Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

MAKBETH

Deri sa e dëgjoja nga LSI-ja, më dukesh thjesht luftë politike, arnautçe vërtet, po sidoqoftë politikë, nga ato që bëhen për të mbushur faqet e gazetave dhe që nuk zënë vënd gjëkund. E keqja është se këto ditët e fundit, të njëjtat recitime po i shoh të hedhura në letër nga zëra të pavarur dhe kjo fillon të më shqetësojë se tregon që edhe arnautllëqet zënë vënd kur përsëriten sabah-aksham. Le pastaj që më zuri edhe një çikë frikë, se mos larg qoftë, është e vërtetë dhe ku do mbytemi pastaj. Ndaj po i nxjerr faqe të gjithëve mejtimet që më hanë së brëndmi.

"Rama ka bërë pazar me Berishën, që ky të mbetet në pushtet". Kjo është fraza që po më le pa gjumë. Të jetë e vërtetë vallë? Bën vaki se, me ç‘ka vjedhur Berisha, ka të mbajë e të japë. Mirë, po interesi i Ramës kush duhet të jetë, se është po LSI-ja, ajo që thotë që Rama është miljarder. Kështu që s‘ka si bëhen bashkë këto dy gjëra.

Pastaj, edhe në dashtë Rama të shitet dhe të bëjë pazar, po ne të tjerët pse i shkojmë pas, apo mos jemi gjë syleshë. Duhet ta sqaroj mirë këtë punë, se po qe se ka bërë pazar, urgjentisht duhet të iki nga ajo parti, se do mbetem në opozitë gjithë jetën pastaj dhe, pa pushtet nuk bëj dot asgjë nga ato që dëshiroj të bëj dhe që i dini të gjithë, se i shpreh nëpër shkrime. Sikur të bëhem drejtor i monumenteve, për shëmbull, që të shpëtoj ç‘ka mbetur, se nuk vazhdohet më duke i thënë gjërat me artikulla, apo duke iu lutur njërit e tjetrit në telefon. Pastaj kur e mendoj mirë, kuptoj se shumë gjëra nuk i bëj dot si drejtor dhe vendos se do të duhet të bëhem ministër. Po kur mendohem mirë, më del se as ministër s‘është e mjaftë, se ka gjëra që kërkojnë vullnet më të madh dhe them të bëhem Kryeministër. Mund edhe të bëhem, meqenëse Rama nuk do bëhet dot se është shitur, por nuk bëhem dot se po qe shitur Rama, mbetet Berisha Kryeministër. Hej dreq, sa e koklavitur qënka.

Ndoshta nuk hapim gojë, jo se jemi syleshë, por nga frika? Mirë ata që ka në bashki edhe mund t‘i trëmbë se i heq nga puna, po mua me ç‘më tremb, se unë proletar jam, s‘firmos bordero gjëkundi. Ju kërcënon se do t‘iu lërë pa punë nesër, kur të jetë në pushtet - do thosh ndonjë që të do të mirën. Mirë, por po qe kjo, nuk ka si të jetë e vërtetë që ka bërë pazar që të lerë Berishën në pushtet, atëhere. Shyqyr, se u çlirova nga ankthi.

Apo mos nuk flasim se, nga pazari që ka bërë ai me Berishën, diç do pikojë edhe për ne të tjerët? Po, po kjo duhet të jetë. Gjithë ato miljarda që thuhet të lëvizin poshtë e përpjetë, ka për të shpërndarë e për të mbajtur. Dale, dale, se po qe kështu, ku do t‘i gjejë t‘u mbushë xhepin që të rrijnë urtë, të 70.000 antarëve të partisë. Punë që s‘bëhet as kjo.

E shihni se në ç‘dyshime makbethiane, ia doli të më fusë mua, e sa të tjerë si unë një frazë e vetme e tjerrë e stisur me kujdes, e lëshuar me po aq mjeshtëri në publik, por pa llogjikë brënda? Intriga dramash shekspiriane, që lënë pa gjumë shqiptarët: "Makbethi vrau gjumin, Makbethi nuk fle më". Më ngjan se po i jap si shumë nur anglo-sakson kësaj historie që, e sjellë në Shqipëri, më kujton një estradë të Vaktit, ku një ballist që ia kishin hedhur partizanët, thoshte i çuditur se: "partizanët ishin veshur si partizanë që t‘i mernim ne për ballistë, ndërsa gjermanët ishin veshur si gjermanë që t‘i merrnim për partizanë, ndërsa gomari i Zalos ishte veshur si gomar që ta merrnim për kalë". Dhe ne të gjithë, që rrijmë rrotull dhe vrasim mëndjen të kuptojmë hallin e Zalos.

KOPSHTI I LISIAS

Vajza ime shkon në kopësht. Kopshti Shtetëror 41. Drejtoresha e kopshtit është demokrate. Para saj ishte një socialiste, që e hoqën se vunë një demokrate. Kur të ndërrohet qeveria, do heqin demokraten, për të vënë prapë një socialiste. Ky quhet darvinizëm politik. Kjo reformë, që fillon që nga maja e piramidës, të paktën në nivel kopshtesh, nuk ka pasoja të këqija. Arsyeja është e thjeshtë. Edhe drejtoret socialiste edhe ato demokrate janë nëna dhe një nënë nuk mund të jetë kurrë e keqe me fëmijët, qofshin këta edhe të të tjerëve.

Para ca ditësh, drejtoresha mblodhi prindërit dhe kërkoi të mblidhnin një fond për të blerë ca gjëra të domosdoshme (letër higjienike, kartëpiceta etj.). Edhe pararendësja e saj socialiste njëlloj kishte vepruar, pra të paktën në këtë pikë programi i partive qenka njëlloj. Ne, prindërit, mblodhëm paratë pa shumë fjalë, se jemi mësuar tashmë me këtë punë dhe të paktën këto para nuk do tenderohen që të bëhen kashtë e koqe.

Kopshti i Lisias nuk ka oborr, ose më mirë nuk ka më, se e ka marrë pronari dhe parkon makina. Dhoma e gjumit nuk ka rreshta krevatesh, por është e gjitha cep më cep e mbushur me krevate dhe fëmijët duhet të kapërcejnë nga krevati në krevat pa u zënë këmbët dhé, për të hyrë e dalë nga dhoma. Mirë do qe të ndërtohej një kopësht i ri për fëmijët që janë shtuar, po pronari i oborrit ku do t‘i parkojë makinat pastaj?

Para ca ditësh, një drejtore e madhe në ministri, deklaroi se vërtet janë nga 40-50 fëmijë në çdo grup, por tani fillojnë virozat e gripit dhe një pjesë e fëmijëve do sëmuren dhe kështu do rrallohen. I tmerruar pashë nga ime bijë. Cili do të qe fati i saj? Do sakrifikohej në altarin e kopshtit për të mirën e fëmijëve të tjerë, apo do të mbijetonte, duke përfituar nga hapësira që do krijohej nga sëmundja e shoqeve të saj? Ky quhet darvinizëm natyral. E shihni? Sa ishte në nivel drejtoreshe kopshti, që është direkt në kontakt me fëmijët, nëna është nënë, demokrate a socialiste qoftë. Sapo bëhet drejtore në ministri, ajo kthehet prapë në një shtrigë shpirtkazmë.

Ime bijë që po luante me Simpsonët, nuk kuptoi gjë nga ç‘u tha në televizor dhe unë nuk kam ndërmend ta porosis të mos u afrohet shoqeve që i kanë sytë të skuqur apo që u rrjedhin hundët, që të mos sëmuret. Ky do të ishte darvinizëm social. Më mirë të sëmuret tani në vegjëli, sesa të bëhet shpirtkatrane, si ajo drejtoresha e ministrisë, kur të rritet!

Zgjidhja që na dha qeveria e fillim shekullit XXI qe: "Duroni se do mbijetojnë më të fortët". Po kësaj udhe, para ca ditësh na u deklarua se në spital nuk ka më as narkozë dhe mund të kryhen vetëm ndërhyrjet ku mund të durohet dhembja.

Një nga dallimet kryesore të kohëve moderne nga mesjeta, është zhdukja e dhembjes. Bota moderne është e mbushur me dhimbje shpirtërore, por dhembjen fizike e ka lënë pas në të shkuarën. Njeriu modern madje ka lënë pas edhe dhembjen te dentisti tashmë, e jo më në të tjerat. Ndërsa këta po na kthejnë në mesjetë. Po na kthejnë te njeriu që dridhej në dimër, që rrinte grumbull për të përballuar të ftohtin, po na kthejnë tek epidemitë që rrallonin njerëzit për të jetuar më mirë ata që mbijetonin, po na kthejnë tek epoka kur operacionit i mbijetonte ai që duronte më shumë dhembjen. Mesjetë e errët e zbritur nga malet, që ne e kemi hipur në pushtet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama