Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk e meritojme

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Nuk e meritojme

Kruja ja del të më çudisë gjithnjë. Çdo radhë që shkoj e gjej ndryshe. Që sa le Fushë-Krujën dhe merr udhën drejt kodrave, fillon çudia e parë. Rrugë me gropa ka shumë Shqipnia, po gropa si ato të atjeshmet, zor të gjeni më kund tjetër. Makinat zvarriten me 10-15 km në orë, duke gjarpëruar përreth gropave e pellgjeve që vetëm Zoti dhe ata që kanë përfunduar brenda, e dinë sa të thella janë. Gjatë gjithë kohës të shoqëron një erë e rëndë gome të djegur, që shpjegohet kur sheh ngado të lartohen drejt qiellit kolona tymi të zi që dalin nga furrat e gëlqeres që djegin goma të vjetra. Me ç‘kam pyetur, më kanë thënë se jemi i vetmi vend... në Ballkan? Jo. Në Evropë? Jo, or jo, në botë, që djeg në mënyrë masive goma të vjetra, një nga materialet më helmues, më ndotës, më, më, më... që mund të mendohet. Dhe kjo bën vaki në zemër të Shqipërisë sonë të dashur dhe në këmbët e monumentit tonë patriotik historik të heroit legjendar. Ngado male me plehra, hedhurina, inerte, pirgje me vjetërsira që do të digjen pranë furrave, furra të vjetra të braktisura dhe të tjera që po hapen, njerëz të drobitur që vërtiten rreth tyre, të tjerë fytyrë-lodhur e krahë-varur që tërheqin copa drush e karkasa të vjetra dritaresh.

Po ka edhe më. Brezat e kodrave që valë-valë ngjiten drejt qytetit, ndryshojnë ditë pas dite. Të dhëna me licenca për t‘u përdorur si gurore, ato gjëmojnë vazhdimisht nga dinamiti dhe makinat gurthyese. Karvanë me kamionë të rëndë të ngarkuar fund e majë me gurë, zbresin ngadalë rrugën e Krujës drejt fushës, drejt furrave të gëlqeres dhe drejt fabrikave të çimentos. Në ngjitje-zbritjen time nga Kruja, numërova 28 kamionë të rëndë. Një pjesë e kodrave nuk janë më dhe do goxha imagjinatë që të kujtosh se aty ku sot ka vetëm ajër të ndotur, dikur ishte një kodër me ullinj.

Ka qenë dikur aty edhe një monument me një basoreliev të madh bronzi që përkujtonte luftërat e Skënderbeut. Fillimisht i vodhën pllakën e bronztë. Pas ca kohe u zhdukën një nga një pllakat e mermerit dhe gurët e skalitur që e vishnin përmendoren. Tani ka mbetur vetëm një kolonë betoni e gërryer ngado, e cila bashkë me kodrën do të zhduket pas pak në furrat e gëlqeres. "Sic transit gloria mundi" thotë latini (kështu shkon lavdia e botës). Ne shqiptarët, varrin ja hapëm heroit, monumentet ja grabitëm për skrap e gëlqere, por nuk lejojmë kënd ama të na i prekë.

Rruga e Krujës, dikur ka qenë një nga rrugët më të bukura të vendit. Gjarpëronte mes një pylli të ngjeshur pishash dhe ullinjsh me ajër të freskët. Ullinjtë, sipas legjendës, i kish mbjellë Skënderbeu. Pishat, sipas dokumenteve, i mbolli Enveri. Dalëngadalë, vepra e të dyve po zhduket. Tani ka mbetur vetëm një rrip i hollë pemësh përgjatë rrugës, jo më i gjerë se nja dhjetë metra, përtej të cilit duken cungjet e mijëra e mijëra pemëve të prera e djegura nëpër furra dhe më tej akoma guroret.

Po kthehem edhe një herë te guroret. Askush që nuk shkon vetë ta shohë, nuk mund ta kuptojë se ç‘dua të them me "po zhduken kodra të tëra". Jam i bindur që, që tani është e nevojshme të bëhet një hartë e re e krahinës së Krujës, pasi ato që ekzistojnë janë plot me kodra, pyje e relieve, që nuk ekzistojnë më. Shkoni të shihni, por pastaj mos ma vini fajin mua, nëse do t‘ju neveritet - jo vëndi - por njerëzit që mund t‘i bëjnë të tilla krime vëndit të tyre. Sidoqoftë, ka një të mirë kur kodrat zhduken fare. Një kodër e zhveshur, e gërryer dhe e hedhur në erë, është një gjë e shëmtuar që vret syrin, ndërsa një kodër që është e zhdukur fare nga rrëza, nuk krijon më imazh të keq. Ajo thjesht nuk është më dhe ekziston vetëm në kujtesë dhe në hartat e vjetra.

Megjithatë ka edhe më keq. Shpella e Trenit pranë Prespës mbart brenda disa prej pikturave antike më të bukura dhe njëkohësisht interesante të Ballkanit. Dëgjova para ca kohe se një pjesë e tyre ishin shkatërruar në përpjekje për t‘i shkulur me gjithë shkëmbinjtë ku janë bërë me qëllim për t‘i shitur. Them se në Greqi, pasi zor se mund të mendohet që ndokush mund të marrë udhën për Itali a Austri me një shkëmb në kurriz për ta shitur. Historia na mëson se njerëzit e shpellave vjedhin e plaçkitin poshtë në fusha e qytete dhe pastaj tërhiqen në shpella me plaçkën e vjedhur, ndërsa ne po vjedhim edhe vetë shpellat. E shihni që e keqja s‘ka fund?!

NE KRUJE

Mbërrij në Krujë dhe marr udhën drejt Pazarit të Vjetër. Edhe Pazari i Vjetër i Krujës ja del të më çudisë gjithmonë. Çdo radhë e gjej të ndryshuar me ndërtime të reja betoni pa leje. Meqë ndërkaq kisha vendosur ta bëja këtë shkrim, u vura të numëroj ndërtimet pa leje. E dini sa më dolën vetëm në rrugën nga Pazari deri në hyrje të Kalasë? Plot 34. Jo kioska apo baranga druri a llamarine, por që nga godina një e dykatëshe, e deri në karabina 4 e 5-katëshe prej betoni të shëmtuar, tmerrësisht të shëmtuar. A nuk është kjo një mrekulli? Në 400 metra rrugë, 34 monstra betoni. Kush mund t‘ja dalë të ndërtojë kaq shumë, kaq shëmtuar, kaq pa leje, në kaq pak vënd dhe e gjitha mu midis tempullit të shenjtë të botës shqiptare, siç i kemi thënë Kalasë së Krujës.

Dy sulltanët babë e bir, Murati II dhe Mehmeti II, nuk ja bënë dot Krujës atë dëm që po ja bëjmë ne bijtë gjakprishur të saj. Sidoqoftë, nëse bëjmë një hesap të thjeshtë, mund të dalë se ushtria e atyre që e kanë sulmuar në shekuj këtë qytet për ta shkatërruar, është më e vogël se ushtria e atyre që paguan sot shteti shqiptar për ta mbrojtur dhe që, duke mos bërë detyrën e tyre, ja kanë dalë ta shkatërrojnë. Pa llogarisni pak:

-Ministri Mjedisi, me ministër, drejtorira e administratë.

-Inspektorat Mjedisi, me inspektorë të shpërndarë në të gjithë territorin.

-Inspektorat Kombëtar Ndërtimi, edhe ky me inspektorë ngado.

-Ministri Kulture, me Pango, drejtorka buzëlyera, e specialistka që rrinë me dekolte edhe në dhjetor.

-Institut i Monumenteve të Kulturës, edhe ky me degë në të gjithë vendin.

-Bashki, me gjithë inspektorat të vetin e me gjithë polici bashkiake të vetën.

-Ministri e Punëve Publike, edhe kjo me gjithë të vetët.

T‘u numëroj më? Të gjithë këta, e gjithë kjo ushtri, paguhet, merr rroga e shpërblime, ka zyra, vetura, telefona, poltrona e kompjuterë, ka ligje, nene e rregullore, për të bërë një punë të vetme: Në këtë rast, Krujën që e bënë gjyshërit dhe na e transmetuan shekujt, ta ruajnë për t‘ua lënë atyre që do të vijnë pas nesh. Asnjë syresh, nuk e bën punën e vet. U qërofshin një orë e më parë, atëhere!

NE KALA

Në kala nuk hyra, se atje të presin të tjera tmerre hekur-betoni, por mjaftoi një tjetër karagjozllëk që t‘i vinte kapak. Në faqen e Kullës së famshme të Kalasë, kishin montuar një shqiponjë të stërmadhe prej llamarine të lyer me të zezë, që të godet synë që tej. Nuk e mora vesh se kujt i kish vajtur mëndja tek një shpikje e tillë pa shije, nuk e di as sa para janë dashur të shpenzohen për ta prodhuar e për ta montuar atje majë kullës. Nuk e di as nëse është marrë leje nga Instituti i Monumenteve.

Di vetëm që Kalaja pas ca kohe nuk do shihet më as nga Pazari e as nga rruga, pasi do mbulohet plotësisht nga ndërtimet pa leje dhe shtëpitë me kolona betoni. Edhe për ta fotografuar atë shqiponjën e kullës, m‘u desh të gjeja një shteg midis brekëve dhe sytjenave të varura në ballkonet e shtëpive pa leje, ku rrinë shqiptarët patriotë që, vërtet po i vënë kazmën vëndit të tyre, por që nuk të falin për atdhe ama. Të atyre shqiptarëve që u mërzitën nga Libri i Shmitit se demek u shante Skënderbenë, por që vetë ja kanë bërë në majë të kokës heroit me kohë e vakt. Sikur një e qinta e energjive që u harxhuan për t‘i hedhur baltë Shmitit, të qe harxhuar për të zënë me gurë Xhuvelin a Salinë, sot do kishim shpëtuar edhe nga këta të dy, por edhe Krujën do e kishim nuse majë malit.

E thënë ndryshe si gjithmonë shqiptarët ja dalin të jenë... vërtet të dhjerë, po krenarë ama!

NAIMI

"Krujë o qytet i bekuar/prite prite Skënderbenë". Kur Naimi i këndonte Krujës kështu, as që ja mirrte mëndja se çfarë ishin të zotët t‘i bënin shqiptarët Krujës. Kushedi se sa çudi i vjen atje së Larti, kur na sheh këtu poshtë neve që, me kazma, dinamit e beton po përpiqemi t‘i fshijmë kujtesën vetes. Nuk do mundet dot as ti pyesë Salinjtë, Xhuvelët e Pangot, kur këta të shkojnë një ditë në atë botë. S‘do i pyesë dot se Naimi është në parajsë mes të urtëve e të mirëve, ai e kreu detyrën ndaj vëndit të vet, ndërsa këta të tjerët do përfundojnë në rrethin më të zi të xhehenemit me ç‘kanë bërë në këtë jetë.

Këtë hall e ka pasur edhe Dantja tek "Komedia Hyjnore". Donte të vinte të mirët e të liqtë të debatonin me njëri-tjetrin, por s‘qe e mundur se, një palë qe në Parajsë, e pala tjetër në Ferr. Dantja e zgjidhi hallin duke shkuar vetë, herë Lart në qiell te të urtët, e herë Poshtë në gropë te të liqtë. Tani mora kot më duket. Ku Dantja e ku Saliu.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama