Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

ARSYE

Nuk kam ndonjë qejf të shoh njeri pas hekurave të burgut. Në mos tjetër, se edhe atë që përfundon atje, duhet ta mbajmë me bukë e shtrojë ne të tjerët me taksat tona. Mirëpo kjo nuk është arsye që, në mos në burg, të paktën në gjyq, kushdo prej nesh ta bëjë kabull të shkojë kur e thërresin.

KOMPLOTI

Nuk kisha ndër mënt as të ulesha e të shkruaja, sikur të mos kisha dëgjuar që vetë Luli, nga podiumi i Ministrisë, të shpallte se "akuza kundër tij qënkësh komplot i Edi Ramës dhe i PS-së për të bllokuar bashkimin kombëtar". Demek, çdo natë, Rama mblidhet me të tijtë dhe diskutojnë të tmerruar: O bobo, si do t‘ia bëjmë, rruga po ndërtohet, Luli po realizon bashkimin kombëtar... Dhe dridhen nga frika si korbë të uritur në errësirë përballë dritës së shenjtë që rrezaton Luli, teksa realizon bashkimin kombëtar. Më e pakta që më vjen për të thënë, është: Ik ore mbushu!

Se ç‘ka ndër mënt Edi Rama unë nuk e di, por vallahi, asnjë ditë nuk i kam gjetur socialistët gjëkundi, duke diskutuar se si të sabotojnë bashkimin kombëtar që po na realizoka Luli.

TE EGRIT E ZYRAVE

Po përpiqemi që, edhe njerëzve gjysmë të egjër të maleve t‘u mbushim mendjen t‘i shtrohen ligjit dhe rregullave të shtetit. Po përpiqemi t‘i bindim se është më mirë që, paçka se ç‘mund të kenë bërë, është gjithnjë më mirë të ulin kokën para ligjit dhe t‘ia lënë në dorë drejtësisë, sesa t‘i drejtohen vetëgjyqësisë. Ndërsa këtu nuk kemi një të egër të zbritur nga malet, por bash Bashën, ministrin e Republikës, që nuk pranon t‘u shtrohet ligjeve dhe i drejtohet vetëgjyqësisë.

RESPEKTI PER VETEN...

Para një viti, kur vunë Ina Ramën atje ku është, u përbetuan se paskëshin gjetur të pikuarën nga qielli, e s‘lanë krahasim pa i bërë, herë me Silvia Kontin e herë me Zhan d‘Arkën. Vetë Luli ngriti dorën dhe votoi gjithë pathos për të. Nuk ka bir nëne ta besojë që Zhan d‘Arka brenda një viti u kthye në shtrigë e molepsur dhe e blerë nga njëri apo e shitur te tjetri. Qoftë edhe për respekt të votës së tij të para një viti, Luli duhet t‘u hipë këmbëve dhe t‘i mbajë në Prokurori.

... PER ZANATIN E VET...

Luli është jurist me zanat dhe madje kur shpaloste CV-në në kohë të KOP-it, e theksonte këtë gjë dhe logjikën e rreptë juridike që i kish falur zanati i juristit. Mirëpo, tani që po i thonë t‘i shtrohet ligjit, ai vetë arsyeton se, meqë e ndjen veten të pafajmë, nuk ka ndërmënt të shkojë në Prokurori. Nga ky moment, çdokujt i lind dyshimi që, ose na ka gënjyer kur na tha se është jurist, ose shkolla nga një vesh i ka hyrë e nga tjetri i ka dalë.

...DHE PER NE TE TJERET

Kur ministri jurist nuk shkon në gjyq me arsyetimin se ndjehet i pafajmë, si mund të kemi fytyrë të kërkojmë që t‘i shtrohet ligjit ai hajduti i rëndomtë që, edhe ai mund të thojë se ndjehet i pafajmë, pasi vodhi paratë se i duheshin. Apo ai tregtari i drogës, që mund të na thojë se shiti drogë, pasi dikush ia kish kërkuar t‘ia blinte. Me të tijën, secilit mund t‘i duket realisht vetja i pafajmë dhe i arsyeshëm veprimi që bën, por është shoqëria që, përmes mekanizmave që ka ngritur, e gjykon këtë punë pastaj. I fundmi që shkonte me logjikën e Lulit, ka qënë ai Kalifi i shekullit të tetë, i cili dogji Bibliotekën e Aleksandrisë me arsyetimin: "Nëse këta libra janë në kundërshtim me Kur‘anin, atëherë duhen djegur si heretikë. Por edhe nëse janë në pajtim me Kuranin, prapë duan djegur, se janë të tepërt". Mirëpo që asokohe, kanë rrjedhur 13 shekuj, që të vazhdojmë me të njëjtën logjikë.

KRISHTI

Askush nuk ka lindur me të drejtën hyjnore të vlerësojë që nga shtëpia, nëse akuza që i bëjnë është e drejtë a e padrejtë, e ca më pak pastaj të thojë që, meqë më duket e padrejtë, as që shkoj fare në gjyq. Edhe Krishti që ish bir i Perëndisë, paçka se mund ta zgjidhte punën me një rrufe në kokë të akuzonjësve, iu shtrua ligjit dhe shkoi ta gjykonin. Dhe kur nuk e bëri këtë biri i Perëndisë, më duket ca e ekzagjeruar të lejojmë ta bëjë biri i PD-së.

BUZEQESHURIT

Të gjithëve na kujtohen ato kohët e para pas fitores së PD-së më 2005-ën. Zyrat u mbushën plot Lulër të qeshur, që premtonin çudira dhe mezi ç‘prisnin radhën për të dalë faqe kamerave, ndërsa tani pas vetëm tre vjetësh, fshihen vrimave sa as prokuroria si zë dot t‘u japë një copë letër në dorë. Edhe për këtë vlen vajtja e Lulit në prokurori, vlen që çdo krah politik të mos i hipë së prapthi kalit të pushtetit, se siç i hipën ashtu, edhe mund të qorrolliset një ditë.

ÇESHTJA SHQIPTARE

Shqipëria në udhëkryq ka qenë jetë e mot, por kësaj radhe është në udhëkryq jo vetëm ajo, por e gjithë çështja shqiptare. Pikërisht tani po ndahen kufijtë për të njëqind vjetët e ardhmë lart e poshtë nëpër Ballkan dhe, bash për këtë, sa na është dashur politika e jashtme tani, besoj se nuk do na duhet më asnjëherë. Dhe pikërisht tani, ne na përfaqëson një ministër që gjysmën e kohës i duhet të mendojë si e si të shmanget nga akuzat e prokurorisë për vjedhje, si t‘u përgjigjet gazetarëve për këto punë, e pastaj, po i mbeti kohë, të merret edhe me punën për të cilën e paguajmë.

Si të mos mjaftojë kjo, pikërisht ky njeriu që nëpër gjithë gazetat e vendit dhe nëpër ato gazeta të botës që na zënë në gojë, endet si njeri që i kanë hequr imunitetin për vjedhje, pikërisht ky pra, duket të takojë të mëdhenjtë e botës dhe t‘u flasë për punët tona kombëtare. Merret me mënt se sa i zë vend llafi. Edhe për këtë, që është një arsye aq madhore sa tejkalon gjithë të tjerat, Luli duhet të lirojë karrigen e ministrit të Jashtëm tek një njeri tjetër, që të paktën, kur të piqet me të huajt, të mos u fanepset siç e lexojnë nëpër gazeta.

DOREHEQJA

Pardje, ministri i Brëndshëm i Indisë dha dorëheqjen, si rrjedhojë e atyre atentateve në hotel të integralistëve. Deklaroi se dorëhiqej, pasi ndihej moralisht përgjegjës që nuk i kishte parandaluar dot. Nuk më thoni dot që edhe këtu Mediu dha dorëheqjen pas Gërdecit. Mos harroni se Mediu dha dorëheqjen, pasi u akuzua si pjesë direkte e qametit të Gërdecit dhe që po të bëjmë krahasim, i bie që ministri i Indisë të akuzohej se ishte organizator i atentateve në vendin e tij. Kështu që nuk është njësoj dhe këtë shembull e solla për të demonstruar se anekënd, jo vetëm Evropës, por edhe në Indinë e largët, kur një funksionar sado i lartë politik hyn në konflikt me shtetin apo me pjesë të tij, ai hiqet mënjanë. Pseja e këtij veprimi është e vjetër, të paktën që në kohë të grekërve të lashtë: Mbrojtja e shtetit, si bazë e kontratës midis qytetarëve, është më e rëndësishme se fati i cilitdo individi të veçantë.

OPINIONI PUBLIK

Ka edhe një arsye tjetër për këtë punën e dorëheqjes, arsye kjo që është jo e kohës së grekërve të vjetër, por e kohës së krijimit të partive politike. Në raste të tilla, çdo forcë politike preferon të sakrifikojë një përfaqësues të veçuar për të shpëtuar figurën e së tërës përpara opinionit publik. Ah, harrova kryesoren! Kushti themelor që një parti t‘i druhet opinionit publik është ekzistenca e opinionit publik dhe këtu ndër ne, më ngjan se ky i fundit, o duhet të lindë ende, o nëse ka lindur, duhet të zgjohet nga gjumi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama