Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni Tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni Tavolinash

Kisha bërë hesap që gushtin ta shkoja duke u marrë me histori, po ku të lë ky vënd që t‘i biesh pas historisë, me gjithë historitë e marra që nxjerr nga furra ditë pas dite.

MASKAT

- Ç‘është kjo punë kështu! Prapë dolën maskat në udhët e Veriut?!

- Po pse, çfarë ka të jashtëzakonshme në këtë? Ato aty kanë qenë gjithmonë dhe sa herë shohin që shteti nuk e ka mëndjen apo dobësohet, ato shfaqen dhe bëjnë ato që bëjnë.

- Po ç‘është kjo, që zënë rrugën publike!

- Për këtë s‘është faji i tyre, po i të tjerëve që e kanë bërë rrugën atje ku janë maskat. Ata atje janë në male. Ti shkon dhe ju kalon përmes dhe pastaj qahesh.

- Po jemi në vitin 2008, pse kështu do vazhdojmë?

- Ta thash një herë. Maskat aty kanë qenë jetë e mot, kështu që çfarë ndryshoi që papritur në vitin 2008, nuk duhen të jenë më, apo se tani rrojmë unë e ti.

- Po jemi duke firmosur edhe marrëveshjen e asociim-stabilizimit, dreqi ta hajë.

- Firmose ti, është puna jote. Ç‘punë kanë maskat në këtë mes. Ato kanë punën e tyre. E ç‘u duhet maskave marrëveshja jote?

- U duhet pra, se jemi në kohët moderne dhe s‘mund të vazhdojmë histori me maska.

- Ja fute kot. Çdo epokë, është epoka moderne për ata që jetojnë në atë moment. Kështu që, edhe kur njerëzit shpikën shkrimin, maskat aty ishin, edhe kur shpikën qeramikën apo metalet, ato prapë atje ishin në male. Në shekullin e katërmbëdhjetë, kur u shpik baruti dhe topi, njerëzit prapë thanë tani jemi në kohë moderne, por maskat prapë atje ishin. Pastaj u shpik makina me avull, më pas elektriciteti, më pas automjeti, radioja dhe në fund edhe televizori, po maskat atje ishin, prapë në male, duke pritur që dikush të kalonte i shkujdesur dhe ato t‘i prisnin fytin. Tani në fund, raketa vajti në Hënë, erdhi koha e kompjuterit dhe e celularit, po ç‘u duhen maskave këto. Ato kanë punën e tyre. Më pas, do vijnë të tjera kohë moderne, po prapë maskat do kenë punën e tyre në male e shpella.

- Po si mund të ketë të tilla gjëra akoma?!

- Shiko, ka të paktën 2200 vjet që vazhdon kjo punë kështu. Që kur Teuta filloi të grabiste anijet që kalonin nëpër Adriatik dhe romakët, pasi i thanjë një herë e dy, që lëre këtë punë, i hynë vëndit dhe e bënë shesh e lëndinë. Që atëhere, maskat e lanë detin dhe fushën dhe u mbyllën në male, ku atje vazhdojnë punën e tyre. Tani vjen ti dhe do që të mos i lësh edhe atje. Kjo është e padrejtë.

- Po si ka mundësi, që nuk kanë ndryshuar fare në 2200 vjet?

- Kjo s‘është e vërtetë, se të paktën së jashtmi maskat ndjekin teknollogjinë e kohës. Në Mesjetë i bënin me lëkura pemësh, ndërsa tani përdorin çorapet e zeza të gjysheve dhe ndoshta do vijë një ditë që t‘i bëjnë me copëra nga skafandrat e astronautëve, po prapë maska do jenë ama.

- Jo, se kam llafin që të ndryshojnë maskat, por ata që i mbajnë!

- Unë do të çuditesha po të ndryshonin. Një traditë që vazhdon që prej 2200 vjetësh, është kolauduar aq mirë, sa nuk ka burrë nëne që ta ndryshojë apo ta shkulë. Kështu që, sa kohë të vazhdojnë maskat, mund të themi me siguri se gjaku i arbrit rron i pandryshuar. Ditën që nuk do dalin më maskat, duhet të frigohemi se do të jetë dita që do jemi shprishur.
MESIM HISTORIE

Romanët sefte, bizantinët më pas, e në fund edhe turqit, u përpoqën boll t‘u hynin maleve tona dhe t‘i shtronin nën ligj e rregulla, po sa harxhuan pará e njerëz më kot e rrahnë ujë në havan. E zinin me zell të madh në fillim, po pastaj pas ca kohe, shihnin që qe mund e harxh i kotë ajo punë dhe e mblidhnin mendjen: përqendroheshin me ushtri e administratë poshtë në fusha, mbanin qytetet e kalatë dhe përpiqeshin të shpëtonin ato të paktën. I kisha lexuar për vite me radhë këto gjëra nëpër libra, po më dukeshin punë librash të kaluara dhe thonja se axheba, kanë ndërruar kohët dhe tani nuk duhet të shpëtojmë vetëm kalatë, po edhe malet, pyjet e luginat. Po më së fundi u lodha e hoqa dorë dhe unë nga kjo punë.

Kam vite e vite që lëftoj e përpiqem me penë, bashkë edhe me shumë të tjerë, të shpëtoj bukuritë e hiret e këtij vëndi. Të mbush mëndjen e njerëzisë që është krim të shkatërrosh me një gurore një mal të tërë, që i janë dashur miliona vjet që të ngrihet. T‘u them se është kollaj që me një sëpatë dhe një motosharrë të shtrosh përdhe një pyll të tërë që i janë dashur mijëra vjet të ngrihet e të hijeshojë këtë tokë. T‘u them se nuk është punë që bëhet që t‘i rrëmihin të gjitha kodrat e fushat për të bërë shtëpi e pallate. T‘u them se u hyjmë në gjynah atyre që do të vijnë pas nesh, që të zëmë edhe pëllëmbën e fundit të barit me beton e hekur. Mirëpo shqipëtarët, ca nga padija, ca nga grykësia e ca të pakëve, e ca nga injoranca e atyre që i qeverisin, nuk kanë ndër mend të ndalen në këtë punë deri sa t‘i nxjerrin fundin.

Ca ditë të shkuara, me ligjën që kaloi në Kuvend për të zënë edhe fushat e sportit, e treguam se vala e shkatërrimit do vazhdojë të përparojë deri sa të ketë ç‘të gllabërojë. Ore po në fund të fundit, pse duhej të shpëtojnë bukuritë e këtij vëndi? Kush i do ato? Komisioni i Kthimit të Pronave nuk i do, se do që t‘ua kthejë pronarëve dhe kështu të marrë copën e vet. Ish-pronarët nuk i duan, se duan të ndërtojnë. Bashkitë nuk i duan, se kërkojnë të japin leje ndërtimi. Ndërtuesit nuk i duan, se duan të bëjnë pallate. Ata që punojnë aty, apo që prodhojnë materiale ndërtimi nuk i duan, se duan të punojnë e të shesin materialet. Ata që kanë para nuk i duan, se duan të blejnë shtëpi aty te ndërtimet e reja, se do jenë në vend të mirë. Banorët rreth e rrotull nuk i duan, se u duhen pemët e prera për t‘u ngrohur. Politika nuk i do, se do të fitojë votat e gjithë këtyre që rreshtova më sipër. Atëhere vërtet mendoni se shumë bukurira, parqe, fusha sporti apo pyje, do shpëtojnë vetëm se po ju qaj unë përsipër, apo se do mbeten pa fole zogjtë? Jo mor Zot, nuk funksionon kështu kjo punë. Kur të jetë prerë edhe pema e fundit, kur të jetë mbuluar me beton edhe centimetri i fundit, kur të ketë mbetur vetëm kujtimi i Shqipërisë së bukur, vetëm atëhere bijtë a nipërit do zënë të vajtojnë për marrëzinë e etërve dhe gjyshërve.

Kështu arrita edhe unë në atë pikën që, si romakët, bizantinët e turqit, t‘i lë malet, pyjet e kodrat në fatin e tyre dhe të shoh ç‘mund të shpëtohet poshtë nëpër kala. Nëpër ato të pakta monumente të së shkuarës që i kanë mbetur këtij vëndi dhe që edhe ato rrezikojnë të bëhen kurban i grykësisë dhe tamahqarllëkut.

Të paktën në këtë punë, kjo javë më dha nja dy shkëndija drite. Njëra ish për Kalanë e Tiranës, për të cilën me ç‘duket po gjenden ca para për ta ndrequr e lartuar dhe rasti tjetër, prapë në Tiranë, me Pallatin e Brigadave, për të cilin përfundoi dhe ju dorëzua Institutit të Monumenteve projekti i restaurimit.

Ua kam zilinë romanëve, bizantinëve dhe osmanëve, se këta, në fund fare, kur shihnin se s‘kish udhë tjatër e s‘ish punë që bëhej, iknin fare që këtej e shkonin në punë të tyre, duke thënë "kokën hëngshi", ndërsa unë që jam pjesë e këtij vëndi, s‘kam ku vete, po do përpjek kokën këtu.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama