të fundit. Ai ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme antarësimin e Shqipërisë në OKI, dhe nën preteksin e asaj që ai quan ruajtje të `Islamit shqiptar' nga `Islami arab' ka bërë thirrje për izolimin e muslimanëve shqiptarë nga bota islame, dhe biles ka kërkuar edhe izolimin shoqëror të shkruesit të këtij shkrimi.  Ndryshe nga Kadareja i cili përbuz `Islamin turk' të otomanëve, Misha është i shqetësuar nga `Islami arab', I cili sipas tij po zëvendëson `Islamin shqiptar' në Shqipëri, dhe kjo sipas tij përbën një kërcënim kombëtar. Ashtu si Kadareja, edhe Misha ka qenë në të kaluarën një komunist i flaktë që shkruante novela demonizuese kundër turqve dhe ngrinte lart komunizmin. Megjithatë, pas rënies së komunizmit Misha ashtu si edhe Kadare ka përjetuar një zhvendosje paradigme, pasi tanimë e mira e madhe për Mishën nuk është më komunizmi por kristianizmi perëndimor, i cili ndjehet i kërcënuar, jo më nga kapitalizmi i cili përbënte të keqen e madhe në periudhën e Enver Hoxhës, por nga Islami. Nga që Misha e sheh veten si mbrojtësin e kulturës korrekte në Shqipëri, arritjen e `Islamit arab' në vend ai e percepton si një kërcënim për kombin. Të keqen Islame Misha e gjen te burrat musliman që rrisin mjekrat dhe te gratë e mbuluara me shami. Artikujt e tij në mediat shqiptare kanë qenë të rëndësishëm në nxitjen e tensioneve islamofobike por edhe politike në vend të cilat kanë shkaktuar një seri reagimesh nga drejtuesit muslimanë, që kanë dënuar ashpër sulmet e tij. Megjithatë, për Mishën, në Shqipëri `Islam vendas' kërcënohet nga `Islami i huaj' të cilin Misha e sheh te gratë që mbajnë shami në kokë. Këto shami sipas Mishës nuk mbahen për qëllime fetare, por për qëllime politike dhe me prapavijë politike nga ata që `refuzojnë modelet e simbolet perëndimore'. Misha thotë që `është një dukuri që s'e ndeshim për herë të parë në historinë moderne. Veshja është shpesh shenja e parë e pranimit apo refuzimit të modeleve. Në Indi p.sh. gjëja e parë që bëri Mahatma Gandhi, kur nisi lëvizjen e tij kundër anglezëve, ishte braktisja e xhaketës dhe kravatës për t'u veshur me robën tradicionale indiane. Mao Ce Duni ndaloi veshjen euopiane, duke imponuar uniformën "revolucionare". Në Iran, pas revolucionit islamik të Khomeinit, masa e parë e dërmarrë ishte imponimi i një stili të caktuar veshjeje dhe sidomos mbulimi i grave. Pra, kemi të bëjmë me simbolikën e një reagimi antiperëndimor e antieuropian, ku feja s'është veçse një pretekst, një element për të arritur mobilizimin emotiv në një projekt që në thelb mbetet politik. A s'ia vlen të hapet ky debat?' Për këto arsye Misha mendon se lënia e mjekrës dhe mbulimi i grave muslimane janë thjeshtë një pretekst i cili synon largimin e Shqipërisë nga perëndimi. Sipas tij gratë e mbuluara i përdorin veshjen e tyre për qëllime anti-perëndimore dhe anti-evropiane, duke e përdorur fenë për qëllime politike. Prandaj Misha sugjeron që Islami në Shqipëri duhet të drejtohet nga shteti i cili vetëm në këtë mënyrë mund të ruaj `Islamin shqiptar' nga infektimi i tij me `Islamin' e armikut. Për këtë ai edhe i apelon organeve të pushtetit që të jenë vigjëlente ndaj armiqve duke thënë: A s'është, pra, koha që shteti shqiptar të hartojë një politikë të qartë në çështjen e fesë, duke u ndërgjegjësuar se kjo është një fushë që s'mund të lihet jashtë vemendjes në emër të bindjes naïve se ne shqiptarët na qënkemi ca qënie të veçanta, të lindura me një tolerancë fetare, të cilës s'ka armik që i bën dot gjë!

Manipulimet islamofobike të cilat kanë shfrytëzuar frikën perëndimore ndaj Islamit, dhe sajuar  legjendën e `Islamit të armikut' dhe `Islamit tonë', kanë prodhuar shumë analistë në shtypin shqiptar të dhjetë viteve të fundit, të cilët kanë përdorur islamofobinë për të arritur përfitime politike dhe ekonomike. Persona si Piro Misha, Ilir Kulla, Mustafa Nano, Fatos Nano, Fatos Tarifa dhe Damian Gjiknuri, janë disa nga emrat që kanë qenë në ballë të nxitjes së  islamofobisë në Shqipëri dhe kanë përdorur si justifikim të sulmeve të tyre kundër Islamit mitin e `Islamit shqiptar' dhe `Islamit arab'. Damian Gjiknuri një nga zyrtatët e lartë të Partisë Socialiste, që ka shërbyer si shef kabineti për ministrin e Rendit Publik në 2005, hartoi në vitin 2004 edhe një tezë gjysmake në shkollën Naval Postgraduate School të Kalifornisë, ku autori mbron tezën islamofobike të Kadares dhe socialistëve, se `shqiptarët kanë vuajtur njësoj si nga komunizmi ashtu edhe nga Islami' dhe që Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e Organizatës së Konferencës Islamike. Ideja se të qenurit i anëtarësuar në Organizatën e Konferencës Islamike do të thotë të jesh kundër Evropës është shprehur nga një numër i madh zyrtarësh socialistë, si p.sh Fatos Tarifa, i cili ka qënë ambasadori i Shqipërisë në Hollandë dhe SHBA. Por socialistët si puna e Gjiknurit kanë shkuar edhe më tej me agresionin e tyre kundër Islamit në Shqipëri, duke deklaruar edhe se Komuniteti Musliman në Shqipëri vuan nga një luftë e brendshme midis mbështetësve të Islamit shqiptar dhe atij arab, për ta kontrolluar atë. Shumica e zyrtarëve socialistë që në shumicën e rasteve i përkasin fesë ortodokse, ndërhyrjen e tyre në punët e brendshme të Komunitetit Musliman e kanë justifikuar me tezën se Komuniteti Musliman vuan nga një luftë civile ndërmjet atyre që mbështetësin `Islamin arab' dhe patriotëve që ruajnë `Islamin kombëtar'. Pra duke i dhënë betejës brenda-islamike ngjyra patriotike ata sugjerojnë që shteti të marrë në dorë KMSH-në për të ndërtuar kombëtarët që ruajnë Islamin e mirë. Ama Islami që persona si puna e Kadaresë, Gjiknurit dhe socialistëve duan të ndërtojnë në Shqipëri, nuk është aspak Islam. Fabrikimi i `Islamit shqiptar' përkundër `Islamit arab' është një shpikje që drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste prodhuan gjatë viteve të sundimit të tyre në Shqipëri për të justifikuar ndërhyrjet e tyre në punët e `Islamit'. Islami që islamofobët ortodoksë kërkonin të ndërtojnë në Shqipëri është perifrazuar qartë nga ish-ambasadori Fatos Tarifa i cili në një nga intervistat e tij në vitin 2006, ku mbronte tezat e Kadaresë në lidhje me Islamin, Islamin shqiptar e cilësoi si një "islam scotchi dhe uiski" apo më saktë si një Islam rakie. Megjithatë islamofobët ish-komunistë kanë patur një problem në definimin e versionit të saktë të Islamit herezi për Shqipërinë. Pse ndërsa për Kadarenë dhe regjimin komunist të të kaluarës, "Islami turk" gjendet i portretizuar si nëna e të gjitha të këqiave i cili rrezikon të shkatërrojë "Islamin tonë", për islamofobët e tjerë, si Piro Misha, Fatos Nano, Damian Gjiknuri etj "Islami arab" është trajtuar si xhindi i frikshëm i cili duhej mbajtur i kyçur në shishe.


Dëshira për të krijuar versionin politikisht korrekt të "Islamit shqiptar" ka nxitur në shumë raste zyrtarë të lartë socialist, si psh. Ilir Kullën, ish-kryetarin e Komitetit të Kulteve gjatë qeverisjes së Fatos Nanos në 2005, të shprehi hapur dëshirën e qeverisë së tij për të izoluar muslimanët shqiptarë nga bota e Islamit. Kur filloi punë në Komitetin e Kulteve, Kulla deklaroi hapur në media dëshirën që qeveria e tij kishte për të mos lejuar muslimanët shqiptarë që të shkojnë për të studiuar në vende të huaja pasi këto vende kishin realitete të tjera kulturore, etnike dhe politike nga ato të Shqipërisë. Ndërsa në raste të tjera Ilir Kulla i ka kërkuar shtetit që të marrë nën kontroll Komunitetin Musliman të Shqipërisë në një kohë kur kishat e tjera, kishin të drejtë të veprojnë sipas dëshirave të tyre.


Ndërsa islamofobët e sipërpërmendur me "problemin musliman shqiptar" kanë vepruar duke bërë thirrje për ruajtjen ose krijimin e një "Islami shqiptar", i cili pritej të jetë i ndryshëm nga i ashtuquajturi "Islam i huaj" apo ndoshta siç Piro Misha do ta kishte quajtur "Islami i armikut", Mustafa Nano i cili njihet si adhurues i socialistëve dhe është antëtar bordi i Fondacioni të Shoqërisë së Hapur në 2002, rekomandoi një zgjidhje tjetër. Në një ese të botuar në qershor 2002 ai deklaroi se në Shqipëri nuk ka muslimanë, madje edhe ajo pak gjë që kishte ngelur nga Islami në vend herët ose vonë do të hiqej nga presioni i perëndimit triumfues: "sundimtarët' perëndimorë me pak mundim strategjik e me ndihmën e mekanizmave lajkatues, imponues e detyrues, mund t'i rikthenin shqiptarët fët e fët në fenë e tyre të lashtë. Le që s'është nevoja fare për ndonjë aksion perëndimor. Procesi i demyslimanizimit po ndodh natyrshëm, jo vetëm si pasojë e një kuturisjeje elitare për ta injoruar këtë identitet fetar e për të rigjetur vetveten (identitetin e qëmotshëm, thonë një pjesë), por edhe nën presionin ledhatonjës të perëndimit të kamur e të fuqishëm".

Mënyra sesi shumë media dhe aktorë politike kanë barazuar Islamit me të keqen mund të lexohet shumë kollaj nëse dikush shfleton edhe titujt që shumë media kanë prodhuar në vendin tonë pas ardhjes në pushtet të socialistëve. Gazeta "Zëri i Popullit" psh. organi i Partisë Socialiste ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berishën me shprehje si `Muslimani Berisha' dhe cilësuar anëtarët e PD-së si `islamikë'. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka krahasuar Tiranën dhe situatën politike në Shqipëri me një proçes `Kandaharizimi' dhe ka akuzuar mbështetësit e Berishës si gjeneralë të ardhur nga Siria dhe Libia. Ndërsa Berisha në anën tjetër ka emëruar oponentët e tij me emra terroristësh islamikë. Kryetarin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Metën, Berisha e ka quajtur "Sheikhu Metullah", drejtorin e televizionit kombëtar "Mullah Omar", ndërsa kryetarin e Bashkisë së Tiranës e ka quajtur Edvin Jassin Al Kadi.

 

Publicisti i njohur Ervin Hatibi, proçesin e emërimit të oponentit me emra islamikë, e ka portretizuar si islamizim me dhunë të kundërshtarit.  Mënyra sesi Islami është barazuar me të keqen mund të lexohet edhe në titujt e disa gazetash dhe revistash agresive anti-Islame në Shqipëri si Gazeta Shqiptare, Koha Jonë, Klan, Zëri i Popullit etj. Disa nga titujt më agresivë që shtypi ka prodhuar në vitet e fundit kundër Islamit kanë qënë të tillë si "Rreziku islam për Shqipërinë", "Islami është përhapur me terror dhe me dhunë në Shqipëri", "Shqipëria depo e municionit islamik", "Muslimanët shqiptarë janë pasardhës të haremeve të sulltanëve", "Allahu shkatërron kishat", "Bijtë e ndarë të Allahut" etj. Këta tituj mund të bëjnë edhe personat më jo-ekspertë të islamofobisë për të kuptuar nivelin e injorancës dhe urrjetjes që islamofobët kanë prodhuar kundër Islamit në Shqipërinë e viteve të fundit.

 

Por përveç ish-aparatçikëve komunistë, islamofobia në vendin tonë është prodhuar në mënyrë agresive edhe nga një numër i madh shkruesish katolikë nga Shqipëria e veriut. Siç Abdi Baleta ka vënë në pah në librin `Kush dhe çfarë fshihet pas trillimit komunizëm islamik' një rol shqetësues në përhapjen e islamofobisë në Shqipëri ka patur edhe Partisë Demokristiane e katolikëve dhe organi i saj "Ora e Shqipërisë". Nën preteksin e sulmeve kundër komunizmit islamofobët katolikë Islamin e kanë barazuar me komunizmin ndërsa regjimin komunist e kanë quajtur një "feudo-komunizëm shqiptar islamik" Sulmet kundër Islamit nga ana e katolikëve nuk kanë ardhur vetëm nga mediat dhe politikanët e tyre, por në shumë raste edhe nga klerikë të lartë katolikë siç është rasti i Zef Pllumit i cili ka deklaruar se komunizmi në Shqipëri ishte një fondamentalizëm islamik. Islamofobët katolikë të cilët islamizimin e shqiptarëve e perceptojnë si tragjedinë më të madhe të fesë dhe kombit që ata imagjinojnë, pas viteve 1991 kanë qënë shumë aktivë duke sulmuar jo vetëm ringjalljen e Islamit në Shqipëri, por edhe anëtarësimin e Shqipërisë në OKI. Njerëz si Zef Brozi kanë shkuar aq larg saqë OKI-në ta barazojnë me Bin Ladenin dhe Al-Kaidën. Por në kundërshtim me socialistët të cilët kanë kërkuar të ndërtojnë një `Islam rakie' apo `Islamin shqiptar', akuzat e islamofobëve katolikë kundër muslimanëve kanë qënë se ata nuk janë muslimanë tamam, por janë viktima të dhunës turke të cilët duhet të rikthehen sërisht në fenë e të parëve. Konvertët e rinj të katoliçizmit në Shqipëri, si Tritan Shehu kanë shkuar aq larg me përdorimin e islamofobisë për qëllime politike sa që në një nga konferencat katolike të Këshillit të Shën Exhidios në Itali ka pretenduar që kristianizmi është identiteti i vërtetë kulturor i shqiptarëve muslimanë dhe se Islami është përhapur në Shqipëri me dhunë.


Presidenti Alfred Moisiu dhe Forumi Musliman i Shqipërisë

Ofendimi më i madh që islamofobët kanë prodhuar kundër muslimanëve shqiptarë në vitet e pas-komunizmit ka ardhur nga fjalimi i ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu bërë më datë 10 nëntor 2005, në Forumin e Oxfordit me titull "Toleranca ndërfetare në traditën shqiptare". Në fjalimin në fjalë ish-presidenti ndër të tjera ka deklaruar se `islami në Shqipëri nuk është fe burimore, por sjellë nga faktori ushtarak turk… islamizmi në Shqipëri nuk është fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli' dhe se `Si rregull është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh do të zbulosh thelbin e tij të krishterë.' Presidenti ka vijuar duke thënë edhe se `te çdo musliman shqiptar, gjen 15 shekuj krishtërim', dhe se `nuk është e vërtetë që në vendin tonë, jetojnë shumica me besim islam…' por se `në pikëpamjen vertikale diakronike të gjithë shqiptarët janë të krishterë'. Më tej presidenti ka thënë se: `mund të konkludohet se deri në çfaqjen e faktorit politik, ushtarak dhe fetar osman, për njeriun shqiptar e rëndësishme ishte të ishte një i krishterë I devotshëm.' Ofendimet që president Moisiu bëri kundër Islamit, duke e trajtuar këtë fe në mënyrë përbuzëse si `një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli'', dhe deklarimi i tij se muslimanët e Shqipërisë nuk janë aspak muslimanë por janë të krishterë detyroi Forumin Musliman të Shqipërisë i cili ishte themeluar pak kohë më parë, që të protestoj kundër blasfemisë së presidentit Moisiu në të gjitha mediat kryesore shqiptare, ndërsa kërkoi nga presidenti një apologji publike për muslimanët shqiptarë.


Edhe pse fjalimi i presidentit ishte shumë fyes dhe për më tepër fyerjes i shtohej fakti që ky ofendim vinte nga kryetari i një shteti multi-fetar, Moisiu nuk kërkoi të falur për aktin e tij por deklaroi që fjalët e tij ishin keqkuptuar. Megjithatë, protesta e organizuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë ishte një zhvillim i ri në luftën kundër islamofobisë dhe diskriminimit në historinë e Shqipërisë paskomuniste. Protestat e Forumit Musliman u shoqëruan nga një numër i madh letrash, artikujsh, emailash dhe telefonatash që ju drejtuan mediave në Shqipëri, presidentit, organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe email listave të internetit. Por për fat të keq Departamenti Amerikan i Shtetit dhe organizatat e tjera perëndimore që pretendojnë se merren me mbrojtjen e lirive fetare në botë, dështuan të marrin shënim shqetësimin e muslimanëve shqiptar me presidentin e tyre pro-Bushist.

Ngaqë viti 2005 ishte një nga vitet kur islamofobia në vendin tonë arriti nivele të patolerueshme, Forumi Musliman i Shqipërisë ka nisur të monitorojë urrjtjen anti-muslimane dhe fjalimet islamofobike në mediat shqiptare. Në këto vitet e fundit Forumi Musliman ka dënuar në vazhdimësi ofendimet islamofobike të prodhuara në hapësirën shqiptare. Raste për t'u përmendur janë përpjekja për cënimin e laicitetit të shtetit nga ana e Ilir Kullës kur ky kërkoi që shtetit të ndërhyjë në punët e brendshme të Komunitetit Musliman, ofendimi verbal që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama bëri kundër Hafiz Sabri Koçit , rasti i Karikaturave Daneze kundër profetit Muhamed, racizmi dhe islamofobia e Kadaresë etj.


Duke qenë së pas 11 shtatorit një numër i madh muslimanësh të huaj që jetonin në Shqipëri, janë rrëmbyer, keqtrajtuar, burgosur dhe dëbuar jashtë Shqipërisë në kundërshtim me ligjin, Forumi Musliman i ka bërë thirrje nëpërmjet faqeve të tij online të gjithë muslimanëve që jetojnë në Shqipëri,
qofshin ata shqiptar apo të huaj që të kontaktojnë me Forumin për të kërkuar drejtësi.


Forumi Musliman i Shqipërisë ka qënë i vendosur në monitorimin e islamofobisë, madje edhe kur bëhet fjalë për sjelljen e organizatave ndërkombëtare, si p.sh. Bashkimi Evropian. Në 8 qershor 2007, kur një gazetar i bazuar në Bruksel përmendi në mënyrë indirekte se Bashkimi Evropian nuk e favorizon hyrjen e Shqipërisë në BE ngaqë popullsia e saj është muslimane, Forumi reagoi vendosmërisht.
Gazetarët e Forumit kontaktuan kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore të cilës i kërkuan siguri nëse identiteti fetar i shqiptarëvë përbën problem për integrimin e Shqipërisë në BE. Forumi Musliman i Shqipërisë ka ngritur shqetësimet e tij edhe në Ambasadën Amerikane në Tiranë, kur Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë me fondin e dhënë nga ambasada Amerikane kërkonte të kthejë Xhaminë e Fatihut në kishë. Një nga problemet më të fundme që Forumi ka trajtuar ka qënë çështja e kartave të identitetit dhe shqetësimi që Forumi ka për të ruajtur ndarjen e kishës nga shteti në Shqipëri, përballë përpjekjeve të disa grupeve fetare që duan të kristianizojnë identitetin kombëtar të shqiptarëve.

 

I bindur që islamofobia është një sëmundje ndaj kohezionit shoqëror dhe dhunim i të drejtave njerëzore, Forumi Musliman i Shqipërisë i është dedikuar luftës kundër racizmit, islamofobisë dhe ksenofobisë në të gjitha format e tyre që në ditët tona shfaqen frikshëm në shoqërinë shqiptare. Veprimet e Forumit Musliman të Shqipërisë për të frenuar racizmin dhe islamofobinë në Shqipëri kanë patur ndikime pozitive në uljen e islamofobisë në vendin tonë në vitet e fundit. Filozofia e Forumit Musliman të Shqipërisë e cila kërkon të bëj muslimanët shqiptarë të ndjehen krenarë që janë qytetar të lirë, synon të arrihet nëpërmjet denoncimit të islamofobisë në vendin tonë, pasi siç theksohet në fillim të këtij punimi islamofobia është dhunimi i të drejtave të njeriut dhe kërcënim i kohezionit social, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama